T-R-O-K-I-T-J-E…
Sa herë trokiste dera në shtëpinë tonë, teksa shko¬ja ta hapja, do më duhej të kërceja sa andej këndej në majë të gishtave mes lodrave pafund, që vogëlushi im me emrin Atjon, kishte përhapur nëpërkudo. Duhej të bëja kujdes të mos shkelja asnjërën prej tyre.
Në kthim, pra nga dera e jashtme deri në sallon, vajtje–ardhje, ndodhte që Atjonin ta gjeja të hipur mbi aparatin e televizorit, që e mbanim ulët, drejt e mbi dysheme. Madje e gjeja dhe të shtrirë sipër tij, me kryet plot kaçurrela të varur para ekranit për të parë më nga afër, duke u bërë kështu pjesëtar në ndodhitë, sepse Charlie Brown po adoptonte Snoopy-n. Ishte ende më vështirë ta hiqje nga ai përqendrim “përsipër televizorit”, kur shfaqeshin Tomi e Xherri. Me Zorro-n më ndryshe…
Trokitjet, besoj, i zgjuan kërshërinë, teksa lodrat, dihet, që të shtojnë argëtueshëm dëshirën për veprim, fantazinë e aftësitë, ndërsa ekrani i televizorit ishte, si të thuash, një si lloj ftese nga bota jashtë, ku krahas merakut tim, duhej dhe përkujdesi i veçantë.
Siç duket ato prapësi aq gazmore i ndiente më fort duke i parë kokëposhtë. Ndonjëherë hidhte vështrimin nga lodrat përreth, aq të shumta, mes rrëmujës të të cilave gjendeshin kasetat e videos me po ata personazhe, librat fletë trashë sa biskotat apo dhe plastikë, që e shoqëronin të voglin tim në vaskën e dushit e pluskonin nëpër valët që i krijonte me duar duke i përplasur hareshëm.
Kështu do të ketë ndjerë praninë e detit dhe të varkave.
Pastaj mes lodrave u shtuan dhe fletët e vizatimit dhe ngjyrat, që do të kalonin nga gishtat e Atjonit deri dhe në mure si gjurmë veprash arti.
Veprimtaritë gjatë një dite përpiqeshim që të mos ngjanin shumë me njëra–tjetrën, por mbrëmjet e Atjonit ndiqnin një ritual të caktuar natyrshëm: banjoja, ngrënia e darkës, larja e dhëmbëve dhe “ora e plalave” siç i quante përrallat Atjoni 2–3 vjeçar. Pas atyre që i tregoja shqip, libri që parapëlqente ishte “Nel regno delle fiabe”, italisht, se ne banonim në Romë atëhere, punonim në ambasadë e Atjoni do të shkonte në kopsht dhe do t’i kuptonte të dy gjuhët. Pas përrallës së Pinokut, Hamletit të fëmijëve, i vinte radha “Shitëses së vogël të shkrepseve”, “Ushtarit prej plumbi”, “Të bukurës dhe bishës”…, “Lejlekët e egër” të Andersenit e mahniste, kur dëgjonte sesi të njëmbëdhjetë vëllezërit, të kthyer në lejlekë, e ngritën në qiell me krahët e tyre e fluturuan me motrën e vogël, Elisa.
– E si është qielli brenda? Unë dua një zog, – këm-bëngulte Atjoni.
Kur shikoja se po kapsalliste sytë nga gjumi, filloja t’i këndoja nina–nana. Aq rutinë iu bë kjo, saqë kur u rrit, deri dhe adoleshent, më i gjatë se sa unë, më thoshte: “Dua një nina–nana, ma, me atë zërin tënd të bukur” – dhe unë filloja t’i këndoja menjëherë duke buzëqeshur me kapriçon e tij.
Po nejse, le të kthehemi te librat, më saktë te ky libër, që kemi ndër duar. Te vizatimet dhe poezitë e tij.
Së pari do të desha të tregoj se Visari, shkruante dhe me Atjonin e vogël pranë. E kujtoj të ulur në divan, kur e mbante të shtrirë në njërën këmbë, e kishte zënë gjumi, dhe në gjurin tjetër Visari kishte bllokun e hapur, shkruante.
Kështu u bë dhe “Ninullë burri për foshnjën që fle”, që u fut nëpër libra e u përkthye. Për herë të parë unë shikoja një poezi të tillë, s’e di a ka tjetër.
Kurse përreth Atjonit të vogël kishte vazhdimisht fleta të bardha dhe ngjyra. Ne s’i thoshim: vizato! Ishte i lirë. Nëse e ndiente e do të kishte zell, po.
Aq shumë u shtuan vizatimet e tij, që nga zhgarravinat e këndshme e te portretet, llojet e kafshëve, sendet, peizazhet etj, sa vendosëm të hapnim një “ekspozitë shtëpiake”, ftuam fëmijët e pallatit, jo vetëm të familjeve të ambasadës.
Njëri nga vizatimet, ai me Shenjtën Nënë Tereza, e bëri kur ishte tre vjeç e gjysmë, iu botua dhe shkruajtën dhe gazetat.
Poezia për Atjonin filloi si lojë, kështu besoj. E ngazëllente rima, siç thotë dhe Visari në njërën nga poezitë këtu.
…Dhe një fjalë çfarëdo
hidhje për ta rimuar unë.
– Sa më do?
– Sa gjithë bota, më shumë.
S’e di kush kërkoi i pari të rimonim fjalë, Visari Atjonit, Atjoni Visarit apo unë?
Pastaj të tre, duke shëtitur buzë detit, tashmë misioni ynë në Romë kishte përfunduar dhe ishim kthyer në Vlorë, në qytetin, ku Atjoni kishte lindur, ku e magjepsnin pulëbardhat, befas Visari nga rimimi i fjalëve kaloi në vargje me rimë. Dhe Atjoni i rriti kërkesat. Ende nuk dinte të shkruante, por donte vjersha, t’ia thoshe shumë herë, deri sa t’i mësonte, nga strofa në strofë, të gjithën.
Varka mbi det
rrëshqet ngadalë.
Sa bukur e nget
atë një djalë.
Shpesh e përcaktonte ai temën, për çfarë t’i kapte syri, për kopshtin e shtëpisë, për qenin tonë, Kelly, donte dhe një lepur dhe një poezi për të, etj, etj.
Visari i shkruante e i rishkruante me shumë dëshirë. E mësonim përmendësh dhe ne, duke ia përsëritur Atjonit dhe ai pastaj ia thoshte Kaltrës, vajzës së motrës time, rrinin bashkë si motër e vëlla, ndërsa Tetisi sapo kishte lindur dhe e dinin lodër.
Shpesh fjalët i shqiptonte jo mirë, p.sh. në vend të “pulëbardha këtu” thoshte “pulubardha kutu”, ashtu e mësonte dhe Kaltra dhe sa lezet u kishte!. Mjaftonte këmbimi i ndonjë zanoreje, që të krijonin muzikë më tepër.
Ndërkohë bëra dhe unë një fletore “Fjalori i Atjonit”, ku shkruaja në dy kolona fjalët. Në të parën si i shqiptonte e në tjetrën fjalën e saktë, se ndryshimi mund të ishte i ndjeshëm.
Nuk ka fjalor më të bukur në botë se ai i fëmijëve, kur përpiqen të shqiptojnë fjalët, ato duhet të ketë qenë paraket, që më pas ne i kemi kultivuar në formën e sotme.
Vitet kalonin, unë vazhdoja t’i shkruaja letrat për Babbo Natale-n, që Atjoni m’i diktonte, njërën syresh e ruaj ende dhe tani, në moshën 23 vjeçare të tij. Vogëlushi im më argumentonte në to se ishte aq i mbarë, sa meritonte plot dhurata. Dhe të gjitha i mbërrinin.
Krishtlindja deri në Vitin e Ri ishte koha më e bukur për mua, kudo që të ndodheshim. Më pëlqenin shumë rrugët e pasditeve të vona, të zbukuruara me drita pafund dhe ecejaket e njerëzve, ngarkuar plot me dhurata feste.
Bashkë me Evën, time motër, por dhe me Visarin e Dashin, paketonim dhuratat, ja ashtu fshehurazi dhe pak përpara mesnatës së Krishtlindjes, i vendosnim pas derës së jashtme, prapë fshehurazi, ca më vonë krijonim rastin dhe njëri nga ne trokiste fort te dera, sërish fshehurazi, ndërkaq thërrisnim plot gëzim: “Erdhi Plaku i Krishtlindjes”. Atjoni dhe Kaltra rendnin tek dera jashtë plot ngazëllim dhe tërhiqnin zvarrë dhuratat që ishin më të mëdha se ata vetë.
Mes lodrave të shumta, veglave muzikore, teleskopit të madh që ia dhuroi im vëlla, Ariani, ia solli nga Amerika, nuk duhej të mungonin librat, përralla e legjenda, që nga ato shqiptaret e ballkaniket e deri te ato në Veri, “Bambi”, “101 dalmatët”, etj.
Më vonë Atjoni më tregoi se së bashku me Kaltrën e kishin zbuluar se si vinin dhuratat, por gjithsesi u pëlqente kjo lojë.
A do të duhej ta vazhdonim po ashtu?
Më mirë të bënim një ekspozitë të re. Dhe ku? Në kopshtin para shtëpisë, pikturat i varëm nëpër degët e pemëve dhe në përurim ftuam gjithë kalamajtë e lagjes…
Atjoni rritej shpejt dhe bukur. Mbaroi shkollën filloren “Ylber” në Tiranë dhe kërkonte këngë apo himne, madje njëri prej tyre doli dhe në një nga botimet e shkollës. Ndërsa vizatonte me hope. Por kërkonte të bënte ndonjë nga kopertinat e librave të babit, atë të gjyshit patjetër.
Por ishin dhe muret. Ashtu si në Romë që i llangoste, në Tiranë po i pikturonte dhe po i shkruante, edhe në anglisht. I erdhi radha dhe derës, ku vizatoi një trup femre e shkroi fjalën “Trokit”. Përpara syve kishim fëmijën, por dhe djalin e rritur në të njëjtën kohë. Po donte mëvetësinë. Më duket se ia kërkuam ne që fjalës “Trokit”, t’i shtonte “Trokit–je në zemër”, që të merrte dhe kuptime të tjera…
Puna na çoi përsëri në Romë dhe Atjoni bëri ca vite shkollë atje, mbaroi dhe klasën e parë në Liceun Klasik, të famshëm në të gjithë Italinë, “Giulio Cesare”, nisi latinishten dhe greqishten e vjetër, por gjimnazin e përfundoi në Tiranë, në “Ismail Qemali”, nga që u kthyem. Fillimet e ndryshimeve ishin të vështira për atë si andej dhe këndej, por vinte dita që ai i tejkalonte duke i shtuar shokët dhe shoqet, edhe sot i ka, jo vetëm në Romë e në Tiranë.
Kujtoj kur erdhi një herë dhe më tha: “Mush, e di ku ndryshon liceu në Romë nga gjimnazi në Tiranë?”. Ma trego – iu përgjigja gjithë vëmendje. “Ndërsa në lice na mësonin të mendonim, këtu na detyrojnë të mësojmë përmendsh”. Mbeta. Por dhe u ndjeva mirë me arsyetimin e ftohtë e të prerë të tij. Do të më duhej të lajmëroja arsimtarët…
Shumë shpejt u afrua koha për të shkuar në universitet. Zgjodhi jo nga ato çfarë do të donim ne dhe nuk u luhat për asnjë moment: F.I.L.O.Z.O.F.I.
Nga Milano, ku studionte, do të na shkruante se kishte zbuluar “mrekullinë e studimit”.
Atjoni papritur botoi esenë e parë, pastaj të dytën, dërgoi të tretën… dhe i vinte keq që s’kishte dhe aq kohë, gjithë ditën në bibliotekë, sa të shkonte dhe andej nga Akademia “Brera” në Milano për të parë se si pikturohej.
Po qeshja me vete, kur një pasdreke në shtëpi, ndërsa shfletoja një libër të Elias Canetti-t, “Gjuha e shpëtuar”, rilexoja vizimet, përshkrimin që ai i bënte nënës së vet, kur ajo i fliste për familjen e saj me emër të mirë dhe po përfytyroja librat e tim biri, ku ai do të bënte humor me mua, pasi dhe unë kisha rrëfime të tilla.
Dhe ne vërtet botuam një libër me shkrimet e Atjonit 19 vjeçar, që u prit mjaft mirë nga lexuesi dhe kritika.
Më shkundi nga mendimet, tani si dhe atëhere, një trokitje që më dridhi zemrën, një sinjal zileje, i shtre-njtë, që veç ne të tre e njihnim. Më vjen një zë nga jashtë derës: “O mush, jam Atjoni”.
Kishte ardhur nga Milano për të na bërë surprizë mua dhe Visarit… dhe festa filloi. Më mori hopa në krahë e më solli rrotull nëpër shtëpi hareshëm. “I vogli im i madh, lum nana për ty”, e përkëdhela siç e përkëdhelja gegërisht, s’e gjej pse. Ishte rritur sa hap e mbyll sytë, ishte bërë “gjigant”.
Bënim plane pa fund të tre dhe jo gjithçka ia mbërrinim të realizonim.
S’e di a e kishim kristalizuar dëshirën për të bërë një libër me poezitë dhe vizatimet e rritjes së Atjonit… Po sa sukses patën në ekspozitën e Tij, që u përurua në Universitetin “Polis” në Tiranë dhe në albumin që iu botua më pas!
I vlerësuan këtu e jashtë vendit.
Dhe çuditërisht Visari i vazhdoi poezitë dhe më vonë, në Vatikan, në Uashington, ku na çoi puna, sikur Atjoni të ishte ende fëmijë me ne, shtoi të tjera, pjekurinë, dhimbjet e mungesës, yllësitë.
Qiell, horoskope…
si engjëll i përshkon.
Tani rruga jote
ka emrin “Atjon”.
Dhe ai ka shumë vizatime gjithë pikëlime të ndritshme yjesh
Vizatimet e Atjonit mbeten po ato, mrekulli fëmije për ne, tani e përgjithmonë.
…po jua dhurojmë bashkërisht poezitë dhe pikturat, që dhe pse nuk janë bërë enkas për to, japin gjendje të përbashkëta plot dritë.
Duke falënderuar botuesin, kam bindjen se do të pëlqehen nga ju, që në shtëpitë tuaja rrisni fëmijë, por dhe nga ju, të rriturit, që ruani brenda vetes fëmijën, një lloj Piter Pan-i tuajin. Cilëtdoqofshi.
S’ka gjë më të rëndësishme, deri në shenjtëri, se sa të rritësh nga dashuria fëmijën dhe vetveten, se ritmi i saj, fjalët dhe ngjyrat, që gjithsesi rimojnë ashtu si puthjet prindërore. Konsiderojeni dhuratën tonë si një… trokit–je në zemër.
A keni plane? Ne kemi zgjidhjen e kredisë.
Ju merrni hua ndërmjet 2,000 € deri 5,000,000 € për një periudhë prej 1 deri në 15 vjet; interes i ulët nga 2%.
A keni projekte në kokën tuaj?
Keni nevojë për para?
Dëshironi të blini ose ndërtoni shtëpinë tuaj?
Financoni dasmën apo pushimet tuaja?
Blerja e një makine të re apo të përdorur?
Keni një rezervë parash për të paguar faturat tuaja të prapambetura?
Na kontaktoni
Email: [email protected]