‘’Tregonin për plakën ‘’Turpja’’ se dikur në rininë e saj kishte qenë nga më të mirat vajza të fshatit tonë dhe më e bukura ndër të gjitha. Cili djalë, thoshin, do ta shpjerë nuse në shtëpi dhe s’do të jetë i lumtur me të! Ajo pati qenë edhe shumë e mençur, por ja që bëri një gabim të rëndë shumë, ndonëse jo krejt për faj të saj, që ia nxiu faqen për tërë jetën. Kur dhespotët e kishës bizantine udhëtonin çdo vjeshtë nëpër fshatra për të mbledhur tagrat që duhej t’i paguanin orthodoksët zemërbutë Perëndisë me lutje që t’u siguronte shpirtrave të tyre një vend për në parajsë, koi ashtu ndonja njëzet e ca vjet më parë, t’i bënin Mitropolitit të Kosturit (1) Dhespoti Kyrillos (Dimitriadis) (27.11.1882 – 15.10. 1888) konak në shtëpinë ku banonte kjo vajzë. Dhjaku i taksidarit të Patrikanës e vuri re dhe nuk u zuri besë syve që një lule kaq e bukur mund të rritej në ato vise malore. Dhe i tha hirësisë së tij: “Imzot, në këtë shtëpi jeton një perri që s’mund ta gjesh në Kostur e Korçë. Bukuria e saj vlen sa tërë thesari që japin vreshtat në dioqezën e gjerë tënden”. Dhe e thirri vajzën që të eksomollogjisej, të nunosej, të rrëfente gjynahet në odën e shenjtërisë së tij, t’i puthte dorën dhespotit, të merrte uratën e të bekohej, që t’i laheshin mëkatet.
Vajza fatzezë shpejt u venit si trëndafili i tharë nga bastra dhe nuk u nis më nuse kurrë. Se fshatarët e malësive tona qenë fetarë, por kishin një mendje të çuditshme. Ata vërtet i bënin nderime veqilit të Krishtit, mirëpo nderin e tyre e vinin më lart se qiellin e se çdo gjë tjetër në botë dhe nuk donin as frymën e shenjtë t’u prekte gratë, qoftë edhe me fillin e zambakut të Shën Gabrielit.
Kështu e mjera bijë e Xh. N. që nuk ishte shumë përmbi të gjashtëmbëdhjetat kur ra viktimë e dhespotit të Kosturit, shpejt u venit si lule e këputur. E përbuzur nga bota ajo endej andej-këndej, e përhëndur, gjersa një ditë shkurti tek shkonte nëpër Vakëfe, në Stratobërdhë, Treskë, Katund e Trebickë, ku kish gjerinj të largët, e zuri tufani në Makërzë dhe e mbuloi me petalet e dëborës së
dimrit.Se është e vërtetë sa thuhet për klimën në anët tona: Kur fryn Qesaraka dhe vë çallmë Mali i Zi, shkurti i shkurton udhët e marsi mbledh lëkurët.
Fshati ndau për Turpjen një përshpirtje për ditën e varrimit dhe një dorë e dashur, e panjohur, nguli fshehurazi një kryq të bardhë mbi baltën që e mbuloi, më të bukurin kryq prej çmërsi në oborrin e Shën Kollit, atje nën goricën prapa kishës, ku varroseshin të mallëkuarit e fesë. Më vonë as prifti dhe as fshati nuk u kujtuan më kurrë të bënin një ”Ndiezot!” për të, sikur donin ta harronte edhe vetë perëndia. Por as emrin e dhespotit nuk e përmendnin fare. Dukej sikur patën vendosur me përgjërim fetar të heshtur ta mbulonin punën e tij prej djalli se qe gjynah të flitej keq për shenjtërinë e tij.
I vëllai i vajzës së gjorë, nga turpi, e la fshatin papandehur dhe iku, sipas të thënave të disave, në Rillë të Bullgarisë, sipas të tjerëve në Agjeon Oron, në Mal të Shenjtë, ku u bë kallogjer për të larë mëkatet e motrës së vetme. Pas ca kohe mbaruan edhe prindërit e saj fatkeqë.
Katastrofën e familjes e mbijetoi e bija natyrale e ‘’Turpjes’’. Që për së gjalli pleqtë e fshatit ia shkulën nga gjiri gruas së shkretë bijëzën duke e bërë kështu edhe më të shkretë. E shpunë në Korçë që atje të rritej në mëshirë të Mitropolisë, në shoqëri të atyre çupave që gjuhët e mira i quanin për eufemizëm ”mbesat e dhespotit”. Disa nga fshatarët e saj, shpirtzinj e të pamëshirë, sikur të mos ishin ngarkuar mjaft me të ligën që i patën bërë sëmës, i ngjitën nofkën ”Doçka”. Ditën kur lindi, njerëzit e shtëpisë, për të fshehur turpin e familjes, bënë përpjekje ta zhduknin beben, por vetëm se i thyen këmbën. Kështu që njerëz më të urtë se të tjerët e thërrisnin me cenin e saj fizik ”çalamania”
….
1909. Në Korçë e gjallë më ka mbetur në kujtesë mbrëmja kur u dha lajmi se Sulltan Hamiti u rrëzua dhe në fron hipi i vëllai, Mehmet Reshati. Ngjarja e gëzuar u kremtua me krisma pushkësh dhe këngë e valle në të katër anët e qytetit. Të nesërmen babai foli në një tubim në emër të shqiptarëve. Dhespoti grek ia preu fjalën duke thënë: ”Qefset! Qefset!” Por babai vazhdoi: ”Jo ne mjaft tani! Tani mjaft ata që na kanë shtypur ne, që na kanë futur në zemër frikën dhe përçarjen fetare me dënime e mallkime. Pesëqind vjet të flasim nuk është mjaft për ne. Neve tani mezi na u zgjidh gjuha që të flasim, që të merremi vesh, se të krishterë e myslimanë në këtë vatër nuk jemi veç se vëllezër shqiptarë të një kombi!”
Ndërsa tre muaj më pas, në qershor, kur mbaronte viti shkollor, përballë mytesarifit që pati begenisur të merrte pjesë në atë festë shqiptare, drejtori i mësonjëtores shqipe foli fjalët fluturake: ”Ne shqiptarët edhe nëntëdhjetë e nëntë herë të rrëzohemi përsëri duhet të ngrihemi!”
‘’Më dhjetë të qershorit salloni në shkollë të çupave qe plot me dëgjonjës të cilët po prisnin me padurim programin. Djemtë njëri pas tjetrit dilnin në platformë cili me vjershë, cili me dialogje, e të tjerë mësime dhe këngë.Të gjithë dëgjonjësit mbetën shumë të kënaqur aq më tepër kur dëgjuan se shkolla kish mbajtur vetëm gjashtë muaj dhe gjithë nxënësit kishin mësuar nga abeja.
Zoti Petro një nga mësonjësit më në fund foli një fjalë shumë të mirë për mbi temën : ”Nevojën e madhe që kemi për shkolla shqip në Shqipëri”. Gazeta Korça, nr.10, 22 Prill 1909