*RRËFIM ME SHKAS: NGJARJE TRAGJIKE SHQIPTARE TË RRËFYERA NË AMERIKË/
* HISTORIA E VAJZËS SË PARË SHQIPTARO-AMERIKANE QË SHËRBEU NË USHTRINË AMERIKANE, POR U SHUA NE MOSHEN 29 VJEÇARE./
* PIKËLLIMI DHE KRENARIA E PRINDËRVE, VATRANËVE TË KAHERSHËM RUSTEM & SOPHIE DEMIRAJ./
* ERIKA U LIND ME 7 MAJ…./
Historia e vajzës së parë shqiptaro-amerikane që shërbeu në ushtrinë amerikane, nuk është e panjohur për lexuesin shqiptar, as për mua si gazetar. Emrin e saj e kam ndeshë për të parën herë tek redaktoja librin e Vehbi Bajramit “Shqiptarët e Amerikës”, botuar në SHBA më 2003. Një ngjarje rëqethëse: Historia e vdekjes, sa tragjike aq dhe të mistershme, më pat mbetë në mendje. E përjetova sërish ngjarjen këto ditë kur në Vatër arriti një letër nga prindërit e Erikës, nga Rustemi dhe Sophia Demiraj, ku ata kujtonin 7 majin ditën e lindjes së vajzës së tyre, shqiptaro-amerikanes, që shërbeu me devocion në radhët e ushtrisë amerikane dhe vdiq duke qenë ende në shërbim ushtarak. Në kohën e tragjedisë u shkrua për një vetëvrasje, por që mbeti e dyshuar.
Po cila është Erika Demiraj? Lindi më 7 maj 1963 në Naugatuch- Connecticut nga prindërit Rustem dhe Sophie Demiraj.
Erika Demiraj ishte vajza e tretë nga katër vajzat, e prindërve Rustem dhe Sophie Demiraj. Ishte ndër femrat e vetme me origjinë shqiptare që shërbeu në ushtrinë amerikane. Vajza u shkollua në Naugatuch, dhe që në fillim kishte dëshirë të shërbente në forcat ushtarake amerikane. Këtë ndjenjë ia kishte forcuar edhe babai i saj, Rustemi, i cili e inkurajoi. Ndoshta ishte vetë shembulli i babait të sajë që e nxiti drejt ëndrrës. Rrustemi shërbeu katër vite në “ US Marine Corp” në Europë.
Erika mbasi mbaroi shkollën e mesme u fut në Forcat Ajrore. Rekrutimin për katër javë e bëri në “ Locland Air Force” në St. Antonio, Texas, e më pas e dërguan në një bazë tjetër në Ilinois. Vajza tregoi vullnet, dëshirë për të shërbyer dhe karakter të fortë për të përballuar ngarkesën e madhe të stërvitjes. Erika së pari kishte shfqur dëshirë të shërbente për intelegjencë,- D.I.A- Intelegjenca e Ministrisë së Mbrojtjes. Vajza ishte prekë në shpirt që nuk ia plotësuan dëshirën. Erikën e kishin refuzuar të futej në intelegjencë, jo për shkak të aftësive, por për shkak të “pengjeve” në Shqipëri.
REFUZIMI PËR D, I, A
Tregon i ati, Rustemi: Që kur ishte 10 vjeçe Erika thoshte: Kur të arrijë në moshë ligjore do të futem në shërbim ushtarak pse e ndjej për detyrë t’i shërbej Kombit ku u linda. Dhe ashtu veproi, mbasi mbaroi shkollën e lartë në moshën 18 vejçare u fut në degën ajrore. Stërvitjen e kreu në Locland Air Force Base, në St. Antonio Texas, dhe më vonë kreu një kurs 6 mujor në një prej bazave ushatarke në Illinois.
Duket se Rustemi, i ati, e ndjenë ende pengun e së bijës, që nuk e kualifikuan për t’u stërvitë për Inteligjencë D, I, A (Inteligjenca e Minsitrisë së Mbrojtjes”. Dëshira e saj për t’u stërvitë për Inteligjencë të ushtrisë e kishte zanafillën tek shembulli i babai të saj, Rustemit, i cili kishte bashkëpunuar me shërbimin sekret ushatark amerikan prej vitit 1950 deri në vitin 1956, kohë kur Rustemi ishte ende në Europë.
Po përse e refuzuan Erikën në shërbimin sekret, kur ajo kishte lindur këtu dhe ati i saj kishte bashkëpunuar me shërbimet sekrete amerikane dhe kishte dhënë prova besnikërie?
Përgjigaj e Rustemit e shpërndanë mjegullnajën: Erikën e refuzuan të futej në shërbimin sekret prej prejardhjes politike të paraardhësve të saj në Shqipëri, dhe presionin që mund të vinte prej andej. Gjyshi i saj, Rapo Demiraj ishte kundërshtar i sistemit diktatorial në Shqipëri. Ai ishte arrestuar dhe burgosur në vitin 1945 dhe ishte dënuar me burgim të përjetshëm. Në vitin 1946, xhaxhain e madh, Eshrefin e kishin marrë ushtar. Pas një muaji familja mori një letër prej tij nga Librazhdi, ku thuhej se kryente shërbimin ushtarak. Ishte e para dhe e fundit letër për familjen. Pasi letrat u ndërprenë, familja nisi të shqetësohej. Nëna plakë nuk mundi të duronte më dhe mori rrugën e panjohur drejt djalit. Po ku të shkonte? Si ta gjente? Eci sipas adresës nga ishte nisë letra. Kishte pritë gjatë para postbllokut të repartit ushtarak, por askush nuk i jepte të dhëna për djalin e saj. I tregoi letrën një oficeri, por ai mblodhi supet dhe i kishte thënë se reparti nga ishte nisë letra qenkish i përkohshëm dhe se ushtarët pasi grumbulloheshin aty, më pas trasferoheshin. Ai i kishte spjeguar se nuk e dinte se ku mund të kishte qëndruar djali i saj por e këshilloi që të merrte rrugën për në Tiranë tek Ministria e Mbrojtjes, atje me siguri e dinin se ku e kishin dërguar ushtarin që ajo kërkonte. E lodhur, e merakosur,nëna kishte marrë rrugën drejt Tiranës. Udhëtoi për ditë të tëra nëna e gjorë dhe arriti në Ministrinë e Mbrojtjes. Iu desh që të priste gjithë ditën para derës së Ministrisë pasi oficeri që e priti e këshilloi të kishte durim se sapo të lirohej oficeri që e mbulonte atë sektor do ta priste në zyrë. Zemra e nënës e di se çfarë hoqi gjatë asaj pritje të ankthshme me mendje tek i biri. Pas shumë orësh oficeri kishte dalë dhe i kishte dhënë lajmin e pakëndshëm: Duhej të shkonte të nesërmen sepse zyrtari ishte shumë i zënë dhe nuk mund ta priste. Drita e mëngjesit e gjeti sërish në Ministri. E pagjumë, e lodhur, me zemër copë nga ankthi për djalin. Por edhe atë ditë pas shumë orësh pritje i kishin thënë: Ejani nesër, ndoshta mbaroni punë! Ky refren u përsërit për pesë ditë radhazi. E shkreta nënë u mbyt në dëshprim të thellë! Sa nuk i plasi shpirti nga dhimbja. Imagjinojeni një nënë që endet e vetme në kryeqytet në kërkim të të birit dhe jo vetëm që nuk merr dot një përgjigje, por ndjen indiferentizmin dhe armiqësinë e zyratrëve. Në ditën e pestë, zhgënjimi ishte tronditës:- Rregullorja ushtarake nuk na lejon të tregojmë se ku janë ushtarët!- i thotë oficeri që e pret pas pesë ditësh. Nëna e gjorë, pase një jave rrugëtimesh merr rrugën e kthimit pa e qetësuar shpirtin për të birin. Zemrën e ka copë, shpirtin-helm e vrerë. Vajtonte për djalin me ankthin në gji. Ku të ishte i biri? Kaluan gjashtë muaj ankthi, por asnjë lajm nuk mbërrinë. Ç’u bë me fatin e djalit?
POSTA E SHPRESES
Kur kishte nisë muaji i shtatë mbërrin posta e shpresës. Një letër që erdhi në shtëpi njoftonte se Eshrefi ishte në spitalin e Korçës. Nëna e malluar vrapoi sa kishte fuqi; drejt e në spital. Por kur hyri në dhomën që i treguan, tronditja sa nuk i çau gjoksin. Zemra i rrihte shpejt. Sytë iu mjegulluan. Nëna e mjerë bën që t’i fshijë sytë, por mjegullnaja është prapë aty. Asgjë nuk sheh. Ku është djali? E lexon dhe një herë kartelën që ndodhet ballin e krevatit, ku i thanë se ishte i biri. E lexon ngadalë shkronjë për shkronjë kartelën: Eshref Demiraj. Para syve të mjegulluar i shfaqet një masë mishi fashuar në kokë, fytyrë. Edhe goja është e fashuar. Ka vetëm një sy të zbuluar. Drita e syrit të nënës që nuk e mbanë vajitimin. Ohhhh biiiiir! Ofshanë nëna zemërplasur. Ç’të kanë bërë, o bir? E gjora nënë, prek trupin e shformuar dhe sheh gjithandej fasho të gjakosura. Kur i pa shpinën të nxirë blozë, dy anët e kryqeve ngjyrë mavi, trupi ishte sterrosur nga palgët. I nxirë biri i sajë në të gjithë trupin. O Zot, çfarë ka ndodhë? Pyetja rokullisej honeve të shpirtit dhe s’merrte përgjigje.
Nëna pyeste, djali heshtëte dhe vetëm qante me dënesë. Syri i vetëm i zbuluar rridhte lot pa pushim. Nëna pyet, i biri hesht! Ç’të bënte? Pyeti se çfarë kishte ndodhë me të birin, por edhe këtu heshtje e plotë, mjekët ishin të okupuar, nuk kishin kohë t’i jepnin përgjigje, infermieret heshtnin. I ndodhi tamam si në Ministrinë e Mbrojtjes. Heshtje, vetëm heshtje e shurdhët. Pas disa ditësh një mjek iu afrua dhe foli me të: Nuk di ç’t’ju them. Pacienti erdhi në spital në këtë gjendje që e shihni. Ne jemi duke i bërë shërbimet e nevojshme. Nu ka kam ç’t’ju them tjetër. Kaluan edhe disa ditë të tjera. Asnjë spjegim. Eshrefi nuk po shfaqte shenja përmirësimi, përkundrazi, ligështohej. Çudia ndodhi kur e nxorën të pashëruar nga spitali. E mblodhën me një batanije të vjetër dhe e shkarkuan tek këmbët e nënës. Çfarë të bënte nëna e gjorë? Si ta shëronte? Ku t’i gjente mjekimet? Pas pak ditësh ai ndërroi jetë duke marrë me vete enigmën e madhe të torturave. Ishte vetëm 26 vjeç kur ndërroi jetë.
DRAMA VAZHDON
Xhaxhai i dytë, Rushani, punonte larg vendlindjes në Shkodër. Edhe ai ishte piketuar në regjstrin e armiqëve të komunizmit. Dosja i ishte hapur prej kohësh.Pritej rasti. Dhe rasti, kur nuk vinte vetë, sajohej. E arrestojnë me akuzën se ka ndihmuar diversantët. Me akuzën e punës armiqësore dhe ndihmës së diversantëve e kaloi dhe ai një dekadë në burg. Tortura çnjerëzore provoi mbi trup, por shpirtin nuk e shiti.
Edhe xhaxhai i tretë, Halimi, u piketua për t’u arrestuar, por e mësoi para kohe lajmin dhe u arratis në Jugosllavi më 1949.
Rrëfimi i babait të Erikës, Rustemit, vazhdon: Jeta jonë po bëhej e padurushme. Ishim në sytë e përndjekjes natë e ditë. Vendosëm së bashku më babanë të arratiseshim që të shpëtonim. Kaluam kufirin në Jugosllavi. Pas arratisjes, vuajtjet ranë mbi nënën, të cilën e internuan për vite të tëra. Fate të përndjekur kishin dhe njerëzit e tjerë të familjes. Motra ime, hallua e Erikës, tentoi t’u shpëtonte vuajtjeve dhe provoi të kalonte kufirin me Greqinë, por e kapën në çastet e fundit. Edhe ajo përfundoi në burgun e komunistëve. Kur doli ishte kockë e lëkurë. E vrarë shpirtërisht. Ndërroi jetë në moshën 28 Vjeçare.
Dhe sërish pyetja: Po përse nuk e pranuan Erikën në shërbimet inteligjente, ku familja ishte një shembull i gjallë i vuajtjeve në komunizëm? Arsyeja gjendet tek tërësia e këtyre ngjarjeve që lidhen me familjen nga vinte Erika dhe prindërit e saj. Kaq shumë njerëz të torturuar a të vdekur përbënin shtysa të mjaftueshme, që Agjensia Sekrete ta refuzonte kërkesën e vajzës shqiptaro-amerikane. Ata i thanë Erikës se egzistonte mundësia që autoritetet komuniste mund të ndërhynin pranë Gjyshes plakë dhe mund ta detyronin ose mund t’i bënin oferta, për t’ia liruar njerëzit që kishte burgjeve, po qe se Gjyshja ndërhynte pranë babait të Erikës, që ai të marrë informata sekrete ushtarake prej Amerikës dhe t’ia dërgojë Qeverisë Komuniste Shqiptare, aq më shumë që babai i saj kishte qenë pjesë e shërbimeve sekrete. Babai, Rustemi, thotë se:”Së paku kështu i kishin thënë Erikës. Kjo ishte arsyeja përse nuk u pranua në shërbimet sekrete të ushtrisë”.
KARRIERA E “ËNGJËLLIT TË FORCAVE AJRORE”
Erika Demiraj ishte specialiste e inspektimeve jo shkatërruese me skuadronin e mirëmbajtjes së pajisjeve në bazën Ajrore në Moddy Georgia, ku shërbeu si instruktore për të gjithë automjetet e terrenit të skuadronit dhe të krahut ushatarak. Ajo arriti një profesionalizëm të shkallës sipërore. E dëshmojnë këtë gjurmët që ajo la pas dhe vlerësimet maksimale nga eprorët. Puna e saj ka marrë vlerësimet e merituara.
Erika është nderuar me Medalje e Urdhëra trimërie e profesionalizmi. Ndër të tjera ajo është vlerësuar edhe me Çmimin e prestigjioz ”Ëngjëllit të Forcave Ajrore “për aktivitetin që pat kryer në”Stuhinë e Shkretëtirës” Fondin e Ndihmës së Forcave Ajrore. Çmimet i janë dhënë për profesionalizëm dhe besnikëri Shërbimi.
Erika Demiraj shërbeu në disa shtete, ku Amerika kishte bazat e saj ushtarake si në Spanjë, Turqi, Angli, Gjermani dhe Korenë e Jugut. Pas dhjetë vitesh shërbimi me besniëkri e profesionalizëm Erika po mendonte që ta linte jetën ushtarake dhe të kalonte në shërbim civil. Disa kompani i kishin ofruar asaj punë. Madje një ofertë i kishte mbërritur nga Singapori, ndërsa një tjetër nga Arabia Saudite, por fati ishte shkruar ndryshe. Një mëngjes trupi i saj u gjet i pajetë dhe i përgjakur në shtëpi.
Tregon babai i Erikës, Rustemi: Fatkeqsisht ato plane nuk u realizuan sepse ajo u vra në moshën 29 vjeçare, duke lënë pas bashkëshortin dhe djalin 4 vjeçar. Na la në dhimbje të thellë ne prindërit, na la me zemra të coptuara, la në dhimbje e pikëllim tri motrat dhe vëllanë e vetëm. Të gjithëve do të na mungojë, Erika jonë e dashur!
VARIMI CEREMONIAL, DY SKUADRA USHTARËSH
Babai, Rustem Demiraj, ndjehet mirë që kërkesën e familjes për ta sjellë pranë trupin e vdekur të së bijës, ua realizuan. Erika pat ndërruar jetë në Georgia, por ata si familje këmbëngulën që trupi të sillej pranë familjes. Ashtu u bë. Shërbimet funerale ishin ceremoniale. Komuniteti shqiptar, mori pjesë masivisht në ngushëllime dhe në varrim. Ministria e Mbrojtjes , dega Ajrore, u përfaqësua nga dy skuadra me ushtarë, që sipas rregullores nderuan me shërbimin e tyre, ku arkivoli me trupin e Erikës u mbulua me Flamurin Amerikan, të cilit ajo i shërbeu me besnikëri, dhe e mbrojti me dashuri e respekt.
Rustemi tregon se Erika nuk ishte e vetmja fëmijë e tyre që shërbeu me devocion e besnikëri në ushtrinë amerikane. Edhe djali i Rustemit dhe Sophies, Rustemi Jr. shërbeu për 6 vite në UNITED STATES MARINE. Shërbimi i tij rrok shumë shtete si: Bosnjë, Somali, Nigeri, Siera Leone, etj. Edhe nipi i Rustemit, djali i vajzës tjetër, shërbeu po në degën e UNITED STATES MARINE me detyrë në Irak dhe dy herë në Afganistan. Prindërit ndjehen krenarë që fëmijët dhe nipi janë të përkushtuar ndaj Shtetit, që u dha lirinë e munguar në Shqipëri.
Komentet