Albania Heritage Foundation Tampa mbushi 9 vjet…
Nga Elida Buçpapaj
Me Eri Paskon njihemi prej një jete. Kemi kaluar fëmijërinë në një oborr, kemi të fiksuara në kujtesë fytyrat tona kur ishim të vogla, fytyrat e prindërve tanë.
Koha rrodhi si uji dhe u takuam virtualisht. Eri jeton në Tampa Bay të Floridës, unë në Zvicër. Kujtimet e përbashkëta janë urë miqësie.
Eri ka 21 vjet në SHBA, ajo është pjesë e komunitetit shqiptar në Tampa Baya që thuhet se numëron rreth 10 mijë banorë.
Amerika është një melting pot, ku çdo komb përpiqet të konservojë kulturën, traditën, gjuhën, muzikën, vallen, si degët e një peme gjigande. Të njëjtën gjë bëjnë edhe shqiptarët, sidomos brezat e parë, që pastaj me dashurinë për vendin ushqejnë brezat që vinë me rradhë.
Prej mallit dhe dashurisë për Shqipërinë, Eri Paskos dhe rrethit të saj të miqësisë i lindi ideja për të krijuar Fondacionin e Trashëgimisë të Shqipërisë – ndryshe Albania Heritage Foundation, që tashmë i ka mbushur 9 vjet plot me aktivitete dhe Eri është Presidente.
Bordi Fondacionit
Albania Heritage Foundation tashmë ka krijuar traditën dhe është një demonstrim i bukur i komunitetit të bashkuar në festa e gëzime, në aktivitete që mbajnë të ndezur flakën e atdhedashurisë përmes muzikës, këngëve, kulturës dhe mësimdhënies të gjuhës amëtare fëmijëve, që fillojnë e cicërojnë shqip.
Tashmë komuniteti shqiptar i krijuar këto tre dekada në Amerikë ka lëshuar rrënjë, shqiptarët me punë e sakrifica janë kamur, fëmijët i kanë çuar nëpër shkolla dhe Universitete dhe ata tashmë të integruar si amerikanë nuk harrojnë se nga vijnë.
Kështu ndodhi edhe me komunitetin shqiptar në Tampa Bay të Floridës, që sa më shumë i shtrijnë rrënjët aq më tepër kujdesen të kultuvojnë kulturën e trashëgimisë shqiptare.
Kur shikon rrugëtimin e bukur që ka patur shoqata, ajo krenohet që bashkë me miqtë e saj ajo është një nga ideatoret dhe themelueset e Albania Heritage Foundation Tampa, krijuar nëntë vjet të shkuara, pikërisht më 2012.
Eri Pasko tregon se komuniteti i shqiptarëve ka ardhur gjithmonë duke u rritur dhe fillimisht në Tampa Bay nuk kishte aq shqiptarë sa ka sot, e megjithatë dëshira për të qenë të bashkuar, për t’u afruar me njëri-tjetrin ishte aq e madhe sa ajo bashkë me dy miqtë e saj zonjën Imelda pojani dhe Dr.Ardi Kraja ranë dakord për të krijuar Fondacionin në fjalë edhe për të bashkuar e organizuar komunitetin, edhe për të mbajtur të zgjuar kulturën e gjuhën duke krijuar një Shqipëri të vogël në zemër të Tampa Bay të Floridës.
Këtë Shqipëri të vogël e mundësoi Fondacioni, duke krijuar hapësira që komuniteti të ruante identitetin e vet përmes organizimin e jetës kulturore dhe artistike. Albania Heritage Foundation Tampa ndikoi që komuniteti shqiptar përmes organizimieve t’i ngjajë një familje të madhe.
Eri Pasko duke u kthyer nëntë vite më parë kujtoi se Albania Heritage Foundation Tampa startoi duke hapur Shkollën e parë Shqipe e duke u fokusuar tek mësimi i gjuhës amtare për fëmijët shqiptarë të lindur në Tampa Bay, çka u prit shumë mirë nga komuniteti. Me këtë rast Eri Pasko përmend kontributin që dhanë pa u kursyer për mësimdhënien zonjat Meri Kodra, si Aurela Mustali, Fanika Janku, Ana Kullaj, Marieta Poshi, Ina Gerxhaliu, Teuta Kanini.
Pra, Fondacioni u mbështet në burimet njerëzore të vetë komunitetit. Në drejtimin e koreografeve Rovena Kafilja dhe Anisa Papadhima u krijua grupi i valleve “Shqiponja”. Pastaj u krijua organizata e gruas me kryetare Juola Kamenicën, Lidhja e Shkrimtarëve e Artistëve, ku muaji Tetor sikur në Shqipëri është muaji i letërsisë, ku promovojnë librat e tyre shkrimtarët e poetët e komunitetit.
Dhe Eri Pasko rendit me krenari një listë me aktivitete të rëndësishme që ka organizuar Albania Heritage Foundation Tampa.
Sikur Festivali i valleve popullore shqiptare me producent të pakursyerin Dr Ardi Kraja. Në këtë Festival morën pjesë disa grupe artistike nga disa Shtete në SHBA dhe Kanada, ku ishte e ftuar nderi ikona e valles shqiptare Lili Cingu dhe koreografi Ramazan Këllezi.
Programi që jepet në televizionet shqiptare nën siglën “Këngë Moj”, ne këtu në Tampa Bay kemi organizuar çdo të shtune koncerte që dhe i quanim “E shtuna Tiranase”, “E shtuna Vlonjate”, “E shtuna e veriut”, etj .
Të mos flasim pastaj për kremtimet e Ditës të Flamurit, thotë Eri Pasko, ku ne për çdo 28 Nëntor ngrejmë Flamurin Shqiptar në oborrin e Bashkise së qytetit. Kremtimet e 28 Nëntorit janë madhështore, ku ne e shtrijmë bashkëpunimin edhe me organizata të tjera. Po kështu festojmë 8 Marsin, Ditën e Verës, 1 qershorin e kështu me rradhë.
Tani Albania Heritage Foundation Tafta ka krijuar traditë nëntë vjeçare dhe sukseset e arritura na frymëzojnë për aktivitete dhe gjetje të reja sepse komuniteti na mirëpret, edhe ne po ashtu jemi të fokusuar që të zhvillojmë në mënyrë sa më të larmishme si jetën artistike të komunitetit, ashtu edhe festat tradicionale për të tërhequr një pjesmarrje sa më masive.
Eri Pasko tregon edhe për periudhën e pandemisë, e cila padyshim ka patur ndikim në jetën e komunitetit. E megjthatë Bordi ka zbuluar mundësi të reja për të mbajtur zgjuar aktivitetet kulturore, siç ishte organizimi i Festivalit të Valleve popullore që u zhvillua me shumë sukses online.
Eri flet me entuziazëm për zhvillimin e komunitetit shqiptar, sukseset e biznesit, çka është ushqim dhe mbështetje për Albania Heritage Foundation Tampa. Aktivitetet tona mbështeten nga donacionet dhe bizneset shqiptare, falë të cilave suksesi jonë është i pandalshëm dhe ne në çdo aktivitet i përmendim si sponsorë.
Eri Pasko vlerëson ish Presidentin e parë të Fondacionit Dr.Ardi Kraja falë punës së tij të palodhur është rritur autoriteti i Fondacionit dhe sot Albania Heritage Foundation Tampa është i vetmi fondacion në SHBA që zhvillon aktivitete kulturore artistike për komunitetin shqiptar.
Komentet