VOAL

VOAL

Erdogani takon në Stamboll nënpresidentin amerikan Biden

January 23, 2016

Komentet

Këngë, aktivitete, ballokume dhe ngjyra- Si u festua Dita e Verës në disa nga qytetet shqiptare

 

Me këngë, valle, plot gaz, hare dhe ngjyra, kështu iu urua mirëseardhja Ditës së Verës në të gjithë vendin.

Qyteti i Elbasanit mbetet kryeqendra e festimeve për Ditën e Verës, ku qe nga fillimi i javës u zhvilluan aktivitete dhe koncerte, të cilat kulmuan më 14 Mars. Banda Frymore e qytetit mbajti një paradë në sheshin kryesor të Elbasanit, ndërsa fëmijë e të rritur u bënë pjesë e aktiviteteve të shumta. Sipas traditës, amvisat elbasanase kishin përgatitur ëmbëlsirën tradicionale të kësaj feste, ballokumen, e cila gjendej në çdo stendë të panairit te kulinarisë të ngritur në qytet. Qytetarë nga e gjithë Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, si dhe emigrantë të shumtë iu bashkuan festës në Elbasan.

Edhe në Tiranë u kremtua Dita e Verës, ku qytetarë të shumtë iu bashkuan festës së organizuar në kryeqytet. Vëmendja më e madhe në këtë ditë iu kushtua fëmijëve, të cilët vunë veroret dhe shijuan atmosferën festive të ditës që shënjon ardhjen e pranverës.

Festimet për Ditën e Verës në juglindje të vendit nisën mbrëmjen e 13 marsit, ku sipas riteve pagane u ndezën zjarre që simbolizojnë largimin e dimrit dhe ardhjen e pranverës. Festimet vijuan edhe përgjatë 14 Marsit.

Gjirokastra mirëpriti Ditën e Verës me një atmosferë të ngrohtë, duke e shndërruar Parkun Natyror të Viroit në qendrën e aktiviteteve për të gjithë të pranishmit. Festimet nisën me koncertin e fëmijëve, ndërsa panairi i ushqimeve tradicionale tërhoqi vëmendjen e vizitorëve.

Edhe në Durrës e Vlorë u mbajtën aktivitete të shumta, ku dy qytetet bregdetare janë veshur me petkat e pranverës, për të mirëpritur kështu turistë nga e gjithë bota.

Me ngjyrat e pranverës, plot këngë dhe valle u kremtua Dita e Verës edhe në Lushnje e Kavajë, ku performancat artistike të fëmijëve i dhanë jetë kësaj feste. bw

Presidenti Bajram Begaj uron “Ditën e Verës” me shportën e ballokumeve të Elbasanit

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka zgjedhur të urojë sot qytetarët për Ditën e Verës, me gatimet tradicionale të qytetit të Elbasanit, sic janë ballokumet.

“Gëzuar Ditën e Verës me këtë shportë të përgatitur nga amvisat e Elbasanit, kryeqytetit shqiptar të festimit të kësaj dite!” – është mesazhi i postuar  në profilin në facebook të presidentit të Republikës.bw

Rreziku i pensioneve- Borxhi i sigurimeve shoqërore arrin 244 mln euro, nuk paguajnë as institucionet publike

Të punësuarit aktualë rrezikojnë të humbasin pensionet në pleqërinë e tyre, pasi shumë prej punëdhënësve edhe në entet publike nuk i paguajnë sigurimet shoqërore duke bërë që stoku i borxhit në këtë zë të rritet vit pas viti.

 

Në raportin vjetor të vitit 2024, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve njoftoi se borxhi tatimor në formën e sigurimeve shoqërore të papaguara arriti në 24.4 miliardë lekë me rritje vjetore 8.4 për qind.

Rritja progresive e borxhit ndaj sigurimeve po vjen në raport të zhdrejtë më angazhimin e qeverisë, e cila ka ndërmarrë një fushatë që vitin e kaluar për të luftuar punën e zezë në kuadër të një reforme në proces për skemën publike të pensioneve.

Teksa pensionistët shqiptare kanë pagesat më të ulëta në Rajon dhe shumë poshtë minimumit jetik bizneset dhe entet publike rrisin viti pas viti detyrimet e papaguara të sigurimeve.

Ekspertët të Institutit të Sigurimeve Shoqërore pohojnë se ndryshe nga detyrimet e tjera që shtetit mund t’i krijohen nga mos-pagesa e taksave të tjera, efektet negative që ka borxhi i sigurimeve shoqërore janë të shumëfishta. Dëmi në përfitime në vlerë monetare është shumë më i madh se pagesa e kryer tani dhe, nga ana tjetër, pasojat sociale që u krijohen personave janë të pamatshme.

Në vitin 2014 kur qeveria Rama 1 nisi punën gjeti 9 miliardë lekë borxhe të papaguara nga qeverisja e djathtë.

Më zbulimin e këtij detyrimi dhe shlyerjen e tij një seri rregullash dhe ligjesh u miratuan me qëllim më qëllim që të mbyllej rrjedhja e krijimit të borxheve të reja. Të dhënat e fundit tregojnë se stoku i detyrimeve për sigurimet e pa-paguara ndërmjet 2014-2024 u rrit me 171 %.

Detyrimet u përkasin si enteve publike dhe pushtetit lokal ashtu edhe bizneseve private. Nëse bizneset nuk paguajnë në kohë detyrimet për punonjësit, llogaritë bankare të tyre bllokohen. Për institucionet shtetërore, puna ndryshon. Llogaritë bankare të ndërmarrjeve të ujësjellësit është vështirë të bllokohen për shkak të funksionit strategjik që kanë në shërbimet ndaj publikut.

Toleranca ndaj enteve të shtetit është “zyrtarizuar” pasi shteti presupozohet që të shlyejë detyrimet në një moment të dytë, pasi ka krijuar borxhin.

Ndryshimet që janë bërë në ligjin e proceduarve tatimore lejojnë pagesën me këste të detyrimeve të prapambetura të bizneseve. Por kjo praktikë nuk vlen për pagesën e borxheve të sigurimeve shoqërore.

Marrëveshja për pagesë me këste mund të lidhet për detyrime tatimore të vendosura nga administrata tatimore për një vlerësim tatimor të kryer, sipas nenit 68, si dhe për detyrime tatimore të vetëdeklaruara nga tatimpaguesi.

Përjashtimisht, administrata tatimore nuk hyn në një marrëveshje të pagesës me këste për detyrim tatimor të vetë-deklaruar nga tatimpaguesi, i cili është llogaritur, ose mbledhur, ose mbajtur prej tij, përfshirë kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore” thuhet në ligjin e procedurave tatimore./ Monitor

VOA- “Situata kritike” në landfillin e Sharrës paralajmëron një krizë të re mjedisore

Klodiana Lala, Zëri i Amerikës Birn

Në Tiranë, një krizë e re mjedisore është në prag për shkak të ezaurimit të kapaciteteve në landfillin e Sharrës, thuajse dy vjet pas sekuestrimit të tij për shkak të skandalit korruptiv të inceneratorëve. Pesë bashkive që depozitojnë mbetjet në Sharrë u kërkohet që të fillojnë ndarjen në burim, një proces i kushtueshëm dhe i pamundur për t’u realizuar në një kohë të shkurtër.

Gati dy vjet pasi u sekuestrua nga Prokuroria e Posaçme, landfilli i Sharrës në periferi të Tiranës ndodhet në një situatë kritike. Mbetjet e groposura prej vitesh nga pesë bashki të vendit kanë krijuar një mal të lartë mbeturinash, ndërsa makineritë e tonazhit të rëndë përpiqen që të krijojnë hapësira të reja për depozitim.

Sipas një shkrese që administratori shtetëror i kompanisë “Integrated Energy”, Indrit Karaj, u dërgoi në shkurt pesë bashkive të Zonës së Trajtimit të Mbetjeve Tiranë, kapacitetet depozituese në këtë landfill janë në prag të ezaurimit. Ai ofroi si zgjidhje ndarjen e mbetjeve në burim për të shmangur një emergjencë të re me pasoja të rënda mjedisore.

“Ezaurimi i kapaciteteve do të sillte pamundësimin e pranimit të mbetjeve dhe do të përballeshim me një situatë kritike, e cila do të kërkonte zgjidhje alternative nga ana juaj për të garantuar depozitimin. Të ndodhur përballë kësaj situate problematike, lutemi në bashkëpunimin tuaj për të nisur me zbatimin e praktikave për ndarjen e mbetjeve në burim….,” thuhet në dokument.

Ndarja e mbeturinave në burim nënkupton që çdo familje të diferencojë për qëllime riciklimi plastikën, qelqin, letrën dhe llojet e tjera të mbetjeve, duke reduktuar sasinë që dërgohet për asgjësim në landfill. Por ky proces kërkon investime në infrastrukturë dhe ndërgjegjësimin e publikut, dhe ndonëse është e përcaktuar në ligj, nuk është realizuar asnjëherë në Shqipëri.

Gjatë dekadës së fundit, strategjia e menaxhimit të integruar të mbetjeve u la në harresë, pasi qeveria e kryeministrit Edi Rama vendosi të shpenzonte miliona euro për ndërtimin e tre incineratorëve në Elbasan, Fier dhe Tiranë.

Tre kontratat koncesionare përbëjnë një ndër aferat më të mëdha korruptive të viteve të fundit, ndërkohë që inceneratorët ose nuk funksionuan, ose nuk u ndërtuan asnjëherë si në rastin e Tiranës.

Landfilli i Sharrës është venddepozitimi më i madh në Shqipëri dhe pranon mbetje nga bashkitë e Tiranës, Durrësit, Kavajës, Vorës dhe Kamzës. Detyrimet ndaj kontratës koncesionare, që mbahet ende në fuqi, kanë sjellë rritje të kostove për bashkitë, ndërkohë që asnjëra prej tyre nuk ka zgjidhje alternative për depozitimin e mbetjeve.

Në Bashkinë e Kavajës është ngritur një grup pune për të adresuar shqetësimet e administratorit të landfillit të Sharrës, por ndarja e mbetjeve në burim konsiderohet e pamundur për t’u realizuar në një kohë të shkurtër.

Sekretari i Përgjithshëm, Arti Çiçolli i tha BIRN se ndërsa shpenzon 1.2 milionë euro në vit për depozitimin në Sharrë, bashkia e Kavajës e ka të pamundur të investojë para të tjera për riciklimin.

“Shteti shqiptar ka pasur historikisht një strategji të vetën për ndarjen e mbetjeve në burim, por nuk është realizuar në asnjë bashki dhe në asnjë moment. Dhe tani t’u shtosh këtyre kostove edhe një kosto tjetër të ndarjes në burim, këtu është një projekt i dështuar në thelb,” tha Çiçolli.

Për ekspertët e mjedisit, emergjenca mjedisore e shkaktuar nga afera korruptive e inceneratorëve ishte e pritshme dhe kërkon ndërhyrje urgjente nga qeveria.

“Menaxhimi i Sharrës do të duhej të kishte filluar që dy vjet më parë, sot jemi shumë vonë. Në momentin që filloi konfiskimi i Sharrës, do të duhej patjetër nga qeveria që të mendohej se si do të funksiononte ky aset. Sepse nuk është projektuar si landfill, është projektuar për të qenë incinerator dhe nuk mund të zgjaste pafundësisht,” thotë Ornela Çuçi, eksperte e mjedisit dh eish.zv.ministre.

“Menaxhimi i mbetjeve ne Shqipëri është sot më kaotik se 10 vjet më parë, pikërisht për këtë arsye. Pasi ne nuk mund të përdorim landfillet dhe kapacitetet ku është investuar sot shteti shqiptar. Janë të mbinbgopura,” përfundoi ajo.

Zelensky e lavdëron marrëveshjen për paqe, thotë se tani i takon Rusisë të bëjë paqe

Radio Evropa e Lirë

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka thënë se marrëveshja për armëpushim 30-ditor, që Kievi e nënshkroi në bisedimet e ndërmjetësuara nga Shtetet e Bashkuara në Arabinë Saudite, mund të përdoret si draft për një marrëveshje më të gjerë dhe shtoi se tani i takon Rusisë të vendosë nëse dëshiron të angazhohet në procesin e paqes.

“I takon Rusisë të vendosë se çfarë do të ndodhë tutje, nëse ajo dëshiron ta vazhdojë agresionin e vet kundër Ukrainës apo jo”, tha Zelensky në një konferencë për media të mërkurën.

Lideri ukrainas i lartësoi bisedimet që rezultuan me propozimin për armëpushim dhe tha se nevojitet nënvizimi i hapave të mëtejshëm, në mënyrë që të arrihet një marrëveshje për paqe afatgjate, me garanci të sigurisë për Ukrainën, për t’i dhënë fund luftës trivjeçare.

Zelensky u tha ukrainasve të përgatiten për “presion të fortë informativ” dhe tha se “Rusia do të bëjë gjithçka për ta përçarë Ukrainën me Shtetet e Bashkuara”.

Moska deri më tani ka refuzuar të komentojë për hollësitë e propozimit për armëpushimin 30-ditor, dhe nuk është e qartë nëse presidenti rus, Vladimir Putin, ka marrë vendim për këtë marrëveshje.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se Moska do të presë derisa të marrë më shumë të dhëna të hollësishme nga Uashingtoni, dhe sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, tha se Uashingtoni “do t’i kontaktojë rusët” sot.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha gjithashtu se do të flasë me Putinin në ditët në vijim për të siguruar angazhimin e tij, ndërsa Sergei Naryshkin, drejtori i Shërbimit të Inteligjencës së Jashtme të Rusisë, zhvilloi gjithashtu një telefonatë më 11 mars me drejtorin e CIA-s, John Ratcliffe, raportoi agjencia e lajmeve Interfax.

Rubio u tha gazetarëve të mërkurën, në komentet e tij të para pas largimit nga bisedimet në Xhedah, se Shtetet e Bashkuara shpresojnë se do të marrin përgjigje pozitive nga Rusia për marrëveshjen e armëpushimit dhe “u bëjnë thirrje rusëve t’i ndalin të gjitha armiqësitë”.

Ukraina do të ketë nevojë për një mjet të fortë ndalues për t’i parandaluar sulmet e ardhshme, tha Rubio, dhe se evropianët do të “duhet të përfshihen në këtë drejtim”.

Ai shtoi se diskutime të mëtejshme do të duhet të trajtojnë temën e heqjes së sanksioneve të Bashkimit Evropian ndaj ekonomisë ruse.

“Do të imagjinoja se në çdo negociatë, nëse arrijmë atje, me rusët, ata do të ngrenë çështjen e këtyre sanksioneve evropiane që janë vendosur ndaj tyre”, tha Rubio.

Moska deri më tani ka qenë kundër një force paqeruajtëse evropiane në Ukrainë dhe ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, përsëriti qëndrimin e Moskës gjatë një interviste me tre blogerë amerikanë të krahut të djathtë, duke thënë se nuk do ta pranojë në asnjë kusht praninë e forcave të NATO-s në Ukrainë.

Rubio gjithashtu paralajmëroi se ai “nuk do ta përshkruante marrëveshjen e mineraleve si një garanci sigurie”, duke iu referuar një marrëveshjeje të propozuar mes SHBA-së dhe Kievit për burimet minerale të Ukrainës, e cila nuk është nënshkruar pas një përplasjeje në Shtëpinë e Bardhë midis Trumpit dhe Zelenskyt.

Ndërkohë, të mërkurën Rusia dhe Ukraina shkëmbyen sulme ajrore, vetëm disa orë pasi Kievi e pranoi propozimin për armëpushim.

Dy sulme me raketa ruse goditën qytetin qendror ukrainas Krivi Rih të mërkurën, duke vrarë një person, ndërsa një sulm tjetër vrau katër anëtarë të ekuipazhit të një anijeje mallrash pranë qytetit port, Odesa.

Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha se sistemet e saj të mbrojtjes ajrore rrëzuan gjashtë dronë të mërkurën, një mbi Krimenë e aneksuar nga Rusia dhe pesë mbi Detin e Zi.

Kanali Telegram Krymsky Veter raportoi shpërthime të forta dhe sirena alarmi në qytetet e Krimesë dhe pranë objekteve ushtarake ruse.

Kosova miraton nismën për një marrëveshje në fushën e mbrojtjes me SHBA-në

Radio Evropa e Lirë

Qeveria e Kosovës ka miratuar në parim nismën për lidhjen e një marrëveshjeje kornizë për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara.

Në mbledhjen e Qeverisë, kryeministri Albin Kurti, tha se me këtë marrëveshje, Kosova dhe SHBA-ja angazhohen për avancimin e bashkëpunimit “në fushën e mbrojtjes si: planifikim i mbrojtjes, qëndrueshmëri strategjike si dhe ngritje e kapaciteteve strategjike ushtarake”.

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, tha se kjo nismë është në përputhje me qëllimet e Kosovës për integrimin në të madh euroatlantik.

“Një hap i tillë i bashkëpunimit është ndërmarrë në përputhje me qëllimet e integrimit më të gjerë euroatlantik, thellimit të kërcënimeve për sigurinë, rritjen e ndërveprueshmërisë gjithmonë duke u mbështetur në partneritetin e fortë ekzistues në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë”, tha Maqedonci gjatë mbledhjes së Qeverisë.

Ekzekutivi nuk dha detaje të tjera lidhur me nismën për lidhjen e kësaj marrëveshjeje mes Ministrisë së Mbrojtjes të Kosovës dhe Departamentit amerikan të Mbrojtjes.

Shtetet e Bashkuara kanë ofruar mbështetje të vazhdueshme për strukturat e mbrojtjes dhe sigurisë së Kosovës, duke ofruar trajnime për pjesëtarët e strukturave të sigurisë, kanë mbështetur transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri, por edhe kanë dhuruar pajisjeve të ndryshme ushtarake.

Në të kaluarën, Kosova ka arritur marrëveshje me SHBA-në, por edhe me shtete të tjera, për dërgimin e pjesëtarëve të FSK-së në misione paqeruajtëse jashtë vendit.

Po ashtu, janarin e vitit të kaluar SHBA-ja njoftoi se Kosova kishte bërë kërkesë për blerjen e mbi 200 sistemeve kundërajrore,Javelin, që prodhohen në SHBA.

Për shitjen e këtyre sistemeve, të cilat pritet t’i kushtojnë Kosovës 75 milionë dollarë, Uashingtoni ende nuk ka marr vendim.

UGSHPD: PREDIKUES DHE CENSOR (Përpjekja për ta mbyllur Tik tok nga pragu zgjedhor për 12 muaj)

 
Një skicë nga LD-NY24, errësirën që vjen nga propaganda politike e kreut të elitës së Rilindjes Socialiste, kryeministrit Rama e sheh të zhvilluar mbi frikën dhe paqëndrueshmërinë që sjellin zhvillimet në realitetin shqiptar drejt zgjedhjeve. 
Në paradoks dhe për të qeshur ATSH ka hapur prej 1 Marsit rubrikën “Fjalë të Shenjta”*, me të cilat nis ditën ndërsa vazhdimi i saj zor se i mbyllet i tillë.
Por pa ja prishur ritualin e filluar si një “count-down”, durimi dhe sakrifice personale që po kalon kreu rilindës po veçojmë një kuptim plotë, pasi çdo mësim i jetës i vlen për sëpari atij që e praktikon tek vetja, pa i moralizuar dhe detyruar të tjerët. Në këtë rast që na lidhet me temën, kur flasim për kufizimin e lirisë së shprehjes Ramës më së miri i shkon ajo që ka cituar vite më parë “Fol mirë ose mos fol fare”.
Kështu tik-tok u paralajmërua se do të mbyllej për një vit më 21 Dhjetor, 2024 në mungesën e plotë të një transparence dhe këshille ligjore. Mbytja me shifra në media dhe programe televizive i parapriu një takimi me mësues dhe prindër (i quajtur këshillim kombëtar). Thuhet se janë realizuar mbi 1300 takime dhe janë kontaktuar 65 mijë prindër dhe mësues çka në dukje i japin kryeministrit nxjerren e një vendimi që realizon mbylljen. Ky rast mrekullie që i shitet nga propaganda publikut me kaq lehtësi, pa shqetësime, kontradikta dhe dëm ekonomik për shumë nga përdoruesit mund të ishte model i demokracisë në mirëkuptim mees shqiptarëve sikur të ishte mbajtur një referendum. Numrat i kishte dhe le të ndiqej rruga institucionale e vendosmërisë së qytetarëve dhe të mos dilte nga goja e kryeministrit sikurse thënia:-TikToku nuk ka çfarë sqarimesh kërkon nga Shqipëria, sepse në Shqipëri vendosin shqiptarët jo pronarët e algoritmit të TikTokut”.  Rama kapadai apo “ky pioner” që rilind  gjithshka që i shkrep mendja dhe prek dora e Tij ka humbur gjatë shumë viteve të qëndrimit në pushtet koherencën e punëve dhe premtimeve që duhen bërë sepse në plan të parë qendron egoizmi. Në disa nga titujt e dikurshëm për të promovuar, rininë, aftësitë, teknologjinë etj. shkruhej në ATSH edhe për tik tok;
(1) “Rama poston videon e veçantë në Tik Tok: Durrsakja që punon në Poloni dhe Amerikë nga shtëpia” – 10 Tetor, 2021.
(2) “Ishte kënaqësi informimi mbi nivelin e lartë të vetëdijes së kolosit social Tik Tok, për rreziqet që i kanosen rrjeteve sociale dhe të investimeve të kompanisë në përballimin dhe shmangien e tyre”. 16 Shkurt, 2024- Rama në Mynih me zëvendësdrejtorin e përgjithshëm të kompanisë, Theo Bertram.
(3)  Mbyllja e TikTok, Imeraj: Algoritmi i platformës krijon varësi, qeveria ka menduar se është arritur caku.
….
(X) Rama: Mbyllja e TikTok u kërkua nga 95% e prindërve dhe mësuesve, nuk lidhet me zgjedhjet.
 
Pra vetëm në pak tituj prej propagandës zbulohet se qëndrimet dhe opinionet i shërbejnë pikëve politike të ditës, por njëkohësisht këto janë gjurmë krahasuese për qëndrimet një politikan që ka në duar pushtetin zgjedh edhe veprimet dhe realitetin e sotëm Shqiptar, për të qenë jetë gjatë.
Në pak fjalë zgjedhjet janë pranë. 
Pushteti deri në ditën e shpalljes së rezultatit të zgjedhjeve ka kontrollin ndaj shkëmbimit të informacionit. Çfarë mendojnë qytetarët dhe si e shprehin  ata përmes fjalës së lirë, ky është kërcënimi për pushtetin dhe errësirën e informacionit që del prej tij.
_____________________
*Nga 1 marsi besimtarët myslimanë kanë nisur Muajin e Shenjtë të Ramazanit.
 
 
 
 
 
11 Mars, 2025

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD)

Verband Albanischer Berufsjournalisten der Diaspora (VABD)

Union of Professional Albanian Journalists of Diaspora (UPAJD)

L’Union des journalistes professionnels albanais de la diaspora (UJPAD)

Unione dei Giornalisti Professionisti Albanesi della Diaspora (UGPAD)

Presidentja Osmani konferencë me Rutte: Ka ardhur koha që Kosova të bëhet anëtare e NATO-s

Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se është koha që Kosova ta ketë vendin e saj në NATO, për të kontribuuar si një anëtare e përgjegjshme dhe e përkushtuar për stabilitetin dhe sigurinë globale.

“Stabiliteti i rajonit është shumë i lidhur ngushtë edhe me integrimin euroatlantik të vendeve të këtij rajoni. Kosova dhe qytetarët e saj ndajnë vlerat mbi të cilat është ndërtuar NATO. Është koha që Kosova ta ketë vendin e saj në Aleancë për të kontribuuar si një anëtare e përgjegjshme dhe e përkushtuar për stabilitetin dhe sigurinë globale”, tha Osmani.

Në konferencën e përbashkët me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, presidentja theksi se Kosova meriton të ulet krah vendeve tjera të aleancës.

“Në Kosovë gjithnjë do të jeni si në shtëpinë tuaj, një shtëpi e ndërtuar në liri edhe me kontributin e mijëra grave dhe në uniformë të KFOR-it mision ky që mbetet më i gjati, më i madhi, por edhe më i suksesshmi në historinë e NATO-s. Uroj që shumë shpejt Kosova të jetë ulur krah për krah me vendet tjera të NATO-s. Ky popull përpara 25 vitesh u shpëtua nga NATO dhe tani pret që të jetë krah për krah me NATO-n”, tha ndër të tjera Osmani.

Më tej presidentja shtoi se Kosova tashmë ka arritur objektivat e NATO-s, por theksoi se për të forcuar këtë, është i nevojshëm një bashkëpunim i vazhdueshëm me aleatët.

“Kosova tashmë e ka arritur objektivin e NATO-s… Për ta rritur këtë na duhet bashkëpunim më shumë me NATO-n. Në këtë rrugëtim jemi shumë të vetëdijshëm me sfidat që po ballafaqohemi si dhe kërcënimet që vazhdojnë të rëndojnë mbi sigurinë e Kosovës dhe gjithë rajonit. Serbia vazhdon të minojë përpjekjet për paqe dhe stabilitet. Beogradi po synon të destabilizojë jo vetëm Kosovën, por gjithë rajonin. Sulmet në veri të Kosovës dhe sulmet ndaj NATO-s në vitin 2023 të organizuara dhe të mbështetura ndaj strukturave të Serbisë, janë dëshmi e qartë e këtij rreziku”, ka deklaruar Osmani.

Ajo ka shtuar se prania e NATO-s në Kosovë nuk është vetëm garanci për vendin, por është barrierë e çdo përpjekje për cenimin e paqes dhe stabilitetit.

“I bashkohemi thirrjes të përsëritura të BE-së dhe NATO-s për përgjegjësi ndaj sulmeve të ushtarëve të NATO-s. Mungesa e përgjegjësisë të autorëve veçse e ka inkurajuar Serbinë për sulme të tjera”, u shpreh Osmani. sn

Kievi pranon propozimin amerikan për armëpushim, Uashingtoni riaktivizon ndihmat për Ukrainën

VOA Marrë nga Associated Press

Administrata e Presidentit Trump ka riaktivizuar ndihmat ushtarake dhe të dhënat e zbulimit për Ukrainën ndërsa Kievi ka pranuar një propozim amerikan për një armëpushim 30 ditor të luftës kundër Rusisë, në pritje të një marrëveshjeje me Moskën, thanë zyrtarët amerikanë dhe ukrainas të martën pas bisedimeve në Arabinë Saudite.

“Sot ishte një ditë e mirë për paqen. Falë udhëheqjes së Presidentit Trump dhe mikëpritjes së hirshme të Princit të Kurorës Mohammed bin Salman, ne jemi një hap më afër rivendosjes së paqes së qëndrueshme për Ukrainën. Topi tani është në fushën e Rusisë”, tha Sekretari Rubio përmes një shkrimi në rrjetin X.

Uashingtoni i ngriu ndihmat ushtarake dhe të zbulimit për Ukrainën me qëllimin për të shtyrë Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, që të fillonte bisedimet për t’i dhënë fund luftës me Rusinë. Ngrirja e ndihmave amerikane erdhi disa ditë pas një takimi të tensionuar në Dhomën Ovale të Shtëpisë së Bardhë mes Presidentit Trump dhe homologut ukrainas, Volodymyr Zelenskyy.

Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, i cili udhëhoqi delegacionin amerikan në bisedimet në Xhedah të Arabisë Saudite, tha se Uashingtoni do t’i paraqesë Kremlinit propozimin për armëpushim. Deri më tani, Rusia ka kundërshtuar çdo gjë përveç përfundimit të përhershëm të konfliktit pa pranuar asnjë lëshim.

“Do t’u themi atyre se kjo është ajo që kemi në tryezë. Ukraina është gati të ndalojë luftën dhe të fillojë dialogun. Tani do të jetë në dorën e tyre që të pranojnë ose të shprehen kundër”, tha Sekretari Rubio për gazetarët pas takimit. “Nëse ata thonë jo, atëherë për fat të keq do ta dimë se cila është pengesa për paqen.

Këshilltari i Presidentit Trump për sigurinë kombëtare, Mike Waltz, tha se: “Delegacioni ukrainas e bëri mjaft të qartë sot se ata ndajnë vizionin e Presidentit Trump për paqen”.

Diskutimet e së martës, që zgjatën afro tetë orë, duket se i kanë dhënë fund, të paktën për momentin, mosmarrëveshjeve mes presidentëve Zelenskyy dhe Trump.

Zoti Waltz tha se palët në bisedime folën në detaje lidhur me përfundimin e luftës përgjithmonë, përfshirë garancitë afatgjata për sigurinë. Ai tha se Presidenti Trump ra dakord që të anulonte menjëherë pauzën ndaj ndihmës ushtarake amerikane për Ukrainën, prej miliarda dollarësh, dhe ndarjen e të dhënave të zbulimit. Presidenti Trump ka thënë se shpreson arritjen e një marrëveshjeje gjatë ditëve të ardhshme.

“E di që kemi një takim të rëndësishëm me Rusinë nesër dhe shpresoj të ketë bisedime të shkëlqyera”, tha Presidenti Trump pa dhënë detaje.

I dërguari special i Presidentit Trump, Steve Witkoff, pritet të shkojë në Moskë më vonë këtë javë, ku mund të takohet me Presidentin Vladimir Putin, sipas një individi që ka njohuri për këtë çështje, por jo i autorizuar të komentojë publikisht. Ai tha se planet mund të ndryshojnë.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, foli menjëherë pas përfundimit të bisedimeve për paqen, duke përsëritur angazhimin e Ukrainës për të arritur një paqe të qëndrueshme, ndërsa theksoi se vendi i tij ka kërkuar që t’i japë fund luftës që nga fillimi i saj.

“Pozicioni ynë është absolutisht i qartë. Ukraina është përpjekur për paqe që në sekondën e parë të kësaj lufte dhe ne duam të bëjmë gjithçka të mundur për ta arritur atë sa më shpejt të jetë e mundur, në mënyrë të sigurt dhe që të sigurojë që lufta të mos kthehet”, tha zoti Zelenskyy.

Ndihmësi i presidentit ukrainas, Andriy Yermak, i cili e udhëhoqi delegacionin ukrainas, i cilësoi negociatat si pozitive. Në një deklaratë të përbashkët me palën amerikane, ai tha se të dy vendet “ndajnë të njëjtin vizion dhe se ne po ecim në të njëjtin drejtim për një paqe të drejtë, të pritur prej kohësh nga të gjithë ukrainasit”.

Rutte: Fleksibilitet dhe kompromise për përparim në dialog me Serbinë

Konferenca e përbashkët për media e shefit të NATO-s, Mark Rutte, dhe presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, në Prishtinë, më 11 mars 2025.

 

Radio Evropa e Lirë

Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior (NATO), Mark Rutte, tha në Prishtinë se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë është e vetmja mënyrë për të zgjidhur çështjet e hapura.

“Për ta lëvizur këtë dialog përpara, të dyja palët duhet të tregojnë fleksibilitet dhe të bëjnë kompromiset e nevojshme dhe të përqendrohen në përfitimet afatgjatë”, tha Rutte.

Sipas tij, normalizimi sjell më shumë stabilitet dhe siguri për mbarë rajonin.

Në konferencën e përbashkët për media me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, Rutte deklaroi se stabiliteti në rajonin e Ballkanit Perëndimor varet nga të gjitha palët, duke zgjedhur “diplomacinë në vend të dhunës”.

“Zgjidhja për paqe afatgjatë është politike”, tha shefi i NATO-s.

Gjatë vizitës në Prishtinë, shefi i NATO-s është takuar edhe me kryeministrin Albin Kurti.

Ndërkaq presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë konferencës për media tha se mbështet deklaratën e bërë një ditë më herët në Bosnje nga Rutte se në rajon nuk duhet të ketë vakume të sigurisë, sepse sipas saj, “historia ka dëshmuar se ato vakume shpesh janë keqpërdorur nga faktorët malinj”.

Osmani po ashtu foli edhe për Serbinë, të cilën e akuzojë se po minon “përpjekjet për paqe dhe stabilitet”. Me ndihmën e Rusisë dhe faktorëve të tjerë, tha presidentja kosovare, Beogradi po synon ta destabilizojë Kosovën.

Në këtë drejtim ajo përmendi sulmet e ndodhura viteve të fundit në veriun e banuar me shumicë serbe, përfshirë edhe ndaj pjesëtarëve të KFOR-it në maj të vitit 2023.

“Prania e trupave të NATO-s në Kosovë nuk është garanci vetëm për sigurinë tonë kundër çfarëdolloj përpjekje për cenimin e paqes dhe stabilitetit për të cilët të gjithë së bashku kemi punuar dhe sakrifikuar shumë gjatë”, tha Osmani.

Sipas saj, mungesa e përgjegjësisë për këto sulme, për të cilën Osmani fajësoi Serbinë, ka inkurajuar Beogradin që “të vazhdojë me sulme nëpërmjet strukturave të tij paramilitare”.

“Prandaj është e rëndësishme që bashkërisht ta fuqizojmë prezencën edhe të personelit edhe të mjeteve për ta mbrojtur kufirin në mënyrë që të parandalohet si hyrja e grupeve terroriste, ashtu edhe e armatimit të tyre të cilët kanë për qëllimin krijimin e konflikteve në rajonin tonë. Ashtu siç e ka thënë presidenti amerikan, Donald Trump, politika e paqes përmes fuqisë është ajo që do të kuptohet më së miri në këtë rajon, e sidomos nga ata të cilëve mund t’iu shkojë mendja që të përdorin veprime destabilizuese”, tha Osmani.

NATO mbështet “rolin humanitar” të FSK-së

Gjatë konferencës për media në Prishtinë, shefi i NATO-s u pyet nëse aleanca ka ndryshuar qasjen sa i përket tranzicionit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri.

“Mandati është që FSK-ja të ketë çfarë i duhet që të jetë efektive për të kryer rolin e saj humanitar këtu në Kosovë. Ky është mandati që NATO ka për të ndihmuar FSK-në që të bëhet më e mirë, që të jetë një forcë e fuqishme humanitare në këtë shtet kur të ketë çështje humanitare. Ky është mandati dhe për këtë po punojmë çdo ditë”, tha Rutte.

Në fund të vitit 2018, ligjvënësit në Kosovë miratuan ligjet për t’ia ndryshuar mandatin FSK-së dhe për ta bërë ushtri. Transformimi përmes ndryshimeve ligjore ishte kundërshtuar nga aleanca perëndimore ushtarake.

Presidentja Osmani tha se për shkak se katër vende të NATO-s nuk e njohin Kosovën, procesi i avancimit të raporteve të aleancës ushtarake perëndimore me FSK-në është një çështje e ndërlikuar. .

“Megjithatë, kjo nuk nënkupton që FSK-ja nuk e ka mandatin e plotë ashtu siç parashihet në Kushtetutën e Kosovës dhe ligjet e miratuara si forcë e cila e mbron sovranitetin dhe integritetin territorial dhe të gjithë qytetarët e vendit tonë”, tha Osmani, duke shtuar se përmes marrëveshjeve dypalëshe me shtetet e NATO-s, FSK-ja po jep kontributin e saj për paqe dhe siguri në botë.

Shefi i NATO-s ka thënë ditë më parë se stabiliteti në Kosovë, Bosnjë e Hercegovinë dhe Serbi është në interesin e të gjithëve në aleancën ushtarake perëndimore, dhe se ai nuk sheh arsye të besojë se mund të ketë ndonjë ndryshim dramatik sa i përket përkushtimit amerikan në NATO.

Çështja e rishqyrtimit të pozicionit të SHBA-së në Evropë ka nisur të qarkullojë prej deklaratave që ka bërë sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, në shkurt, kur ka thënë se evropianët nuk mund të presin që prezenca ushtarake amerikane në kontinent do të zgjasë përgjithmonë, teksa u ka bërë thirrje evropianëve që t’i rrisin shpenzimet për mbrojtje.

Edhe presidenti amerikan, Donald Trump, ka bërë thirrje që evropianët të paguajnë më shumë në këtë sektor, duke ngritur dilema nëse ata do të ishin tani në gjendje të mbronin SHBA-në, siç e kërkon Neni 5 i NATO-s.

SHBA-ja i ka rreth 100.000 trupa në Evropë, ndërsa prej tyre 600 janë të vendosura në Kosovë, në kuadër të KFOR-it, që në total i ka rreth 4.600 pjesëtarë.

Departamenti amerikan i Mbrojtjes i ka thënë ditë më parë Radios Evropa e Lirë se tani për tani nuk ka ndonjë ndryshim të planifikuar sa i përket pozicionimit të forcave të tyre.

Vizita e Ruttes në Kosovë zhvillohet pas asaj që ai bëri në Bosnje e Hercegovinë, më 10 mars, ku dha mesazhin që aleanca nuk do të lejojë që “të rrezikohet paqja e fituar me shumë vështirësi”.

Mbyllja e TikTok, organizatat ndërkombëtare: Ndalimi i plotë i një platforme, kufizim ekstrem i lirisë së shprehjes

Rrjeti SafeJournalists dhe Media Freedom Rapid Response kanë reaguar në lidhje me vendimin e qeverisë shqiptare për mbylljen e aplikacionit TikTok për një periudhë një vjeçare.

Ata e kanë konsideruar mbylljen e plotë një kufizim ekstrem të lirisë së shprehjes.

Reagimi: 

Rrjeti SafeJournalists (SJN), partnerët e Media Freedom Rapid Response (MFRR) dhe organizatat e shoqërisë civile shprehin shqetësim serioz lidhur me vendimin e Këshillit të Ministrave të Shqipërisë më 6 mars 2025 për të pezulluar aksesin në platformën TikTok në shkallë kombëtare për 12 muaj. Duke e mirëkuptuar synimin e pohuar të qeverisë për të mbrojtur fëmijët nga përmbajtjet e dëmshme dhe për të siguruar mbrojtjen e të dhënave personale, theksojmë me forcë se masa të tilla mbrojtëse duhet të respektojnë plotësisht të drejtat themelore të njeriut, veçanërisht lirinë e shprehjes, aksesin në informacion dhe procesin e rregullt ligjor.

Liria e shprehjes dhe proporcionaliteti
Theksojmë se ndalimi i plotë i një platforme përfaqëson një kufizim ekstrem të së drejtës për lirinë e shprehjes dhe aksesin në informacion. Pezullimi në tëresi i një platforme të tërë tejkalon ndjeshëm parimin e proporcionalitetit, duke ndikuar në shprehjen legjitime të të gjithë përdoruesve dhe duke kufizuar debatin publik si dhe aksesin në burime të ndryshme informacioni.

Zgjidhje alternative të synuara, si moderimi i përmbajtjes, verifikimi i moshës dhe programe të përmirësuara të edukimit të përdoruesve, duhet të ishin shqyrtuar përpara se të vendosej një ndalim i përgjithshëm. Natyra e gjerë e kësaj mase krijon një precedent të rrezikshëm për ndërhyrjen joproporcionale të shtetit në të drejtat digjitale.

Si një vend kandidat për anëtarësim në BE, Shqipëria pritet të respektojë standardet evropiane për shtetin e së drejtës dhe liritë themelore. Kuadri ligjor i Aktit për Shërbimet Digjitale (DSA) të BE-së thekson llogaridhënien e platformave dhe transparencën në moderimin e përmbajtjes përmes një qasjeje të bazuar në analizën e riskut dhe proporcionalitet. DSA favorizon bërjen e platformave përgjegjëse për menaxhimin e risqeve në shërbimet e tyre, në vend që të ndëshkojë përdoruesit duke mbyllur platformat. Ne inkurajojmë Shqipërinë të harmonizojë qasjen e saj me këtë paradigmë.

Shqetësimet lidhur me procedet demokratike dhe zgjedhore
Me afrimin e zgjedhjeve parlamentare në maj 2025, momenti i këtij pezullimi është veçanërisht shqetësues. TikTok është shndërruar në një platformë në rritje për komunikimin politik dhe angazhimin e votuesve, veçanërisht për të rinjtë, votuesit për herë të parë dhe partitë politike apo lëvizjet e reja, të cilat argumentojnë se do të preken në mënyrë joproporcionale.

Duke kufizuar aksesin në këtë platformë, qeveria rrezikon të shtypë këto zëra në zhvillim, të dobësojë pluralizmin politik dhe të krijojë një efekt frikësues që mund të shtrihet përtej përdoruesve të TikTok-ut, duke ndikuar gazetarët, krijuesit digjital, aktivistët e shoqërisë civile dhe organizatat monitoruese të procesit demokratik.

Procesi i Rregullt Ligjor dhe Transparenca
Vëmë re se ky vendim pason njoftimin publik të Kryeministrit Rama në dhjetor 2024, ku ai përmendi konsultime me një grup të përzgjedhur prindërish dhe arsimtarësh. Megjithatë, ende mungojnë prova të mjaftueshme publike mbi shtrirjen, përfaqësueshmërinë dhe rezultatet e këtyre konsultimeve.

Theksojmë se vendime të kësaj shkalle dhe rëndësie duhet të bazohen në konsultime të plota, transparente dhe gjithëpërfshirëse, duke përfshirë organizatat e shoqërisë civile, organizatat mediatike, industrinë, avokatët e të drejtave digjitale dhe komunitetet e prekura.

Rreziqet e krijimit të një precedenti të rrezikshëm
Shprehim shqetësimin tonë se zbatimi i një ndalimi të përgjithshëm të një platforme krijon një precedent alarmues për Shqipërinë dhe rajonin. Kur qeveritë pretendojnë autoritet të gjerë për të mbyllur platforma popullore për shkak të shqetësimeve mbi përmbajtjen, ato rrezikojnë të hapin rrugën për kufizime të mëtejshme, duke kërcënuar lirinë e internetit në mënyrë më të gjerë.

U bëjmë thirrje autoriteteve shqiptare të shmangin krijimin e një precedenti të tillë dhe të sigurojnë që në të ardhshme aspektet e rregullimit të përmbajtjes në platformat digjitale të trajtohen përmes masave të specifike për grupe të ndryshme, të bazuara në evidenca dhe në përputhje me parimin e proporcionalitetit.

Rekomandime
I bëjmë thirrje qeverisë shqiptare të shfuqizojë menjëherë pezullimin e TikTok-ut dhe të nisë një proces konsultimi gjithëpërfshirës dhe transparent, duke përfshirë parlamentin, shoqërinë civile, organizatat mediatike, avokatët e të drejtave digjitale dhe partnerët ndërkombëtarë.

Ky proces konsultimi duhet të synojë zhvillimin e një kuadri rregullator proporcional dhe të bazuar në evidenca, në përputhje me standardet evropiane, veçanërisht Aktin e BE-së për Shërbimet Digjitale (DSA). Një qasje e tillë do t’i mundësojë Shqipërisë të adresojë në mënyrë efektive shqetësimet legjitime mbi sigurinë e fëmijëve dhe mbrojtjen e të dhënave, duke garantuar plotësisht lirinë e shprehjes, diskursin demokratik dhe procesin e rregullt ligjor të cilat janë elemente thelbësore në kontekstin e zgjedhjeve të ardhshme.

UGSHPD: RAMA NË DY ANËT E DREJTËSISË

 
(Kur njëkohë tërheq dhe hesht drejtësinë)
 
Përmes një skice nga LD-NY24,  gjetjen ia kushton realitetit të vështirë shqiptar ku verbëria propagandistike bëhet pjesë e zhvillimeve të luftës së brendshme në elitën e Rilindjes Socialiste, e cila ka plot një muaj që i ka prishur ekuilibrat. Për hir të ruajtjes së imazhit Erion Veliaj (i arrestuar në detyrë për 9 raste të korrupsionit pasiv), vazhdon të jetojë në botën e lajmeve njëkohësisht në dy realitete. Arresti në burg, si realiteti kryesor priret të jepet i padukshëm ndërsa bota e imazhit elektoral e tregon në detyrë dhe ku shpesh Veliaj çuditërisht del me statuse dhe me qëndrime.
Njerëzit po ushqehen me këto dy gjendje si pa e kuptuar pikun e një fushate zgjedhore, aty ku ndërhyrja e politikës në punët e drejtësisë dhe sidomos e ushtruar prej forcës politike që mban pushtetin ka arritur shkallën më të lartë të mediokritetit në drejtimin e shtetit e cila vështirë se do të shkulet. 
Vetëm në Shqipëri, aty ku korrupsioni mesa duket ka forcë ta blejë integritetin e medias dhe e pronëson të vërtetën për ta shpërndarë në kohën e duhur. 
Lajmi me dy kuptime është një strategji e sundimtarit që mendon se i kontrollon “turmat”.
 
 
 
10 Mars, 2025

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD)

Verband Albanischer Berufsjournalisten der Diaspora (VABD)

Union of Professional Albanian Journalists of Diaspora (UPAJD)

L’Union des journalistes professionnels albanais de la diaspora (UJPAD)

Unione dei Giornalisti Professionisti Albanesi della Diaspora (UGPAD)


Send this to a friend