Gjykata Themelore e Prishtinës e ka dënuar të premten Enver Sekiraqën me 25 vjet burgim, për shtytje në vrasjen e pjesëtarit të Policisë së Kosovës, Triumf Riza, para 17 vjetëve.
“I akuzuari E.S është shpallur fajtor dhe është dënuar me dënim me burgim në kohëzgjatje prej njëzet e pesë vjet… për shkak të veprës penale nxitje në vrasje të rëndë”, tha Gjykata Themelore në një komunikatë më 3 maj.
Sipas aktakuzës, Sekiraqa e kishte nxitur Arben Berishën në vrasjen e Triumf Rizës më 30 gusht 2007, në Prishtinë.
Triumf Riza ishte pjesëtar i Policisë së Kosovës.
Në këtë dënim, Sekiraqës do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim dhe në arrest shtëpiak, sipas njoftimit.
Ai ka të drejtë të ankohet ndaj këtij dënimi në Gjykatën e Apelit në Prishtinë, tha Gjykata.
Sekiraqa ishte dënuar dy herë me burgim për të njëjtat akuza në të kaluarën, në vitin 2016 me 37 vjet burgim, ndërsa më 2019 me 30 vjet burgim, por Apeli i rrëzoi secilin prej atyre dënimeve duke e kthyer dhe rikthyer rastin në rigjykim.
Më herët, gjykata e ka dënuar Arben Berishën, autorin e vrasjes së Triumf Rizës, me 35 vjet burgim. REL