E lindur më 8 janar 1949 në qytetin e Peqinit, ku spikati për aftësitë e saj vokale që në moshë shumë të vogël. Νë moshën dymbëdhjetë vjeçare dhe ndërsa studion në klasën e shtatë, e dëgjon krejt rastësisht Hamide Stringa, e cila ndodhej atje tek disa miqtë e saj dhe menjëherë e inkurajon të ndjekë studimet për kanto.
Disa vite më vonë Emine Gjata fiton konkursin dhe vazhdon studimet për kanto në ILA pranë të madhes Nina Mula dhe menjëherë pas diplomimit në vitin 1974 emërohet soliste në Teatrin e Operas dhe Baletit. Poashtu në vitin 1975 konkurron me dy shoqet e saj Tatjana Elmazi dhe Xhovana Doko në Festivalin e 14-të të Këngës në RTSH, me këngën e Tasim Hoshafit dhe Llazar Siliqit
“Ku bashkohet Drini me Valbonën”, ndërsa rruga e saj hapet edhe për ngjarjet e mëdha muzikore të kohës si Dekadat e Majit apo Anketat Muzikore të Radio Tiranës.
Në repertorin lirik e ndeshim për herë të parë në rolin episodik të Sofisë tek opereta “Dhëndri u transferua” e Agim Prodanit në vitin 1974 dhe një vit më vonë në rolin e Bardhoshes në operën “Mrika” të Prenkë Jakovës. Në vitin 1976 do të shquhet për timbrin dramatik të vokalit të saj në rolin e Lulës në operën “Zgjimi” të Tonin Harapit.
Në vitin 1978, ajo do të bëhet veçanërisht e njohur në të gjithë vendin, nga interpretimi i rolit të Nastës në operetën e Avni Mulës “Karnavalet” (një rol që do ta interpretonte dhjetëra herë deri në vitin 1988) ndërsa paralelisht do të interpretojë edhe rolin e Olimpisë në operën ” Lulja e Kujtimit” të Kristo Konos. Një realizim i mirë do ishte edhe roli Pafikës nga opera ” Goca e Kaçanikut” e Rauf Dhomit në vitin 1979.
Në vitin 1980 interpreton rolin e Zelës nga opera ” Vjosa” e Tish Daisë dhe një vit më vonë interpreton rolin e Filjes nga opera ” Toka Jonë” e Pjetër Gacit. Në shfaqjen me skena nga Opera e vitit 1982, Minen e gjejmë në rolin e Mercedesit nga akti i dytë i operas ” Karmen” të Bizesë.
Në vitin 1986 do të vijojë arritja e madhe operistike, serisht me rolin e Lules nga Opera ”Zgjimi” e Tonin Harapit ku tashmë do të shkëlqejë me pjekurinë skenike dhe vokale, ashtu siç do të ndodhë edhe një vit më vonë me interpretimin dinjitoz të Nënë Refos tek opera “Nëna e Trimave” të Avni Mulës.
Më 07 Mars 1989 do të qëndisë bukur rolin e Çevës nga opereta komike ‘Paja” të Nikolla Zoraqit, pranë Inva Mulës dhe Gjergj Suliotit. Me rënien e regjimit ajo do të interpretojë edhe role nga repertori botëror operistik si rolin e Inesit nga opera “Trovatore” të Verdit në vitin 1991 dhe do të mbyllë rrugëtimin e saj të ndritshëm dhe të qetë në TKOB me rolin e Çeçilies nga opereta Princesha e Çardashit të Imre Kalman.
Emine Gjata, ose Minja siç e thërrisnin miqtë dhe kolegët e saj, pati fatkeqësinë si shumë zonja të tjera brilante të artit operistik të Shqiptar të dilte në pension në një moshë ende produktive. U largua nga TKOB në moshën 44-vjeçare dhe për një periudhë të shkurtër bashkëpunoi me Liceun Jordan Misja dhe Akadaminë e Arteve si Pedagoge e Jashtme.
Por Mines, problemet shëndetësore i trokitën herët në derë dhe kështu asaj iu ndërpre karriera artistike dhe arsimore në Tiranë. Emri i saj do të dëgjohet sërish në vitin 2012 kur Presidenti i atëhershëm i Republikës, Bamir Topi do t’i jepte ”Medaljen e mirënjohjes” si këngëtare lirike.
Minja ndërroi jetë më 27 maj 2016 ditën kur dhashë provimin tim të fundit në master. Jeta e solli në këtë mënyrë, që unë me “teta Minen” të kalonim sëbashku shumë orë produktive gjatë viteve të fundit të jetës së saj, pasi atëhere jetoja sipër apartamentit të saj. E kam vizituar disa herë për të diskutuar për Operën dhe çështje të ngjashme, madje në atë apartament me ato kolltuqet bezhë takova shumë kolege të saj, që e vizitonin shpesh deri në fund. Zonjë e shkëlqyer dhe person pozitiv që deri në fund të jetës së saj nuk pushoi së kënduari dhe së foluri për operën.