Ka kaluar tashmë shumë kohë. Megjithatë, duket sikur të ketë qenë dje. Para se Euro 2008 të zhvillohej në Zvicër (dhe Austri), Kombëtarja Zvicerane stërvitej në Lugano. Tetë vjet më vonë bëri të njëjtën gjë.
Në vitin 2008, në fund të përgatitjeve për Kampionatin Evropian të Futbollit, Kombëtarja e kuqkryquar pati luajtur një miqësore kundër Sllovakisë. Ndodhesha rastësisht në të bukurën Ticino dhe m’u shkrep e vendosa të shkoja në stadium për të parë ndeshjen.
Një vendim për të cilin unë mund të pendohesha. Por jo për shkak të nivelit mediokër të lojës. Jo, kjo ishte e parashikueshme. Ajo që mua vërtet më goditi ishte sjellja e tifozëve zviceranë një ndër të cilët isha unë.
Edhe atëherë në fushën e lojës ishte njëfarë Valon Behrami, i cili vraponte lart e poshtë si i çmendur. Një lojtar i cili që fëmijë kishte ikur prej ish-Jugosllavinë dhe ishte rritur në Tiçino.
Gjatë kësaj ndeshjeje të fundit para Euro 2008, djaloshi nuk bëri një përshtypje të mirë, duke humbur njërin top pas tjetrit. Ishin shumë për publikun zviceran i cili filloi ta fyente atë, “Jugo muti” apo “mut Jugo”, por nuk kishte humbur ende me kombëtaren zvicerane.
Fyerjet zgjatën deri në minutën e 56 të takimit. Pastaj Zvicra kaloi në epërsi. Dhe goli, siç mund ta imagjinoni, u shënua nga Valon Behrami. Gjithë stadiumi u ngrit në këmbë për të brohoritur. Në stadiumin Cornaredo në Lugano jehona e “Hop Zvicër” doli nga mijëra gojë.
Ndoshta kurrë nuk ka ndodhur që dikush të kalojë nga statusi i “mut Jugo” në atë të zviceranit të vyer, sa shpejt ndodhi atë ditë në vitin 2008 në Lugano.
Dhe sot, tetë vjet më vonë, gjërat a janë të ndryshme? Ekipi kombëtar i Zvicrës ka ndryshuar. Bashkë me të edhe fansat e saj. Sot, lojtarët me rrënjë në ish-Jugosllavi janë shtylla kurrizore e domosdoshme e ekipit. Kjo Kombëtare pa Behramin, Granit Xhakën, Admir Mehmedin, Blerim Xhemailin dhe – kur është në formë – Xherdan Shaqirin, është thjesht e pamendueshme.
Edhe trajneri Vladimir Petkovic është i lindur në ish-Jugosllavi.
Është koha të ndryshojë, më duket mua, gjithsesi, edhe qëndrimi i zviceranëve ndaj Kombëtares. Ata janë më të distancuar. Jo se Zvicra e shikon me sy të keq Kombëtaren, por ajo është më pak e përfshirë emocionalisht. Edhe tani, kur ekipi i Vladimir Petkovicit del fitimtar (kundër Shqipërisë) dhe duket mirë (kundër Rumanisë), është perceptuar me pak eufori në Zvicër. Performancat e kombëtares janë analizuar me urtësi, pa entuziazëm të tepruar. Hera e vetme kur arsyeja mbizotëron ndaj instinktit.
Në nivelin politik, Kombëtarja nuk ofron më një imazh kaq të thjeshtëzuar. Përfaqësimi i Zvicrës nga konservatorët e djathtë nuk i korrespondon më realitetit prej një kohe të gjatë. Dhe edhe historia e bukur e lojtarëve të ekipit kombëtar si shembuj të integrimit të përkryer, çka i pëlqen shumë së majtës, e ka humbur disi magjinë qëkur ka filluar të diskutohet publikisht për të ashtuquajturin “hendek ballkanik” që ekziston brenda ekipit, siç ka pretenduar një lojtar.
Gjatë tetë viteve të fundit, Kombëtarja Zvicerane është çmagjepsur, është çmitizuar. Masa nuk ofron më një potencial të madh të identifikimit. Ka një lloj hendeku në mes lojtarëve dhe tifozëve. Kombëtarja Zvicerane nuk duket të jetë në një hap me kohën, ajo është bërë një anakronizëm. Sikurse Zvicra dhe Shqipëria po përballen në terren vëllezërit kundër vëllezërve, zviceranët kundër zviceranëve apo shqiptarët kundër shqiptarëve, varësisht nga këndvështrimi juaj.
Ndryshe nga tetë vjet më parë, ekipi kombëtar shihet gjithnjë e më shumë për atë që është në thelbin e tij. Një instalim i “shoqërive anonime individuale” që vlejnë me miliona, dhe të cilët duan të rritin më tej vlerat e tyre. Loja me ekipin kombëtar u jep atyre një “mundësi” të mirëpritur dhe një situatë “Win-Win”, nga e cila përfundimisht përfiton edhe Zvicra.
Apo, edhe në vitin 2016, Zvicra nuk është ende e gatshme për të pasur në zemër një ekip të kryesuar nga një Valon Behrami….
*Shkrimi, në origjinal me titull ‘Kombëtarja Zvicerane e çmagjepsur’ u përkthye për voal.ch nga Skënder Buçpapaj
Komentet