Misioni Ndërkombëtar i Monitorimit të Zgjedhjeve në Kosovë (ENEMO) për zgjedhjet lokale të 17 tetorit ka mbajtur konferencë për media lidhur me mbarëvajtjen e procesit e djeshëm të zgjedhjeve, raporton Anadolu Agency (AA).
Ky mision me punën e tij ka monitoruar dhe vlerësuar mjedisin e përgjithshëm politik dhe elektoral, respektimin e të drejtave të njeriut dhe të drejtave të votuesit, sjelljen e organeve të menaxhimit të zgjedhjeve, fushatën, barazinë gjinore, mediat e të tjera.
Shefi i ENEMO-s, Pierre Peytier tha se ky mision ka pasur një gamë të gjerë të vëzhgimeve dhe monitorimeve duke u bazuar në standardet ndërkombëtare të zgjedhjeve.
“Zgjedhjet lokale të vitit 2021 u mbajtën në një mjedis të qetë, pavarësisht situatës tensionuese në veri dhe pasigurive dhe mundësisë së shtyrjes së zgjedhjeve për shkak të COVID-19. Megjithatë, vonesat e vazhdueshme në kryerjen e reformave zgjedhore kanë çuar deri në pikën ku rregullat janë të paqarta dhe konfliktuale gjë që ndikon edhe në sigurinë juridike”, tha Peytier.
Zëvendës-Shefja e Misionit, Elene Nizharadze tha se situata e qasjes së personave me aftësi të kufizuar në procesin e votimit ka qenë problematike edhe në këto zgjedhje, sikurse herëve të kaluara.
“Legjislacioni parasheh rregulla për pjesëmarrjen e personave me aftësi të kufizuara në zgjedhje. Normat ekzistuese ligjore nuk janë të mjaftueshme as për të siguruar informacion lidhur me procesin zgjedhor në vazhdimësi për personat me aftësi të kufizuara në formatin e përshtatur për nevojat e tyre dhe as nuk kontribuojnë në pjesëmarrjen e tyre të pavarur në zgjedhje. Qasja fizike në vendvotime është pengesë kryesore për persona me aftësi të kufizuara”, tha Nizharadze.
ENEMO ka vendosur gjithsej gjashtë ekspertë të ekipit qendror, prej të cilëve pesë janë vendosur në Prishtinë që nga mesi i shtatorit.
Komentet