Eni Vasili mbrëmë tek Open kishte ftuar z.Bujar Hudhri, botuesin e Kadaresë, në një intervistë shumë interesante për t’i sjellë teleshikuesit fakte të reja nga jeta dhe krijimtaria e shkrimtarit me famë botërore i cili mori rrugën për në Olimp më 1 Korrik të këtij viti.
Vjen një moment kur Eni Vasili do të pyeste Hudhrin se çfarë nuk honepste Kadare. Dhe përgjigja që i erdhi ishte: “Shpifjen”. Pas kësaj Eni Vasili iu rikthye një restrospektive sa banale aq edhe mizore të thashethemit që ka 34 vjet që qarkullon, çka në fakt nxjerrë në pah klientelizmin e gazetarëve shqiptarë për ta manipuluar të vërtetën. Sepse duke iu shmangur misionit dashur pa dashur i bëhen bisht segmentit më kriminal të politikës shqiptare.
Jemi duke folur gjithmonë për shpifjen që i atribuohet sikur e ka thënë Kadare në mitingun e 13 korrikut të organizuar nga Partia e Punës pas 2 korrikut 1990 kur refugjatët filluan të dyndeshin nëpër Ambasadat e huaja, se “janë jashtëqitja e kombit”, që ka 34 vjet që përcillet si gojëdhënë nga çdo gojë e pistë.
Ky manipulim sa dramatik aq edhe qesharak amplifikohej sidomos në ditën e lindjes së shkrimtarit, çdo 28 janar, në ditët kur do të afrohej shpallja e Nobelit dhe mjerisht gojët e pista dhe të liga nuk u kursyen as në ditën e vdekjes dhe të zisë.
Ndërkohë kjo shpifje që i atribuohet njeriut më të famshëm shqiptar, shkrimtarit që iu përul gjuhës shqipe, të përkthyer në 45 gjuhë të botës dhe të shpallur 15 herë kandidat për Nobelin e letërsisë tregon nivelin më të ulët të gazetarisë shqiptare që lëvrohet në metropolin fshataresk të Tiranës, që duket sikur është e mbyllur dhe izoluar nga bota dhe nuk ka asnjë mundësi komunikimi. Po ashtu tregon edhe nivelin e elitës shqiptare që nuk shfaqet askund veç për të tërhequr 1 milionshin e pensionit për çdo muaj apo rrogat dhe projektet e bollshme.
Shpifja bëhet edhe më skandaloze sepse përhapet përmes televizioneve të Shqipërisë, gazetarët e të cilëve ruajnë kolltukun, të ardhurat e majme dhe braktisin me koshiencë detyrën e tyre, zbulimin e së vërtetës.
Në pyetjen që ia drejtoi Bujar Hudhrit botuesit dhe njeriut shumë të afërt të Kadaresë, Eni Vasili shtoi elementë të rinj, si “intervista tek Zëri i Amerikës dhe botimi tek gazeta Drita”, elementë në mediume menjëherë të verifikueshme.
Në fakt pyetjen që tashmë është kthyer në një legjendë hamletiane, ishte apo nuk ishte, në dhjetorin e vitit 2017 Eni Vasili në emisionin e saj duke intervistuar shkrimtarin e madh, do t’ia bënte vetë Kadaresë dhe prej tij do të merrte edhe përgjigjen “Jo, nuk kam qenë unë”.
Shpifja në qarkullim prej 34 vitesh, që nuk mori përgjigje edhe kur Kadare vetë ia dha përgjigjen, duhej të ishte zbardhur nga gazetarët shqiptarë dmth edhe nga Eni Vasili. Sepse ishte detyra e gazetares ta kishte zbuluar të vërtetën dhe tashmë duhej ta kishte informuar publikun shqiptar që mbetet i dizinformuar. Eni Vasili nuk vjen nga Hëna. Duhej të ndihej e obliguar aq më tepër nga dashamnirësia e shkrimtarit të madh ndaj saj.
Nga ana e tij Bujar Hudhri, në një komunikim shumë qytetar, i tha Eni Vasilit se shpifja ishte shumë e lehtë të zbardhej mjafton që të shfaqet kronika e mitingut të korrikut 1990.
Po të shfaqet kronika e mitingut të 13 korrikut 1990 e RTSH do të zbulohej me zë e figurë se atë togfjalësh aq të neveritshëm e ka shqiptuar Xhelil Gjoni.
Xhelil Gjoni gjatë diktaturës njihet si njëri nga persekutorët e elitës shqiptare, i cili ka 34 vjet që si një burracak nuk del të thotë të vërtetën, ndërsa Kadarenë gojët e pista të lidhura me policinë sekrete të Nexhmije Hoxhës, që sot më tepër se kurrë janë të angazhuar ta mbajnë Shqipërinë një bastion të narkoshtetit, kanë 34 vjet që përpiqen ta njollosin.
“Nuk ka qenë qenë Kadare në atë miting”, tha z.Hudhri. Dhe vazhdoi të pyesë se përse nuk jepet kronika e mitingut të korrikut 1990 për të zbuluar se cilët ishin dy shkrimtarët që kishin marrë pjesë aty. Cilët ishin?, pyeti Eni Vasili, që mori rolin e hetueses jo të gazetares. “Nuk është detyra ime ta them”, u përgjigj botuesi i Kadaresë.
Në fakt është detyra e Eni Vasilit me shokë që ta zbulojnë. Dhe, sa më tepër e mbajnë të fshehtë, aq më tepër diskreditohen. Kanë 34 vjet që mbajnë në këmbë në shpifje, dhe asnjë gazetar në Tiranë, nga ata që kanë shëtitur gjithë botën dhe jetojnë mes lluksit, nuk merr mundimin që ta zbardhë!
Them se shpifja amplifikohet sepse, sa më tepër kalon koha, aq më tepër “zbukurohet” për ta bërë shpifjen edhe më të fortë në themel, por njëkohësisht edhe për ta rrëzuar me kokë poshtë nga themeli.
Po i parashtroj disa pyetje Eni Vasilit, që iu drejtohen njëkohësisht gjithë atyre që marrin në Tiranë rrogën për gazetarë apo drejtues emisionesh politike dhe kulturore, të cilët me politikanët hanë e pinë dreka e darka.
Përse nuk shkoni në Bibliotekën Kombëtare të shfletoni koleksionin gazetës Drita që reflekton mitingun e korrikut 1990 apo të kontaktoni me kryeredaktorin e saj Zija Çela apo me redaktorët që punonin tek gazeta Drita e asaj kohe?
Përse nuk kontaktoni me Zërin e Amerikës që t’i merrni një kopje të intervistës së Kadaresë, kur ai në fakt nga Zëri i Amerikës më 25 tetor 1990 do të trimëronte gjithë shqiptarët për të përmbysur diktaturën e Ramiz Alisë?
Përse nuk shfletoni koleksionin e Zërit të Popullit pas 13 korrikut 1990?
Përse nuk kërkoni të shfaqet kronika e mitingut të 13 korrikut 1990 nga RTSH për të zbuluar të vërtetën?
Përse gazetarët e Tiranës pyesnin Kadarenë dhe tani Bujar Hudhrin për ta nxjerrë të vërtetën nga zjarri jo me duart e tyre, kur kjo është detyra e tyre ?!
Në fakt kjo turmë gazetarësh, që i fërkon duart me këtë manipulim monstruoz, merr në mbrojtje persekutorin e inteligjencies shqiptare Xhelil Gjonin i cili në mitingun e 13 korrikut 1990 korrikut 1990 i krahasoi ato djem e vajza që hynë nëpër Ambasada “me jashtëqintjen e kombit”.
E pra, ky është niveli aspak profesional dhe aspak i pavarur i gazetarisë shqiptare, të jetë shërbyese e segmentit më kriminal që edhe sot e kësaj dite ka frenat e shtetit, kur do të duhej që pushteti i katërt të mbronte të vërtetën, sepse duke mbrojtur të vërtetën nuk do ta linte që Shqipëria sot të degradonte në një narkoshtet, duke shmangur një cirk që mbrëmë Eni Vasili e përsëriti, që përsëritet prej mbi tre dekadash, duke ia drejtuar të njëjtën pyetje botuesit të Kadaresë z.Bujar Hudhri, që ia kishte drejtuar vetë Kadaresë shtatë vjet më parë.
PS. Më poshtë keni linkun e shkrimit ku i kam kërkuar Eni Vasilit shtatë vjet më parë që ta zbardhte të vërtetën.
Eni Vasili, të ftoj të bësh detyrën, rrëzoje një shpifje ! Nga Elida Buçpapaj