Në fillimin e viteve ’90, por edhe më pas, kur filluan të dilnin nga arkivat e shtetit shqiptar dokumentet e para që hidhnin dritë mbi krimet e regjimit komunist, mjaft njerëz, fanatikë të atij regjimi apo jo, me ose nga padija, ndërmjet të tjerash shpreheshin: “Enveri nuk ka firmosur dënime me vdekje…”, “Enveri ka qenë Sekretar i parë i PPSH-së, dënimet i jepnin gjykatat…”, “Enveri nuk ka lënë gjurmë…”, “Epo luftë ishte ahere, nuk kishte gjykata…”, “Enveri del i larë…” etj., etj. Por koha dhe hapja e arkivave tregoi dhe vërtetoi më së miri të kundërtën e atyre thënieve që cituam më lart! Enveri jo vetëm që ka firmosur dënime me vdekje, por i ka bërë ato krejt në mënyrë flagrante, duke dalë mbi gjykatat dhe ligjet në fuqi të asaj kohe. Dhe këto dënime me vdekje, ai i ka nënshkruar jo vetëm në periudhën e luftës (gjëra që tashmë janë të njohura prej vitesh për publikun e gjerë), por ai e ka vazhduar atë gjë deri vonë, në vitet ’50.
Ky fakt, veç të tjerash konfirmohet edhe nga këto dokumente arkivore që po botojmë më poshtë në këtë shkrim (me faksimilet përkatëse), të cilat bëhen publike për herë të parë. Siç shihet edhe nga dokumentet në fjalë, ish-ministri i Punëve të Brendshme, Mehmet Shehu, në praktikën rutinë të punës së tij, i dërgon shkresat zyrtare në kabinetin e Sekretarit të Përgjithshëm të PPSH-së, Enver Hoxha, ku njofton vendimet e Gjykatës Speciale (të krijuar pranë asaj ministrie), Gjykatës së Lartë apo gjykatave të rretheve, mbi personat që janë dënuar me vdekje prej tyre, për faje politike apo ordinere. Dhe mbi këto shkresa me vendime gjykatash, Enveri ka shënuar me dorën e shkrimin e tij: “Të pushkatohen”, “Të ekzekutohet”, “Jam dakord me vendimin e gjykatës”. Po kështu, ka nënshkruar edhe vetë ministri i Brendshëm, Mehmet Shehu. Dhe vetëm në dy raste, Enver Hoxha ka shkruar: “Mendoj t’i falet jeta” apo “Ta shohë edhe një herë presidiumi”.
Pra siç shihet, Enveri dhe Mehmeti kanë qenë mbi gjykatat dhe mbi Presidiumin e Kuvendit Popullor të asaj kohe, organi i vetëm i cili kishte tagrin që të aprovonte apo jo dënimet me vdekje. Dhe si “për të qenë në rregull” me vijën e partisë, në të gjitha dokumentet në fjalë, shefi i kabinetit të Enver Hoxhës, Haxhi Kroj, ka shënuar: “U njoftua dhe shoku Gogo Nushi”, i cili asokohe mbante detyrën e sekretarit të Komitetit Qendror të PPSH-së, që mbulonte organet e diktaturës së proletariatit. Një gjë tjetër mjaft e rëndë që shihet nga këto dokumente, është fakti se në disa prej tyre, Haxhi Kroj ka shkruar: “Sipas porosisë së shokut Mehmet, të ruhet vetëm në arkiv, pasi veprimet janë kryer”. Gjë e cila do të thotë se, personat ishin ekzekutuar përpara se ato shkresa të mbërrinin në kabinetin e Enverit. Disa nga këto dokumente po i botojmë të plota në këtë shkrim, duke u munduar që të japim sadopak një ide apo panoramë se si ka funksionuar ai regjim ndër vite.
REPUBLIKA POPULLORE SOCIALISTE E SHQIPERISE V.F.L.P. MINISTRIA E PUNEVE TE BRENDSHME Tiranë më 2.2.1953 DREJTORIA E POLICISE POPULLORE
“Dega e Hetuesisë”
SEKRETARIT TE PERGJITHSHEM TE PPSH SHOKUT (ENVER HOXHA) TIRANE
Kolegji Ushtarak i Gjykatës së Lartë, me vendimin Nr.38, datë 23.1.1953, të shpallur në qytetin e Vlorës, dënoi me vdekje (pushkatim) të pandehurit: 1) Eqrem Lika, i biri i Hasanit dhe i Bylikes, vjeç 28, lindur në katundin Lapardha e banues në Vlorë, me arsim fillor, me profesion Oficer, me gradë N/toger, i martuar, me një fëmijë, me shtetësi dhe kombësi shqiptare, fshatar i varfër, anëtar partie, i padënuar ndonjëherë. 2) Qamil Stepa, i biri i Beqirit dhe i Xhikos, vjeç 28, lindur dhe banues në katundin Tragjas të Vlorës, me profesion nëpunës, me arsim fillor, i pamartuar, me shtetësi e kombësi shqiptare, fshatar i varfër, anëtar partie, i padënuar ndonjëherë. Të sipërshënuarit u dënuan me vdekje për këto arsye:
a) Për krimin e agjitacionit dhe propagandës kundër pushtetit popullor
b) Për krimin e bashkëpunimit me njëri-tjetrin duke dhunuar banesat e qytetarëve të ndryshëm në Vlorë për të kryer grabitje
c) I pandehuri Eqrem Lika ka kryer vjedhje sendesh shtëpiake të ndryshme në Shkodër, që kapin shumën prej 100.000 lekësh, si dhe vjedhje bagëtish
ç) Në katundin Lapardha të Vlorës ka dashur të vrasë fshatarin Lik Kalemi, me pretekst se gjoja i kishte hapur fjalë ofenduese.
Krimet që kanë kryer të sipërshënuarit janë shumë të shëmtuara dhe armiqësore, të cilat kanë për qëllim të cenojnë prestigjin e partisë, pushtetit dhe Organeve të Sigurimit. Paraqitja e tyre si punëtorë të Organeve të Sigurimit është bërë me qëllim të caktuar. Megjithëse rrjedhin nga shtresa e varfër fshatare, e kaluara e tyre ka qenë e mirë, por duke marrë parasysh krimet e tyre armiqësore dhe shtazarake, si dhe rrezikshmërinë e theksuar shoqërore, propozoj që të dy të dënuarit me vdekje, Eqerem Lika dhe Qamil Stepa, të ekzekutohen me pushkatim para garnizonit ushtarak të qytetit të Vlorës.
GJENERAL LEITNANT (Mehmet Shehu) Sh. Haxhi
Ia jep kumandantit për pëlqim dhe pastaj mejtimin e kumandantit ia komuniko sh. Gogo. (Firma e Mehmet Shehut) Të pushkatohen. Enver. U njoftua sh. Gogo Nushi më 3.2.1953 ……………………………………………………………………………………………………………………………………………………………….
REPUBLIKA POPULLORE SOCIALISTE E SHQIPERISE V.F.L.P. MINISTRIA E PUNEVE TE BRENDSHME
Tiranë më 6.11.1953 DREJTORIA E POLICISE POPULLORE “Dega e Hetuesisë”
SEKRETARIT TE PERGJITHSHEM TE PPSH SHOKUT (ENVER HOXHA) TIRANE
Gjykata e Lartë e saj, nr. 138, datë 6.2.1953, ligjëroi vendimin me vdekje (pushkatim) të Gjykatës Popullore të rrethit Fier, nr.6, datë 15.1.1953, të dhënë për të pandehurit: 1) Mihal Mone: i biri i Taqit dhe i Marijes, me datëlindje 1925, lindur dhe banues në katundin Poro të lokalitetit Levan të rrethit Fier, i besimit ortodoks, me shtetësi dhe kombësi shqiptare, me gjendje, familjar i martuar me 4 klasë shkollë fillore, i dënuar një herë me 3 muaj punë korrektuese, me profesion nëpunës, shërbimin ushtarak e ka kryer (aspirant në lirim), anëtar partie, me origjinë fshatar i varfër. 2) Kovaç Metushi: i biri i Xhelalit dhe i Hyjries, i datëlindjes 1919, lindur dhe banues në katundin Boçovë të lokalitetit Levan të Fierit, me shtetësi dhe kombësi shqiptare, i besimit mysliman, i padënuar ndonjëherë, i organizuar anëtar partie, me origjinë fshatar i mesëm, shërbimin ushtarak e ka kryer, me gjendje familjar i martuar, me arsim 4 klasë shkollë fillore, me profesion nëpunës. Të sipërshënuarit u dënuan me vdekje për këto arsye: Mihal Mone, duke qenë si Drejtor i Koop. Shit-Blerjes Frakull dhe Kovaç Metushi, ish-përgjegjës i dyqanit Koop. Shit-Blerjes Bishan, së bashku dhe me shokë të tjerë shitës dhe llogaritarë të dyqaneve në Frakull, Peshtan e Bishan të kësaj drejtorie, kishin formuar një grup me në krye dy të pandehurit dhe kanë përvetësuar shumën prej 498.012 lekësh në dëm të sektorit kooperativist. Metodat që këta praktikonin në përvetësim ishin të ndryshme, duke krijuar në dyqane deficit e suficit, të cilat i kanë mbuluar duke i përvetësuar, ose duke marrë ryshfete kanë marrë sende të ndryshme në dyqane, kanë shitur me çmime të larta sendet e kooperativës, dhe fitimet i mbanin për vete, kishin krijuar familjaritet të sëmurë dhe tolerime në punë. I pandehuri Mihal Mone, sipas vendimit të gjykatës, ka përvetësuar shumën prej 70.796 lekësh, dhe i pandehuri tjetër, Kovaç Metushi, shumën prej 110.865 lekësh, por të dy të pandehurit kanë qenë nxitësit, organizatorët dhe toleruesit e grupit të sipërm, të cilët në përgjithësi kanë përvetësuar shumën prej 498.012 lekësh. Krimet e kryera nga të pandehurit e sipërshënuar janë të dobëta dhe dëmtojnë rëndë interesat dhe ekonominë e pushtetit popullor. Si kryesor në këtë grup është i pandehuri Kovaç Metushi, i cili, megjithëse anëtar partie (i hyrë kontrabandë në parti), ka bërë që në abuzime të komprometonte të gjithë shokët me të cilët bashkëpunonte, e kaluara e tij nuk është e mirë, farefisi i tij kanë qenë të kompromentuar me armikun, një kushëri i tij është pushkatuar, një tjetër dënuar me vdekje dhe falur jeta, pse ka vjedhur në sektorin shtetëror, një tjetër dënuar me 5 vjet për mosshlyerje detyrimesh. Qëndrimi i tij në hetuesi ka qenë i keq dhe paraqet rrezikshmëri shoqërore. I pandehuri tjetër Mihal Mone ka përgjegjësi për këto përvetësime, pse ka qenë Drejtor i Kooperativës, ku edhe vetë ka përvetësuar, porse e kaluara e tij ka qenë e mirë, shtresë e varfër, dhe përvetësimi që ky ka bërë kap shumën e 70.796 lekëve. Për arsyet e sipërme, propozoj që i dënuari Kovaç Metushi të ekzekutohet, ndërsa Mihal Mones t’i falet jeta. MINISTRI I PUNEVE TE BRENDSHME GJENERAL LEITNANT
(Mehmet Shehu) Dakord me propozimin. Enver U njoftua sh. Gogo Nushi më 12.3.1953 ….….
REPUBLIKA POPULLORE SOCIALISTE E SHQIPERISE V.F.L.P. MINISTRIA E PUNEVE TE BRENDSHME
Tiranë më 6.11.1953
DREJTORIA E POLICISE POPULLORE
“Dega e Hetuesisë” SEKRETARIT TE PERGJITHSHEM TE PPSH SHOKUT (ENVER HOXHA) TIRANE
Gjykata e Lartë e saj, nr.168, datë 11.2.1953, ligjëroi vendimin me vdekje (pushkatim) të Gjykatës Popullore Tiranë, nr.36, datë 27.1.1953, të dhënë për të pandehurit: 1) Ruzhdi Hasani, i biri i Beqirit dhe i Soles, vjeç 31, lindur në Çamëri dhe banues në Tiranë, me profesion nëpunës llogaritar në Repartin Ushtarak Nr. 8770 Tiranë, me arsim fillor, me shtetësi dhe kombësi shqiptar, i martuar, pafëmijë, shërbimin ushtarak e ka kryer në Ushtrinë Popullore prej vitit 1943-1949, rrjedh nga një origjinë shoqërore fshatar i varfër, i organizuar anëtar partie, i padënuar. 2) Qemal Daja, i biri i Saliut dhe i Hamides, vjeç 30, lindur në katundin Metalli të rrethit të Fierit dhe banues në Tiranë, me profesion të mëparshëm nëpunës dhe sot i papunë, me arsim fillor, me shtetësi dhe kombësi shqiptare, i martuar, me tre fëmijë, shërbimin ushtarak e ka kryer në Ushtrinë Popullore prej vitit 1943-1949, rrjedh nga një origjinë shoqërore fshatar i varfër, i organizuar kryetar partie, i padënuar. Të sipërshënuarit u dënuan me vdekje për këto arsye: Në bashkëpunim me njëri-tjetrin, që prej vitit 1951 deri në muajin dhjetor 1952 kanë kryer një seri vjedhjesh të rëndësishme në qytetin e Tiranës në dëm të pasurisë shtetërore që kapin shumën e 493.469 lekëve. Të pandehurit kanë kryer këto vjedhje dhe lloje materiale:
a) 15 kg sapun në Kooperativën e Konsumit Tiranë, gjatë vitit 1951.
b) 480 m. beze, 7 mbulesa tavoline në Kooperativën e Konsumit Tiranë në muajin tetor 1951.
c) 3 Jorganë, një dyshek, 3 copë shilte në Kooperativën e Konsumit Tiranë në mbarim të vitit 1951.
ç) 40 m. beze në Kombinatin e Tekstilit “Stalin” në vitin 1952.
e) 8 Pallto burrash 37 m. stof për kostum, 3 m. stof për veshje kolltukësh, 4 topa mëndafshi, në 2 dhjetor 1952, në dyqanin e Sovjetikëve në Tiranën e Re. Të dy këta, megjithëse ishin anëtarë dhe K.P. (kontrabandë në Parti), kanë përdorur metoda të stërholluara në vjedhje me qëllim që të mos kapeshin, si p.sh. taktika që përdornin në disa raste që vidhnin në depot ose qendrat e punës ku ata kishin punuar më parë, ose dinin mirë çfarë kishte në këto dhe si mund të hapeshin, pse më përpara bënin studimin e tyre; nga ana tjetër, kishin si taktikë vjedhjeje të rrallë, që të mos binin në sy të organeve të MPBsë.
Të dy të pandehurit janë korruptuar me vese të dobëta të borgjezisë, si pije, kumar etj. Qëndrimi i tyre në hetuesi nuk ka qenë aspak i mirë. Duke marrë parasysh sa më sipër si dhe rrezikshmërinë e tyre shoqërore si vjedhës profesionistë, nga ana tjetër vjedhjen që bënë kohët e fundit në dyqanin e Sovjetikëve, për këto arsye propozoj që të dy të dënuarit me vdekje, Ruzhdi Hasani dhe Qemal Daja, të ekzekutohen konform vendimit të Gjykatës së Lartë.
MINISTRI I PUNEVE TE BRENDSHME GJENERAL LEITNANT
(Mehmet Shehu)
Dakord me propozimin. Enver U njoftua shoku Gogo Nushi më 12.3.1953
Komentet