Zëvendësndihmës sekretari amerikan për Çështje të Evropës dhe Euroazisë, Gabriel Escobar, të mërkurën u takua në Bruksel me zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimi dhe me shefin e zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq.
Escobar, që njëherësh është i dërguar i Departamentit amerikan të Shtetit për Ballkanin Perëndimor, tha se ai po mbështet përpjekjet e Bashkimit Evropian për të gjetur një zgjidhje për situatën e krijuar në veri të Kosovës.
“Prioritet numër një është që të ulen tensionet. Ato janë shumë të larta tash dhe duhet të ulen menjëherë”, tha Escobar.
Zyrtari amerikan tha se duhet që urgjentisht të gjendet zgjidhje për çështjen e targave të automjeteve dhe që palët t’i kthehen dialogut, përmes të cilit do të zgjidhen çështjet e hapura.
Takimet me BE-në për situatën në veri
I dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak tha se ka zhvilluar takime të ndara me dy kryenegociatorët, me të cilët ka biseduar për gjetjen e mënyrave për tejkalimin e krizës aktuale.
“Këtë mëngjes zhvillova dy takime të ndara me kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë për të diskutuar për mënyrat sesi të zgjidhet kriza aktuale. Ne do të vazhdojmë bisedimet tona gjatë ditës”, shkroi ai në Twitter.
Takimet në Brukel vijnë në ditën e dhjetë të bllokimit të rrugëve që çojnë në dy pikëkalimet kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak.
Qytetarët serbë, me kamionë dhe mjete të tjera të rënda kanë bllokuar këto dy rrugë nacionale në atë pjesë në shenjë proteste për vendosjen e masës së reciprocitetit për automjetet me targa nga Serbia.
Në Bashkimin Evropian shpresojnë se do të ketë takim të përbashkët mes Bislimit, Petkoviqit dhe Lajçakut dhe që ai do të prodhojë edhe rezultate konkrete që do të ndihmonin në uljen e tensioneve. Brukseli ka thënë se pret që kryenegociatorët, jo vetëm të jenë të gatshëm të diskutojnë, por edhe të kenë mandat të qartë që të arrijnë ndonjë rezultat në takim.
Më herët zëdhënësi i BE-së, Peter Stano ka pohuar që Gabriel Escobar, nuk pritet të marrë pjesë në takimet trepalëshe sepse ato janë format që përfshijnë vetëm delegacionet e Kosovës dhe Serbisë si palë biseduese dhe BE-në në cilësinë e lehtësueses.
Edhe në ditën kur pritet të mbahen takimet në Bruksel, BE-ja ka përsëritur thirrjet që të ulen tensionet dhe të shfrytëzohet dialogu si platforma e vetme për të kërkuar zgjidhje për të gjitha çështjet e hapura mes palëve.
Ndërkohë, në 24 orët e fundit nuk është raportuar për ndonjë incident në afërsi të asnjërës pikë kufitare, Jarinjë e Bërnjak. Njësitë speciale të Policisë së Kosovës po vazhdojnë të qëndrojnë pranë bllokadave, ndërkohë që misioni i KFOR-it ka rritur prezencën në këtë pjesë.
Von der Leyen e shqetësuar me krizën në veri
Gjatë një konference të përbashkët me kryeministrin, Albin Kurti, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha të mërkurën se është shumë e shqetësuar me krizën në veri të Kosovës dhe se sipas saj gjetja e një zgjidhjeje të qëndrueshme mes Kosovës dhe Serbisë duhet të ndodhë përmes dialogut në Bruksel.
“Është shumë më rendësi që ne të ecim tutje përpara në rrugën evropiane. Ka rëndësi jetike që të bëhet normalizimi i mes Kosovës dhe Serbisë”, theksoi von der Leyen.
Zgjidhja e vetme e krizës aktuale që po mbizotëron në veri të Kosovës, sipas von der Leyen, është tryeza e bisedimeve në Bruksel.
“Më duhet të them që jam shumë e shqetësuar me krizën aktuale. Është shumë me rëndësi që të shtensionohet situata, të kthehemi në tryezën e bisedimeve për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme. E vetmja mënyra sesi mund të bëhet kjo është përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja, që është platforma e vetme e zgjidhjes së krizës aktuale”, deklaroi von der Leyen.
Von der Leyen tha se do të vazhdojë te jetë në kontakt me Qeverinë e Kosovës, sepse sipas saj, ajo dëshiron që të shohë Kosovën të shënojë përparim.
Kurti: Serbia merr donacione nga BE-ja e armatoset nga Rusia dhe Kina
Gjatë konferencës për media në Prishtinë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e akuzoi presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili sipas tij bëri deklarata luftënxitëse që rezultuan me djegien e dy qendrave të regjistrimit të automjeteve në veri të vendit më 25 shtator.
“Kam kërkuar që të dënohen sulmet në Zubin Potok dhe Jarinjë, pasi janë sulmuar institucionet e Kosovës dhe ky sulm erdhi pas deklaratave luftënxitëse e plot urrejtje të presidentit të Serbisë dhe pas demonstrimeve ushtarake me tanke e helikopterë Mig në kufi me Kosovën”, deklaroi Kurti.
Kurti tha po ashtu se se Serbia në njërën anë merr donacione nga Bashkimi Evropian e në anën tjetër armatoset me armë nga Rusia dhe Kina.
“Fatkeqësisht jemi në një situatë në të cilën në njërën anë merren ndihma e donacione nga Bashkimi Evropian, e në anën tjetër Serbia, përkundër që i merr këto fonde pa zbatuar vlera, do të duhej që të demokratizohet e jo të militarizohet nga Rusia dhe Kina”, deklaroi Kurti.
Ndërkaq, të martën, ministri i punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, në një konferencë për media tha se kryetarët e komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës kanë refuzuar ofertën e KFOR-it, që ky mision të përkujdeset për pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak dhe që njësitë speciale të Policisë së Kosovës të tërhiqen nga atje.
Qeveria e Kosovës ka arsyetuar vendosjen e reciprocitetit duke thënë se Serbia për vite të tëra aplikon masë të njëjtë për automjetet me targa të Kosovës.
Sipas vendimit të 20 shtatorit, të gjitha automjetet me targa të Serbisë me të hyrë në Kosovë duhet t’i heqin ato dhe të pajisjen me targa të përkohshme, të lëshuara nga autoritetet e Kosovës.
Për këto targa të përkohshme shoferët duhet të paguajnë pesë euro dhe vlefshmëria e tyre është dy muaj.
Komentet