PRISHTINË – Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj në një deklaratë për mediat duke folur për zgjedhjet presidenciale në Serbi u shpreh se “vendet e rajonit duhet ta mbështesin njëri-tjetrin dhe duhet ta tejkalojmë këtë fazë në të cilën e bllokojmë njëri-tjetrin”, raporton Anadolu Agency (AA).
Ministri Hoxhaj pas raportimit para Komisionit Parlamentar të Kuvendit të Kosovës për Stabilizim Asociim, mbledhje e cila ishte e mbyllur për media pos tjerash foli edhe për zgjedhjet presidenciale në Serbi. Në pyetjen se si do të ndikojë fitorja e Aleksandër Vuçiçit lidhur me raportet Kosovë-Serbi, Hoxhaj tha se kjo është temë e brendshme e jetës politike serbe. Mirëpo, sipas tij çdo zgjedhje që ofron stabilitet politik në një vend të caktuar të rajonit është në interes të Kosovës dhe tërë rajonit.
“Qasja jonë është që vendet e rajonit duhet ta mbështesin njëri-tjetrin, duhet ta tejkalojmë këtë fazën në të cilën e bllokojmë njëri-tjetrin dhe unë mendoj që zgjedhjet në Serbi, janë në interes të stabilitetit rajonal, sikur se kishim pasur dëshirë që ta kemi një qeveri sa më shpejtë në Maqedoni, e cila qeveri do t’i përfaqësonte interesat e qytetarëve”, tha Hoxhaj.
Ndërsa për pretendimet e Komisionit Zgjedhor të Serbisë se nuk ka pasur kushte të sigurisë gjatë numërimit të votave në Kosovë, ai tha se e ka përcjellë këtë çështje përmes organeve mediale dhe shtoi se deklarata e KFOR-it në bashkëpunim me institucionet ndërkombëtare ka treguar se gjendja e sigurisë në Kosovë ka qenë stabile.
“Në Kosovë ka ndodhur grumbullimi i votave, por për Qeverinë e Kosovës një deklaratë e tillë, që për shkaqe të sigurisë është marrë ky apo ai vendim është e papranueshme, por ende nuk e kam informatën e plotë dhe do të bëjmë përpjekje me OSBE-në që ta sqarojmë një gjë të tillë”, tha Hoxhaj.
Lidhur me idenë e krijimit të një tregu të përbashkët ekonomik mes të qyteteve të Ballkanit, kryediplomati i Kosovës ka theksuar se ky propozim për Kosovën është i papranueshëm përkatësisht në një kohë kur Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës dhe, sipas tij, kur Serbia mundohet ta izolojë Kosovën ndërkomëtarisht.
“Një politikë e tillë rajonale për neve është e papranueshme, do të thotë në kuptimin gjeopolitik nuk duhet ta shohim një rikthim të dominimit serb në rajon. Rajoni e ka një hartë të re dhe janë vendet e reja dhe sovrane”, tha Hoxhaj.
Ai po ashtu theksoi se demarkacioni me Malin e Zi është një kusht obligativ ligjor i cili duhet të përmbushet nga Kuvendi i Kosovës dhe nuk duhet të tejkalohet, duke shtuar se është një kusht për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.
Hoxhaj bëri të ditur se në javën e tretë të këtij muaji deputetë nga Parlamenti Evropian të cilët e monitorojnë zbatimin e MSA-së do të vizitojnë Kosovën.
Komentet