Bregu perëndimor i shtetit amerikan Florida po përgatitet për ardhjen të mërkurën të uraganit “Elsa”, i cili solli reshje të rënda në Kubë dhe goditi ishujt Florida Keys.
“Elsa”, e cila u regjistrua të premten si uragani i parë i sezonit, ishte dobësuar në një stuhi tropikale deri të shtunën. Të martën vonë, Qendra Kombëtare e Uraganeve e Shteteve të Bashkuara tha se ishte forcuar përsëri në statusin e uraganit me erëra të qëndrueshme prej mbi 120 km në orë.
Kushtet e përkeqësuara të motit në Floridan e jugut të krijuara nga “Elsa” po pengojnë kërkimin për të mbijetuarit e shembjes së pjesshme të një pallati që punëtorët shkatërruan plotësisht të dielën.
Qendra Kombëtare e Uraganeve (NHC) tha të martën vonë në mëngjes se “Elsa” pritet të “lëvizë pranë ose mbi pjesët e bregut perëndimor të Floridas gjatë natës së sotme”, përpara se të zbresë të mërkurën në mëngjes “përgjatë bregdetit verior të Gjirit të Floridas”.
NHC-ja njoftoi se një paralajmërim për rrezik uragani ishte në fuqi që të martën përgjatë një shtrirje prej 290 kilometrash të Bregut të Gjirit nga ishulli Egmont Key në rajonin e Gjirit Tampa deri në lumin Steinhatchee.
Metereologët parashikuan se “Elsa” do të forcohej ngadalë deri të martën në mbrëmje dhe do të merrte pothuajse forcën e një uragani përpara se të zbresë në Florida, pas së cilës pritet të dobësohet ndërsa lëviz më në brendësi.
Të martën priteshin reshje të rënduara në qytetin bregdetar të Surfside, ku u shemb pallati më 24 qershor.
NHC gjithashtu paralajmëroi se “Elsa” mund të sjellë stuhi me rrezik për jetën, përmbytje dhe tornado të izoluara.
“Kombinimi i një stuhie dhe batice do të bëjë që zonat normalisht të thata pranë bregdetit të përmbyten nga ngritja e ujërave që zhvendosen në brendësi nga vija bregdetare”, tha NHC-ja.