Botimet zyrtare të derisotme tregojnë se historiografia shqiptare nuk e ka pasqyruar me objektivitet shkencor qëndresën e popullsisë së Nikaj-Mërturit kundër ekspeditës ushtarake të komanduar nga gjenerali Shefqet Turgut Pasha në vitin 1910. Në tekstin “Historia e Shqipërisë”, për shkollat e mesme, Tiranë, 1973, për këtë ngjarje shkruhet në mënyrë të përgjithshme dhe të përciptë: “Pasi ra kryengritja e Kosovës, korparmata turke, nën komandën e Shefqet Turgut Pashës, kaloi në korrik në vilajetin e Shkodrës për të kryer edhe këtu çarmatimin e popullsisë dhe rekrutimin e ushtarëve”1.
Për fat të keq, kjo mungesë objektiviteti ka vazhduar edhe pas vendosjes së sistemit demokratik. Në tekstin “Historia e popullit shqiptar”, për shkollat e mesme, Tiranë 1994”, aty ku flitet për kryengritjen e vitit 1910, shkruhet: “Pas rënies së kryengritjes në Kosovë, qeveria xhonturke, që synonte të godiste gjithë Lëvizjen Kombëtare, urdhëroi trupat e veta të vazhdonin operacionin në krahinat e tjera. Gjatë këtij marshimi në Shqipërinë e Veriut dhe të Mesme, kudo u shpall shtetrrethimi, u bënë ndjekje e arrestime, u ngritën gjyqe ushtarake, u mbyllën klubet dhe gazetat shqipe” 2.
Të nxitur nga qëndrimi nënvleftësues i historiografisë zyrtare, edhe instanca apo individë të tjerë janë përpjekur ta nënçmojnë ose ta shpërfillin fare faktin historik se ushtria otomane e ndërpreu marshimin e saj drejt Shkodrës, përmes maleve të Dukagjinit, dhe u detyrua të ndryshonte itinerarin e saj.
Jam i prirë të mendoj se ata që kanë mbajtur qëndrime të tilla ose nuk i kanë njohur sa duhet faktet dhe dokumentet që lidhen me këtë periudhë, ose janë nisur nga motive të urrejtjes krahinore dhe fetare, për të lënë në hije qëndresën e krahinës së Nikaj-Mërturit, së cilës historia i dha mundësinë të shpaloste vlerat e saj të mëdha shpirtërore e luftarake.
* * *
Synimet e ekspeditës ushtarake të Shefqet Turgut Pashës nuk kufizoheshin thjesht me nënshtrimin, me çarmatosjen e popullsisë dhe me mbledhjen e nizamëve (rekrutëve). Në librin e tij “Udhëtime nëpër Ballkan”, albanologu Franc Nopça, i cili është takuar me gjeneralin osmanlli, shkruan: “Siç ma theksoi qartë ai, programi i tij ishte që Shqipërinë e Veriut ta kthente në një shkretëtirë dhe pastaj këtë shkretëtirë ta popullonte me emigrantë myslimanë të ardhur nga Bosnja. Këtë specifikë, emigrantë boshnjakë dhe jo nga Anadolli, ma theksoi në mënyrë të veçantë” 3.
Ambicia e këtij oficeri madhor të Perandorisë Osmane për të nënshtruar shqiptarët del në pah edhe në këngët popullore që flasin për këtë periudhë: “Të shtatë krajlat bajnë pleqni:/- Na duel dore kjo Shqipni,/Na duel dore Shqipnia krejt./Dërgut Pasha ni fjalë po e flet:/- Në ma dhaç mue për tri vjet,/Kur ta ap, ta ap tërbjet./Po i marr t’dhetë, po i marr xhelep/Dal sylahin jau mbledh krejt,/I marr nizamin ka’ tri vjet” 4.
Megjithëse ushtria që komandonte Shefqet Turgut Pasha kishte mbi dyzet mijë veta5 dhe ishte e pajisur me armët më moderne që prodhonin fabrikat e Evropës në atë kohë, shqiptarët nuk ngurruan t’i dilnin përpara për t’i prerë rrugën këtij përbindëshi apokaliptik që do të shkelte trojet e tyre. Luftime të përgjakshme u zhvilluan sidomos në Grykën e Kaçanikut: “Hipi n’post ni sulltan i ri,/E çoi asqerin në Shqipni,/Me gri burra e me gri fmi./N’ Kaçanik kur desht me hi,/Kaçanikut raftu pika,/Nuk e lshoi pa u therë me thika!/U ther me thika shtatë sahat,/U mbyt kali m’ not në gjak” 6.
Pasi mposhti qëndresën e luftëtarëve kosovarë, ushtria e Shefqet Turgut Pashës e vazhdoi marshimin drejt Shqipërisë së Veriut. Për të siguruar një shkallë sa më të lartë manovrimi, ai i ndau trupat e tij në dy pjesë: njërën prej tyre e nisi në drejtim të Qafës së Morinës, kurse tjetrën në drejtim të Bytyçit7.
Të parët që i dolën përpara kolonës ushtarake që kaloi nëpër Qafën e Morinës qenë luftëtarët e Gashit, të udhëhequr nga Halil Brahimi. Ushtria otomane u prit me luftë edhe në Krasniqe. Për të kaluar me sa më pak dëme nëpër këtë krahinë, gjenerali osmanlli përdori të gjitha mjetet për të bërë për vetë prijësin e saj, Shaban Binakun, i cili pas shpalljes së Hyrjetit kishte shkelur me këmbë fotografinë e sulltan Hamitit, duke thënë se aty e mbrapa vetë ai do të ishte mbreti i atij vendi8.
Të bindur se pas kalimit nëpër Gash e Krasniqe ushtria otomane do të marshonte drejt krahinës së tyre, banorët e Nikaj-Mërturit u mblodhën në kuvend dhe vendosën të zinin pritat në shtegun kryesor që të çonte në viset e tyre, në Qafën e Kolçit9. Ata nuk e përfillën numrin e madh të ushtarëve të Turgut Pashës, duke u nisur nga parimi se malësorët numërimin nuk e përdorin për njerëzit, po për bagëtinë.
Një kronist, bashkëkohës i këtyre ngjarjeve, shkruan: “Në Qafë të Kolçit qëndruan trimnisht burrat e Nikajt e të Mërturit, por mjetet që kishin, ishin të mangta, armët që përdoreshin të vjetra e aq pak në numër, sa me ia tutë synin aspak nji ushtris së madhe e rreptë, si ishte ajo e turkut, së cilës as nuk i mungonte kurrgja, por i dilte e i tepronte çdo mjet luftimi edhe ma i riu si mauzerë, topa e mitraloza” 10.
Për t’i ligështuar dhe për t’i poshtëruar malësorët e armatosur me pushkë të vjetruara, Shefqet Turgut Pasha dha urdhër që topat të mbusheshin me gjyle shpërthyese që lëshonin një flakë verbuese. Këto gjyle të panjohura më parë patën një ndikim të madh psikologjik e luftarak. Pluhuri dhe ciflat e gurëve, i pengonin malësorët jo vetëm të merrnin në shenjë, por edhe t’i futnin fishekët në foletë e pushkëve11.
Në ato luftime, ku ishte e vështirë të dalloje luftëtarin e zakonshëm nga prijësi me përvojë, u shquan Sokol Basha, bajraktari i Nikajt; Shytan Brahimi, krye nga Nikajt; Gjelosh Rama i Currajve të Epër, Dedë Trimi, krye nga Merturi; Tunxh Miftari, Sadik Gjergji, shtëpi e parë në Palç dhe Prelë Tuli, Trimi i Salcës…12
Epërsia ushtarake e armikut i detyroi luftëtarët e Nikaj-Mërturit të tërhiqeshin nga Qafa e Kolçit. Ushtria otomane e kaloi këtë grykë të përgjakur që binte erë barut dhe vërshoi në thellësi të krahinës. Komanda ushtarake u vendos te Gurra e Hasan Gashit, një pikë strategjike, ku shihej si në pëllëmbë të dorës tërë lugina. E komanduar nga një kapiten, pararoja e ushtrisë kapërceu Lumin e Madh, Lumin e Vogël dhe mbërriti në Gjonpepaj, te kisha e Nikajt. Kjo kishë shpëtoi pa u përdhosur vetëm falë ndërhyrjes së një oficeri osmanlli që ishte me origjinë shqiptare: “Këtu i do dijtë begut të Kosovës (Ali Begut, A.P.) në qoftë se meshtari pështoi (shpëtoi, A.P.) pa u burgosë e kisha pa u dhunue. Shqiptari çdo fejet të jetë, asht shqiptar dhe gjakun s’e harron as vëllan s’e poshtnon para të huejit”13.
Malësorët që kishin armë ishin shpërndarë nëpër male. Ata qëllonin herë pas here kundër çadrave të ushtrisë pushtuese14. Komanda ushtarake thirri bajraktarin Sokol Basha bashkë me krerët e Nikajt, të cilët i urdhëroi të dorëzonin armët, të regjistronin pjesëtarët e familjes, gjënë e gjallë dhe pasurinë, të çonin ushtarë meshkujt nga pesëmbëdhjetë deri në gjashtëdhjetë vjeç, pa marrë parasysh nevojat familjare a ndonjë mungesë shëndetësore. Taksa për dhen e për dhi do të ishte nga pesë grosh për kokë, kurse për derrat do të ishte nga dhjetë grosh për kokë. Po të mos plotësoheshin këto kërkesa, oficerët osmanlinj kërcënuan se do të pushkatonin krerët dhe do të arrestonin malësorët e thjeshtë15.
Të gjendur para këtyre kërcënimeve, krerët e Nikaj-Mërturit u detyruan t’i pranonin kërkesat e komandës së ushtrisë otomane, ashtu siç kishin bërë fqinjët e tyre në Gash e në Krasniqe. Të vetmit që nuk pranuan të takoheshin me të dërguarit e Shefqet Turgut Pashës, qenë krerët dhe banorët e katundeve Palç, Salcë e Brisë, të cilat shtriheshin në perëndim të krahinës, në kufi me Dukagjinin.
Kur oficerët e ushtrisë otomane u çuan fjalë tri katundeve të panënshtruara të dorëzonin armët, përndryshe shtëpive të tyre do t’u vihej flaka brenda njëzet e katër orëve, krerët dhe banorët e tyre iu përgjigjën kështu: “Në qoftë se Stambolla i don armët, të vijë vetë e t’i marrë. Salca s’mban as s’ka mbajtë kurrë armë për të dorzue, por për të luftue me to. Prandaj këtu në vend e jo njeti kemi për t’ja dhanë Pashës këto hekuraça të lyeme me mish thiut”16.
Për të ndëshkuar katundet e pabindura, ushtria otomane u grumbullua në Tëtherme të Nikajt, në livadhet ku veronte bagëtia. Ushtarët e huaj plaçkitnin bagëti, bulmet dhe dëmtonin të mbjellat. Cilido që i kundërshtonte, arrestohej dhe rrihej me daulle.
Duke dëgjuar për paudhësitë që bënin osmanët në katundet e nënshtruara, Prelë Tuli i nxiti banorët e tri katundeve të paçarmatosura të mos i binin në dorë Shefqet Turgut Pashës dhe të qëndronin deri në të mbramin fishek. Për rolin e Trimit të Salcës si organizator i qëndresës, Pal Duka–Gjini shkruan: “Fjala zjarm e burrit të maleve, syni gacë i tij dhe zemra çelik, përpjekjet me pari e hipnotizimi i vegjëlisë ku Prela kishte vu uzdajën (shpresën, A. P.), elektrizuan Salcën e Merturin. Vendosën të desin të tanë sa ishin”17.
Vendosmërinë e malësorëve për të mbrojtur lirinë dhe dinjitetin e tyre e ka përjetësuar një kronikan besnik, siç është kënga popullore e krijuar në atë kohë: “Kodra e Palçit duket zi,/Kanë zanë pritat njiqind shpi,/Ai Prelë Tuli na u ka pri, ushtrisë para i kanë dalë,/Turgut Pashës po i çojnë fjalë:/Kësaj gryke asht zor me dalë,/Kthe ushtrinë kur t’marrsh xhevapin,/Se armt e krahit s’mund t’i japim,/Për pa dekë na me gajret,/Na i la baba amanet!” 18
I vetëdijshëm për rrezikun që paraqiste qëndresa para ushtrisë së madhe të Shefqet Turgut Pashës, – këtë qëndresë e kanë krahasuar me heroizmin e treqind spartanëve të kryesuar nga mbreti Leonidha në Grykën e Termopileve, – prijësi i malësorëve, Prelë Tuli, u përpoq të siguronte ndihmën e banorëve që jetonin përtej krahinës së Nikaj-Mërturit: “Aj Prelë Tuli çohet n’kambë/- Kush ma çon fjalën n’Toplanë,/Me m’shpëtue roptë e gjanë,/Gjanë e roptë me m’i shpëtue,/Se Turguti m’ka rrethue…”19. Përveç Toplanës, Prelë Tuli kërkoi ndihmë nga fiset e mëdha të Dukagjinit20.
Të drejtuar nga Prelë Tuli, Man Avdia dhe Deli Tahiri, luftëtarët e katundeve Palç, Salcë e Brisë zunë pozicionet te Guri Murg, një shkëmb i thepisur, të cilin e përdorën si fortifikatë natyrore. Për shtatë ditë me radhë, ata i zmbrapsën sulmet e osmanëve, duke vrarë shumë prej tyre: “Guri Murg, nji gur i bardhë,/Po i shkojnë gjylet radhë e radhë,/Por s’e la Pashën me dalë,/Për pa u kthye ai kah ka ardhë!21”
Në këto luftime nuk spikati vetëm zotësia e Prelë Tulit si takticien ushtarak, por edhe trimëria e tij personale, duke vrarë një bimbash (major) të ushtrisë otomane. Në fjalët që i vë në gojë bardi popullor, del në pah urrejtja e thellë e malësorëve ndaj perandorisë aziatike që i kishte ndarë nga Evropa dhe i kishte lënë në prapambetje të thellë: “Ai Prelë Tuli hallakati:/-Ndal, manov, se t’erdh sahati!/Bylykbashit mirë ia kapi./Krisi pushka, gjimoi mali,/Nëpër shpat po bie nizami…22”.
Kur u mbaruan fishekët që kishin, luftëtarët e Palçit, të Salcës e të Brisës u detyruan të lëshonin pozicionet te Guri Murg dhe të tërhiqeshin në thellësi, duke ngritur një vijë të re zjarri në disa shkëmbinj të pakalueshëm, në afërsi të Brisës.
Për të shfryrë dufin e tyre dhe për t’u hakmarrë për humbjet që kishin pësuar, osmanlinjtë i shkatërruan shtëpitë e Palçit e të Salcës, duke i hedhur në erë me dinamit. Veç kësaj, ata prenë me sëpatë pemët, misrin e gjelbër e shkelën dhe e kullotën me kuaj. Kishën e Palçit e përdorën si kazermë. Përdhosjes së tyre nuk i shpëtuan as petkat dhe enët e shenjta të shërbimit fetar23.
Për t’i detyruar malësorët e panënshtruar që të largoheshin nga shkëmbinjtë e thepisur ku qëndronin me armë në dorë, oficerët osmanlinj dhanë urdhër të bombardoheshin shtëpitë e katundit të Brisës, luginat dhe majat e maleve nga ana e Dukagjinit: “Po vajton kjo Maja e Thatë,/janë vra burrat, janë vra gratë,/Tri katunde kanë marrë flakë!24”
Në vend që të llahtariseshin nga këto bombardime, Prelë Tuli dhe bashkëluftëtarët e tij i mbështillnin gjylet me guna të lagura për të mos shpërthyer dhe për t’ua marrë barutin që u duhej për luftë. Ata e vazhduan qëndresën me vendosmëri, të mbështetur nga dy aleatë të fuqishëm: nga Drini që rridhte në krah të djathtë të pozicioneve të tyre dhe nga dy mijë luftëtarët të fiseve të Dukagjinit që ua mbronin shpinën dhe krahun e majtë. Për këtë fakt, Pal Duka-Gjini shkruan: “Tri dit rresht batalionet e visë sulmuese mbetën pa bukë të rregullt. Mbetën pa bukë, përse Mehmet Shpendi me Shalë ua kishte pre rrugën dhe me armë të veta të pathyeshme s’i lente rahat ditë as natë”25.
* * *
Në ditët e para të korrikut të vitit 1910, Bedri Pasha, valiu i Shkodrës, i kishte thirrur në selinë e tij bajraktarët dhe krerët e Dukagjinit, të cilët i kishte këshilluar të mos e kundërshtonin kalimin e ushtrisë së Shefqet Turgut Pashës nëpër viset e tyre. Në fund të mbledhjes, ai u kishte dhënë nga një mexhite të bardhë për krye26.
Me t’u kthyer nga Shkodra krerët e bajraktarët, në Dukagjin ishte dhënë kushtrimi për t’u mbledhur kush ishte burrë, që t’i dilnin përpara Shefqet Turgut Pashës dhe të mos e linin të bënte në krahinën e tyre atë që kishte bërë në Kosovë, në Gash e në Krasniqe27.
Të mbledhur te kisha e Abatit, dukagjinasit kishin rrahur benë se pa mbetur në gra e në çika (pa u shfarosur të gjithë meshkujt), nuk do ta linin ushtrinë e huaj të kalonte nëpër viset e tyre. Ata që ishin të zotët për luftë kishin marrë armë, sëpata e kazma, kishin zënë shtigjet në qafa e lugje, kishin prerë drurë për të penguar kalimin e kalorësve, kishin hapur hendeqe, gropa e llogore28.
Forcat e afta për luftë ishin vendosur në disa pozicione: djemtë e Thethit kishin zënë Qafën e Pejës dhe Qafën e Valbonës; Lugun e Ndërmajnës e ruanin Lekaj, Abat, Pecaj, Vuksanaj e Pjoll; Qafën e Agrit e të Agrorit i mbronin Gimaj, Nënmavriq, Lotaj e Plani; në Qafën e Brashtës kishte zënë pritat Shoshi; në Qafën e Shterziqes, qëndronin luftëtarët nga Toplana e Dushmani. Burrat që rrinin ditë e natë në pozicione, furnizoheshin me ushqime nga gratë e tyre.29
Në letrën që P. Çiril Cani, famullitar i Shalës, i shkruante më 14 korrik 1910 P. Kamil Libardit, famullitarit të Shoshit, ndër të tjera thuhet: “Shaljanët e kanë qitë cekën (kanë vendosur) me u ba copë e grimë e me qindrue për Atdhe me çdo flije; por un drue se s’kan me mujtë me e mbajtë për shum kohë, mbasi vendet për qindresë kanë nji ball (front) fort të haptë e prandaj u duhet me u da ndër logje të ndryshme: në të Ndërmajës, t’Agrit e t’Agrorit, e shka â ma zi nuk kanë veç pak ushqim. Dje u ka pas’hi nji frigë e madhe kah i kan bombardue pa prâ, në rrezik me mbytë edhe shumkënd. S’ndihet tjetër për gjith anësh veç kushtrim…”30.
Për organizimin e qëndresës së Dukagjinit, merita kryesore i takon kryetrimit Mehmet Shpendi. Këtë gjë e pasqyron edhe epika historike: “Mehmet Shpendi del në thep,/Mizalltia po i kërcet,/djelve t’vet po u bërtet;/- Bini djelm, mbi kët hyrjet,/se djelt e ri asqer po i merr;/Lyp redifë e mustafes,/Lyp xhelep e lyp të dhetë,/Lyp të dhetë e lyp nizamë,/Por nuk muj për me ia dhanë,/N’ato gryka paska dalë,/N’ato gryka për shefi,/Kërcet pushka me buri!31”
Nuk ka dyshim se pjesëmarrja në këtë qëndresë të armatosur kundër ekspeditës ushtarake të Shefqet Turgut Pashës ka qenë më e gjerë sesa është paraqitur në disa shkrime të botuara deri më sot. Sipas Lulash Palushajt, duke luftuar me Prelë Tulin, në Qafë të Agrit janë vrarë e plagosur tre vetë nga Malësia e Madhe: Kolë Marash Vata, Zef Lani, Gjon Pllumi…32
* * *
Malësorët e armatosur, që qëndronin në gryka e në shkrepa, bënin sulme të befasishme kundër osmanlinjve, të cilët i vrisnin për t’ua rrëmbyer pushkët moderne (mauzer) dhe fishekët. Këto goditje të pandërprera, pasiguria që ndienin në atë luginë të ngushtë, të rrethuar nga male të ashpra që dukej sikur nga çasti në çast do t’u binin mbi kokë, ua ligështuan zemrën ushtarëve të huaj: “More pashë, na paç në qafë,/Qysh na çove në Palç e Salcë,/S’do t’na lshojnë kurrnji të gjallë!”
Shefqet Turgut Pasha u informua se në thellësi të maleve të panjohura që ngriheshin para tij kishin zënë pritë mijëra luftëtarë që ishin betuar të vdisnin me armë në dorë. Për t’iu shmangur ndonjë shpartallimi të mundshëm, atij iu mbush mendja se ishte më e udhës të hiqte dorë nga vazhdimi i marshimit nëpër Dukagjin. Pas luftimeve që zgjatën njëzet e dy ditë34, rrethanat e detyruan të merrte një nga vendimet më të rënda në jetën e tij si ushtarak: të jepte urdhër për t’u tërhequr.
Përbindëshi që ishte dyndur nga Anadolli, mblodhi gjymtyrët e kthetrat, pastaj u turr drejt Drinit, sikur donte të lante në rrjedhën e tij njollat e gjakut që kishte derdhur kudo ku kishte shkelur. Pasi kaloi në vaun e Drinit, ushtria otomane çau përmes maleve të Pukës dhe iu afrua Shkodrës.
Me t’u shuar shungullima e topave dhe e krismave të armëve, në luginën e Nikaj-Mërturit ra qetësia. Përsëri njerëzit mund të flisnin e të qeshnin lirisht në katundet e tyre. Madje mund të këndonin me lahutë ose me çifteli. Dhe ishte e natyrshme që kryekënga e asaj kohe të bënte fjalë për zmbrapsjen e ushtrisë otomane: “Në Gjakovë po rrahka teli,/ Në Stamboll po shkon haberi,/Shkon haberi në shtat’krajli:/- S’mun e shkela kët Shqipni,/s’mun e shkela kët’ soj robit,/s’po m’druen pushkën, as s’po m’druen topin!/I gjuej me top, gjylen ma kap,/Mitralozit i thotë turraç…”35
* * *
Kushtrimi i luftës për liri do t’i thërriste nikaj-mërturësit në beteja të reja, siç qe kryengritja e Malësisë së Veriut në vitin 1911. Në librin “Malësori këndon”, Gjergj Hasanaj shkruan: “Malësorët me në krye Dedë Gjon Lulin, të ndihmuar nga malësorët e Shalës, Shoshit, Nikajve, Mërturit dhe Krasniqes, vendosën të mos i zbatojnë urdhrat e valiut të Shkodrës në lidhje me pagimin e taksave dhe dorëzimin e armëve”36. Midis nëntëmbëdhjetë krerëve të fiseve pjesëmarrëse në kryengritje, që firmosën dokumentin e hartuar e të miratuar në Gerçe, më 12 qershor 1911, figurojnë emri i Bashë Bajramit, bajraktar i Nikajt dhe ai i Bekë Delisë, bajraktar i Mërturit37.
Shpirti liridashës dhe dëshira për përparim i shtynë banorët e Nikaj-Mërturit t’i përgjigjeshin në mënyrë masive kushtrimit të kryengritjes që shpërtheu më 1912. Në një letër që Sali Hidri (Hoxha) i ka dërguar Ismail Qemal Vlorës, thuhet: “Kur u ngrys, erdhën vojvoda i Mërturit që bëhet 600 shtëpi, Prelë Tuli bashkë me bajraktarin dhe më lajmëruan se 500 burra patriotë po marshonin për Gjakovë nga një rrugë tjetër më e shkurtër” 38.
Gjatë luftimeve të përgjakshme që u zhvilluan në Çabrat të Gjakovës, më 12 maj 1912, u përsërit akti heroik i Mic Sokolit. Duke parë se një top i ushtrisë otomane po u shkaktonte humbje të mëdha kryengritësve, trimi nga Nikajt, Ndue Zenel Paplekaj, thirri: “Qat top me ma lanë mue,/Se gjallë a dekë kam me e pushue!” Në pamundësi për t’u ngritur përmendore mermeri ose bronzi, trimat që ranë për atdhe malësorët i përjetësuan në bronzin e vargjeve epike: “Ndue Zeneli trim ish kanë,/Frymën topit ia ka zanë./U hodh Ndou në grykë të topit/si rrufeja mes flakës së barotit” 39. Në betejën e Çabratit u vra edhe Ramë Ndou (Rrahaxhi) nga Raja e Mërturit40.
Kryengritësit nga Nikaj-Mërturi morën pjesë në luftimet dhe marshimet që vazhduan deri në Shkup, që ndikuan për të shembur Perandorinë Otomane dhe për të krijuar shtetin e pavarur shqiptar.
Ndihmesa që dhanë banorët e Nikaj-Mërturit në këto ngjarje madhore apo në ngjarje të tjera të rëndësishme vërteton më së miri se qëndresa e tyre kundër ekspeditës ushtarake të Shefqet Turgut Pashës më 1910 nuk qe një episod i shkëputur, i rastësishëm, po qe një dëshmi e gjallë e shpirtit të tyre të paepur, e gatishmërisë për t’u flijuar për të mbrojtur dinjitetin vetjak dhe atë kombëtar.
Faleminderit Profesor per shkrimin objektiv rreth qenreses se Nikaj _Merturit , Shales e Shoshit dhe ndihmeses se tyre per realizimin e enderres shekullore te shqiptareve – Pavaresisia e Shqipersise.