Shqipëria po përballet me rënie të shpejtë të lindjeve, sidomos në vitet pas pandemisë, por në qarqet e Veriut, fenomeni po intensifikohet më shumë.
Teksa lindjet në shkallë kombëtare ranë me 10% në vitin 2023 në krahasim me vitin 2022, në Qarkun e Kukësit rënia ishte më 18.5%.
Në qarkun Verilindor, më i varfri në vend vitin e kaluar, lindën vetëm 667 foshnja nga 819 më 2022. Në dekadën e fundit, Kukësi është i vetmi qark që ka pësuar tkurrje të ekonomisë, ndryshe nga trendi kombëtar sipas të dhënave zyrtare të INSTAT.
Kukësi po vuan pasojat e emigrimit të brendshëm dhe të jashtëm të popullsisë. Nga viti 2015, një kanal masiv emigracioni drejt Britanisë së Madhe i ka përkeqësuar ndjeshëm treguesit demografikë.
Pas Kukësit, tkurrjen më të madhe të lindjeve në përqindje e kishte Lezha me rreth 16 .3 për qind në vitin 2023. Në këtë qark lindën 1010 foshnja më 2023 nga 1208 vitin e mëparshëm, e ndjekur nga Dibra ku lindjet shënuan rënie me 14.4% dhe Shkodra me 13.7%.
Në të kundërt qarqet e Jugut kishin rënie më të butë. Psh rënien më të ulët të lindjeve e kishte qarku i Gjirokastrës me 3% dhe më pak Korça me 3.7% dhe Durrësi, Elbasani dhe Fieri me rreth 9%.
Më rënie të lindjeve po përballet edhe kryeqyteti, i cili nga viti në vit ka shtesë gjithnjë e më të ultë të popullsisë. Vitin e kaluar në Tiranë linden 8144 foshnja më rënie vjetore 10.4%.
Nga viti 2013 në vitin 2023 lindjet në shkallë kombëtare kanë shënuar rënie me 37%, ku normat më të larta për 10-vjeçarin i ka Berati dhe Kukësi me 52 dhe 50% secila.
Të dhënat zyrtare të INSTAT referojnë se, në të gjithë vendin vitin e kaluar kanë lindur 22,210 bebe, me një rënie vjetore 10 % ose 2478 foshnja më pak se, në vitin 2022.
Lindjet, rënie vjetore me 10% më 2023, më e forta në 30 vitet e tranzicionit
Kjo ishte rënia më e fortë në 30 vitet e fundit nga viti 1993 dhe ka tejkaluar edhe projeksionet më pesimiste për ecurinë e popullsisë së vendit deri në vitin 2060 të zhvilluara nga INSTAT.
Të dhënat e INSTAT tregojnë se gjatë vitit 2022, norma e fertilitetit ra në 1.21 fëmijë për grua në moshë riprodhimi, nga 1.32 që ishte më 2021. Kjo është rënia më e fortë që nga viti 2015.
Kjo do të thotë se në 100 gra në moshë riprodhimi, lindën vetëm 121 fëmijë, nga 132 fëmijë që lindën më 2021. Që nga viti 2001 me 2023 norma e fertilitetit është përgjysmuar duke rënë nga një nivel 2.31 fëmijë për grua në 1,21 fëmijë.
E krahasuar më të dhënat e Eurostat 2021, Shqipëria shihet të ketë normat e më të ulëta të lindshmërisë në Europë dukë lënë pas vetëm Spanjën (1.19) dhe Maltën (1.13)./B.Hoxha