Rrëfime për fëmijërinë, këngët e para kur admironte Vaçe Zelën, ngritjen në karrierë dhe rikthimet e herëpashershme në Shqipëri.
Një prej ngjarjeve ku ajo ndalet gjatë është një kërcënim me një letër anonime, në të cilën ishin ngjitur shkronja gazetash…
Mbrëmë ajo u shfaq në TVSH tek emisioni i Enkel Demit, “Shih programin” ku dha edhe këtë rrëfim.
Si ia bën që je kaq e dobët? Nëse nuk do të të njihja, do mendoja se je balerinë klasike?
Eh, është një stërvitje e përditshme. Ashtu siç praktikoj zërin përditë, ashtu praktikoj edhe trupin. Nuk e kam nga natyra. Se zakonisht ne femrat kur duam të dukemi themi se nuk ha shumë, ha sa të dua, i bëj të gjitha gjërat normalisht, nuk mbaj dietë. Jo, jo për mua nuk është kështu. Është një punë aq e madhe, aq e lodhshme, që më kushton shumë.
Kam përshtypjen Ermonelë se ti je një krijim i vetvetes?
Ajo e të bërit vetë është e vërtetë. Ne të gjithë lindim me një potencial, për të zbuluar dhe për të shprehur veten tonë në fusha të ndryshme, por ai potencial që kemi varet nga kushtet ekonomike, shoqërore, nga familja, nga ambienti që mund të të ndihmojnë, por siç mund edhe të të pengojnë. Duhet ta marrësh me një lloj idealizmi, pasion të jashtëzakonshëm, paksa patologjik do të thosha, që i bie edhe murit me kokë, rrëzohesh, ngrihesh, bën çdo gjë për të gjetur më të mirën tende, të paktën si e kam gjetur unë në muzikë. Vetëm kjo të bën të kapërcesh çdo lloj vështirësie. Në të njëjtën kohë duhet të jesh edhe shumë mendjehapur. Dhe kjo puna kolosale, me rëniet e ringritjet më ka bërë që t’i shoh gjërat, t’i prek me duart e mia. I kam marrë të gjitha si një lloj eksperience njerëzore dhe për fat të mirë mund të them kam gjetur këtë kanalizim ndjenjash dhe eksperiencash. Ka qenë një punë e jashtëzakonshme.
Unë kam kërkuar në një farë mënyre të gjeja një “tutor” tëndin, siç ka zakonisht në fushën tuaj, dikë që të jep një dorë, që të referon dhe i referohesh. Nuk gjeta askënd që të mund të thoja Ermonela Jahon e ndihmoi X apo Y për të mbërritur deri këtu…
Ashtu është Keli, prandaj unë të thashë më sipër se ndonjëherë njerëzit që ke rrotull mund t’i kesh mbështetje ose pengesë. Mua përveç familjes që më ka dhënë këtë shtytje, nuk kam patur njeri tjetër. Kanë qenë edhe pedagogët. Të gjithë i kam vënë si copëzat e vogla të një mozaiku për të ndërtuar figurën e madhe, po që të them se ky “tutor”, apo ai, jo. Secili më ka dhënë diçka, por unë nuk mund të them se ka qenë një “kujdestar”.
Nëse unë të kthej në fëmijëri, cila është gjëja e parë që kujton?
Në fëmijëri mbaj mend kur kam qenë 4-5 vjeçe më pëlqente muzika e lehtë. Dëgjoja shumë këngët e Vaçe Zelës, kisha flokë të gjata dhe prindërit e të afërmit më thonin të gjithë: “E ke gojën e madhe si Vaçe Zela”. Ndonjëherë më vinte e keq dhe kundërshtoja, thoja nuk e kam gojën e madhe, por kur mahnitesha nga Vaçja, iu kthehesha, atëherë do të bëhem edhe unë këngëtare. Në atë kohë më kujtohet që bëja shfaqjen time në shtëpi. Skena e parë ka qenë aneksi, dilja nga pas perdes dhe lajmëroja: “Tani do të këndojë Ermonela Jaho!” dhe këndoja këngën e Vaçes “Nënën moj do pres gërshetin”, që as arrija ta shqiptoja saktë, por e këndoja ‘nënë moj do preth gërshetin”. Ky është kujtimi i parë me këtë pasion. Më tej si çdo fëmijë, doja të bëhesha si vajzat e bukura të asaj kohe, doja të bëhesha si Parashqevi Simaku, Nertila Koka. Mbase është instiktive, doja më shumë vëmendje. Babai e vuri re këtë gjë, sepse kam qenë fëmijë i turpshëm dhe ndjehesha mirë vetëm kur këndoja.
Ju nuk e keni muzikën traditë familjare apo jo? Babai ka qenë ushtarak apo jo?
Po, është e vërtetë. Nuk kemi pasur një traditë të mirëfilltë që dikush të ishte marrë me muzikë, gjyshi i binte violinës në Pallatin e Kulturës së Vlorës, por jo dikush që të jetë marrë mirëfilltasi me muzikë në familjen time nuk ka patur.
Je larguar nga Shqipëria në ‘93 dhe rikthehesh pas 11 vitesh në 2004, për të vendosur ne skenë “Elisir d’amour”, por kjo shfaqje iku pa bërë shumë zhurmë. Por pas saj, ty, një divë tashmë e skenës botërore, të çojnë për të festuar në një lokal popullor, me babën tënd në krye…
E vërtetë. Pas asaj shfaqjeje e gjeta veten në një darkë të organizuar me shumë dashuri dhe aty unë nuk doja të isha unë qendra e vëmendjes, por im atë. Në atë moment, kishte rëndësi që të gëzonte ai, sepse ai më ka shtyrë sa herë kisha nevojë, por nga ana tjetër sot edhe atë darkë e shikoj ndryshe. Tim atë e kam patur pranë në çdo hap, sa herë fitoja ndonjë konkurs, sa herë mediat e huaja shkruanin për mua gëzonte dhe i sillte gazetat këtu që të përcillte në shtyp ndonjë informacion, por ia mbyllnin dyert. E vuante jashtë mase. Pyeste “po përse nuk flasin për ty? Pse kështu pse ashtu?” Dhe të them të drejtën nuk pata kohë të mendoja për vete, por doja vetëm ta shikoja atë të lumtur, me mua në krahë dhe përballë miqve të tij.
Pastaj atë natë, para se të mendoja se po festoja në një lokal me muzikë popullore, e kisha mendjen gjetkë, pasi mora një letër anonime. Unë isha e ftuar tek “Elisir d’amour” dhe kam kënduar vetëm natën e tretë, sepse ndoshta dikush mund të kishte frikë se mund t’i zija vendin. Ne shqiptarët jemi pak të çuditshëm në këtë pikë. Kemi ndjenjë të lartë xhelozie me njëri-tjetrin edhe pse flasim të njëjtën gjuhë. Ti mund të kesh arritur diçka, të jesh bërë dikushi edhe jashtë kufijve të vendit tënd, por kur kthehesh këtu e kemi shumë, shumë të vështirë që ta pranojmë zotësinë e tjetrit. E njëjta gjë ndodhi edhe për “Elisir d’amour”, nga nata e parë kalova në natën e tretë, unë doja të këndoja, sapo e kisha kënduar në Itali, pastaj është në mes edhe egoja e artistit. Megjithëse ndodhën gjërat kështu, vendosa ta këndoja. E bëra edhe për tim atë. Kështu shkova në Teatrin e Operas dy orë përpara shfaqjes dhe supozohej që të kishe kostumet, do të visheshe nën petkun e dikujt tjetër. Nuk gjej kostumet, nuk gjej këpucët. Por prapë thashë do ta bëjë këtë për tim atë, do të dalë në skenë. Dhe u rregullova si munda e dola. Nuk mjaftoi kjo, por në skenën gjatë shfaqjes, kjo është një opera komike dhe sipas libretit në skenë mua më vjen një letër me tekstin e një kënge ku tallej një personazh, por mua më erdhi një letër anonime, e bërë me shkrime gazetash, të marra dy rrokje këtu, një fjalë atje, ishin ngjitur me merak si nëpër filma. Lexoj letrën që ishte e gjitha një xhelozi e plotë, ku më kërkohej që të ikja. E lexova dhe nuk po i besoja vetës. Pashë rreth e rrotull, jam në skenë apo ishte ëndërr dhe sinqerisht instikti im i parë pas asaj letre ishte i thjeshtë. Thashë me vete personin që e ka dërguar duhet ta kem në publik, ndaj e mora letrën e bëra copa-copa të vogla dhe e hodha në ajër si dëborë dhe qeshja mesa kisha në kokë. Lëvizja nëpër skenë, këndoja, qeshja.
E për t’u rikthyer pak tek darka që më kujtuar ju, mund t’ju them se u ndjeva pakëz si jetime në vendin tim. Nuk dua të jem negative, por ne na mungon vlerësimi për njëri-tjetrin. Luftën më të madhe për të njohur punën time dhe mua e kam patur me vendin tim.
Në cilën opera të ka qëlluar të zëvendësosh një soprano ruse që ka qenë e sëmurë …
Ka qenë në Londër ky rast. Unë isha në Nju Jork, sepse jetoj aty me familjen aty. Në Londër ishte kolegia ruse, jashtëzakonisht e njohur në media, me shumë famë si këngëtare. Dihet që rusët në përgjithësi janë adhurues të muzikës klasike, por masonët rus në veçanti janë të përqendruar në Londër dhe natyrisht që ndjekin me fanatizëm çdo koncert të bashkëpatriotëve të tyre në Teatrin Mbretëror të Londrës, i cili konsiderohet si pikë arritje për të gjithë këngëtarët. Të gjithë kemi folur për Callas, Pavarotin, Del Monaco që kanë qenë gjithmonë në këto ambiente. Unë sapo kisha mbërritur, kisha qenë në një produksion tjetër, kur më merr menaxheri im dhe më thotë nesër është premiera në Londër, janë shitur të gjitha biletat, mediat janë aty, por këngëtarja ruse është e sëmurë dhe nuk e di nëse këndon dot apo jo. Do të vish për të qenë aty që të jemi të sigurtë në çdo rast. Joshja ishte e madhe, por pata dhe një farë ngurrimi, flitej për “Royal Theater House” dhe mendimi i parë që më ka ardhur kishte lidhje me ëndrrën time për t’u bërë këngëtare operistike me operan “Traviata”. E kisha kënduar para Londrës disa herë në produksione të tjera. Muzikën natyrisht e dija, por regjia duhej të ishte krejt ndryshe, nuk ia kisha idenë se nga duhej të hyja dhe të dilja. Kisha vetëm pesë minuta kohë të mendohesha për të thënë po ose jo. Në atë periudhë kisha patur edhe një fatkeqësi, pata humbur mamanë krejt befas dhe në një farë mënyrë me ikjen e saj kishte marrë fund dhe një lloj ankthi, padurimi që zakonisht kanë të rinjtë. I thashë vetës: “Ky është një rast fantastik, provo sa e zonja je të bësh, provoje me gjigantët, lëri fjalët!” I thashë vetës: “Çfarë do humb?! Nënën time nuk ma kthen më njeri, kjo derë nuk dihet nëse do të hapet një herë tjetër apo do të të mbyllet përgjithmonë”. Dhe u nisa. Kam udhëtuar gjithë natën nga Nju Jorku në Londër. Thashë e pranoj këtë sfidë. Kur mbërrita shikoj telefonin, asnjë thirrje. Nisa të mendoj do Zoti këndon sonte këngëtarja ruse që të shoh edhe shfaqjen, të kuptoj më shumë se për çfarë bëhet fjalë. Por, sapo mbërrita në hotel më morën në telefon dhe më thonë “eja se këngëtarja e ka anuluar shfaqjen, janë shitur të gjitha biletat dhe nuk e anulojmë dot”, flasim për një shfaqje ku një biletë kushtonte 700 deri në 800 paund se bëhej fjalë për premierën dhe flasim për një teatër me 4 mijë vende, plot me media. Kisha vetëm katër orë për t’u bërë gati. Regjinë nuk e dija, kostumet m’i bënë në atë çast dhe më thonin, do hysh këtej, do të dalësh andej, por gjithçka po më thuhej në një studio të vogël, jo në skenë, atë nuk e kisha parë akoma. Unë isha aq e përqendruar, po mundohesha të thithja sa më shumë, mos ta humbisja këtë mundësi. Afrohet ora e shfaqjes, salla plot, ishte skenografia e tillë që unë hyja në skenë dy-tri minuta para shfaqjes dhe duhej të qëndroja pas një tyli. Aty pashë për herë të parë skenën dhe sikur të mos mjaftonte kjo, kishin harruar të më prezantonin kolegët dhe rolet e tyre, përveç tenorit. Por nuk mjaftoi as kjo. Para së të fillonte shfaqja del drejtori artistik, se nuk ia kishte komunikuar publikut më përpara dhe iu thotë: “Na falni, këngëtarja filan nuk këndon sonte për arsye shëndetësore, por ne kemi marrë një artiste tjetër, ju nuk e njihni, por nuk do të ngeleni të zhgënjyer. Quhet Ermonela Jaho. Nëse do të mbeteni të zhgënjyer, do t’ju rimbursojmë biletat”. Mua as drejtori nuk më kishte dëgjuar “live” asnjëherë. Dhe dëgjoj publikun të irrituar dhe më dukej sikur kishte marrë edhe pozicionin trego se çfarë di të bësh tani. Unë dridhesha. Nuk mjaftoi edhe kjo. Drejtori doli duke i thënë publikut dëgjojmë aktin e parë dhe nëse gjërat nuk shkojnë siç duhet, e ndërpresim. Ky del duke thënë “Zoti qoftë më ne dhe me këtë bashkë”. Fillova shfaqjen. Shoh dirigjentin, por kurrë nuk më ishte dukur më larg. Salla m’u duk gjigante në atë moment dhe pastaj thashë me vete: “Mjaft ke thënë pasioni im kështu, pasioni im ashtu, tani është momenti ta tregosh veten para këtij publiku”. Dhe filloi një logjikë e ftohtë në kokë. Nisa të këndoj, derisa u thye akulli dhe çdo gjë shkoi mirë. Erdhi fundi i aktit të parë, është skena më e vështirë për një këngëtare lirike për ta kënduar. Qetësi varri. Fillova ta këndoj dhe pas tij njerëzit ishin tepër-tepër entuziastë. Aty fillova të marrë sërish frymë.
Gazetat të nesërmen kanë shkruar gjëra të jashtëzakonshme…
Kjo është e vërtetë.
Historia e 2004 është shumë e sikletshme. Çfarë ka publiku shqiptar që të bën ty të të marrë malli?
Nuk e di pse. Ndoshta është si në ato terapitë, ku ti shikon dhe analizon boshllëqet e jetës tënde që nga fëmijëria e më pas dhe ti mundohesh t’i plotësosh. Kështu është edhe me vendin tënd. Mund të pushtosh botën, por nëse nuk ke vendin tënd, të duket sikur nuk ke asgjë. Ka qenë më pas një periudhë gati shtatë vjet që unë nuk erdha. Jam rikthyer më tepër për të dhënë eksperiencën time, për të dhënë gjithmonë mesazhin pozitiv se mund t’ia dilet.
Ti vjen e merr identitet këtu. Ke nevojë për të?
Ekzakt. Doja të bëja paqe me të kaluarën, ndaj jam lidhur më fort me brezin e ri këtu.
E ke ndjerë veten ndonjëherë emigrante? Ose ku e ke kuptuar që je emigrante?
E kam ndjerë që ç’ke me të! E kam ndjerë veten emigrante, kur shkoja në ‘93-‘94 konkurrova për në konservatorin “Santa Cecila”, fitova konkursin dhe më duhej edhe një dokument shtetëror. Fillimisht, kisha shkuar në Itali me Katia Riçarelin, ajo merrte këngëtarë të rinj nga e gjithë bota dhe ishte një tip master-class. Aty pata kontaktin me madhështinë e operas klasike në Itali. Thashë me vete se kjo është ajo që dua, ndaj doja të rrija më shumë. Për të zgjatur këtë leje qëndrimi duhej të shkoja në shkollë. Fitova konkursin dhe më duhej një dokument nga ambasada shqiptare ku të vërtetonte që Ermonela ka fituar shkollën dhe është qytetare shqiptare. Shkova të marr këtë vërtetim dhe jam përcjellë duke më thënë: “Po ik moj vajzë tani, duhet të kthehesh në Shqipëri, shko në Ministrinë e Jashtme, ku duhet të marrësh një letër”. U thashë: “Më falni, më jepni këtë vërtetim, sepse më duhet patjetër”. Asaj kohe unë nuk kisha ende një bursë studimi dhe punoja si babysiter për të mbijetuar, vërtetë për të mbijetuar. Dhe për mua fakti që isha futur në atë shkollë pa asnjë përkrahje m’u duk më e lehtë se sa të një copë letër me dy rreshta. Kjo më dukej absurde. Atë letër nuk e mora dot.
Kam vajtur në sekretarinë e shkollës dhe i thashë sekretarit, një burrë i moshuar ky, nuk ma dhanë letrën dhe e shikoja në sy ndërsa qaja. Kam qarë aq shumë aty, u ula në karrige dhe qaja. I thoja se nuk doja ta humbisja shkollën, por nuk kisha çfarë të bëja. Ai më pa dhe mbylli derën. Më tha vetëm se unë do të doja shumë të kisha një vajzë që të kishte këtë pasion. Më tha që unë ta shkruaja në shqip, ta përkthenim në italisht dhe ta fusnim në dosje. Një dokument fals me një fjalë, se më vjen edhe turp ta kujtoj dhe ta them këtë gjë. Ky ka qenë një rast, kur jam ndjerë emigrante, se në raste të tjera kur duhet të bindësh një publik, t’i japësh atë markën tënde si artiste nga vjen e kush je, ajo është një luftë që ne e bëjmë përditë. Nuk e kam ndjerë veten emigrante si artiste, por për çështjen e dokumenteve e kam ndjerë, sepse më janë djegur edhe dy-tri raste të tjera.
Kur ishe Ermonela që punoje për të paguar studimet, që bëje audicionet për të gjetur rrugën tënde, çfarë ëndërroje të kishe…
Ëndrrën e kam kapur mund të them, sepse kam dashur të këndoj një sërë rolesh në karrierën time dhe ato tashmë i kam bërë.
Diçka vanitoze? Fjala vjen, kur të jem e pasur do të kem këtë makinë, do të kem një shtëpi të madhe…
Jo, jo, asnjëherë nuk mendoj për këto gjëra dhe e di pse?! Sepse pikërisht është ajo vuajtja e fillimit që më kanë shënjuar aq shumë, sa nuk e di, por ndoshta është bërë një lloj traume dhe unë nuk e imagjinoj dot veten vanitoze, ajo më mban me këmbë në tokë. Një ëndërr që unë e kam patur me kohë është për të bërë një shkollë kantoje që të dalin sa më shumë këngëtarë lirikë.
Ta bësh në Shqipëri?
Po, ta bëj këtu.
Prapë në Shqipëri! Këtë nuk do ta kuptoj deri në fund të bisedës… Dëgjon muzikë rock?
Dëgjoj, sidomos kur shkoj në palestër. I dëgjoj të gjitha llojet e muzikës aty, sepse kam shumë nevojë që të shkarkoj energji. I dëgjoj të gjithë nga Rita Ora tek Fredy Mercury…
A e di kush ka qenë roker i shkëlqyer? Josif Gjipali.
Ai ka qenë vërtetë i tillë dhe tani është një tenor i shkëlqyer.
Ti ke vese? Duhan, alkool?
Vese? Duhan, alkool? Absolutisht jo. Asnjëherë.
Ëmbëlsira?
Jo, vetëm specin djegës. E dua pafund dhe në lokalet ku më njohin ma sjellin vetë tashmë.
Cili është një gatim shqiptar që të merr malli?
Gjellët e mamit tim. Mbaj mend bënte një çomlek fantastik, më pëlqenin shumë sardelet në tenxhere me presion, kulaçi me përshesh, me mishin e gjelit.
Ke interesa të tjera veç muzikës?
Po, më pëlqen shumë psikologjia, filozofia, mësimdhënia. Lexoj shumë. Unë kam studiuar dhe për mjekësinë e kordave të zërit, këtë e kam bërë jo vetëm për veten, por sepse teknika e kantos është aq delikate dhe një këshillë nuk është kurrë e tepërt. Sepse çfarë ndodh?! Shumë shpesh janë vetë profesorët e kantos që nuk e dinë sesi janë të formuara kordat e zërit, e nëse nuk e dinë këtë, atëherë sa siguri kemi që mund t’i dijë si prodhohet zëri, çfarë mund të bëjë mund të arrijë.
Ti ke ndopak kohë të lirë? Qëndis?
Më përpara po. Kam ditur të qëndis shumë mirë, bëja punime me grep, madje dija dhe të qepja qilima.
A e di sesi qëndrojnë çentrot e ngrira fare?
Niseshte.
Ti e dije, kurse unë, kur e kam mësuar jam shokuar…
Nuk kam më shumë kohë të lirë, as për t’iu dedikuar njerëzve të mi të dashur, familjes sime. E di, qëllon ndonjëherë që dua shumë të jem në shtëpi me tuta e çorape. Qëllon ndonjëherë që jam në pritjen e koktejlit pas shfaqjes, atë që unë e quaj gjithmonë, akti i fundit dhe e vetmja gjë që dua në ato momente është që të isha rehat në shtëpi. Sapo mbërrij, vesh teshat e shtëpisë, ulem përdhe duke parë televizor.
(Botuar për herë të parë më 24.02.2014)
Nje falenderim te sinqerte Elides dhe Skenderit per venien ne portal te kesaj interviste shume interesante, qe lexuesin e fut ne mendime e persiatje te thella.
Marredheniet e Shqiperise me ata bij e bija, qe tashme jane pjese e botes se madhe, por qe mbeten gjithsesi pwrfaqesues te saj , mendoj se meritojne me shume vemendje ne mediat shqiptare. Ne raste si ai i te intervistuares, se ciles i shkon pergezimi, mirenjohja e vleresimi im me i larte per majat e artit te belcantos ne te cilat eshte ngjitur, kemi te bejme me perfaqesues te NDRITUR te Vendit tone, te tille qe nderojne kudo vete emrin “shqiptar”.
Eshte prekes rrefimi i kengetares, perballimi i veshtiresive te se merguares, vullneti, vetedisiplinimi, endrrat dhe mundi per t’i sendertuar ato nepermjet studimit, pregatitjes, deshires per te ecur gjithmone perpara, here here ne rrethana te pamundura si ajo e zevendesimit ne oren e fundit te kengetares ruse, ne rolin e Violetes tek “Traviata” magjepsese e Verdit ne Royal Theater House te Londres, per te permendur njerin nga rastet qe evokon intervistuesi. Ermonela Jaho eshte nje shembull shume i bukur per shume bashkatdhetare e bashkatdhetare te saj, qe kane prirje e qe synojne rrugen e suksesit ne çdo fushe , ne Shqiperi apo larg saj, nje shembull qe inkurajon, qe rrezon ledhet e mosbesimit e te veshtiresive, qe ngjall e forcon besimin se nuk ka asgje te paarriteshme nese ekziston talenti qe duhet te shoqerohet nga vullneti, kembengulja, ndershmeria, puna e palodhur, serioziteti etj.
Por krahas ketyre pershtypjeve te mrekullueshme nuk mund te mos shkaktoje tronditje deri ne zhgenjim e neveri ajo qe kengetarja tregon per disa episode te turpshme me te cilat ajo eshte ballafaquar ne marredheniet me Vendin e saj dhe tonin. Zilia, cmira, mos vleresimi, sjellja absurde e nje funksionari te ambasades shqiptare ne kundershtim me bujarine dhe humanizmin e nje sekretari shkolle te Vendit te huaj, nje leter e funderinave te shoqerise qe e kercenon se duhet te largohet nga Atdheu….
Te gjitha keto duhet te jene nje çiban i huaj ne trupin e Shqiperise e duhet te bejne çdo bashkatdhetar tonin te ndjeje shijen e hidhur te turpit, aq me teper nese ai qe i peson ato paudhesi eshte nje yll i kutures sone si Ermonela Jaho.
Faleminderit Ermonela, per gjithshka ke arritur ne jeten tende, falemminderit edhe per dashurine ndaj Atdheut tend, qe e shfaq aq bukur nepermjet fjaleve te kesaj interviste. Zoti qofte me ty o bije e denje e Shqiperise fisnike!