po japin koncert
gjethet e plepit
të gjitha bashkë
në një kor virtuoz
zërash
gjethe plepi
dirigjuar
nga Parajsa
nga Von Karajani
e Lorin Masel
duke imituar
puqjen trup më trup
linkth të valëve
kur takohen
me bregun
më në fund
pas muajsh
endjesh
si anijet e dehura
në det të hapur
po ziejnë si koshere
plepat prej
gjetheve që po tunden
si vathët
e vajzave
kur shkundin flokët
e lagura
me tinguj
biond,
brun,
gështjenjë,
të kuqërremta
e nuancash
të pashterrëshme
ngjyrash
që i bën piktorët
të mashtrohen se
kinse dashurohen
me ngjyrat
e natyrës
mbylli sytë
dhe dëgjo
melodinë
kur gjethet e plepit
preken me njëra-tjetrën
në rrotullime
piruetash
balerinash
pa marrë
parasysh
se është fundgushti
e rrotullime
të tilla rruzullore
janë fatale
e u rrezikojnë
jetën
mbylli sytë
dhe dëgjo
melodinë
shekspiriane
prej ofshamave
të gjetheve të plepit
në këtë fundgusht
se pas pak vjen
vjeshta
që i ngjan
dhimbjes
të shumëzuar
në miliarda herë
kur Othello
sheh shaminë
e Dezdemonës
në duart e Kasios
mbylli sytë
dhe dëgjo kur
në fundgusht
gjethet
e plepit
puthen
me njëra-tjetrën
janë
me mijra e miliona
gjethe
që puthen
gjatë orëve
të kësaj nate
në miliarda
e miliarda herë
sa do të putheshin
sikur do të jetonin
pa u shkëputur
kurrë
nga degët krahë
të plepit
për disa qindra vjet
eja t’i imitojmë
edhe ne të dy
gjethet e plepit
kur puthen
le të puthemi
çdo natë
sa do të puthemi
të dy
për njëqind vjet
ne mund t’i imitojmë
gjethet e plepit
ajme
gjethet e plepit
nuk mund
të na imitojnë dot ne
O dashuri gjethe plepi i cili prodhon azmatike , pemë pa fryt , dashuri pa kokra , dashuri e një peme pa rrënjë dhe puhiza më e lehte e rezon, dashuri e vdekur qe në lindje. Edhe pemët dashurojnë se kanë ndjesi por të plepit nuk nuk rrojnë lindin dashuri te vdekura.