Hulumtim mbi përmbajtjen e një letre. (Sipas letrës së shkruar që la Ylli Malaj përpara se të “zhdukej”.)
Vijon nga Kapitulli i dytë, publikuar në këtë portal.

Ylli është kthyer nga ushtria më i pjekur, më i ditur, më i fortë, më ambicioz. Atje ka perfeksionuar “ustain murator” që në mënyrë amatore, e kishte ushtruar edhe më parë në fshat. Ky zanat e ndihmon shumë për të punuar në kooperative, por bënë xheloz dhe ngjallë smirë, tek disa njerëz të veckël, të cilët në këtë letër i quan “të pandërgjegjshëm”. Ata nuk mund të gëlltitnin faktin që djali i armikut të klasës të bënte punë “të zgjedhura” e të siguronte të ardhura më të mira. Më i zellshmi prej tyre, Kryekëshilltari i fshatit, e urrente haptas dhe e luftonte me çdo mjet. Çudinë e vërtetë e përbënte fakti se ishin nga i njëjti fis, mbanin të njëjtin mbiemër. Për këtë, jo më kotë ëshë ajo e thëna e vjetër e popullit “Yti t’i nxjerr sytë!”. Ndërsa në italisht, akoma më keq: “Parente serpente!”. Në rastin tonë, e thëna në shqip bëhej më agresive edhe nga frika. “Malaj, je dhe ti!”, mund të ngrihej akuza për një qëndrim indiferent, pa folur pastaj të viheshe në krahë të “armikut të klasës”. Kjo, bashkë me një ligësi të lindur në njerëz të tillë, të nxijnë jetën, e bëjnë të padurueshme dhe kërkon t’u humbasësh nga sytë një orë e më parë. Edhe Ylli kishte filluar të mendonte për këtë. Të largohej nga ambienti i një fshati ku sulmohej. Varianti i vetëm dhe më i mundshëm ishte Miniera. Galeritë e saj pranonin edhe njerëz me “hije”(kleckë), madje i kishin “shumë xhan”. Mjafonte të nxirrnin mineral me bollëk nga thellësia masakruese e nëntokës plotë rreziqe. Atje punonte njëri nga vëlezërit e tij. Pushteti i fshatit nuk mund t’i lejonte të dy. Në këto rrethana u mendua që i punësuari në minierë, të kthehej në fshat si usta më i mirë se Ylli dhe ky, të shkonte atje, si më i fuqishëm për të përballuar vështirësitë e minierës. Për këtë u gjet momenti më i volitshëm. Kryekëshilltari ishte shkarkuar. Tjetri, që erdhi në vend të tij, kishte njohje me një mik të familjes së Yllit që punonte atje. U bë marrveshja dhe vëllezërit ndërruan vendet e punës. Në këtë mënyrë, pak me vonesë, por, realizohej ëndrra e madhe e Ylli Malaj. Ai u regjistrua si nxenës nate në shkollën e mesme të qytezës.
Është theksuar, se Ylli, ishte i aftë të bënte çdo punë. Me punën e re u ambientua shumë shpejtë. Vështirësitë e para i kaloi me lehtësi dhe përgjithësishtë, u ndje më mirë se në fshat. Edhe pse me turne, këtu punohej vetëm tetë orë, ndërsa në kooperativë gjatë gjithë ditës me dritë. Paga ishte shumë më e mirë. Përveç këtyre, vetë qyteza e minatorëve, ofronte edhe disa lehtësi ekonomike. Çmimet ishin të arsyeshme dhe tregëtohej bukë gruri. Duke qënë ende beqar, shkonte në shtëpi çdo dy javë me çantat plotë. Tani ishte i veshur qytetarçe dhe lëkura e fytyrës i kishte marrë një hije edhe më të bukur. Në shkollë ishte i pari, absolutisht më i miri, me rezultate maksimale në të gjitha lëndët. Gjithë këto, bënë të ndryshonte e gjithë qënia e tij. Ishte më i qetë, më i qeshur, më i natyrshëm me veten dhe të tjerët. I ishte kthyer besimi se mund të bënte realitet disa nga ëndrrat e tij. Njerzit kishin filluar ta shihnin ndryshe. I buzëqeshnin, e përshendesnin, nuk e shihnin më vëngër, si dele e zezë. Megjithatë…, fati edhe këtë herë nuk ishte me të. Kryekëshilltari u rikthye në detyrë. Tashmë me një urrejtje të shumëfishuar dhe me një xhelozi të verbër, që shihte vetëm zi. I kishte rënë shumë në sy, se familja me “kleçkë”, gjatë mungesës së tij në detyrë, e kishte ngritur shumë kokën. Jetonte për bukuri, nuk e vriste fare këpuca dhe as vuante mungesat e simotrave të saj të fshatit, paçka se çdo gjë, e siguronte me ndershmëri e djersën e ballit. Ai nuk e durone dot këtë. Kushedi sa herë kishte tundur kokën në shenjë hakërrimi duke folur nën zë: “vetëm kur të vdes unë, mund të dalë dielli për ty!”. Nuk ia duronte dot buzëqeshjen, shakatë, gjërat e mençura që tregonte, e në veçanti, atë përfoljen e fshatit si inteligjent e me prirje të madhe për shkollë. Jo! Ylli, sipas tij, ishte, e do të mbetej armik, brez pas brezi. Prandaj, çdo dritë që hidhej mbi të, duhej mbytur në errësirë, duhej tretur në natë, duhej zhbërë në asgjë. Drita ishte vetëm e tij, si shërbetor i bindur i diellit të Partisë, e cila i kishte dhënë dokumentin dhe besimin, ta ruante të partër nga njollosja e armiqve të klasës. I mbushur skajshëm me mllef e urrejtje, filloi të vërë në lëvizje ligësinë “parimore”. Djali i “armikut”, nuk mund të jetonte më mirë se të tjerët, ndryshe shkelej vija, zbutej lufta e klasave dhe dëmtohej rëndë Partia në fshat. Këto i bisedoi gjerë e gjatë me sekretarin e organizatës – bazë dhe së bashku, formuluan vendimin më të zi për personazhin e këtij libri. E goditën atje ku i dhëmbte më shumë: “Puntori Ylli Malaj të pushohet nga puna në minierë dhe të kthehet në fshat, si forcë pune e nevojshme, për mbarëvajtjen e kooperativës!”.
Duke qënë se ky vendim ishte marrë e firmosur nga “baza e partisë” u quajt parimor dhe u zbatua menjëherë nga autorietet e minierës. Pra Ylli u pushua nga puna. Ëndrra e tij për të mbaruar shkollën u shkatërrua, çdo plan i projektuar për të ardhmen u prish. Pa asnjë shkak, apo motiv që lidhej me qëndrimin e tij ndaj punës, u hodh në rrugë. I terrorizuar prej saj, i pambrojtur, pa pikë mbështetje ku të mbahej për të ecur më tej, mendja i ngeci tek përndjekësi pushtetar. Me grushtat e shtrënguar dhe një lëmsh mbledhur në fyt, shkoi drejt e në fshat. Pa u takuar me të tijët, u gjend ballpërballë me ligësinë “parimore” të njeriut me pushtet. Pa vetëm errësirën që i kishte përgatitur. Shtrëngoi duart, i shtru drejt tij, ia ngeci në fyt si dy ganxha dhe i kalli tmerrin me një zë, që nuk dukej si i tij:
“Pse, more i poshtër, pse?!… Pse nuk më le të qetë në hallet e mia?!…Mirë këtu, more maskara, por edhe atje…, atje në minierë…, ku edhe mina të vija, qymyr do të nxirrja! Ptfuuu, farë e keqe!…Qelbësirë!…M’u zhduk sysh, se do të hyj në mëkat!…”
E pështyu me neveri, e rrëzoi në tokë dhe i ktheu shpinën. U largua, pa i ndjerë dhe pa i kuptuar hapat nga e çonin. Shihte vetëm errësirë. Nata kishte pllakosur gjithandej edhe pse ishte ditë, madje mesditë! Grushtat i mbante shtrënguar. Ndihej i fuqishëm të sheshonte çdo gjë që mund t’i delte përpara. Ishte jashtëzakonishtë i tendosur, damarët e qafës të fryrë dhe sytë të dalë si dy toptha drite të kaltër. I kishte shqyer të dy, për të parë më mirë në errësirën ku e kishin hedhur. Kishte ndodhur edhe më parë, që gjatë ditës, të shihte tym, mjegull, re të zeza, që i zinin rrugën. Me vështirësi ishte orientuar dhe kishte gjetur një shteg të zbehtë drite, sa për të mos u rrëzuar në kurthin e ngritur nga një kohë kur e komandonin njerëz pa kokë. “Të pandërgjegjshëm”, siç do të shkruante dy javë më pas. Por sot në mesditë, shihte vetëm natë. Një natë të zezë si bloza e oxhakëve. Çdo hap që hidhte, mund ta çonte në greminë, në humnerë, drejt vdekjes së sigurt. Ecte kuturu, si një somnambul i shkëputur plotësisht nga realiteti jetësor. Por instikti dhe fati e shmangën nga humnera. Ia dorzuan nënës që e zgjoi nga marrëzia. Zëri i saj e solli
në vete. Buzët dhe fryma kur e puthi mbi faqe, i ngrohën shpirtin. Ritmi i zemrës iu normalizua. Kishte mbrritur në shtëpi. Hodhi sytë rrotull dhe e pa veten të rrethuar nga të dashurit e tij familjarë.
Pas fjalëve të zakonshme që thuhen në të tilla raste, vështrimi i Yllit u fiksua mbi të atin. Në rrudhat e vizuara si rreshtat e një libri të vjetëruar, po lexonte jetën e babait. Aty ishte shkruar qartë një emër dhe një histori. Histori me fitore dhe humbje. Fitorja, pjesërishtë, kishte qënë vetëm për të, ndërsa humbja, e të gjithë familjes. Vetë Ylli, nuk ia kishte njohur as këshillat, as përkëdheljet, as mbështetjen, që çdo baba i jep fëmijës së vetë, në atë moshë, kur nuk di të ecë, nuk di të orientohet, nuk di të mbrohet. Pasi e mbolli si farë me “kleçkë” në mitrën e së shoqes, pa marrë akoma formën e foshnjës, iku në burg, për njëzetë vjet. Ky, lindi dhe po rritej me “kleçkën” mbi shpinë, si një barrë e rëndë që e diferenconte nga bashkëmoshatarët. “Kleçka”, tashmë e vulosur me damkën “bir i armikut”, ia “vinte kufirin te thana” për çdo dëshirë, apo ëndërr, që i projektonte pasioni dhe fantazia e moshës. Të gjitha këto i kishte vuajtur dhe po i vuante, por kurr nuk e bëri me faj të atin. Ai e kishte zgjedhur vetë udhën tij në moshë madhore, dhe kishte ecur në atë drejtim, nga e çonte ndërgjegja dhe ideali vetjak. Për herë të parë e pa dhe e njohu, kur ishte shtatëmbëdhjetë vjeç. Sapo mbrriti lajmi se e kishte mbaruar dënimin, Ylli u nis drejt Tiranës, me gëzim dhe kurizitet të veçantë. Për mbresat e takimit do të shkruajmë më vonë…
Tani, të vazhdojmë me leximin që po u bënte rrudhave të të atit. Ishte ndalur dhe po hulumtonte në atë pjesë të jetës, që kishte lidhje me Kryeministrin. Në moshën e fëmijërisë dhe rinisë së hershme, kishin qënë miq, më vonë kundërshtarë dhe më vonë akoma, armiq. Ai u ndal dhe po thellohej në kohën e miqësisë së tyre. Babai i kishte treguar mjaft episode interesante të jetës së vet. Në moshë fare të re, mes vështirësive të panumërta ia kishte dalë të arsimohej në shkollën e vetme të krahinës, duke u bërë nga të paktët persona që dinin shkrim e këndim. Dallohej jo vetëm për mençuri, por edhe për trimëri. Në moshën tetëmbëdhjetë vjeçare, ishte dënuar me burg, duke u izoluar në Kalanë e Gjirokastrës. Arratisja, kishte qënë e jashtëzakonshme dhe kishte bërë përshtypje të veçantë, sidomos tek të rinjtë. Po kështu edhe bëmat e mëvonshme. Me kembënguljen e vet dhe mbështetjen e klerikut bektashi, Baba Dino, kushëri i parë i të atit (ky i fundit, larguar nga jeta kur i biri kishte qënë vetëm tre vjeç), ia del të fitoj titullin e oficerit që në moshën njëzetë vjeçare, ku nis edhe karriera e tij si ushtarak i specializuar në Modena të Italisë. Kryeministri i vendit, aso kohe, ishte fqinj i tij. Shtëpitë e tyre i ndante një mur i vetëm. Duke qënë rreth shtatë – tetë vjeç më i vogël, në mos si idhull, e kishte parë si modelin e djaloshit të guximshëm që di të çaj në jetë. Babai i kishte treguar disa raste kur i kishte shprehur mbështetje dhe simpati.
Ylli po i lexonte këto në rrudhat e të atit, pa u thelluar në atë pjesë ku ishte shkruar për armiqësinë midis tyre. Donte të luante kartën e fundit për të ardhmen e tij. Të takonte Kryeministrin e vendit e t’i tregonte troç për luftën që i kishin shpallur. Besonte se mund t’i zgjonte një fije ndjenje të mirësisë, të altruizmit, të cilën, thuhej, se e kishte vënë në gjumë prej kohësh. Këtë, si djalë i dikujt që e kishte dashur dhe e kishte urryer njëkohësisht. Që e kishte pasur mik dhe armik. Mendonte, se ky fakt, do ta shtynte më shumë drejt një gjesti njerëzor. Ishte një rast i veçantë, ndryshe nga ata që i paraqiteshin për ditë. Ndihmonte një djalë të pafajshëm. Një djalë që ishte mbjellë si farë në mitrën e së ëmës, pak më përpara se i ati të ngrihej kundër Kryeministrit. Një djalë, që nuk bënte pjesë në ushtrinë e miqve dhe shokëve të ngushtë, të cilët i kërkonin favore. Ai nuk kërkonte të tilla. Nuk kërkonte privilegje, fjala vjen, të sistemohej në qytetet e mëdha, të kishte punë zyre, si luks për një jetë pa mundime e pa telashe. Nuk kërkonte as mëshirë. Kërkonte punë dhe shkollë në minierë. Punë dhe shkollë sa për të jetuar. Thënë ndryshe, kërkonte të drejtën e jetës, sepse pa shkollë dhe pa punë, nuk ka as jetë. Ylli nuk e fuste veten te njerzit pa synime, pa ambicje, pa qëllime. Të rroje kot, sipas tij, ishte njësoj me vdekjen e gjallë. Guximin për ta takuar, e mbështeste tek disa veçori të Kryeministrit. Kishte dëgjuar mjaftë të tilla, por njërën, që u vinte kapak të gjithave, ia kishte thënë vetë i ati. Tani po e lexonte në rrudhat e tij. E dallonte, si të ishte shkruar me shkronja shtypi: “Kryeministri, o të vret, o të fal. Ai tjetri, të tërheq gjithë jetën zvarrë!” Kishte vendosur ta takonte. O ta vriste, o ta falte. Nuk donte ta hiqnin zvarrë gjithë jetën, si zvarranik pa këmbë, pa duar e pa mendje.
Siç e pasqyruam edhe në krye të kapitullit, me mirëkuptimin e të atit, Ylli shkoi në Tiranë për të takuar Kryeministrin. Shkoi me zell e besim, se do t’i jepte fund vuajtjes shpirtërore dhe do të gjente një zgjidhje për të jetuar si njeri, i pasurvejuar dhe i padiskriminuar. Por… asgjë ! Vigjilenca për mbrojtjen e numrit dy të shtetit, nuk i kishte hapur asnjë portë . Të gjithë e kishin parë me përbuzje e dyshim. Fjalia “Tentova në çdo mënyrë, por nuk më lejuan”, që shkruan në letër, zbardh qartë odisenë e tij për të hyrë në zyrën e Qeverisë. Më kot kishte menduar se në atë zyrë, mund të hynin edhe hallexhinj të rangut të tij.
Komentet