Ismail Kadare është autori i një vepre të shquar. Ai është njëri ndër më të mëdhenjtë e letërsisë. Librat e tij më të mirë janë të gjallë e të ndritshëm, ku përzihet në mënyrë të llahtarshme imagjinata dhe realiteti. Romanet e tij, ata që përfshijnë universalitetin e jetës e të historisë duke krijuar një realitet të dytë, që lejon të shohësh bukurinë apo tragjiken e jetës, do t’i përkasin bibliotekës së kujtesës kolektive.
Vepra e tij madhore dhe e çuditshme është dëshmi e gjenialitetit të shkrimtarëve që e kanë revolucionarizur letërsinë kombëtare, në kuptimin që i kanë dhënë asaj disa cilësi të reja, sidomos duke e harmonizuar dhe sinkronizuar atë me letërsinë botërore, duke e futur në korin e madh të zërave të zgjedhur.
Pavarësisht nga qëndrimet e tij vetjake, vepra e tij pati një jetë të pavarur dhe zbuloi idetë dhe maskat, iluzionet dhe shpresat, dashuritë dhe urrejtjet e njeriut në përgjithësi. Ai u bëri një prerje vertikale pasioneve njerëzore. Megjithëse studoi në Moskë për t’u bërë shkrimtar i realizmit socialist, ai krijoi një letërsi ndryshe, me një lloj stili të lartë dhe me forcë mjeshtërore duke i anashkaluar me zgjuarsi parimet kufizuese. Ai e ka mrekulluar aq shumë lexuesin kur doli në fillim në arenën e letrave shqipe, sa ta quante ngjarje çdo lexim të veprës së tij. Ai hapi një dritare të re, sidomos në jetën e lexuesit shqiptar.
Me energjinë e tij si shkrimtar i lindur (natus) që mund ta kishte zili çdo krijues, ai solli vepra si Gjenerali i ushtrisë së vdekur, Kronikë në gurë, Kështjella, Pallati i ëndrrave, Muzgu i perëndive të stepës, Prilli i thyer, Krushqit janë të ngrirë e ndonjë tjetër si dhe disa ese që i përkasin universit letrar si për Eskilin, Homerin, Shekspirin, Danten, Servantesin… I frymëzuar nga urtia dhe sublimiteti i legjendave shqiptare ai shkroi dy libra të jashtëzakonshëm : Ura me tri harqe dhe Kush e solli Doruntinën.
Tashmë vepra e tij ka marrë formën e një afresku, me gurë të formave dhe ngjyrave nga më të ndryshmet; ky është imazhi më i bukur i krijimtarisë së tij. Edhe në ka pesimizëm, vepra e tij fsheh një optimizëm real që shpreh besimin te inteligjenca, drejtësia, dashuria dhe bukuria. Ai luftoi kundër së keqes duke i dhënë veprës së tij kuptim të dyfishtë edhe kur u zhyt në të kaluarën historike dhe në fanatastikë, siç edhe e kam shtjelluar gjerësisht në Paris, në vitin 2001, kur paraqita punimin e paradoktoratës « Fantastikja në veprën e Kadaresë dhe Garcia Markesit » (Le fantastique dans l’œuvre de Kadare et de Garcia Marquez).
Vdekja është gjithnjë mbarimi i ekzistencës fizike, një lloj gjendjeje që i shtang të gjitha zemrat. Nuk mund të thuash se jeta e tij qe e shkurtër. Ajo qe e mbushur kryesisht me punë krijuese cilësore, pavarësisht nga stuhitë politike, zënkat, betejat që përfshijnë në çdo kohë njerëzit e mëdhenj. Tashmë ai ka dalë nga ajo sferë ku ekzistojnë kundërshtimet dhe zilitë. Ai ka hyrë në rrugën që i jep secilit përgjigjen e duhur. Një gjë është e sigurtë : vepra e tij do të shkëlqejë mbi retë që shpesh mbulojnë kokat tona.
Romanet e tij më të mira, u krijuan përgjithësisht nën diktaturë. Kjo është edhe enigma e veprës e që mund të zbërthehet me fjalët e një interviste të tij se « Unë njoha më parë letërsinë se lirinë ». Ato kanë « gërmuar » brenda shpirtit dhe zemrës së njeriut duke zbuluar diamante, por edhe greminën që fshihet brenda secilit prej nesh. Dhe sigurisht nga dhuntia e tij natyrore si dhe nga gjenia e tij, ai na la një vepër të lartë dhe të qëndrueshme, në lartësitë e së cilës do të shkëlqejë emri i tij.
(Marrë nga ExLibris)