Erzen Talla, nga Letanci i komunës së Podujevës, qëkur ishte nxënës i Shkollës Fillore të Mesme të Ulët “Shaban Shala ”binte në sy me seriozitetin në punë dhe sukseset e arritura, si në mësimin e rregullt ashtu edhe në Kuizet e diturisë, të organizuara në shkallë vendi.
Prirjet e tij vëreheshin haptas në Fizikë, Kimi, Biologji e veçmas në Matematikë. Andaj, në shtator të vitit 2014, vazhdon me mësime në gjimnazin “Aleksandër Xhuvani” të Podujevës,-drejtimi i shkencave natyrore.
Në mars të vitit 2016, Erzeni, si nxënës i dalluar i këtij gjimnazi e përfaqëson komunën e Podujevës, në Olimpiadën e matematikanëve më të mirë të Republikës së Kosovës.
Me të përfunduar gjimnazin në qershor të vitit 2017, me të gjitha pesësha, ishte i prerë që të studionte në Fakultetin e Shkencave Natyrore, seksioni i Matematikës, në Universitetin shtetëror të Kosovës.
Mirëpo, në çastet e fundit e ndërron mendjen dhe regjistrohet në Kolegjin UBT, të Prishtinës, ku gjatë tri viteve do t’i studiojë Shkencat Kompjuterike, si disiplinë në vete programet dhe aplikacionet.
Erzeni në këtë Institucion të Lartë të Arsimit të Republikës së Kosovës, regjistrohet pa u hamendur fare, ngase themeluesi dhe udhëheqësi i tij, Z. Edmond Hajrizi, kishte angazhuar ekspertët më të mirë të Teknologjisë së Informacionit, brenda Kosovës dhe jashtë saj.
Talla edhe këtu do të punojë sistematikisht, në mënyrë që të shënojë rezultatin e dëshiruar.
Ai, studimet në këtë Kolegj niveli Bachelor, i përfundon në afat rekord, duke arritur notën e përgjithshme 9.53.
Erzeni është në mesin e një apo dy studentëve që tek prof.dr. Rexhep Gjergji, mësimdhënës shumëvjeçar i lëndës së Matematikës edhe në Fakultetet e Universitetit të Kosovës, që ka marrë notën 10 (dhjetë).
Talla, duke e ditur që prof.dr.Gjergji, është goxha dorështrënguar në dhënien e 10-tave,fiton besim të plotë në vetvete dhe vendos që studimet e shkallës Master,t’i vazhdoj jashtë Kosovës.
Ai, pas shqyrtimit të programeve që i ofronin Institutet e specializuara të Informatikës në Japoni, Belgjikë, Austri dhe Zvicër, merr vendim që të studiojë në “Eu Bussness School “ të Gjenevës.
Përkundër kostos bukur të lartë të studimeve Mentor dhe Valbonë Talla, prindër të Erzenit, do ta mbështesin atë me mjete.
Ata përgjatë 2 viteve aq edhe sa zgjasin studimet e Masterit, i ofrojnë çunit të tyre kushte ideale pune dhe banimi.
Meqenëse, gjetja e një banese në Gjenevë, përherë është problem në vete Erzeni, nëpërmjet mërgimtarit të hershëm dhe sipërmarrësit të njohur Azem Hyseni, do ta sigurojë një studio me të gjitha pajiset e nevojshme.
Çmimi mujor i qirasë për kushtet e Kosovës, ishte astronomik, e po ashtu duhej të jepej edhe paradhënia prej 5400 CHF, në formë garancie.
Mentor Talla ,i ati i Erzenit një arsimdashës i flaktë as që e diskuton çmimin. Ai, donte që i biri i tij Erzeni, ta sendërtoj ëndrrën e tij të kamotshme, që jetë në hap me bashkëmoshatarët e tij, të vendeve të Perëndimit.
Erzeni i përpiktë në punë s’do të ketë fare-fare kohë të lirë . Ai synonim të vetëm ka që suksesin e arritur në Prishtinë, ta përsërisë edhe në Gjenevë.
Mirëpo, çdoherë ndihej keq që të gjitha shpenzimet i mbulonte familja e tij. Andaj, nuk e humbiste as një ligjëratë e mos të flasim për orët praktike, që në to shkonte çdoherë gjysmë ore përpara kohës.
Aty ku ka disiplinë e punë edhe rezultati është i garantuar. Erzen Talla, një i rinj me vullnet të çeliktë dhe hulumtues i pashoq i rrugëve të dijes edhe në Gjenevë, do të jetë njëri nga studentët më të mirë.
Ai në janar të vitit 2023 e merr gradën shkencore Master In Digital Business , me çfarë i hapë vetes mundësi të shumta punësimi në Evropë e vende të tjera të globit.
Talla që më 22 korrik të këtij muaji i mbush 24 vjet, së shpejti do t’i nisë edhe me punimet e doktoratës në Vjenë të Austrisë.
Erzeni që është i lidhur ngushtë me gjyshin e tij, Ahmet Talla , edhe pse kishte oferta të shumta pune në Zvicër i bindet urdhrit të tij dhe kthehet në Kosovë.
Ahmeti që në fund të viteve të 70-ta, kishte punuar përkohësisht në Gjermaninë Federale, thotë që djem e vajza, që kanë kryer Fakultete në vendet e Perëndimit, është koha që të kontribuojnë në Kosovën e pavarur.
Porosi e tij është që të gjithë shqiptarët e ngritur profesionalisht ta ndjekin rrugën e nipit të tij, Erzen Talla.
Erzeni me të kthyer në vendlindje ka nisur punën në cilësinë e mësimdhënësit në Kolegjin UBT, të Prishtinës, gjithnjë i gatshëm që të ndihmojë edhe në Universitetin shtetëror të Kosovës “Hasan Prishtina”
ARIF EJUPI