I dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë se Asociacioni i komunave me shumicë serbe është obligim që duhet të zbatohet.
“Kjo kërkesë paraqitet në marrëveshjen e Brukselit. Ka pritje që do të formohet. Pozicioni ynë është që të formohet në një mënyrë që përbën fitore për të dyja palët”, ka thënë Escobar në një bashkëbisedim virtual me gazetarë më 28 shkurt.
I pyetur nëse Kosova ka afate për formim të Asociacionit, Escobar ka thënë se pyetja është se sa shpejt do të formohet.
“Besoj qe me këtë marrëveshje bazë, Kosova e ka kuptuar që duhet ta formojë [Asociacionin]. Nuk dua të vendos afate kohore, mirëpo dua të them se diskutimi duhet të nisë menjëherë”.
Kosova dhe Serbia, në kuadër të dialogut të Brukselit, kanë arritur dy marrëveshje për Asociacionin, më 2013 dhe 2015. Por, Gjykata Kushtetuese ka gjetur se marrëveshja e fundit nuk është në harmoni të plotë me Kushtetutën.
Serbia insiston në themelimin e Asociacionit, por Qeveria e Kosovës e kundërshton një asociacionin njëetnik, që thotë se do të mund të krijonte një nivel të ri të pushtetit.
Zyrtarët e lartë amerikanë më herët kanë deklaruar se nuk do të lejojnë formimin e një Republike Sërpska në Kosovë.
Përballë presionit të bashkësisë ndërkombëtare për themelimin e Asociacionit, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në shkurt të këtij viti paraqiti gjashtë kushte për formimin e këtij organi.
Ai ka kërkuar që Asociacioni të mos jetë njëetnik, ta ndryshojë emrin dhe të mos ketë pushtet ekzekutiv.
“Shpresojmë që Kosova dhe Serbia të zbatojnë propozimin evropian”
Escobar ka thënë se shpreson që Kosova dhe Serbia do ta zbatojnë marrëveshjen për të cilën kanë arritur pajtueshmëri më 27 shkurt në Bruksel.
“Shpresojmë të mos përdorim shkopinj, por karota. Dhe ato janë të qarta. Jo vetëm që ato i afrohen marrëdhënies paqësore, por edhe u hapet rruga drejt integrimeve evropiane. Shpresojmë që të dyja palët do të zbatojnë obligimet”, ka thënë Escobar.
I pyetur për sfidat e mundshme në zbatim të marrëveshjes, Escobar ka thënë se disa janë politike, të tjerat administrative.
“Nuk dua të komentoj për diskutimet e së ardhmes, por marrëveshja bazike i parasheh hapat drejt normalizimit. Ka pengesa, por ka edhe mundësi. Shpresoj që do të gjejmë mënyra për ta zbatuar në tërësi, përfshirë edhe atë për Asociacionin, dhe disa çështje tjera siç janë ato për targat, diplomat, e të tjera”.
Në propozimin e pranuar, Kosova dhe Serbia konfirmojnë se do të zbatojnë të gjitha marrëveshjet e dialogut që janë arritur më parë.
Escobar ka thënë se SHBA-ja e mbështet plotësisht dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja, por nuk është pjesë e saj.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në takimin e 27 shkurtit, u pajtuan se nuk kanë më nevojë të diskutojnë për propozimin evropian për normalizimin e raporteve.
Blloku evropian ka thënë se palët kanë shprehur gatishmëri që të punojnë në zbatimin e propozimit evropian, që synon të çojë palët drejt një marrëveshjeje ligjërisht të obligueshme për normalizimin e plotë të raporteve.
BE-ja ka thënë se zbatimi i propozimit do të bëhet përmes diplomacisë fluturuese, përkatësisht përmes udhëtimeve që pritet të realizojë në Prishtinë dhe Beograd i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak. Brukseli pret që puna për zbatimin e marrëveshjes të finalizohet para takimit të radhës të Këshillit Evropian, që mbahet më 23-24 mars.
Njohja reciproke, “qëllim përfundimtar”
Përgjatë bisedës, Escobar është pyetur se pse në letrën e presidentit amerikan, Joe Biden, për 15-vjetorin e pavarësisë së Kosovës, kur është përmendur njohja reciproke është përdorur shprehja “qëllim përfundimtar”.
“Propozimi evropian nuk është për njohjen reciproke, por për normalizim. Pse ne e mbështesim këtë propozim tani, nuk nënkupton se ne nuk besojmë në idenë që për të qenë një rajon i shëndetshëm dhe që të lirohet nga incidentet e viteve ’90, ne besojmë që të gjitha shtetet e rajonit duhet ta njohin njëra-tjetrën për të pasur raporte të plota dhe pozitave”, ka thënë Escobar.
“Prandaj e kemi përdorur shprehjen ‘përfundimtare’, pra që njerëzit ta kuptojnë që ne nuk po synojmë ndryshimin e draftit të propozimit të BE-së, por edhe që nuk kemi lëvizur nga qëndrimi ynë për synimet përfundimtare për Ballkanin Perëndimor”, ka shtuar ai.
Në propozimin evropian nuk përmendet decidivisht njohja e ndërsjellë. Megjithatë, në nenin dy të këtij propozimi shkruan se palët duhet të respektojnë pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të njëra-tjetrës.
SHBA-ja ka mbështetur propozimin evropian, që fillimisht u ishte dorëzuar palëve në shtatorin e vitit të kaluar.
Escobar ka thënë se Ballkani Perëndimor mbetet prioritet për SHBA-në dhe ajo dëshiron të shfrytëzojë lidhjet e mira me këto shtet për të krijuar raporte të mira mes këtyre shteteve të rajonit.
Kosova dhe Serbia që nga viti 2011 zhvillojnë negociata për të arritur normalizimin e plotë. Megjithatë, palët kanë pikëpamje të ndryshme sa i përket marrëveshjes përfundimtare. Kosova insiston në njohje reciproke, e Serbia në një zgjidhje kompromisi, pa treguar se për çfarë kompromisi bëhet fjalë.
Escobar është pyetur edhe nëse e ka ndryshuar kriza në Ukrainë qasjen e Serbisë ndaj Rusisë dhe a mund të ketë ndikim kjo situatë në raport me Kosovën.
Ai ka thënë se lufta në Ukrainë e ka vënë fokusin në kërcënimet ndaj stabilitetit në Evropë.
“Mendoj që shumë njerëz, jo vetëm Serbia, janë duke shikuar se si jemi duke i zgjidhur problemet brenda kontinentit evropian, në mënyrë që të përballemi më lehtë me kërcënimet që vijnë prej jashtë. Sa i përket Serbisë, më duhet të them se ky shtet e ka konfirmuar se synimi përfundimtar është që të jetë pjesë e Bashkimit Evropian”, ka theksuar ai.
Serbia është kritikuar nga bashkësia ndërkombëtare për refuzimin që të vendosë sanksione ndaj Rusisë, për shkak të pushtimit të Ukrainës. Beogradi – që gëzon raporte të mira me Moskën – është i vetmi kryeqytet i Ballkanit Perëndimor që nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë, pavarësisht se ka votuar për disa rezoluta të Kombeve të Bashkuara që dënojnë pushtimin rus të Ukrainës.