“A ka send mâ të mrekullueshëm në kët botë
se me i sjellë qytetnimin nji kombi zhytë
n’ errsín e padijes?
Bashkia Shkodër në bashkëpunim me revistën “Shêjzat” njoftuan lajmin për aktin e dhurimit të bibliotekës së shkrimtarit të mirënjohur, Ernest Koliqi, nga ana e revistës “Shêjzat”, Bibliotekës “Marin Barleti”, të qytetit të Shkodrës. Dhurimi i Bibliotekës “Ernest Koliqi” Bibliotekës “Marin Barleti” në Shkodër u cilësua si një akt bashkpunimi midis Bashkisë Shkodër me revistën “Shêjzat” – për transferimin e një koleksioni prej nja 1500 tituj librash, gazetash e ekstraktesh të ndryshme në bibliotekën publike të Shkodrës, “Marin Barleti”.
Sipas lajmeve, biblioteka personale e Ernest Koliqit iu dhurua bibliotekës publike të qytetit të Shkodrës me nismën e studiuesit të njohur Ardian Ndreca. Thuhet se bëhet fjalë për rreth 1500 tituj librash dhe koleksione gazetash, të cilat, sipas profesor Ndrecës, dëshmojnë për personalitetin e Koliqit si mësues, poet, romancier, eseist, përkthyes, gazetar, dramaturg, por edhe botues, ndër më të njohurat revista ishte “Shëjzat”.
Duhet uruar dhe përgëzuar studiuesi Ardian Ndreca që ka bërë të mundur — siç u shpreh ai vet për mediat, me këtë rast — që të shpëtojë aq sa ka mundur nga bibliotekja origjinale e Koliqit, të cilëën unë e mbaj mend si shumë të pasur. “Në mënyrë krejtsisht të rastësishme mbërrijta që të shpëtoj këtë pjesë të bibliotekës”, u shpreh ai për median vendore dhe kombëtare, duke shtuar:
“Ka shumë dekada në të cilat jam përpjekë që kjo bibliotekë e Koliqit e cila dihej se ekzistonte në Itali, duhej të kthehej në Shqipëri por për shkaqe të ndryshme ishte e pamundur me e bë këtë gjë. Personi që i zotëronte deri para pak vitesh, vdiq dhe në mënyrë krejtsisht të rastësishme mbërrijta që të shpëtoj këtë pjesë të bibliotekës, me idenë që sa më shpejt me e kthye në Shkodër dhe me ia dhenë një institucioni shtetëror, pra një institucioni që përfaqëson të gjithë qytetin dhe është publik i hapur për të gjithë. Si njësi, janë gjithsejt nja 1500 libra, ekstrakte, artikuj, ku bajnë pjesë edhe një koleksion gazetash tepër të rralla të fund viteve 1800 e në fillim të 1900-ave. Libra dhe materiale të botuara në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në Itali në vende të ndryshme dhe në vende të Ballkanit, të cilat i mungojnë deri më sot fondit të bibliotekës si dhe asaj kombëtare. Ashtu siç ka ndodhë me Arshi Pipën, para disa vitesh kur vet Pipa ia dhuroi qytetit të Shkodrës bibliotekën e tij. Kjo gjë ndodhi edhe me bibliotekën e Ernest Koliqit. Shpresojmë që një gjë e tillë të verifikohet edhe nga autorë të tjerë shkodranë që kanë jetuar në mërgim…”, ka shpjeguar Profesor Ardian Ndreca.
Ky është një zhvillim tepër i rëndësishëm për Shkodrën, për Shqipërinë dhe për mbarë Kombin. Jam i bindur se ai shikon nga lartë me kënaqësi për arritjen e bibliotekës së tij, sado të pjesëshme, nga Roma në Shkodër, në dispozicion të lexuesve shqiptarë, jo vetëm në Shkodër e Shqipëri, por nga të gjitha trojet ku flitet shqip — siç e kishte prëcaktuar ai vet në një shkrim se kjo bibliotekë, është për të gjithë ata: “Që kanë për gjuhë amtare shqipen – ku ma shumë e ku ma pak – frymzohen nga shpirti i zakoneve arbnore e që sot ndahet në tri pjesë: banorët e shtetit shqiptar, vëllëznit tanë nën Jugosllavi dhe bashkatdhetarët e diasporës. Në idealin tonë, që kurrë s’ka për t’u shkimun, këto tri degë përbajnë nji tanësi gangullore, cilido që të jetë zhvillimi shoqnuer i veçantë i tyne.” Ernest Koliqi, Bota e re e shqiptare – Shëjzat II, 5-6, 1958.
Edhe Adrian Ndreca, në hapjen e pavionit të veçant të bibliotekës kushtuar Koliqit, theksoi gjithashtu se biblioteka “Koliqi” është një vlerë shumë e çmuar për Shkodrën dhe më gjerë. Një “kthim simbolik” e quajti ai transferimin e bibliotekës së Ernest Koliqitn ë Shkodër, duke shtuar se Koliqi, së pari, i përket lexuesve, mbarë lexuesve shqiptarë, ashtu si i përket edhe qytetit të tij – Shkodrës. Koliqi, shtoi studiues Ndreca, ka se çka t’u mësojë lexuesve, duke shpresuar që ky rikthim të jetë edhe tek leximi i veprave të Koliqit, u shpreh ai për median.
Të pranishëm në këtë ceremoni ishin edhe Kryetari i Bashkisë Shkodër, Benet Beci dhe Ministri i Shtetit Elisa Spiropali. Uroj dhe shpresoj që hapja e sallës “Koliqi” në Bibliotekën publike të Shkodrës, të jetë fillimi i një procesi zyrtar, sa më të shpejt, që figura e këtij shkrimtari të madh të Kombit, të hiqet nga lista e zezë komuniste dhe të vlerësohet nga letrarë, historianë, akademikë dhe shkencëtarë jo-komunistë — për kontributet e vërteta të tija – ashtu siç janë ato.
Ky është një akt që duhet të duartrokitet dhe të mirëpritet nga të gjithë dashamirësit e Ernest Koliqit, adhuruesit e trashëgimisë së tij letrare dhe atdhetare, por edhe të librave shqipe, në mbarë hapësirën kombëtare. Ernest Koliqi, siç dihet, ishte i ndaluar dhe i përjashtuar nga regjimi komunist i Enver Hoxhës dhe për fat të keq edhe gjatë këtyre 30-viteve të ashtuquajtur “post-komunizëm”, Ernest Koliqi vazhdon të jetë, zyrtarisht, i përjashtuar, i kritikuar dhe i denigruar nga qarqe të caktuara politike dhe jo-politike — zyrtare dhe jo-zyrtare — në Shqipëri.
Mundësimi i transferimit të bibliotekës së Ernest Koliqi (megjithse jo e plotë nga koha që e mbajë unë mend nga vizita ime në të, në vitin 1970), është megjithëate një hap i duhur, i mirëseardhur, megjithëse tepër i vonuar. Ernest Koliqi, “shkoi” pardje në Shkodër, siç e cilësuan disa media transferimin e bibliotekës së tij të përgjysmuar në bibliotekën e Shkodrës, por ende nuk mund të thuhet se ai është pranuar në “shtëpinë” e vet. Ka ardhur koha që Ernest Koliqit t’i hapen portat e “shtëpisë” së tij – Shqipërisë dhe të shqiptarisë në përgjithësi, që i deshi aq shumë – për të cilat jetoi, veproi dhe i mbrojti interesat kombëtare deri në frymën e fundit të jetës së tij. Biblioteka e Ernest Koliqit në Shkodër vetëm do t’i sjell qytetërim, Shqipërisë, Shkodrës dhe Kombit shqiptar — të zhytur për një gjysëm shekulli në errësirën e indoktrinimit të ideologjisë aziatike sllavo-komuniste. “A ka send má të mrekullueshëm në këtë botë se me i sjellë qytetnim nji kombi, zhytë n’errsín e padijes.”
Frank Shkreli
Në përkujtim të Ernest Koliqit me rastin e Dhurimit të Bibliotekës “Ernest Koliqi”, Bibliotekës “Marin Barleti”, Bashkia Shkodër —
“A ka send mâ të mrekullueshëm në kët botë se me i sjellë qytetnimin nji kombi zhytë n’ errsín e padijes?
-Ai që kalon nëpër popull tue hjedhë farën për nji jetë mâ të mirë,
ai që e ndriçon me nji dritë mâ të bukur tokën qi na ushqen,
ai që bân me ngadhnjye agimet në muzgun e pacaktuem të shpirtnave;
shkurt: kush i difton popullit nji udhë të re qytetnije të vërtetë,
âsht i denjë me qênë i nderuem si gjymsë perendije.”
Marrë nga novela “Gjaku” – Ernest Koliqi
Ardian Ndreca me Kryetarin e Bashkisë Shkodër, Benet Beci
Ndër të pranishëm edhe Dom Nikë Ukgjini — Foto nga ceremonia marrë nga portali i Bibliotekës “Marin Barleti” -Shkodër
Një foto që po qarkullon në rrjetët sociale – ku dallohet Ernest Koliqi me shkrimtarët Asdrenin dhe Poradecin, ndër të tjerë –
në Kafe të Madhe, Shkodër, 1936
Shkodra në rininë e Ernest Koliqit – foto nga Biblioteka Marin Barleti