Në foto: Lali Eri duke i shërbyer fukarasë me ndihmën e një prozhektori në cep
I dashur Shef Edi.
Arbi Mazniku jam, kam bërë një reportazh sot. Them se është shumë najs dhe dua ta lexosh pak. Nëse do jesh dakord e publikojmë tek Huffington Post me emrin e Fron Nahzit.
REPORTAZHI I ARBIT:
Sot dita e Lali Erit, ka qenë sa e bukur po aq edhe e trishtuar. E bukur sepse Lali do i shërbente me duart e tij qytetarëve në nevojë drekën, por nga ana tjetër e dhimbshme sepse i këputej shpirti kur shikone këta qytetarë në një gjendje të mjerueshme.
Sa i përket menusë, Erioni ka kontribuuar vetë për të përzgjedhur ushqimet e duhura.
Që prej orës 6 të mëngjesit në qendrën ku u organizua dreka, Lali përveshi mëngët dhe ju fut punës duke qëruar patate. Si mbaroi patatet, filloi me qepët.
Si mbaroi me qepët, zieu vezët, shtyrdhi limonin tek supa dhe i hodhi kripë pilafit.
Dreka ishte gati dhe emocionet e tij po shtoheshin akoma edhe më shumë, mezi priste që dikush t’i thoshte ‘të lumshin duart’. Ishte i shqetësuar por njëkohësisht i lumtur.
Ndihej në ajër shqetësimi i Lalit se ndoshta dikush mund t’i thoshte: “Sa kripë i paske hedhur more Lali.”
Lali Eri mori frymë thellë dhe pa orën. Duheshin edhe 20 minuta që të fillonte dreka. Lali doli para pasqyrës dhe me përparëse po bënte prova si do shpërndante gjellën dhe si do hidhte pilafin në pjatë.
Pastaj ato 15 minutat e fundit bëri prova se si do dilte në foto, ose si do e stimulonte veten për të dalë në foto që të dukej krejtësisht sikur ishte pa mendje.
Dreka erdhi. Një grumbull njerëzish u afruan dhe Lali e pyeti të parin: “Çkemi shpirti, çfarë po të haet?”.
-Pilaf dhe paçe koke, – u përgjigj djali.
Lali Eri u skuq, nuk kishtë bërë paçe koke. Djali për të mos e vënë në siklet i tha: “Ok s’ka gjë ma bëj paçe plënci”.
Lali Eri u përgjigj: “Të na falësh shpirti, por s’kemi bërë paçe, do Imam-Bajëlldi? Se i kam qëruar vet qepët e gjellës.”
Sa u gëzua djali. Me ngazëllim tha: “Po sille jqj, se na grreu tyrriela”.
Lali Erit i erdhi çehrja në vend, por gjithë njerëzit që po prisnin në radhë filluan të bënin thashetheme për mungesën e paçes së kokës dhe plëncit.
Aty Lali nuk e përmbajti dot veten nga turpi më i madh që i kishte ndodhur ndonjëherë në jetën e tij dhe u shpreh:
“Ky është gabimi më i madh në jetën time, turpi më i madh, ju kërkoj ndjesë. Ju lutem mos i thoni mamit”.
Të ftuarit u ndjenë në siklet dhe dikush u përlot. Të gjithë të tjerët e lanë përzgjedhjen e ushqimit në dorë të Lali Erit. Kjo bëri që Lali të emocionohej keq, gjithë hallet e tij dukeshin sikur kishin marrë fund, ndihej i rilindur. Qeshte dhe qante njëkohësisht.
Lali shikonte gjithë kohës pabuksat e mencës që hanin e mbllaçiteshin dhe zemra i bëhej mal.
Kur pabuksat e mbaruan ushqimin, Lali u qërroi dhe nga një kokërr mollë dhe në konfidencë gjeti rastin t’u shprehte dhe një sekret.
“Kur isha i vogël dhe shisja fiq, ëndërroja që një ditë të bëhesha me ofiq. Sot që e kam ofiqin, mund të them pa frikë se nuk është kjo gjëja më e rëndësishme në jetë.
Sot kuptova se çfarë është gjëja më e rëndësishme në jetë, rëndësi ka të ndihesh pranë njerëzve, t’i ndihmosh ata, të gatuash Imam-Bajëlldi për ta.”, – u shpreh Lali Eri.
Në këtë moment e gjithë menca shpërtheu në duartrokitje dhe të gjithë pabuksat po brohorisnin njëzëri:
“Erion Velia-Imam Bajëlldia”, “Erion Velia-Imam Bajëlldia”, “Erion Velia-Imam Bajëlldia”….
Dy nga pabuksat e pranishëm po shkulnin flokët nga gëzimi dhe emocionet që krijoi ky moment i ngrohtë.
**************************
Ky ishte reportazhi Shef Edi. Jam i sigurt se media botërore do tronditet dhe jehona e punës tonë do marrë dhenë.
Imam-Bajëlldisht i joti, Arbi Mazniku.
*E-mail i mbërritur në redaksi me ‘forward’ nga adresa false e z.Arbi Mazniku
(HashtagAlbania)
Komentet