Në rrethimin e Shkodrës‚ tetor 1912 – prill 1913‚ krahas viktimave të shumta nga popullsia civile‚ të shkaktuara nga bombardimet e ushtrisë malazeze dhe serbe‚ pati qindra të vdekur nga uria.
Rreziku i vdekjes nga uria kërcënoi edhe priftërinjtë dhe Motrat Stimatine; të cilët shpëtuan falë ndihmës së Komandantit të mbrojtjes së Shkodrës dhe guvernatorit të qytetit‚ Esat Pashë Toptanit. Ja çfarë shkruante i dërguari i Vatikanit‚ P. Domenico Facin O.F.M:
“…Ndodheshim në kushtet e nevojës ekstreme për mish e oriz, për të shuar urinë, por nuk dinim ku do t’i gjenim; për më tepër tashmë ishte mjaft e vështirë të mund të gjeje për të blerë ushqime të tilla, por edhe për faktin se edhe paratë ishin duke u mbaruar. Edhe në këto rrethana Jezusi i mirë urdhëroi ti zgjidhte në mënyrë të tillë gjërat, saqë na erdhi në ndihmë vetë guvernatori Turk Esad Pasha (që zëvëndësoi guvernatorin e vrarë), duke na dhënë çdo ditë falas rreth gjashtëmbëdhjetë kilogram mish e katër kile oriz, nga rezervat që guvernatori i mbante për ushtrinë. … Ne priftërinjtë i jemi përjetësisht mirënjohës‚ çka e shprehim me përulje edhe në këtë shkrim.
Me rekomandim të Monsinjor Luigj Bumçit, Ipeshkv i Lezhës‚ një mik i vjetër i guvernatorit dhe që gëzonte besimin e tij‚ shkoi tek Esat Pasha një përfaqësi e kryesuar nga vetë P. Domenico Facin O.F.M‚ ku bënte pjesë edhe Dom Mark Shllaku‚ për ti shprehur mirënjohjen e thellë. Ai i priti me ngrohtësi dhe vuajtjet e tyre i përjetoi me dhëmshuri.
P. Domenico Facin O.F.M e vazhdon relacionin e tij: Jo pak mund të ketë ndikuar në shpirtin e Guvernatorit fakti, që ne e Motrat tona, me shkresë zyrtare të pajisur nga ipeshkvi e konsullata mbretërore, i kishim ofruar që në fillim të luftës ndihmën për të plagosurit…..
Por cilado që mund të ishin motivet që e shtynë Guvernatorin për të na ndihmuar, kjo ka pak rëndësi‚ -theksonte ai. – I rëndësishëm është fakti që ai vërtet na shpëtoi, e që e vazhdoi këtë bamirësi çdo ditë për një periudhë rreth një muaj; domethënë, deri sa erdhi koha në të cilën edhe për ushtrinë u pakësua më parë orizi e pastaj mishi; e në të tilla rrethana, ushtria turke u gjend në kushte të dëshpëruara, që përshpejtoi për fat të mirë fundin e rrethimit që shkaktonte viktima nga dy goditje të tmerrshme‚ uria dhe lufta”.
_____________
Për më tepër për Luftën e Shkodrës‚ shih: Xhafer Sadiku “Shqipëria 1878-1928; Roli i elitës politike”.