* HISTORIA E VAJZËS SË PARË SHQIPTARO-AMERIKANE QË SHËRBEU NË USHTRINË AMERIKANE, POR U SHUA NE MOSHEN 29 VJEÇARE.
* PËRSE NUK U PRANUA NË SHËRBIMIN E INTELIGJENCËS AMERIKANE ERIKA DEMIRAJ?
* PIKËLLIMI DHE KRENARIA E PRINDËRVE VATRANË RUSTEM & SOPHIE DEMIRAJ.
Historia e vajzës së parë shqiptaro-amerikane që shërbeu në ushtrinë amerikane, nuk është e panjohur për lexuesin shqiptar, as për mua si gazetar. Emrin e saj e kam ndeshur për të parën herë tek redaktoja librin e Vehbi Bajramit “Shqiptarët e Amerikës”, botuar në Sh.B.A., më 2003. Një ngjarje rrëqethëse: Historia e vdekjes, sa tragjike aq edhe e mistershme, më pat mbetë në mendje. E përjetova sërish ngjarjen, kur në Vatër arriti një letër nga prindërit e Erikës, Rustemi dhe Sophia Demiraj, ku kujtonin 7 majin, ditën e lindjes së vajzës së tyre, shqiptaro-amerikanes, që shërbeu me devocion në radhët e ushtrisë amerikane, e cila vdiq duke qenë ende në shërbimin ushtarak dhe la pas një vdekje të mistershme. Në kohën e tragjedisë u shkrua për një vetëvrasje, por kjo vrasje mbeti e dyshuar dhe ende e mbështjellë me misterien e pazbuluar.
Cila ishte Erika Demiraj?
Lindi më 7 maj 1963 në Naugatuch – Connecticut nga prindërit Rustem dhe Sophie Demiraj.
Erika Demiraj ishte vajza e tretë nga katër vajzat e dy prindërve. Ishte ndër femrat e vetme me origjinë shqiptare që shërbeu në ushtrinë amerikane. Vajza u shkollua në Naugatuch dhe, që në fillim, kishte dëshirë të shërbente në forcat ushtarake amerikane. Këtë ndjenjë ia kishte forcuar edhe babai i saj, Rustemi, i cili e inkurajoi. Ndoshta ishte vetë shembulli i babait të saj që e nxiti drejt ëndrrës. Rrustemi shërbeu katër vite në “ US Marine Corp”, në Europë.
Erika, mbasi mbaroi shkollën e mesme, u fut në Forcat Ajrore. Rekrutimin për katër javë e bëri në “Locland Air Force”, në St. Antonio, Texas e më pas e dërguan në një bazë tjetër, në Ilinois. Vajza tregoi vullnet, dëshirë për të shërbyer dhe karakter të fortë për të përballuar ngarkesën e madhe të stërvitjes. Erika, së pari, kishte shfaqur dëshirë të shërbente për intelegjencë, – D.I.A. – Intelegjenca e Ministrisë së Mbrojtjes. Vajza ishte prekur në shpirt, që nuk ia plotësuan dëshirën. Erikën e kishin refuzuar të futej në intelegjencë, jo për shkak të aftësive, por për shkak të “pengjeve” në Shqipëri.
REFUZIMI PËR D, I, A.
Tregon i ati, Rustemi:
– Që kur ishte 10 vjeçe, Erika thoshte: “Kur të arrij në moshë ligjore do të futem në shërbim ushtarak, sepse e ndjej për detyrë t’i shërbej kombit, ku u linda.” Dhe ashtu veproi. Në moshën 18 vjeçare, u fut në degën ajrore. Stërvitjen e kreu në Locland Air Force Base, në St. Antonio, Texas dhe më vonë kreu një kurs 6 mujor në një prej bazave ushatarke në Illinois.
Duket se Rustemi, i ati, e ndjen ende pengun e së bijës, që nuk e kualifikuan për t’u stërvitur për Inteligjencë D.I.A. (Inteligjenca e Ministrisë së Mbrojtjes). Dëshira e saj për t’u stërvitur për inteligjencë të ushtrisë e kishte zanafillën tek shembulli i babait të saj, Rustemit, i cili kishte bashkëpunuar me shërbimin sekret ushatark amerikan prej vitit 1950, deri në vitin 1956, kohë kur Rustemi ishte ende në Europë.
Po përse e refuzuan Erikën në shërbimin sekret, kur ajo kishte lindur këtu dhe ati i saj kishte bashkëpunuar me shërbimet sekrete amerikane dhe kishte dhënë prova besnikërie?
Përgjigja e Rustemit e shpërndan mjegullnajën:
– Erikën e refuzuan të futej në shërbimin sekret prej prejardhjes politike të paraardhësve të saj në Shqipëri dhe presionit, që mund të vinte prej andej. Gjyshi i saj, Rapo Demiraj, ishte kundërshtar i sistemit diktatorial në Shqipëri. Ai ishte arrestuar dhe burgosur në vitin 1945 dhe ishte dënuar me burgim të përjetshëm. Në vitin 1946, xhaxhanë e madh, Eshrefin e kishin marrë ushtar. Pas një muaji familja mori një letër prej tij nga Librazhdi, ku thuhej se kryente shërbimin ushtarak. Ishte e para dhe e fundit letër për familjen. Pasi letrat u ndërprenë, familja nisi të shqetësohej. Nëna plakë nuk mundi të duronte më dhe mori rrugën e panjohur drejt djalit. Po, ku të shkonte? Si ta gjente? Eci sipas adresës nga ishte nisë letra. Kishte pritur gjatë para postbllokut të repartit ushtarak, por askush nuk i jepte të dhëna për djalin e saj. I tregoi letrën një oficeri, por ai mblodhi supet dhe i kishte thënë se reparti nga ishte nisë letra qenkish i përkohshëm dhe se ushtarët, pasi grumbulloheshin aty, më pas i trasferonin. Ai i kishte shpjeguar se nuk e dinte, ku mund të kishte qëndruar djali i saj, por e këshilloi që të merrte rrugën për në Tiranë, tek Ministria e Mbrojtjes. Me siguri atje e dinin se ku e kishin dërguar ushtarin, që ajo kërkonte. E lodhur dhe e merakosur, nëna kishte marrë rrugën drejt Tiranës. Udhëtoi për ditë të tëra nëna e gjorë dhe arriti në Ministrinë e Mbrojtjes. Iu desh të priste gjithë ditën para derës së ministrisë, pasi oficeri, që e priti, e këshilloi të kishte durim se, sapo të lirohej oficeri, që e mbulonte atë sektor, do ta priste në zyrë. Zemra e nënës e di se çfarë hoqi gjatë asaj pritjeje të ankthshme me mendje tek i biri. Pas shumë orësh oficeri kishte dalë dhe i kishte dhënë lajmin e pakëndshëm: ajo duhej të shkonte të nesërmen, ngaqë zyrtari ishte shumë i zënë dhe nuk mund ta priste. Drita e mëngjesit e gjeti sërish në ministri të pagjumë e të lodhur, me zemrën copë nga ankthi për djalin. Por, edhe atë ditë, pas shumë orë pritjeje, përsëri i kishin thënë të njejtën gjë se, ndoshta, nesër mund të mbaronte punë. Ky refren u përsërit për pesë ditë radhazi. U mbyt në dëshpërim të thellë e shkreta nënë! Sa nuk i plasi shpirti nga dhimbja. Imagjinoni një nënë, duke u endur e vetme në kryeqytet në kërkim të të birit dhe, jo vetëm që nuk merr dot një përgjigje, por ndjen indiferentizmin dhe armiqësinë e zyrtarëve. Në ditën e pestë, zhgënjimi ishte tronditës.
– Rregullorja ushtarake nuk na lejon të tregojmë se ku janë ushtarët, – i thotë oficeri, që e priti pas pesë ditësh. Nëna e gjorë, pas një javë rrugëtimesh, mori rrugën e kthimit, pa e qetësuar shpirtin për të birin. Zemrën e kishte copë e shpirtin helm e vrerë. Vajtonte për djalin me ankthin në gji. Ku mund të ishte i biri? Kaluan gjashtë muaj ankthi e shprese, por asnjë lajm nuk mbërriti. Ç’u bë me fatin e djalit?
POSTA E SHPRESËS
Kur kishte nisë muaji i shtatë, mbërrin posta e shpresës. Një letër, që erdhi në shtëpi, njoftonte se Eshrefi ishte në spitalin e Korçës. Nëna e malluar vrapoi sa kishte fuqi, drejt e në spital. Por, kur hyri në dhomën, që i treguan, tronditja sa nuk i çau gjoksin. Zemra i rrihte shpejt. Sytë iu mjegulluan. Nëna e mjerë bën që t’i fshijë sytë, por mjegullnaja është prapë aty. Asgjë nuk sheh. Ku është djali? E lexon dhe një herë kartelën që ndodhet në ballin e krevatit, ku i thanë se ishte i biri. E lexon ngadalë shkronjë për shkronjë kartelën: Eshref Demiraj. Para syve të mjegulluar i shfaqet një masë mishi fashuar në kokë, fytyrë. Edhe goja është e fashuar. Ka vetëm një sy të zbuluar. Drita e syrit të nënës, që nuk e mban vajtimin. Ohhhh biiiiir! Ofshan nëna zemërplasur. Ç’të kanë bërë, o bir?! E gjora nënë, prek trupin e shformuar dhe sheh gjithandej fasho të gjakosura. Kur i pa shpinën të nxirë blozë, dy anët e kryqeve ngjyrë mavi, trupi ishte sterrosur nga plagët. Biri i saj i nxirë në të gjithë trupin. O Zot! Çfarë ka ndodhur? Pyetja rokullisej honeve të shpirtit dhe s’merrte përgjigje.
Nëna pyeste, djali heshtëte dhe vetëm qante me dënesë. Syri i vetëm i zbuluar rridhte lot pa pushim. Nëna pyet, i biri hesht! Ç’të bënte? Pyeti se çfarë kishte ndodhë me të birin, por edhe këtu heshtje e plotë. Mjekët ishin të okupuar, nuk kishin kohë t’i jepnin përgjigje, infermieret heshtnin. I ndodhi tamam si në Ministrinë e Mbrojtjes. Heshtje, vetëm heshtje e shurdhët. Pas disa ditësh një mjek iu afrua dhe foli me të: – Nuk di ç’t’ju them. Pacienti erdhi në spital në këtë gjendje, siç e shihni. Ne jemi duke i bërë shërbimet e nevojshme. Nuk kam ç’t’ju them tjetër. Kaluan edhe disa ditë të tjera. Asnjë shpjegim. Eshrefi nuk po shfaqte shenja përmirësimi, përkundrazi, ligështohej. Çudia ndodhi, kur e nxorën të pashëruar nga spitali. E mblodhën me një batanije të vjetër dhe e shkarkuan tek këmbët e nënës. Çfarë të bënte nëna e gjorë? Si ta shëronte? Ku t’i gjente mjekimet? Pas pak ditësh ai ndërroi jetë, duke marrë me vete enigmën e madhe të torturave. Ishte vetëm 26 vjeç, kur ndërroi jetë….
DRAMA VAZHDON
Xhaxhai i dytë, Rushani, punonte larg vendlindjes, në Shkodër. Edhe ai ishte piketuar në regjstrin e armiqëve të komunizmit. Dosja i ishte hapur prej kohësh. Pritej rasti. Dhe rasti, kur nuk vinte vetë, sajohej. E arrestuan me akuzën se ka ndihmuar diversantët. Me akuzën e punës armiqësore dhe ndihmës së diversantëve e kaloi dhe ai një dekadë në burg. Tortura çnjerëzore provoi mbi trup, por shpirtin nuk e shiti.
Edhe xhaxhai i tretë, Halimi, u piketua për t’u arrestuar, por e mësoi para kohe lajmin dhe u arratis në Jugosllavi, më 1949.
Rrëfimi i babait të Erikës, Rustemit, vazhdon:
– Jeta jonë po bëhej e padurueshme. Ishim në sytë e përndjekjes natë e ditë. Vendosëm, së bashku më babanë, të arratiseshim, që të shpëtonim. Kaluam kufirin në Jugosllavi. Pas arratisjes, vuajtjet ranë mbi nënën, të cilën e internuan për vite të tëra. Fate të përndjekurish kishin dhe njerëzit e tjerë të familjes. Motra ime, hallua e Erikës, tentoi t’u shpëtonte vuajtjeve dhe provoi të kalonte kufirin me Greqinë, por e kapën në çastet e fundit. Edhe ajo përfundoi në burgun e komunistëve. Kur doli, ishte kockë e lëkurë. E vrarë shpirtërisht. Ndërroi jetë në moshën 28 vjeçare.
Sërish pyes:
– Përse nuk e pranuan Erikën në shërbimet inteligjente, ku familja ishte një shembull i gjallë i vuajtjeve në komunizëm?
– Arsyeja gjendet tek tërësia e këtyre ngjarjeve, që lidhen me familjen nga vinte Erika dhe prindërit e saj. Kaq shumë njerëz të torturuar a të vdekur përbënin shtysa të mjaftueshme, që Agjensia Sekrete ta refuzonte kërkesën e vajzës shqiptaro-amerikane. Ata i thanë Erikës se egzistonte mundësia që autoritetet komuniste mund të ndërhynin pranë gjyshes plakë dhe mund ta detyronin ose mund t’i bënin oferta për t’ia liruar njerëzit, që kishte burgjeve. Po qe se gjyshja ndërhynte pranë babait të Erikës, ai do të merrte informata sekrete ushtarake prej Amerikës e do t’ia dërgonte qeverisë komuniste shqiptare, aq më shumë se babai i saj kishte qenë pjesë e shërbimeve sekrete. Babai, Rustemi, sqaron se, së paku, kështu i kishin thënë Erikës. Kjo ishte arsyeja përse nuk u pranua në shërbimet sekrete të ushtrisë.
KARRIERA E “ENGJËLLIT TË FORCAVE AJRORE”
Erika Demiraj ishte specialiste e inspektimeve jo shkatërruese me skuadronin e mirëmbajtjes së paisjeve në bazën Ajrore në Moddy, Georgia, ku shërbeu si instruktore për të gjithë automjetet e terrenit të skuadronit dhe të krahut ushatarak. Ajo arriti një profesionalizëm të shkallës sipërore. E dëshmojnë këtë gjurmët, që ajo la pas dhe vlerësimet maksimale nga eprorët. Puna e saj kishte marrë vlerësimet e merituara.
Erika është nderuar me medalje e urdhëra trimërie e profesionalizmi. Ndër të tjera, ajo është vlerësuar edhe me çmimin prestigjioz “Engjëlli i Forcave Ajrore”, për aktivitetin që pat kryer në “Stuhia e Shkretëtirës”, në Fondin e Ndihmës së Forcave Ajrore. Çmimet i janë dhënë për profesionalizëm dhe besnikëri shërbimi.
Erika Demiraj shërbeu në disa shtete, ku Amerika kishte bazat e saj ushtarake si në Spanjë, Turqi, Angli, Gjermani dhe Korenë e Jugut. Pas dhjetë vitesh shërbimi me besnikëri e profesionalizëm Erika po mendonte që ta linte jetën ushtarake dhe të kalonte në shërbimin civil. Disa kompani i kishin ofruar punë asaj. Madje, një ofertë i kishte mbërritur nga Singapori, ndërsa një tjetër nga Arabia Saudite, por fati ishte shkruar ndryshe. Një mëngjes trupi i saj u gjet i pajetë dhe i përgjakur në shtëpi.
Tregon babai i Erikës, Rustemi:
– Fatkeqësisht ato plane nuk u realizuan, sepse ajo u vra në moshën 29 vjeçare, duke lënë pas bashkëshortin dhe djalin 4 vjeçar. Na la në dhimbje të thellë ne prindërit, na la me zemra të coptuara, la në dhimbje e pikëllim tri motrat dhe vëllanë e vetëm. Të gjithëve do të na mungojë, Erika jonë e dashur.
VARRIMI CEREMONIAL, DY SKUADRA USHTARËSH
Babai, Rustem Demiraj, ndjehet mirë që kërkesën e familjes për ta sjellë pranë trupin e vdekur të së bijës, ia realizuan. Erika pat ndërruar jetë në Georgia, por ata si familje këmbëngulën që trupi të sillej pranë familjes. Ashtu u bë. Shërbimet funerale ishin ceremoniale. Komuniteti shqiptar mori pjesë masivisht në ngushëllime dhe në varrim. Ministria e Mbrojtjes , dega Ajrore, u përfaqësua nga dy skuadra me ushtarë, që, sipas rregullores, nderuan me shërbimin e tyre, ku arkivoli me trupin e Erikës u mbulua me Flamurin Amerikan, të cilit ajo i shërbeu me besnikëri dhe e mbrojti me dashuri e respekt.
Rustemi tregon se Erika nuk ishte e vetmja fëmijë e tyre që shërbeu me devocion e besnikëri në ushtrinë amerikane. Edhe djali i Rustemit dhe Sophies, Rustemi Jr., shërbeu për 6 vite në UNITED STATES MARINE. Shërbimi i tij rrok shumë shtete si në Bosnjë, Somali, Nigeri, Siera Leone, etj.. Edhe nipi i Rustemit, djali i vajzës tjetër, shërbeu po në degën e UNITED STATES MARINE me detyrë në Irak dhe dy herë në Afganistan. Prindërit ndihen krenarë që fëmijët dhe nipi janë të përkushtuar ndaj shtetit, që u dha lirinë e munguar në Shqipëri.
* (Nga libri ne proces” Histori Shqiptare në Amerikë”
Komentet