PRISHTINË – Sot në Francë fillon Kampionati Evropian i Futbollit (EURO 2016) dhe do të vazhdojë deri më 10 korrik. Kosova, anëtarja e re e UEFA-s dhe FIFA-s edhe pse nuk do të marrë pjesë në këtë kampionat, do të përfaqësohet përmes futbollistëve të shumtë kosovarë të cilët luajnë në kombëtare të shteteve të ndryshme.
Në një deklaratë për AA sekretari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Eroll Salihu, u shpreh se presin nga lojtarët që kanë origjinë nga Kosova të prezantohen sa më mirë dhe që shpresojnë se kombëtarja shqiptare do të jetë e suksesshme.
Duke vënë në dukje faktin që sivjet në Kampionatin Evropian të Futbollit nuk marrin pjesë vetëm 16 ekipe, siç ka qenë më parë, por do të luajnë 24 ekipe, Salihu theksoi se kjo është në dobi të përfaqësuesve të kombëtareve të vogla. Sipas tij, kombëtaret e vogla kanë rastin që të befasojnë me një lojë dhe hyjnë në fazën tjetër të kualifikimit.
Ai theksoi se rritja e numrit të ekipeve ishte shumë pozitive edhe për reprezentacionet e ekipeve të rajonit. “Bosnja dhe Hercegovina ka një ekip shumë të kualifikuar dhe kanë lojtarë që janë yjet e futbollit në Evropë. Kombëtarja Shqiptare nuk ka super yje, por ka një ekip homogjen dhe mendoja se Kombëtarja Shqiptare do ta kalonte këtë fazë. Gjithashtu vlen edhe për ekipin e Bosnjës, por sigurisht që e ka ndihmuar fakti se marrin pjesë më shumë ekipe”, u shpreh Salihu.
Sa i përket ekipeve favorite, sipas Salihut, finalisti do të mund të shikohet në mes të ekipeve që kanë qenë gjithmonë favorite si Gjermania dhe Spanja, por sipas tij mund të ketë edhe surpriza. “Mendoj që gjermanët janë gjithmonë kandidat edhe pse në kohët e fundit nuk kanë pasur ndeshje të mira dhe unë e di se janë bërë ndryshime të mëdha në ekip. Edhe spanjollët janë kampioni aktual evropian, nuk janë një ekip që duhet të anashkalohet. Mirëpo është edhe Belgjika, edhe Franca kësaj here përpos faktik që luan në vendin e saj ka një ekip mjaft të mirë dhe të talentuar. Mendoj që brenda këtyre katër ekipeve do të jetë finalisti”, u shpreh sekretari i FFK-së.
– Lojtarët nga Kosova kanë luajtur rolin kyç tek rezultati pozitiv i Shqipërisë-
Ndërkohë trajner i futbollit dhe analisti i sportit, Arbnor Morina, theksoi se Kombëtarja e Shqipërisë për herë të parë është kualifikuar në një garë të madhe evropiane dhe botërore dhe këtë e ka bërë me plot meritë. Ai duke vënë në dukje se lojtarët nga Kosova kanë luajtur rolin kyç tek rezultati pozitiv i Shqipërisë u shpreh se Shqipëria ka një ekip shumë homogjen, me një staf teknik shumë ambicioz dhe se ka gjasa për ta kaluar edhe turin e parë.
Sot në Francë fillon Kampionati Evropian i Futbollit (EURO 2016) dhe do të vazhdojë deri më 10 korrik. Kosova, anëtarja e re e UEFA-s dhe FIFA-s edhe pse nuk do të marrë pjesë në këtë kampionat, do të përfaqësohet përmes futbollistëve të shumtë kosovarë të cilët luajnë në kombëtare të shteteve të ndryshme.
Foto: Arbnor Morina analist i sportit dhe trajner
( Erkin Keçi – Anadolu Agency )
Arbnor Morina, analist i sportit dhe trajner
“Është një karakteristikë shumë e madhe se jo vetëm Shqipëria që ka futbollistë nga Kosova, por edhe shumë shtete tjera si Zvicra, Gjermania dhe të ekipe tjera kanë në gjirin e tyre kosovarë. Ky është faktikisht një rezultat i viteve 90-të kur kosovarë të shumtë kanë emigruar për shkaqe të ndryshme, si politike ashtu dhe ekonomike. Por më me rëndësi është se shqiptarët e Kosovës kanë arritur një sukses të madh duke u përfshirë në rrjedhat e futbollit në ato shtete që kanë jetuar”, u shpreh Morina në deklaratën e tij për Anadolu Agency (AA).
Analisti Morina, sa i përket çështjes së Kosovës, theksoi se Kosova pas një pune prej shumë dekadash u anëtarësua në FIFA dhe UEFA, por që ende vazhdojnë problemet rreth përmbushjes së kritereve të UEFA-s. Ai vuri në dukje se duhet të përmirësohet infrastruktura sportive dhe ajo ligjore në mënyrë që edhe futbollistët e Kosovës vitin e ardhshëm të luajnë me bashkëmoshatarët e tyre në Evropë.
Morina, si njohës i mundësive të futbollit, theksoi rëndësinë e futbollistëve që luajnë në ekipet e mëdha evropiane, sepse sipas tij, ata luajnë rol të rëndësishëm në kombëtaret e shteteve. “Futbollistët e Shqipërisë luajnë në ligat e fuqishme evropiane dhe kjo ka sjellë një stabilitet në lojë. Gjithashtu kroatët luajnë në klubet më të mira evropiane dhe kualiteti i tyre është i pamohueshëm edhe pse kanë pasur disa probleme dhe lojë të dobët. Pra këto dy ekipe janë ekipet që janë kualifikuar dhe që duhet respektuar”, u shpreh Morina.
Sa i përket kombëtares së Bosnjës dhe Hercegovinës, Morina u shpreh se kanë krijuar një ekip mjaft të mirë me futbollistë, shumica e të cilëve luajnë në ekipe të Gjermanisë dhe në Zvicër, por që në këtë moment nuk mund të bëjë diçka më tepër për arsye se kulminacionin e arritën në Kampionatin Botëror.
Rreth reprezentacionit të Turqisë, Morina ka shtuar se Fatih Terim, ka marrë ekipin gjatë kualifikimeve dhe kanë një ekip mjaft të mirë.Analisti Morina u shpreh se në këtë kampionat ekipet të cilët kanë qenë gjithmonë në krye të futbollit, si gjermanët, francezët dhe anglezët do të pretendojnë për titull, por që gjithashtu mund të ndodhë ndonjë befasi me ekipet si Ukraina, Suedia e Rumunia. Ai në fund shtoi se kampion do të jetë ekipi që luan në mënyrën më të mirë, dhe ai i cili është më me fat.
EURO 2016 do të mbahet në Francë mes datave 10 qershor dhe 10 korrik dhe Anadolu Agency (AA) do të mbulojë zhvillimet e garës ndërkombëtare të futbollit evropian “Francë 2016” në 11 gjuhë.
Komentet