ËSHTË MËNGJES
Është mëngjes. Vezullon bota
Si uji që lë të kullohen në fund të tij
Papastërtitë e veta.
Dhe je ti, menjëhershëm
Ti, e dashura ime, në vegullimin
Përballë meje.
Ditë dimri, pa njolla, e tejpashme
Si qelqi. Të kafshosh tulin e ndezur dhe të shëndetshëm
Të një fruti. Të duash, trëndafilja ime, i ngjan
Thithjes së ajrit në një pyll me pisha.
Kushedi, ndoshta nuk do të dashuroheshim shumë
Nëse shpirtërat tanë nuk do t’i shikonim nga larg
Nuk do të ishim kaq afër, kushedi,
Nëse fati nuk do të na kishte ndarë.
Është kështu, pëllumbesha ime, mes teje e meje
Ka vetëm një ndryshim të vogël:
Ti ke krahët dhe nuk mund të fluturosh
Unë kam duart e nuk mund të mendoj.
Mori fund, do të thotë një ditë nëna Natyrë
Mori fund së qeshuri e së qari
E do të jetë ende në jetën e vorbullt
Që nuk shikon nuk flet nuk mendon.
KAM ËNDËRRUAR BUKUROSHEN TIME
Kam ëndërruar bukuroshen time
Më është shfaqur sipër degëve të pemëve
Kalonte si hëna
Nga një re në tjetrën
Ikte dhe unë e ndiqja
Ndalesha dhe ajo ndalej
E shikoja e ajo më shikonte
Dhe gjithçka mbaroi këtu.
MË I BUKURI
Më i bukuri i deteve
Është ai që nuk e lundrojmë.
Më i bukuri i bijve tanë
Ende nuk është rritur.
Më të bukurat e ditëve tona
Nuk i kemi jetuar ende.
E atë
Më të bukurën që do të doja ta thoja
E dashur
Nuk ta kam thënë ende.
ERA FASHITET
Era fashitet e ikën
E njëjta erë nuk luhat
Dy herë të njëjtën degë
Qershie
Zogjtë këndojnë në pemë
Krahët duan të fluturojnë
Porta është mbyllur
Duhet shtyrë me forcë
Duhet të të shoh, e dashura ime,
Qoftë e bukur si ti, jeta
Qoftë e bukur dhe e dashur si ti
E di që ende nuk ka mbaruar
Banketi i mjerimit
Por do mbarojë
Vargje të ndjera ëmbël përkthyer Lidën zemer.
Njëra më e bukur se tjetra.
Përzgjedhje fine e jotja,po aq krijimi yt në të.
Përgëzime zemer.
Vargje të ndjera ëmbël përkthyer Lida zemer.
Njëra më e bukur se tjetra.
Përzgjedhje fine e jotja nga ky autor i fuqishëm i penës Nazim Hikmet.
Po aq dhe krijimi yt mbi këto “grimca” qasjes shumë të buta – kadife.
Përgëzime fort e dashtun Lidë .