Presidenti turk, Rexhep Tajip Erdogan, pas takimit që pati me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se e ka në plan që ta diskutojë çështjen e centralit bërthamor të Zaporizhjas me homologun e tij rus, Vladimir Putin.
Rusët e kanë marrë kontrollin e kësaj zone, pak pas nisjes së luftës në Ukrainë më 24 shkurt.
Duke folur për media pas kthimit nga Ukrainë, Erdogani e quajti situatën në Zaporizhja, centrali bërthamor më i madhi në Evropë, “një kërcënim për botën”.
Më 18 gusht në Lviv të Ukrainës, Zelensky është takuar me Erdoganin dhe sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, ku kanë diskutuar për centralin bërthamor të Zaporizhjas.
Erdogan shtoi se Zelensky i ka thënë gjatë takimit që pati me të në Lviv të Ukrainës, see ai dëshiron që Rusia të çminojë zonën përreth centralit bërthamor.
“Ne do ta diskutojmë këtë çështje me presidentin Putin dhe do t’i kërkojmë atij në mënyrë specifike që Rusia të bëjë pjesën e saj në këtë drejtim, si një hap i rëndësishëm për paqen botërore. [Rusët] duhet të ndërmarrin këtë hap. Ukraina ka stafin e saj teknik dhe forcat e veta ushtarake në zaporizhja. Dhe ata janë në gjendje të ofrojnë siguri me stafin e tyre teknik dhe ushtarët atje”, tha Erdogan.
Një ditë më parë Erdogan paralajmëroi “ne nuk duam një tjetër Çernobil”.
Kompania shtetërore bërthamore e Ukrainës, Energoatom, më 19 gusht akuzoi forcat ruse se planifikojnë të fiknin blloqet funksionale të energjisë në termocentral dhe t’i shkëputnin ato nga rrjeti i energjisë ukrainase.
Ata thanë se masa ishte pjesë e një “provokimi në shkallë të gjerë” të planifikuar nga Moska, e cila vetë akuzoi Kievin për përgatitjen e një “provokimi” në vend.
Duke folur në portin e Odesës në Detin e Zi më 19 gusht, Guterres theksoi se energjia elektrike e prodhuar nga uzina i përket Ukrainës dhe i bëri thirrje Rusisë që të mos e ndërpresë centralin nga rrjeti elektrik i vendit.
“Është e nevojshme veçanërisht gjatë dimrit për popullin ukrainas”, tha Guterres. “Ky parim duhet të respektohet plotësisht.”
Më 18 gusht, pas bisedimeve me Erdoganin dhe sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, Zelensky tha se ishte dakord me parametrat e një misioni nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike (IAEA) në centralin bërthamor të Zaporizhjas.
Një zëdhënës i ministrisë së Jashtme ruse e quajti planin për çmilitarizimin e zonës rreth centralit “të papranueshme”, duke thënë se ai do ta bënte centralin edhe më të prekshëm ndaj sulmeve.
Rusia nuk e mohon se ka trupa të vendosura në uzinë, por ka kundërshtuar pretendimet se ka bombarduar zonën. Në vend të kësaj, Moska fajëson forcat ukrainase për gjuajtjen e predhave të artilerisë në zonë, të cilën zyrtarët në Kiev e mohojnë.
Komentet