Emiljano Shullazi ndodhet në Gjykatën e Krimeve të Rënda ku ka nisur seanca pa praninë e kamerave. Sot në orën 8:30 pritet që Gjykata e Krimeve të Rënda të vendosë masën e sigurisë për Emiljano Shullazin dhe dy bashkëpunëtorët e tij, Gilmando Danin dhe Blerim Shullazin, të tre të arrestuar tri ditë me parë.
Masa duhej të merrej ditën e djeshme por vendimi u shty dhe shkak është bërë fakti se gjyqtari që do i komunikojë masën e sigurisë, ishte duke gjykuar të akuzuarit për terrorizëm.
‘’Është brenda afatit ligjor. Ka ngarkesë për proceset e tjera që po zhvillohen. Është babai i të dëmtuarit, jo i dëmtuari konkret. Nuk i njohin personat që i akuzojnë. Asnjë nga të dëmtuarit në qytetin e Durrësit nuk ka bërë asnjëherë asnjë kallëzim.
Jemi njohur me kërkesën, por asnjëherë me provat. Nuk i është gjetur pistoletë. Pretendohet për kanabis sativa, po nuk është bërë ekspertiza. Është një person që nuk i intereson bota akademike. Nuk ka vajtur oficeri gjyqësor të marrë deklarimet. Nuk ka prova dhe padi për të vërtetuar akuzat.’’, tha avokati Alban Qafa.
Emiljano Shullazi dhe “banda” e tij, për Prokurorin e Krimeve të Rënda dyshohet se ka kryer 6 vepra penale në më shumë se 15 raste të përsëritura.
Sipas kësaj dosje, Emiljano Shullazi dyshohet se është kreu i një “bande” e cila vijon aktivitetin e saj kriminal, për të realizuar marrjen e përfitimeve të padrejta, nëpërmjet kanosjes si dhe trafikimit e lëndëve narkotike. Në dosje janë renditur dyshimet, ku Emiljano Shullazi, krahu i tij i djathtë Gilmando Dani dhe kushëriri Blerim Shullazi dhe persona të tjerë që po hetohen, janë përfshirë në veprimtari kriminale.
Komentet