Në qëndrimet publike zyrtare të bashkësisë ndërkombëtare mungon çdo nuancë dënimi ndaj Serbisë dhe ndaj Vuçiçit për nxitjen dhe organzimin e ngjarjeve në komunat veriore të shtetit fqinj, Kosovës.
Vërehet një vështirësi e madhe në këto qëndrime për të shprehur qoftë dhe rezervën më të vogël ndaj Serbisë dhe ndaj Vuçiçit që i shkaktuan ngjarjet në këto komuna dhe që i përmbahen me ngulm linjës arrogante agresive.
Një lehtësi e madhe vërehet në këto qëndrime për të fajësuar, dënuar, urdhëruar Kosovën dhe Albin Kurtin. Një mungesë dëshire të mirë vërehet në të gjitha këto qëndrime. Vërehet edhe një dëshirë e madhe për ta nxitur opinionin, atë më të dogmatizuarin, ndër shqiptarët, sidomos nëpër banorët e përhershëm të studiove mediatike në Tiranë, për ta kryqëzuar Albinin. Vërehet edhe një vrull e një hov për ta llastuar, më shumë se asnjëherë gjatë këtyre 24 viteve, segmentin kriminal serb në veriun e Kosovës.
Serbisë së Vuçiçit nuk i numërohet sa herë e ka nxjerrë ushtrinë nga kazermat dhe e ka dislokuar në kufirin me Kosovën. Në gjuhën diplomatike të të gjitha kohërave ky gjest është shpallje lufte e një shteti ndaj një shteti tjetër. Dhe është shpallje lufte e një shteti agresor pushtues, uniformat dhe makineria luftarake e të cilit u largua vetëm 24 vjet më parë. Është, gjithashtu, shpallje lufte ndaj një shteti ndaj të cilit Serbia ushtroi 100 e sa vjet genocid të pandërprerë. Serbia është 100 e sa vjet xhelatja e Kosovës. Kosova është 100 e sa vjet viktima e Serbisë.
Me urdhër të Vuçiçit, ende serbë të Kosovës nuk i pranojnë targat e Republikës së Kosovës. Dhe Serbia, duke hyrë në punët e brendshme të shtetit të Kosovës, vazhdon t’iu lëshojë targa të automjeteve serbëve të Kosovës. A nuk është e dënueshme kjo ndërhyrje e Serbisë në punët e brendshme të shtetit të Kosovës?
Me pretekstin e targave, Vuçiçi i urdhëroi të gjithë kryetarët e bashkive të komunave veriore të Republikës së Kosovës që të japin dorëheqjen, urdhëroi largimin e të gjithë punonjësve serbë të këtyre komunave të largohen nga zyrat e tyre, urdhëroi të gjithë policët serbë të Kosovës t’i braktistin uniformat e tyre.
A nuk është kjo një tjetër ndërhyrje falgrante e Vuçiçit, presidentit të Serbisë, në punët e brendshme të Republikës së Kosovës? A nuk meriton të dënohet Vuçiçi për këtë ndërhyrje flagrante në punët e brendshme të Republikës së Kosovës?
Qeveria e Kosovës organizoi dhe zhvilloi zgjedhjet e jashtëzakonshme vendore në komunat veriore. Vuçiçi nuk i lejoi serbët e këtyre komunave të marrin pjesë në zgjedhje. A nuk është ky veprim i Vuçiçit një ndërhyrje flagrante në punët e brendshme të Republikës së Kosovës?
Zgjedhjet u zhvilluan me qetësi dhe rregull të plotë në komunat veriore. Institucionet ndërkombëtare përkatëse, si dhe SHBA e BE, i njohën zgjedhjet si të rregullta, të ndershme dhe demokratike, i njohën rezultatet e tyre. Për shkak të ndërhyrjes së Serbisë, personalisht të Vuçiçit, komunat veriore të Kosovës nuk kanë pushtet vendor.
Përpjekjeve të Qeverisë së Kosovës për ta funksionalizuar pushtetin vendor në komunat veriore, si në gjithë vendin, në të mirë të qytetarëve serbë të këtyre komunave, iu kundërvu Serbia, vetë Vuçiçi. Në përpjekjet e saj për të funksionalizuar pushtetin vendor në komunat veriore, Qeveria e Kosovës, punonjësit e saj të rendit nuk lënduan askënd. Serbia dhe Vuçiçi mëtuan që kryetarët e rinj të bashkive, të dalë nga zgjedhjet legjitime, të liheshin pa mbrojtje, të liheshin në mëshirë të krimit të organizuar të Beogradit në këto komuna. Dhe dhanë urdhër që serbët t’iu kundërvihen me dhunë Policisë së Kosovës dhe KFOR-it, t’i sulmojnë gazetarët dhe punonjësit e mediave që i pasqyrojnë drejtpërdrejt dhe me profesionalizëm ngjarjet.
A nuk është e gjithë kjo një ndërhyrje e rëndë, një ndërhyrje agresive e Serbisë dhe e Vuçiçit në punët e brendshme të Republikës së Kosovës?
A nuk duhet të dënohet Serbia për rolin destabilizues ndaj Kosovës në këto 24 vjet pas çlirimit të Kosovës? A nuk duhet të dënohet Vuçiçi për përshkallëzimet e këtyre ndërhyrjeve gjatë kohës që është në krye të Serbisë?
Pse ky turr kaq i madh për ta dobësuar sa më shumë Kurtin në Kosovë dhe në kontekstin shqiptar dhe pse ky zell kaq i madh për të forcuar Vuçiçin në Serbi dhe në kontekstin serb?
Pse kjo drojë ndaj Vuçiçit në qëndrimet dhe sjelljet publike të zyrtarëve të bashkësisë ndërkombëtare?