“Kushtet atje (në teatrin Atelie 212 në Beograd) ishin të mrekullueshme. Të jesh në bufe në një shoqëri të tillë. I njoftova njerëzit më të mençur të Beogradit dhe shkoja t’u blej cigare që të më pranojnë në shoqërinë e tyre. Natyrisht që më pranuan”, thotë Petrovci në intervistën për “Kurir”, shkas për të cilën është angazhimi i tij në serialin serb “Hijet mbi Ballkan”.
Për angazhimet e tij si aktor në Kosovë, Enver Petrovci thotë se tek tani po e mëson shqipen. “Nuk e kam atë siguri si kur flas serbisht në skenë. S’do të kisha guxuar të improvizoj në shqip”.
I pyetur “si mund të ndërtohen urat e rrënuara” ndërmjet popujve të këtyre anëve, ai përgjigjet: “Mund të urrehemi me shekuj, por herëdo-kurdo duhet të kuptojmë se njëri pranë tjetrit duhet të kalojmë. Shembull duhet t’i kemi sportistët dhe artistët tanë. S’duhet t’i presim politikanët”.
Për jetën në Kosovë aktori thotë: “Jetojmë në diktaturë. S’ke siguri nëse flet diçka kundër pushtetit. Menjëherë gjendesh në listën e zezë, s’ke punë. Thjesht, nuk ekziston”.
Petrovci, siç transmeton Expressi, gjithashtu tregon se në Kosovë shpesh e quajnë “spiun të Serbisë”.
“Kur është nevoja, unë jam patriot, e kur s’është, spiun serb. Nëse i kritikoj, thonë se loboj për Serbinë. Këtë s’e bën populli. Ata më duan, më çmojnë. Dinë të thonë edhe se jam aktor dhe shqiptar i madh, kurse unë e di se çka jam. Kurrë askush s’më ka blerë. E kam folur gjithmonë atë që e kam menduar. Më ka kushtuar shumë herë dhe s’jam penduar. Kam folur se e kam pasur bukur në Beograd. Te ne ka politikanë të cilët kanë qenë të martuar me serbe, kurse këtë e fshehin. Dikur kemi qenë më të lirë, më të sigurt, punonim dhe fitonim më tepër”, thotë Petrovci për gazetën serbe.
Personaliteti më i çmuar publik në Kosovë për Petrovcin është kryetari i Federatës Futbollistike të Kosovës, ish-futbollisti i Partizanit të Beogradit Fadil Vokrri, për të cilin thotë se “gjithmonë është mbajtur si njeri”.
“Kurrë s’e kam dëgjuar që për dikë të flasë keq. Është politikan më i mirë se unë”, thotë aktori, duke shfaqur shpresë se skuadrat beogradase Partizan dhe Zvezda do të mund t’i shohë në Prishtinë. Këtu, sipas Petrovcit, këto ekipe ende i kanë tifozët e tyre./Gazeta Express/
Komentet