VOAL

VOAL

Erdogani: BE duhet të fillojë një zgjerim të vërtetë ekonomik dhe kulturor

October 1, 2017

Komentet

Protestuesit ia mësyjnë Parlamentit në Abkazi të Gjeorgjisë për shkak të një ujdie me Rusinë

Qindra protestues u mblodhën pranë Parlamentit lokal në Sukumi më 15 nëntor, Gjeorgji.

 

Protestuesit e udhëhequr nga opozita në rajonin e shkëputur të Gjeorgjisë, Abkazi, janë futur vrullshëm brenda oborrit të Parlamentit lokal në Sukumi, kryeqytetin rajonal, në përpjekje për t’i detyruar ligjvënësit ta shfuqizojnë një marrëveshje kontroverse me Moskën, e cila u jep përparësi sipërmarrësve rusë të ndërtimit.

Sipas mediave vendëse, përpjekjet për ta ratifikuar marrëveshjen më 15 nëntor dështuan, pasi protestuesit u futën në oborrin e Parlamentit.

Por, kjo nuk i ndaloi protestuesit, të cilët tani duan një seancë të re parlamentare për të votuar për shfuqizimin e plotë të marrëveshjes.

“Kundërshtimet po rriten, dhe ka rrezik që të ketë gjakderdhje”, shkroi Nuzhnaya Gazeta në Telegram.

Sipas mediave vendëse, policia dhe qindra protestues u përleshën, pasi dyshohet se forcat e sigurisë përdorën gaz lotsjellës për ta shpërndarë turmën. Nuk është raportuar për të lënduar apo arrestuar.

Zyra për shtyp e liderit të Abkazisë, Aslan Bzhania, tha se administrata e tij është duke e përdorur një dokument për tërheqjen e projektligjit nga Parlamenti.

Por, protestuesit thanë se nuk do të largohen para se Bzhania të japë dorëheqje.

Tensionet janë rritur dukshëm në javët e fundit në këtë rajon, pasi aktivistët opozitarë janë duke kërkuar t’i japin fund mbizotërimit të Rusisë në këtë rajon dhe në ekonominë e tij, edhe pse partitë opozitare thanë më 15 nëntor se protesta e tyre nuk është kundër Rusisë.

“Veprimet e protestave nuk janë kundër marrëdhënieve mes Rusisë dhe Abkazisë”, thanë ato në një komunikatë.

Ato thanë se janë të zemëruara me Bzhanian, të cilin e akuzojnë se i përdor lidhjet me Moskën “për përfitimet e veta gjatë gjithë kohës së tij në pushtet”.

Abkazia dhe Osetia Jugore u shkëputën nga Gjeorgjia pas rënies së Bashkimit Sovjetik në fillim të viteve ’90.

Moska e njohu pavarësinë e dy rajoneve pasi forcat ruse e zmbrapsën një tentim të Gjeorgjisë për ta rimarrë Osetinë Jugore gjatë një lufte pesëditore në verën e vitit 2008, e cila mbaroi me disfatën e Gjeorgjisë.

Shumica e vendeve ende e njohin Abkazinë si pjesë të Gjeorgjisë, por ekonomia e saj është pothuajse tërësisht e varur nga Moska, e cila ua paguan rrogat administratës publike dhe përfitimet sociale banorëve të saj. REL

Umerov: Ukraina po lufton për të çliruar gjithë territorin e pushtuar

VOA/AP dhe Reuters

Forcat ruse kryen një sulm vdekjeprurës në Odesë gjatë natës duke dëmtuar infrastrukutrën jetike dhe lënë pa ngrohje mijëra banorë në qytetin jugor të Ukrainës.

Ndërkohë, në Kiev po shtohen shqetësimet mbi të ardhmen e ndihmës së huaj ushtarake, pas fitores së Donald Trumpit në garën për Shtëpinë e Bardhës.

Por Ministri ukrainas i Mbrojtjes tha sot se objektivi i ushtrisë së tij nuk ka ndryshuar dhe ai është çlirimi i gjithë territorit të pushtuar nga Rusia.

Ukraina po lufton për të çliruar gjithë territorin e pushtuar nga Rusia dhe çdo pretendim ndryshe është i rremë, tha të premten Ministri ukrainas i Mbrojtjes, Rustem Umerov.

“Para së gjithash, ne po luftojmë për vlerat, liritë dhe interesat kombëtare. Integriteti territorial është pjesë e vlerave tona”, tha ministri ukrainas i Mbrojtjes në një konferencë të përbashkët me homologun e tij norvegjez në Oslo.

I pyetur mbi njoftimet se Ukraina po e zhvendos objektivin e saj në luftë, zoti Umerov tha se këto deklarata janë të rreme dhe pjesë e propagandës ruse.

“Ne vazhdojmë të kemi përparësi mbrojtjen e njerëzve dhe kombit, çlirimin nga pushtimi i përkohshëm pothuajse 10 vjeçar, kështu që Krimea dhe Donbasi janë pjesë e Ukrainës”, u përgjigj ai.

Forcat ukrainase po humbasin territor në lindje, ndërsa në Kiev po shtohen shqetësimet mbi të ardhmen e ndihmës së huaj ushtarake, pas fitores së republikanit Donald Trump në zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara dhe zotimeve të tij për t’i dhënë fund luftës.

Ambasadori rus në Kombet e Bashkuara në Gjenevë tha dje se vendi i tij është i hapur për negociata për t’i dhënë fund luftës, nëse ato vijnë si nismë e Presidentit të zgjedhur amerikan, Donald Trump.

Zoti Trump ka kritikuar në mënyrë të përsëritur shkallën e ndihmës perëndimore për Kievin dhe ka premtuar se do t’i japë fund konfliktit me shpejtësi, por pa ofruar hollësi.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy ka thënë vazhdimisht se paqja mund të arrihet vetëm pas largimit të të gjitha foracve ruse dhe rikthimit të të gjithë territorit të pushtuar nga Moska, përfshirë Krimenë.

Ndërkohë, autoritetet thanë të premten se si pasojë e një sulmi masiv rus në qytetin jugor të Odesës, një person humbi jetën dhe 10 të tjerë u plagosën, ndërsa mijëra banorë pranë portit ukrainas në Detin e Zi kanë ngelur pa energji dhe ngrohje.

“Ishim futur në strehimore dhe po prisnim. Ky është ndoshta shpërthimi me më së shumti shkatërrime që kam parë në luftë”, thotë ukrainasja Natalya.

“Një dron Shahed goditi ndërtesën pranë një shkolle të muzikës. Nuk e dimë se çfarë kishte brenda, por gjendja duket e rëndë”, shpjegon ukrainasi Viachislav.

Guvernatori i rajonit të Odesës, Oleh Kiper tha në rrjetin Telegram se sulmi dëmtoi edhe infrastrukturën e ngrohjes në një spital materniteti.

Për më shumë se 2 vite e gjysmë, Odesa dhe porti jugor ukrainas kanë qenë vazhdimisht në shënjestër të sulmeve ruse.

Ndërkohë, një zyrtar i lartë i OKB-së tha të premten se çdo sulm shtesë rus ndaj sistemit të furnizimit me energji të Ukrainës, mund të shkaktojë një valë të re zhvendosjesh masive.

Ndërsa lufta po shkon drejt dimrit të tretë, këtë herë civilët janë më në rrezik për shkak të goditjeve ruse në sistemin energjetik dhe lodhjes së donatorëve, tha Koordinatori Humanitar i OKB-së në Ukrainë, Matthias Schmale.

“Shqetësimi i vërtetë është nëse do të vihet sërish në shënjestër sektori i energjisë. Kjo mund të ishte një pikë kthese për zhvendosje të mëtejshme masive, si brenda vendit ashtu edhe jashtë tij”, u tha ai gazetarëve në Gjenevë.

Nga fillimi i luftës, në shkurt të vitit 2022, 3.6 milionë ukrainas janë zhvendosur brenda vendit dhe më shumë se 6 milionë banorë kanë ikur përtej kufijve.

Rreth 65 për qind e prodhimit të energjisë në Ukrainë është aktualisht jashtë funksionit për shkak të sulmeve ruse, situatë më e rëndë krahasuar me vitin 2022 dhe 2023, tha zoti Schmale.

Incidenti me Belerin në Tiranë, presidenti i PPE letër Ramës: Nuk janë marrë masa për ta parandaluar aktin

Presidenti i Partisë Popullore Evropiane, Manfred Weber, i ka dërguar një letër kryeministrit Edi Rama, ku ka dënuar sulmin me vezë dhe kos ndaj eurodeputetit Fredi Beleri, i cili ndodhi më 29 tetor pranë Kryesisë së Kuvendit, gjatë pjesëmarrjes së tij në takimet e Delegacionit të Komisionit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit BE-Shqipëri.

Weber thekson në letrën e tij se sulmi ndaj Belerit, i cili ka statusin diplomatik si anëtar i këtij delegacioni, ishte një veprim i papranueshëm, i cili përfshiu dhunë verbale dhe fizike nga një protestues gjatë daljes së eurodeputetit nga Kuvendi i Shqipërisë.

Po ashtu, ai shtoi se ky incident është një dështim i shtetit pritës në garantimin e sigurisë dhe integritetit të një përfaqësuesi të Bashkimit Evropian, dhe shprehet i shqetësuar për mungesën e masave mbrojtëse adekuate në rastin konkret. Ai nënvizoi se incidenti mund të ishte parandaluar, nëse autoritetet shqiptare do të kishin marrë masat e duhura të sigurisë për misionin zyrtar të Belerit.

Weber i bëri thirrje kryeministrit Rama që të sigurohet se ngjarje të tilla nuk do të ndodhin më në të ardhmen dhe se angazhimet ndërkombëtare të Shqipërisë do të respektohen në kuadër të procesit të integrimit në BE.

“Ky sulm përbën një dështim të shtetit pritës dhe, nëse do të ishin marrë masa sigurie, ai mund të ishte shmangur. E dënoj fuqishëm këtë incident dhe kërkoj që të siguroheni që incidente të ngjashme të mos ndodhin më, duke respektuar angazhimet ndërkombëtare të Shqipërisë,” përfundoi Weber. bw

Ukraina e zmbraps sulmin rus në Kupiansk

Ushtarët ukrainas të Brigadës së 24-të qëllojnë një obus drejt pozicioneve ruse në rajonin e Donjeckut, më 13 nëntor.

 

Ushtria e Ukrainës ka thënë të enjten se e ka zmbrapsur një sulm rus në qytezën Kupiansk në verilindje të rajonit të Harkivit, duke i hedhur poshtë pretendimet e Moskës se ka fituar terren në qendrën e rëndësishme strategjike për transportim.

Ndërkohë, sulmet ruse kanë vazhduar të marrin jetë civilësh.

Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë së Ukrainës tha në një komunikatë të enjten se forcat e saj e zmbrapsën sulmin, duke i shkaktuar humbje të mëdha materiale dhe në njerëz Rusisë.

Vitaly Ganchev, zyrtar rus, kishte thënë paraprakisht se forcat ruse kishin zënë pozicione në periferi të Kupianskut dhe se po çajnë përpara në verilindje dhe juglindje të qytezës.

“Informatat për pushtimin e vendbanimit Illinka dhe për zënien e pozicioneve nga trupat ruse në qytezën Kupiansk, janë të pavërteta”, tha Qendra për Komunikime Strategjike e Ushtrisë së Ukrainës të enjten.

“Shtabi i Përgjithshëm informon se dje ushtarët ukrainas ndaluan përparimin e armikut në Kupiansk, shkatërruan të gjitha pajisjet e tij të blinduara dhe eliminuan një pjesë të madhe të forcave të tij njerëzore”, thuhet në komunikatë.

Pretendimet ruse dhe ato ukrainase nuk mund të verifikoheshin në mënyrë të pavarur.

Forcat ruse kapën Kupianskun, një nyje hekurudhore me rëndësi strategjike, menjëherë pas fillimit të pushtimit të paprovokuar të Ukrainës nga Moska në shkurt 2022, por kjo qytezë u çlirua nga trupat ukrainase në një kundërofensivë të shpejtë në vjeshtën e po të njëjtit vit.

Në muajt e fundit, Rusia ka çarë përpara me një ofensivë në rajonin e Harkivit, derisa vazhdimisht po e godet Harkivin, qytetin e dytë më të madh të Ukrainës, me sulme raketore dhe artilerie, duke shkaktuar viktima të shumta mes civilëve dhe duke dëmtuar infrastrukturën civile dhe atë energjetike.

Të enjten, ambasadori i Rusisë në Kombet e Bashkuara në Gjenevë, Gennady Gatilov, tha se Kremlini është i hapur për bisedime për paqe, nëse administrata e re e presidentit të zgjedhur amerikan, Donald Trump, i inicion ato, dhe nëse merren parasysh “realitetet në terren”.

Në ditët e fundit, Rusia ka fituar t erren në afërsi të qytezës së dëmtuar rëndë, Kurahove, në rajonin e Donjeckut dhe po kërcënon me rrethimin e tij.

Mëngjesin e së enjtes, sistemet e mbrojtjes ajrore i rrëzuan 21 nga 59 dronët e lëshuar nga Rusia në Ukrainë, raportoi Forca Ajrore e Ukrainës.

Dy njerëz u vranë dhe tetë të tjerë u plagosën gjatë 24 orëve të fundit në fshatin Shevchenko në Donjeck si pasojë e sulmeve ruse, raportoi zyra e prokurorit rajonal.

Ndërkohë, Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha se mbrojtja e saj ajrore rrëzoi dy dronë ukrainas të enjten, një mbi rajonin Kursk dhe një tjetër mbi rajonin Belgorod. REL

Polonia vlerëson hapjen e bazës amerikane si shenjë të sigurisë së saj

VOA/Marrë nga Reuters

Shtetet e Bashkuara hapën një bazë të re të mbrojtjes ajrore në veri të Polonisë të mërkurën. Presidenti polak vlerësoi se kjo tregon se vendi i tij është i sigurt si anëtar i NATO-s në një kohë kur Ukraina fqinje është në luftë me forcat ruse.

Sistemi i mbrojtjes ajrore amerikane u vendos në një bazë që ishte planifikuar të hapej nga vitet 2000, në qytetin Redzikowo, pranë bregut të Baltikut.

Fitorja e republikanit Donald Trump në zgjedhjet presidenciale të Shteteve të Bashkuara ka krijuar shqetësime në mesin e disa anëtarëve të NATO-s. Megjithatë, Varshava thotë se vazhdimi i punës në këtë bazë nga presidentët e njëpasnjëshëm amerikan tregon se aleanca ushtarake e Polonisë me Uashingtonin mbetet solide, pavarësisht se kush e fiton Shtëpinë e Bardhë.

“Shtetet e Bashkuara janë garantuesi i sigurisë së Polonisë”, tha presidenti Andrzej Duda.

Ai tha se prania e përhershme e trupave amerikane në bazë tregoi se Polonia, një shtet komunist deri në vitin 1989, “nuk ishte në sferën ruse të ndikimit”.

Kremlini e quajti bazën të mërkurën një përpjekje për të penguar Rusinë duke afruar infrastrukturën ushtarake amerikane pranë kufijve të saj.

Hapja vjen mes shqetësimeve midis disa anëtarëve të NATO-s për zgjedhjen e zotit Trump, i cili është zotuar të mos ofrojë mbështetje për vendet që nuk shpenzojnë mjaftueshëm për mbrojtjen.

Megjithatë, Varshava thotë se Polonia nuk ka arsye për shqetësim pasi nga vendet anëtare të NATO-s shpenzon më shumë për mbrojtjen, në raport me përmasat e ekonomisë së saj. Presidenti konservator Duda gjithashtu ka theksuar lidhjet e tij të ngrohta me Presidentin e zgjedhur Trump.

Baza amerikane në Redzikowo është pjesë e një mburoje më të gjerë nga raketat të NATO-s, të quajtur “Aegis Ashore”, për të cilën aleanca thotë se mund të diktojë raketa balistike me rreze të shkurtër dhe të mesme.

Elementë të tjerë me rëndësi kyçe të kësaj mburoje përfshijnë një bazë tjetër në Rumani, prania e një anijeje luftarake amerikane në portin spanjoll Rota dhe një radar në Kurecik të Turqisë.

Moska e ka shpallur bazën një kërcënim që në vitin 2007, kur po bëheshin planet për hapjen e saj.

NATO thotë se qëllimi i bazës është vetëm mbrojtja.

Burime ushtarake i thanë agjencisë së lajmeve Reuters se sistemi në Poloni tani mund të përdoret vetëm kundër raketave të lëshuara nga Lindja e Mesme dhe radarit do t’i duhet një ndryshim në drejtim për të kapur predha nga Rusia. Kjo është një procedurë komplekse që kërkon një ndryshim të politikës.

Ministri polak i Mbrojtjes Wladyslaw Kosiniak-Kamysz tha të hënën se fushëveprimi i mburojës duhej të zgjerohej, një gjë që Varshava do ta diskutonte me NATO-n dhe Shtetet e Bashkuara.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Mark Rutte do të takohet me Presidentin Duda dhe Kryeministrin polak Donald Tusk në Varshavë, në orët e mbrëmjes të mërkurën.

Arrihet marrëveshja: Gjermania shkon në zgjedhje të reja më 23 shkurt

BILD

Tani është e qartë: Gjermania do të zgjedhë një Bundestag të ri në fund të shkurtit!

Pas diskutimeve të përbashkëta, kreu i grupit parlamentar të SPD, Rolf Mützenich dhe kreu i grupit parlamentar të CDU, Friedrich Merz arritën një marrëveshje: zgjedhjet duhet të zhvillohen në 23 shkurt.

FDP dhe Të Gjelbrit gjithashtu ka të ngjarë të mbështesin këtë datë.

Prandaj, kancelari Olaf Scholz ndoshta do të kërkojë votëbesimin përpara datës 15 janar.

Data më e mundshme është 18 dhjetori – gjashtë ditë para Krishtlindjeve.

Sekretari i Përgjithshëm i CDU-së, Carsten Linnemann, kishte thënë në ZDF “Morgenmagazin” se ndoshta do të ketë zgjedhje të reja më 16 ose 23 shkurt.

“Shpresoj dhe jam i sigurt se do të kemi qartësi shumë shpejt. Ndoshta në orët e ardhshme”. sn

Gjykata në Romë sërish merr vendim kundër ndalimit të emigrantëve në Shqipëri

Anija e marinës italiane, Libra, duke dërguar në Shëngjin grupin e parë të emigrantëve.

 

Gjykatësit në Romë kanë refuzuar që të miratojnë ndalimin e një grupi emigrantësh në qendrat në Shqipëri, që operohen nga Italia, duke e dërguar këtë çështje te Gjykata Evropiane e Drejtësisë.

Ky veprim paraqet një goditje të re për planin e kryeministres italiane, Giorgia Meloni, për të dërguar emigrantët në dy qendra të pritjes, teksa shtatë burrat që janë të përfshirë në këtë rast pritet të transferohen së shpejti në Itali, raportoi AFP.

Kjo është hera e dytë që gjykata në Romë merr vendim kundër planit të Melonit. Më 18 tetor, gjykatësit kishin refuzuar urdhrat që një grup emigrantësh të mbahej në një qendër të pritjes në Shqipëri, duke thënë se ata kanë të drejtë të dërgohen në Itali.

Aktualisht, vetëm shtatë emigrantë – pesë nga Bangladeshi dhe dy nga Egjipti – ndodhen në qendrën e pritjes në Shqipëri.

Emigranti i fundit që u kthye në Itali më 9 nëntor ishte një person nga Egjipti, që u diagnostikua me “probleme psikikike” dhe prandaj u tha se ishte e pamundur që të mbahej në qendrën në Gjadër.

Grupi prej tetë emigrantësh ishte i dyti që u dërgua në Shqipëri prej se qendrat e pritjes filluan punën në tetor, sipas marrëveshjes së arritur mes Italisë dhe Shqipërisë vitin e kaluar.

Marrëveshja lejon që deri në 3.000 emigrantë – që kapen nga roja bregdetare italiane në ujërat ndërkombëtare çdo muaj – të dërgohen në Shqipëri, ku do të vlerësohen për fitimin e azilit në Itali, apo kthimin mbrapsht në vendet e tyre.

Italia është pajtuar t’i mirëpresë emigrantët që fitojnë azilin, ndërsa atyre që nuk u pranohen kërkesat për azil, dëbohen drejtpërdrejt nga Shqipëria.

Italia i dërgoi në Shqipëri fillimisht një grup prej 16 emigrantësh nga Bangladeshi dhe Egjipti muajin e kaluar. Katër prej tyre u kthyen në Itali në ditën e njëjtë, sepse ishin të mitur ose kishin probleme shëndetësore.

Dymbëdhjetë të tjerët u kthyen mbrapsht tri ditë më vonë, pas një gjykatë në Romë urdhëroi që ata të mos mbahen në Shqipëri për shkak se vendet e tyre të origjinës – Bangladeshi dhe Egjipti – nuk ishin vende të sigurta.

Kryeministrja Meloni e ka përditësuar statusin ligjor në listën e vendeve të sigurta, duke e bërë atë akt ligjor në vend se dekret ministrial, duke besuar se kjo do ta bëjë më të vështirë për gjykatat ta sfidojnë vlefshmërinë e tij.

Marrëveshja pesëvjeçare është thënë se do t’i kushtojë Italisë 160 milionë euro në vit.

Sipas marrëveshjes, procedurat për emigrantët do të kryhen në dy qendra.

Qendra e parë në Shëngjin do të përdoret për procedura të identifikimit të emigrantëve, ndërsa qendra e dytë, në Gjadër, rreth 20 kilometra larg portit, do të shërbejë për strehim të emigrantëve derisa të procesohen kërkesat për azil.

Qendrat do të funksionojnë sipas ligjit italian, me staf italian të sigurisë, ndërsa gjyqtarët do t’i mbajnë seancat përmes video-lidhjes nga Roma. REL

Erdogani shpreson që Trumpi të përmbushë premtimet për t’i dhënë fund konflikteve në Lindjen e Mesme

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan thotë se shpreson që presidenti i sapozgjedhur i SHBA-së, Donald Trump, të përmbushë premtimet për t’i dhënë fund konfliktit në Lindjen e Mesme dhe t’i thotë Izraelit të “ndalojë” agresionin e tij.

Duke folur me një grup gazetarësh gjatë kthimit nga Hungaria, Erdogan tha gjithashtu se ndërprerja e mbështetjes së armëve të SHBA për Izraelin, “do të ishte një fillim i mirë” drejt përfundimit të konfliktit në Liban dhe territoret palestineze.

“Ne duam që ai premtim të përmbushet dhe që Izraelit t’i thuhet të ndalojë”, cituan gazeta Hurriyet dhe media të tjera të thoshte Erdogan të premten.

Turqia është bërë një nga kritikët më të zëshëm të Izraelit, duke akuzuar vendin për kryerjen e gjenocidit në Gaza dhe duke kritikuar ashpër vendet perëndimore për mbështetjen e Izraelit./ AP. sn

Kandidatja për komisionare të Zgjerimit kundër shkëmbimit të territoreve mes Kosovës e Serbisë

Radio Evropa e Lirë

Kandidatja për komisionare të Zgjerimit e BE-së, sllovenia Marta Kos, ka thënë të enjten se ajo nuk do t’i ndiqte tendencat e shkëmbimit të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë.

Ajo i bëri këto komente duke folur në një seancë dëgjimore në Parlamentin Evropian (PE), ku u është përgjigjur pyetjeve të deputetëve në komisionin e politikës së jashtme të PE-së.

“Sa i përket shkëmbimit të territorit, jo. Jo. Komisioni Evropian dhe unë, nëse konfirmohem, nuk do t’i ndjekim këto tendenca”, ka thënë ajo pasi është pyetur për idetë për shkëmbimin e territoreve mes Kosovës dhe Serbisë, të cilat, sipas deputetit që bëri pyetje, mund të kthehen përsëri në tryezë pas fitores së Donald Trumpit në zgjedhjet presidenciale amerikane.

Administrata e mëparshme e Trumpit ka thënë se nuk do ta kundërshtonte shkëmbimin e territoreve mes Kosovës dhe Serbisë për ta zgjidhur mosmarrëveshjen mes tyre, me kusht që Prishtina dhe Beogradi do të përpunonin një “zgjidhje të kënaqshme reciproke”.

Kos është pyetur gjithashtu edhe për rolin e saj të mundshëm në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

Ajo shprehu gatishmëri për të punuar me Kaja Kallasin, e cila pritet të konfirmohet në postin e përfaqësues për politikë të jashtme të BE-së, dhe ta marrë përsipër ndërmjetësimin e dialogut mes dy vendeve fqinje.

“Dialogu formalisht është në duart e Kaja Kallasit. Unë do të punoj sigurisht me të. Pasi e njoh këtë rajon dhe mentalitetin, dua të bashkëpunoj në këtë fushë. Të lëvizim përpara. Është bërë shumë formalisht deri me tani”, tha ajo.

Ajo tha se pret nga Kosova dhe Serbia ta zbatojnë marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve, për të cilën u pajtuan në fillim të vitit 2023 në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja.

Por, Kos paralajmëroi se “nëse gjërat nuk shkojnë, duhet të gjejmë një rrugë të re”, duke e cituar Albert Ajnshtajnin se “është çmenduri të vazhdosh ta bësh të njëjtën gjë çdo ditë dhe të presësh rezultat tjetër“.

Nga burimet e Parlamentit Evropian mësohet se Kos ka marrë mbështetjen e shumicës së nevojshme në Komisionin e politikës së jashtme të PE-së për të ushtruar funksionin e komisionares për Zgjerim.

Negociatat për anëtarësim me Malin e Zi e Shqipërinë mund të mbyllen brenda vitesh

Ndërkaq, duke folur për zgjerimin, kandidatja për komisionare ka thënë se Mali i Zi dhe Shqipëria kanë mundësi t’i përmbyllin bisedimet për anëtarësim në bllok deri në vitin 2026 dhe 2027, përkatësisht.

Kos shpreson ta marrë pëlqimin e komisionit për t’u emëruar në postin e komisionares për Zgjerim.

Ajo tha gjatë seancës dëgjimore se do të jetë e “përkushtuar” për ta përshpejtuar procesin e zgjerimit dhe se do ta mbajë si parim qëndrimin se vendet kandidate duhet të anëtarësohen në bazë të meritave dhe përmbushjes së reformave dhe kushteve për anëtarësim.

“Sot, për herë të parë pas dhjetë vjetësh, ekziston një mundësi reale për t’i afruar një apo dy vende nga fundi i procesit të negociatave. Mund të ndodhë që ne mund t’i përmbyllim negociatat me Malin e Zi, t’i mbyllim të gjithë kapitujt, deri në fund të vitit 2026. Me Shqipërinë deri në vitin 2027”, tha ajo.

Mali i Zi i ka hapur të gjithë kapitujt e negociatave dhe ka mbyllur përkohësisht 3. Pas disa vitesh stagnimi, ky vend i ka rinisur negociatat në qershor të këtij viti dhe tani po punon drejt mbylljes së tyre.

Në anën tjetër, Shqipëria e hapi kapitullin e parë të negociatave për anëtarësim me Bashkimin Evropian më 15 tetor.

Kos theksoi se gjatë mandatit të saj, nëse do të emërohet, do të ngulë këmbë që edhe BE-ja t’i mbajë premtimet ndaj vendeve në procesin e zgjerimit.

Gjatë seancës ajo disa herë është pyetur, kryesisht nga deputetët e së djathtës ekstreme nga vendet lindore të bllokut, për dyshimet se në të kaluarën ka bashkëpunuar me shërbimet e zbulimit të ish-Jugosllavisë. Ajo i ka hedhur poshtë këto akuza.

Ajo u propozua për këtë post në shtator nga presidentja e zgjedhur e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen. Nëse konfirmohet, Kos do ta zëvendësojë në këtë pos Oliver Varhelyin.

Konfirmimi formal i komisionerëve do të bëhet në fund të procesit kur të përfundojnë seancat dëgjimore për të gjithë kandidatët. Synohet që Komisioni i ri Evropian të konfirmohet në seancën plenare të Parlamentit Evropian me 25 nëntor dhe të nisë mandatin më 1 dhjetor.

Presidenti gjerman: Fundi i një koalicioni nuk është fundi i botës, krizën politike duhet ta lëmë pas

Presidenti i Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier i quajti orë “dramatike” orët e përjetuara “në politikën e jashtme si dhe të brendshme”, që të mërkurën në mbrëmje (06.10.) dhe që të martën.

“Debati publik dhe interesi medial është përqendruar plotësisht në pasojat pas vendimeve të zgjedhjeve në SHBA dhe që prej dje në mbrëmje këtu në Gjermani”, tha ai sot (07.10) në një deklaratë në Berlin.

Situatën e pazakontë për Gjermaninë, presidenti Steinmeier e argumentoi me faktin që “ka ndodhur rrallë” “në historinë 75-vjeçare të Republikës Federale, që një koalicion qeverisës të mos ketë më shumicë në Bundestagun Gjerman para përfundimit të periudhës legjislative.”

Steinmeieri kuptoi me këto fjalë daljen dje të partisë liberal-konservatore FDP nga koalicioni trepartiak qeverisës me socialdemokratët (SPD) dhe Të Gjelbrit. Këto e lanë koalicionin Scholz, rreth 3 vjet pas ardhjes në pushtet, pa shumicë në Bundestag.

Presidenti Steinmeier deklaroi se do të nënshkruajë në mesditë kërkesën për lirimin nga detyra të ministrit të Financave të Gjermanisë, Christian Lindner nga FDP. Këtë kërkesë ia paraqiti dje në mbrëmje kancelari Olaf Scholz. Dy ministra të tjerë liberalë në qeveri, Buschmann dhe Stark-Watzinger kanë paraqitur nga ana e tyre dorëheqjen, konfirmoi Presidenti gjerman.

Por “fundi i një koalicioni nuk është fundi i botës, është një krizë politike që duhet dhe do ta lëmë pas” shtoi Steinmeier. Ai tërhoqi vëmendjen se “demokracia jonë është e fortë” dhe se kushtetuta, ligji themelor kanë përcaktime të qarta për pjesën tjetër të procedurës.

Parlamenti mund të hapë rrugën për zgjedhje të reja pasi kancelari e humbet votëbesimin. Kancelari Scholz “deklaroi se do ta kërkojë votëbesimin në Bundestag”.

Gjermanisë i duhen “shumica të qëndrueshme dhe një qeveri e aftë për veprim”.
Steinmeier kujtoi se është Presidenti i Gjermanisë ai që vendos për shpërndarjen e Bundestagut. Por ai tha se “jam i gatshëm për këtë vendim” “nëse Bundestagu ia heq votëbesimin kancelarit federal në kuadrin e procedurës së parashikuar në nenin 68 të Ligjit Themelor.”

Presidenti i Gjermanisë tha se ishte i ndërgjegjshëm se kushtetuta gjermane “e lidh këtë vendim me parakushte”. Por “kriteri i verifikimit” të vendimit për Steinmeierin do të jetë maksima se Gjermania “ka nevojë për shumica të qëndrueshme dhe për një qeveri të aftë për veprim”.

Presidenti Steinmeier bëri thirrje për “arsye dhe përgjegjësi” në situatën aktuale dhe për të mos u marrë me “taktika dhe përleshje”.

Ai tha se shumë njerëz në Gjermani “vështrojnë me shqetësim situatën e pasigurtë politike” në Gjermani, në Evropë dhe në botë “edhe pas zgjedhjeve në SHBA”.

Presidenti gjerman kujtoi në fund sfidat e pazakonta me të cilat përballet bota dhe Gjermania. “Pres që të gjithë ata që janë përgjegjës të përgjigjen në përputhje me përmasën e sfidave”, përfundoi ai./DW/

Kryeministri polak: Presidenca e Trumpit do të ketë pasoja për sigurinë evropiane

Kryeministri polak Donald Tusk ka thënë se fitorja e Donald Trump në zgjedhjet presidenciale amerikane do të ketë pasoja të rënda për sigurinë evropiane, por ai shtoi se nuk mund të parashikojë saktësisht se cilat do të jenë ato pasoja.

“Zgjedhjet në SHBA do të kenë pasoja serioze për politikën evropiane, veçanërisht në fushën e sigurisë”, tha ai në një konferencë shtypi përpara fluturimit të tij në Budapest për një samit të liderëve evropianë.

“Për ne është shumë e rëndësishme, dua ta theksoj këtë, Polonia ka interesa të përcaktuara qartë,” tha ai.

Kryeministri polak tha se mesazhi i tij kryesor për liderët e tjerë evropianë do të ishte “konsolidimi i marrëdhënieve transatlantike”, duke shtuar se ai kishte “marrëdhënie të mira personale” me Trump gjatë mandatit të tij të parë kur ai ishte President i Këshillit Evropian.

Ai e përshkroi Trumpin si një partner “kërkues” që besonte në përdorimin e “paparashikueshmërisë” në politikë si ndaj aleatëve ashtu edhe ndaj armiqve të tij.

“Ne duhet të jemi të përgatitur për një ndryshim në krahasim me presidencën e Joe Biden. A do të thotë kjo- për ne në çështjet kyçe të sigurisë, Ukrainës, Rusisë, luftës – një kthesë në Uashington? Unë nuk njoh askënd që mund t’i përgjigjet saktësisht kësaj pyetje”, shtoi ai. bw

Marta Kos: Negociatat për anëtarësim me Malin e Zi e Shqipërinë mund të mbyllen brenda vitesh

Kandidatja për komisionare të Zgjerimit të BE-së, sllovenia Marta Kos, ka thënë të enjten se Mali i Zi dhe Shqipëria kanë mundësi t’i përmbyllin bisedimet për anëtarësim në bllok deri në vitin 2026 dhe 2027, përkatësisht.

Ajo i bëri këto komente duke folur në një seancë dëgjimore në Parlamentin Evropian (PE), ku u është përgjigjur pyetjeve të deputetëve në komisionin e politikës së jashtme të PE-së.

Kos shpreson ta marrë pëlqimin e komisionit për t’u emëruar në postin e komisionares për zgjerim.

Ajo tha gjatë seancës dëgjimore se do të jetë e “përkushtuar” për ta përshpejtuar procesin e zgjerimit dhe se do ta mbajë si parim qëndrimin se vendet kandidate duhet të anëtarësohen në bazë të meritave dhe përmbushjes së reformave dhe kushteve për anëtarësim.

“Sot, për herë të parë pas dhjetë vjetësh, ekziston një mundësi reale për t’i afruar një apo dy vende nga fundi i procesit të negociatave. Mund të ndodhë që ne mund t’i përmbyllim negociatat me Malin e Zi, t’i mbyllim të gjithë kapitujt, deri në fund të vitit 2026. Me Shqipërinë deri në vitin 2027”, tha ajo.

Mali i Zi i ka hapur të gjithë kapitujt e negociatave dhe ka mbyllur përkohësisht 3. Pas disa vitesh stagnimi, ky vend i ka rinisur negociatat në qershor të këtij viti dhe tani po punon drejt mbylljes së tyre.

Në anën tjetër, Shqipëria e hapi kapitullin e parë të negociatave për anëtarësim me Bashkimin Evropian më 15 tetor.

Kos theksoi se gjatë mandatit të saj, nëse do të emërohet, do të ngulë këmbë që edhe BE-ja t’i mbajë premtimet ndaj vendeve në procesin e zgjerimit.

Por, nuk është e qartë nëse Kos do të emërohet, pasi, sipas burimeve të Radios Evropa e Lirë në PE, besohet se ajo mund të jetë një nga kandidatet që mund të votohet që të mos emërohet komisionare për Zgjerim.

Ajo u propozua për këtë post në shtator nga presidentja e zgjedhur e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen. Nëse konfirmohet, Kos do ta zëvendësojë në këtë pos Oliver Varhelyin.

Kos është pyetur gjithashtu edhe për rolin e saj të mundshëm në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

Ajo shprehu gatishmëri për të punuar me Kaja Kallasin, e cila pritet të konfirmohet në postin e përfaqësues për politikë të jashtme të BE-së, dhe ta marrë përsipër ndërmjetësimin e dialogut mes dy vendeve fqinje.

“Dialogu formalisht është në duart e Kaja Kallasit. Unë do të punoj sigurisht me të. Pasi e njoh këtë rajon dhe mentalitetin, dua të bashkëpunoj në këtë fushë. Të lëvizim përpara. Është bërë shumë formalisht deri me tani”, tha ajo.

Ajo tha se pret nga Kosova dhe Serbia ta zbatojnë marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve, për të cilën u pajtuan në fillim të vitit 2023 në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja.

Por, Kos paralajmëroi se “nëse gjërat nuk shkojnë, duhet të gjejmë një rrugë të re”, duke e cituar Albert Ajnshtajnin se “është çmenduri të vazhdosh ta bësh të njëjtën gjë çdo ditë dhe të presësh rezultat tjetër“.


Send this to a friend