Po kështu, ishte edhe familja e Batallëve, nga Vlora, me të cilën banonim në të njëjtën shtëpi. Baba Hyseni (Hysen Batalli), një intelektual i mençur nga Vlora, që i kishte kryer studimet e larta në Itali, si dhe e shoqja e tij, mama Ylvija, ishin të mrekullueshëm. Unë edhe sot, nuk e harroj baba Hysenin, sepse unë vetëm këtë njeri e kam thirrur me emrin baba, sepse babanë tim, e thërrisja me emrin e tij, Pandi. Në momentin që u dënua babai, kjo familje tërësisht, i qëndroi pranë mamasë sime, Dhora. Kur Pandi Kristo, nuk u dënua me pushkatim, ata erdhën me të shpejtë te ne dhe me gëzim të madh, na thanë se babi, herët ose vonë do të dalë një ditë nga burgu. Vajzat e kësaj familjeje, Vjollca dhe Lutfija, të rritura në moshë, më kanë trajtuar si pjesëtare të familjes së tyre.
Kur Vjollca u fejua me Stavri Treskën, një kolonel simpatik, i sjellshëm dhe me shumë kulturë qytetare dhe ushtarake e që studimet ushtarake i kishte përfunduar në Itali, më merrte gjithmonë me vete në shëtitjet nëpër Tiranë. Unë jam tronditur pa masë, kur vdiq Vjollca. Ajo vdiq në kohën e lindjes të djalit Artan, të cilin e kam dashur si vëllanë tim, aq më tepër që unë nuk kam vëlla. Atëherë, unë isha vetëm 14 vjeçe dhe e kam përjetuar me dhembje të madhe, këtë vdekje të dytë të familjes Batalli. Më kujtohet se, kur nuk më doli e drejta e studimit për në universitet, shkova te baba Hyseni, i cili banonte tashmë në një shtëpi tjetër aty pranë. Ai, kur më pa ashtu të tronditur e të pezmatuar, më tha këto fjalë, që i mbajta mend për gjithë jetën: “Ata nuk të lejuan të marrësh arsim të lartë, por nuk do të mundin kurrë, të të heqin të drejtën për të marrë kulturë e arsim autodidakt. Ata mund të të heqin ty të drejtën për të marrë një profesion dhe një copë diploma, e asgjë më tepër. Diplomën ti, do t’ia japësh vetë vetes tënde, me qëndrimin që do të mbash në jetë”.
Kush jua ka vënë emrin Asamble dhe a ju ka pëlqyer ky emër?
Kur u rrita, e kuptova se kish një emër absurd dhe ndryshe nga shoqet e tjera. Fillova ta urrej këtë emër, që në fëmini dhe vazhdoj ta kem brengë edhe sot, pavarësisht se tashmë jam ambientuar me të. Familja e baba Hysenit, më thërriste me emrin Pupe, sepse asnjë pjesëtar i kësaj familjeje, nuk e donte emrin Asamble, që ma kishte ngjitur Enver Hoxha. Djali i vogël i baba Hysenit, mjeku i mirënjohur ushtarak, Selfo Batalli, kur ne tashmë ishim kthyer në Tiranë nga internimi, dërgoi e më thirri. Ai ishte para vdekjes, e mbas disa kohësh vdiq nga leuçemia. Të dy, me babanë dhe burrin tim Robertin, vajtëm për ta takuar në shtëpi. Me këtë rast, Pandi e falenderoi dhe i shprehu mirënjohjen e thellë, për përkujdesjen e tyre prindërore ndaj meje dhe gjithë familjes sonë. Shoqet e mia më të ngushta, e që nuk m’u ndanë kurrë deri në fund, ishin Vjollca Qatipi, Tatjana Milo, Valentina Koka, shoku i fëmijërisë, Jani Drita etj.
Po më pas, me kalimin e adoleshencës, çfarë ndodhi me ty?
Gradualisht, me rritjen e moshës, unë po e kuptoja gjithnjë e më shumë tragjedinë e madhe politike dhe familjare që na kishte pllakosur. Unë isha tashmë e bindur se, kjo tragjedi, jo vetëm e jona si familje, do të vazhdonte tepër gjatë. Së paku, deri në vdekjen natyrore të Enver Hoxhës po se po, në mos më shumë. Te ne në familje, vizitorët e zakonshëm, fillimisht u rralluan gjithnjë e më shumë, aq e vërtetë është kjo, saqë ne, në familjen tonë, na u bë e zakonshme kjo gjendje. Madje, kur dikush na vinte shpesh për vizitë, na dukej se po ndodhte diçka e pazakontë dhe menjëherë fillonin dyshimet. Kjo ishte një gjendje e çuditshme, auto censure, e njeriu jetonte i dyzuar. Njërën jetë e bënte për vete dhe të dashurit e afërm të familjes dhe një jetë tjetër, jetë krejtësisht false, e bënte për sy e faqe të të tjerëve, të opinionit, të instinktit për t’u vetëmbrojtur, nga çdo e keqe dhe e papritur që mund t’i vinte, në çdo rast dhe nga kushdo.
Në vitin 1961, kur unë mbusha moshën 15-16-vjeçare që ishte pragu i moshës për t’u pranuar në Rini (BRPSH) plotësova lutjen edhe unë, ashtu si gjithë shokët dhe shoqet e mia të shkollës. Komiteti i Rinisë së shkollës, e kishte miratuar në parim pranimin tonë, po ashtu edhe organizata e rinisë së klasës, e cila kryente praktikisht pranimin. Por, pragu më i vështirë, ishte kalimi i pengesës më të madhe, Komitetit të Rinisë së Rrethit të Tiranës. Fillimisht, u përgatitëm dhe u paraqitëm në Komitetin e Rinisë së shkollës, e prej andej në Komitetin e Rinisë të Rrethit të Tiranës. Ceremonia e kalimit në intervistë përpara sekretarit të Komitetit të Rinisë të Rrethit, i cili çuditërisht edhe certifikonte pranimin e të rinjve, ose të rejave në BRPSH-së, dukej e thjeshtë, por ishte një shoshitje sociale, ishte një hetuesi tinzare e vërtetë e të rinjve ose të rejave. Pikërisht, në këto bërthama sociale, siç e kuptoj unë sot, hidhnin rrënjë ferrat dhe gjembat e helmuar të luftës së egër të klasave.
Ndryshe, nuk ka se si shpjegohet thënia e përbindshme e “zonjës së parë të vendit, Nexhmie Hoxhës”, në një rast solemn në qytetin e Vlorës: “…Ne, fëmijët e armiqve të klasës, kushdo qofshin ata, do t’i dënojmë politikisht dhe juridikisht, për shtat breza, aq sa ata të mos jenë në gjendje të ngrenë kokë kurrë…”! Sekretari i Komitetit të Rinisë së shkollës, Robert Floqi, ishte i detyruar të bënte prezantimin tonë përpara Komitetit të Rinisë së Rrethit. Mbaj mend, sikur më përshkoi një ndjesi e ftohtë gjarpri nëpër shpinë, kur sekretari i këtij Komiteti S.T., të cilit për respekt të fëmijëve, nipërve dhe mbesave të tij të mrekullueshëm dhe shumë të edukuar, nuk dua t’ia përmend emrin, (e jo “…t’i luftoj për shtatë breza fëmijët aq sa të mos e ngrenë kokën kurrë…”), sepse do t’i bëhej qejfi Nexhmije Hoxhës, së cilës ai “shok” i ka shërbyer me besnikëri, dhe do të kujtonte se porositë e saj të helmuara, të thëna në Vlorë, apo diku gjetkë në Shqipëri, shumë vite më parë, kishin hedhur rrënjë të thella, sa nuk mund të shkulen edhe sot e kësaj dite.
Kur pa se kishte përpara një viktimë të brishtë, të cilën mund ta shkatërronte, duke mos e lejuar të hynte në organizatën e rinisë, më pyeti tekstualisht me këto fjalë: “Ti vajzë, a vete në burg për të takuar babanë”? “Po”, i thashë. “Po mamaja, a e ka ndarë babanë, meqenëse ai është dënuar si armik i partisë, popullit dhe Shqipërisë”? “Jo, i thashë unë, pse duhet ta ndajë”?! “Ti, më tha ai, – nuk mund të hysh në BRPSH, sepse, nuk je e papërgatitur ideologjikisht dhe politikisht, për të zhvilluar luftën e klasave, përderisa nuk ndikon te nëna jote, që të ndahet me babanë dhe të mos shkoni në burg ta takoni, sepse ai është armik i egër, i popullit e partisë”. Ç’të them më?! Fillova të mendoj me zemërim dhe seriozisht, se deri në ç’nivele e kishte zhvilluar luftën e klasave politika e sundimit enverist. “Shoku shumë i rëndësishëm”, S.T., pra sekretar i Komitetit të BRPSH-së të Rrethit të Tiranës, i tërhoqi vërejtje Robert Floqit të shkretë, pse më kishte paraqitur edhe mua, vajzën e armikut të popullit, Pandi Kristo, para tij në Komitet dhe nuk ishte treguar vigjilent aq sa duhej, për ta parandaluar këtë lajthitje klasore!
Po kur shkuat në gjimnazin “Qemal Stafa” si e ndjetë veten, a mendonit për të vazhduar studimet e larta?
Në vitin 1963. Atëherë me drejtorin e gjimnazit “Qemal Stafa” Gaqo Marko, me origjinë nga Korça, i cili jepte Gjuhë-Letërsi dhe Historinë e PPSH-së, kam pasur një përplasje mjaft të ashpër.
Cili ishte ky konflikt me drejtorin e gjimnazit?
Më kujtohet qartë se një herë, sipas programit të lëndës së historisë të PPSH-së, kishim temën mbi “Kongresin e Parë të PKSH-së”. Me sa duket, mua më ngriti drejtori që të tregoja se si partia në këtë Kongres, i dënoi ashpër dhe me të drejtë armiqtë e saj Koçi Xoxe, Pandi Kristo etj. Unë, që tashmë isha vajzë e rritur dhe hallet familjare më kishin pjekur para kohe, nuk pranova të përgjigjesha para klasës. Me këtë rast, kujdestari i klasës, profesori i matematikës Petrit Çami, më foli veçmas, për këtë rast dhe më tha: “… po ti përgjigju, moj vajzë, aq sa për të marrë notën etj.”, por unë kurrsesi nuk pranova të bëja kompromis, me profesorët e mi, për të shitur babanë, i cili kishte hequr e po hiqte aq shumë. Unë babanë e adhuroja dhe në koshiencën time, nuk e pranoja kurrë, që ai ishte armik i popullit. Një baba partizan, luftëtar trim, siç ma përshkruante gjyshja dhe mamaja, nuk mund të ishte armik i popullit kurrsesi.
Ndërkohë, që babai ishte në burgun e Burrelit, unë nuk mund të ëndërroja më për të fituar një note, apo të drejtën e studimit për në universitet. Këtë të drejtë, mua nuk ma dhanë kurrë, ashtu si edhe shoqes sime të klasës, Shpresa Pogoni, sepse edhe ajo ishte nga shtresa e të persekutuarve politikë. E zemëruar në kulm, gati sa nuk më futën në burg, falë këmbënguljes time, e cila nuk i pëlqeu Enver Hoxhës. Ja se si ka ndodhur rasti. Kur isha në Tiranë, i dërgova një telegram Enver Hoxhës dhe kërkova takim me Nexhmije Hoxhën, për të drejtën e studimit. Pas kësaj më thirri një sekretare e tij, e më njoftoi se: “…shoku Enver, e ka marrë telegramin që i kini drejtuar, dhe së bashku me shoqen Nexhmije, e kanë diskutuar këtë çështje, që juve të mos iu jepet e drejta e studimit”. Në këto rrethana, pas një muaji, babai doli nga burgu dhe me një urdhër special të Komisionit të Dëbim Internimeve, të treve na dëbuan nga Tirana e, na fluturuan në qytetin e Lushnjës. Këtu mori fund edhe ëndrra ime për shkollë të lartë.