Kam në dorë një dokument zyrtar që është domen publik i regjistruar më 11 gushtin e vitit 2016 nga Foreign Agents Registration Act (FARA) në SHBA. Fjala është për një lobim të Top Channel-it me një firmë shumë të njohur lobiste Amerikane, partner i së cilës ishte edhe Elmi Berisha, aktualisht kryetar i Federatës Panshqiptare Vatra.
Sot kur jam duke e shkruar këtë shkrim, sipas opencorporates.al – aksionerë të Top Channel janë pesë anëtarë të familjes së Dritan Hoxhës, me pjestarë të bordit Bjorn Xhokaxhiun, Filip Çakulin dhe Ledion Liçon ndërsa në vitin 2016 kur është firmosur dokumenti në fjalë aksionerë kryesorë me 60 % të aksioneve ishin Albert Sino dhe Aurel Baci.
Të dy aksionerët me shumicë aksionesh të Kompanisë Top Channel në gushtin e vitit 2016 kontraktojnë në Amerikë me firmën Alexandria Group International me qendër në Washington D.C.
Menjëherë të shkon mendja se zotërinjve Sino dhe Baci dikush ua ka rekomanduar
Alexandria Group International, një firmë lobuese me një profil shumë të lartë dhe me shumë kredibilitet në administratën Amerikane.
AGI drejtohet nga Marshall Freeman Harris, ekspert i shkëlqyer i së drejtës ndërkombëtare, diplomat kariere, Asistent Special i Sekretarit të Shtetit James Baker II. Më 1993 Marshall Harris jep dorëheqjen në formë proteste për mos veprim të SHBA në Bosnje dhe me një grup ekspertësh të shquar midis tyre edhe Ambasadorin Menzies drejtoi Këshillin e Veprimit Ballkanik, duke kërkuar ndalimin e genocidit në Bosnje. Ai po ashtu ka qenë president i Freedom House, ka shërbyer si këshilltar kryesor i ish liderir të shumicës të Senatit, Senatorit Bob Dole. Marrshall Harris ka një histori të shkëlqyer kontributi në Ballkan dhe Kosovë, ai ishte në grupin e Bisedimeve të Paqes të Dejtonit; pastaj këshilltar i delegacionit të Kosovës në Rambuje, këshilltar i Presidentit Rugova e shumë e shumë kontribute të tjera me shumë vlerë, prandaj Kosova e ka shpallur Qytetar Nderi të saj.
Të njëjtin profil të shkëlqyer ka tashmë i ndjeri Ambasadori John Menzies. Ai shërbeu si Ambasador në Bosnje dhe pasi NATO i dha fund agresionit të Serbisë kundër Kosovës, ai shërbeu si shef i Misionit të SHBA në Prishtinë. Ambasadori Menzies kishte profilin e një think tank, ai ishte pjesë e stafeve të disa Universiteteve në SHBA. Po ashtu ka qenë në grupin e punës gjatë Bisedimeve të Dejtonit, një zyrtar i lartë me profil të shkëlqyer në Departamentin e Shtetit. Presidenti Rugova e ka nderuar me Medaljen Presidenciale të Kosovës, nderimi më i lartë civil.
Pra siç shihet AGI është një firmë lobuese e drejtuar nga figura te shquara të diplomacise Amerikane, të cilēt nuk kanë pranuar të konformohen me veprime të administratës Amerikane kur kanë menduar se nuk janë konform vlerave dhe parimeve të demokracisë.
Firma me profil të lartë integriteti si AGI natyrisht e kanë si kusht që edhe palët e kontraktuara që ata përfaqësojnë të jenë me integritet. Në rastin e Kompanisë Top Channel, me orientim të majtë politik, ndryshe nga orientimi Republikan i AGI, supozoj se duhet të jetë bërë garant partner i kësaj firme që në vitin 2016 rezulton të ishte Elmi Berisha, kryetari aktual i Vatrës.
Lind pyetja e si e qysh është përfshirë Elmi Berisha në këtë firmë shumë të rëndësishme lobiste?
Opinionit shqiptar duhet t’i kujtohet se aktivisti i shquar Shqiptaro-Amerikan Xhim Xhema e zgjodhi Elmi Berishën midis viteve 1998-1999 si ndërmjetës midis Senatorit Bob Dole dhe Presidentit Rugova. Ky fakt, mendoj se ka shërbyer si garanci që Elmi Berisha të përfshihet në grupin lobues AGI sepse edhe Marshall Harris, edhe Ambasadori Menzies kanë bashkëpunuar ngushtë me Presidentin Ibrahim Rugovën.
Ndërsa sa për Elmi Berishën është e kotë të kërkosh një profil të tij, nuk ekziston askund, as në Wikipedia. Veçse njihet si aktivist, se ka disa piceri në New York, se ka drejtuar Shoqatën e Rrjetit të Biznesmenëve të Diasporës për SHBA dhe se i ka luajtur të gjitha gurët për të marrë kreun e Vatrës, duke shkuar deri aty sa të ndryshojë edhe Kanunoren për të zgjatur mandatin e tij!
E përsëris e presupozoj që Elmi Berisha është bërë garant tek AGI me orientim Republikan për Kompaninë e Top Channel me orientim majtas që dallohet si mbështetëse e kryeministrit Edi Rama. Mjafton ky ndryshim kahesh për të vënë re një anomali.
Por nëse e sheh veprimtarinë e Elmi Berishës si kryetar i Vatrës prej 2020, do të konstatosh se Elmi Berisha e ka mbështetur hapur qeverinë e majtë të Tiranës, aq sa duket sikur Vatra e kryesuar prej tij të jetë kapur nga Edi Rama, pasi ka ndryshuar orientimin tradicional të Etërve që ishte antikomunist, patriotik dhe proAmerikan e proPerëndimor. Elmi Berisha sapo u zgjodh kryetar shkoi në Tiranë dhe pa i pyetur fare Vatranët u takua dhe shtrëngoi duart me Gramoz Ruçin, të fundit minister te brendshëm te diktaturës hoxhiste, që simbolikisht i vinte vulën orientimit politik të Elmi Berishës dhe Vatrës së tij; Elmi Berisha priti në Vatër Hashim Thaçin, kur ishte bërë anullimi i vizitës në Shtëpinë e Bardhë dhe pas pak e morën në Hagë; Elmi Berisha e ka mbyllur Vatrën për opozitën reale ne Shqipëri, mbështet hapur opozitën fake në krah të Edi Ramës, si dhe ka ngritur murin e censurës tek Dielli duke shkelur Amendamentin e parë të Kushtetutës Amerikane dhe tash së fundi me rekomandim të tij, Presidenti i Republikës Ilir Meta dekoroi nje ish oficer të famëkeqit Sigurim të Shtetit. Pra nuk është rastësi që Elmi Berisha presupozohet të jetë bërë garant për dy ish aksionerët kryesore të Kompanisë Top Channel me orientim të qartë të majtë ndryshe nga AGI e thekësoj që ka orientim Republikan.
Duke e presupozuar në rolin e garantit, lind edhe një pyetje tjetër, nëse Elmi Berisha mund të ketë pasur një honorar të veçante nga dy aksionerët e Top Channel.
Vështrim rreth kontratës së bashkëpunimit midis AGI dhe individëve Sino dhe Baci
Tani le t’i hedhim një vështrim kontratës. Duke mos qenë eksperte e fushës, do të mjaftohem me rreshtimin vetëm të fakteve.
Firma AGI me qendër në Washington DC pranon të lobojë për dy aksionerët kryesorë të Top Chanel, që asaj kohe ishin Sino dhe Baci. Pagesa e kontratës fillimisht ishte 50 mijë $ por në kontratë është edhe një klauzolë ku shkruhet se do të ketë rritje të pagesës pas rezultateve pozitive, ndërkaq të gjitha shërbimet, përfshi edhe udhëtimet e tjerë bërë nga ana e firmës lobuese do të faturoheshin në adresë dhe paguheshin paraprakisht nga dy aksionerët e Top Channel.
Ajo që bie në sy në kontratën në fjalë është se dy aksionertët e Top Channel kërkojnë shërbime lobuese nga AGI sikur të përfaqësonin një institucion qeveritar dhe jo dy persona privatë.
Në kontratën e firmosur prej tyre më 2 gusht 2016 po rreshtoj disa nga shërbimet në vija të përgjithëshme që firma lobuese AGI do të ndërmerrte për dy aksionerët e Top Channes që janë si më poshtë:
“Promovim të objektivave specifike të aksionerëve Sino dhe Baci në lidhje me bërjen e kompanisë (Top Channel) një prioritet më të lartë në axhendën politike të administratës amerikane;
Rritje të ekspozimit të aksionerëve Sino & Baci dhe çështjeve të tyre përpara administratës së SHBA, Kongresit, mediave dhe komuniteteve të tjera përkatëse;
Asistencë në programimin e caktimin e takimeve të aksionerëve Sino dhe Baci me drejtuesit dhe zyrtarë të administratës, anëtarë Republikanë dhe Demokratë të Senatit dhe Dhomës së Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara, si dhe politikanë të tjerë e drejtues të opinionit në Shtetet e Bashkuara dhe më gjerë;
Asistencë në dërgimin e mesazheve në emër të aksionerëve Sino dhe Baci, duke përfshirë përgatitjen e deklaratave të tyre publike dhe private;
T’ju vihen në dispozicion analiza të zhvillimeve politike, të biznesit dhe të tjera të rëndësishme në SHBA etj.”
Siç e shihni dy aksionerët në fjalë kanë patur ambicie shumë të larta. Firma lobuese, partner i së cilës ishte Elmi Berisha, kryetari aktual i Vatrës, kishte një axhendë shumë sinjifikative për të plotësuar dhe dy aksionerët e Top Channel Sino dhe Baci do t’i kishte zili çdo parlamentar apo ministër i qeverisë shqiptare të cilët pothuaj kanë një veprimtari zero me administratën e SHBA, dmth gati s’kanë fare. Aq më tepër kur lobizmi në SHBA i komunitetit shqiptaro-amerikan lë shumë për të dëshiruar. Lobisti më i sukseshëm dhe më me kredite ish kongresmeni Joe DioGuardi në vend që të mbështet nga komuniteti Shqiptaro-Ametikan, përkundrazi pengohet dhe i vihen gozhda nën rrota. Ish Kongresmeni Joe Dioguardi dhe LQShA kanë një eksperiencë mbi tre dekada dhe roli i tij ka qenë i jashtëzakonshëm.
Por le të kthehemi tek përmbajtja e kontratës, të cilën kur e lexon të nxit të pyesësh: E përse do të takoheshin dy aksionerët e televizionit privat Top Channel me administratën e lartë të SHBA? Pēr të ndikuar tek ata? Për çfarë?
Një seri pyetjesh të tjera janë: Sa individë si Sino dhe Baci, dmth Kompani biznesi etj kanë aktivitet lobues në SHBA, a ka djeni Komisioni i Politikës së Jashtme i Parlamentit të Shqipërisë, kjo pyetje i takon edhe Shërbimit Informativ të Shqipërisë? Duke e ditur se në Shqipëri qarkullon pare e zezë që ka në fokus dhe synon të ketë ndikim apo t’i kompromentojë metropolet e politikës në Perëndim.
Sa i përket kronikave të mbulimit të takimeve të zyrtarëve më të lartë të shtetit shqiptar, shohim se vizitat e tyre në SHBA dhe takimet me Senatorë e Kongresmenë Amerikanë janë shumë të rralla. Pra duket qartë se administrata Amerikane nuk e përfill elitën politike, por edhe administrata shqiptare e futur në krye të listave për korrupsion nëpër të gjithë analizat e institucioneve ndërkombëtare nuk e ka fare problem. Për politikanët e korruptuar shqiptarë thuhet: E përse të shkojnë në Amerikë, kur Amerikën e kanë gjetur në Shqipëri.
Për të mos u larguar nga tema, e përsëris rishtas pyetje e pērse këta dy ish aksionerët e Top Channel, përmes firmës lobiste AGI në administratën dhe institucionet në SHBA kērkojnë të kenë akses më tepër se institucionet e qeverisë shqiptare ?
Por interesantja vjen më poshtë. Sepse në dokumentin që shoqëron kontratën përfshihet një formular me dy pyetësorë i plotësuar nga vet firma lobuese duke reflektuar të dhënat nga pala e kontraktuar, dmth nga dy aksionerët kryesorë me shumice të Top Channel.
Në pikēn 5 të pjesës së parë të pyetësorit kërkohet të preçizohet se çfarë përfaqëson pala e kontraktuar, nëse Sino dhe Baci janë përfaqësues: të një qeverie të një vendi të huaj, të një partie politike të një vendi të huaj, apo të një organizate të huaj e llojit, korporatë, asosacion, grup vullnetar apo individë – dhe në dokument vērtetohet se dy ish aksionerët e Top Chanel i janë paraqitur firmës lobuese si individë me shtetësi shqiptare që mbulonin 60 % të aksioneve të Kompanisë. Individë me pretendime shumë ambicioze.
Në pjesën e dytë të pyetësorit ku përshkruhet se marrëveshja midis palëve është konkretizuar përmes një kontrate formale me shkrim, në pikat 7-8 i kërkohet kontraktuesit të përshkruajë natyrën, metodën dhe qëllimin e marrëveshjes. Dhe firma kontraktuese lobuese e përcakton me shkrim se ajo do të ndihmojë në promovimin e interesave të palës së kontraktuar, konkretisht:
në veprimtari politike me politikëbërësit dhe opinionbërësit amerikanë; në kontakte me zyrtarë të administratës Amerikane, anëtarë të Kongresit dhe stafit të tyre, përfaqësues të mediave, think-tank etj. etj.
Ndërsa qershia mbi tortë vjen në pikën 9 të pyetësorit, ku kontraktuesit i kërkohet të shpjegojë nëse lobimi do të përfshijë edhe aktivitete politike në emër të palës së kontraktuar. Dhe përgjigja është se firma lobuese synon të informojë politikbërësit dhe opinionbërësit Amerikanë për interesat e pronarëve kryesorë të Top Chanel si dhe për preokupimet e Kompanisë Top Chanel në lidhje me politikat aktuale të SHBA në mbrojtje të reformës kushtetuese, gjyqsorin si dhe sundimit të ligjit në Shqipëri!
Opps! Pra dy aksionerët e Top Channel paskan qenë të interesuar deri tek reforma për drejtësi! E kanë egzagjeruar pak si tepër apo jo! E çfarë interesi ka një Kompani multimediale me politikat e SHBA në lidhje me reformat e drejtësisë në Shqipëri?! A nuk mund të presupozohet si përpjekje e pastër e dy aksionerëve të Kompanise Top Channel si ndërhyrje në administratën e SHBA? Në çfarë konteksti apo nënteksti dy aksionerët kryesorë të Top Channel kërkojnë kontakte me administratën Amerikane në lidhje me reformën në drejtësi ?
Siç e vura re që në krye Top Channel është një televizion i majtë që mbështet hapur kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama dhe me këtëcrast nuk ka si të mos të krijohet dyshimi se Edi Rama e ka përdorur kompaninë private, në dukje e pavarur nga politika dhe qeveria, për të arritur qëllimet e tij politike. A ka përgatitur Top Channel informacione me përmbajte në interes të së majtës dhe pm Edi Rama dhe a janë përcjellë kēto informacione, të presupozojmë dokumentarë përmes firmës lobuese tek DASH dhe tek administrata Amerikane ?
Me këtë rast e vë re edhe një herë rolin e presupozuar garantues tek AGI të Elmi Berishës për dy ish aksionerët e Kompanisë Top Channel, televizion dhe multimedia në krahun e majtë dhe pro Edi Ramës. Në kontratë Marrshall Harris e përmend eksplicitivisht partnerin e firmës AGI, pra Elmi Berishën, të cilin presupozohet se e ka besuar si ish-bashkëpunëtor i Ibrahim Rugovës. Por Elmi Berisha ka ndryshuar timon majtas, pro qeverisë socialiste dhe pm Edi Rama.
Dhe këtu qendron halli, kur individë të deklaruar në kontratë si privatë dhe de jure ashtu janë, por de facto operojnë si zëdhënës të qeverisë së majtë, duke arritur të kenë akses lobues në administratën Amerikane për të ndërhyjrë deri në sistemin e drejtësisë! E këtu kemi shkelje të hapur të ligjit, kur kemi parasysh pavarësinë e institucioneve në një sistem demokratik, diçka që nuk mund as të imagjinohet për sistemin politik në Shqiperi, ku pm i ka kapur të gjitha institucionet.
Ajo që duhet theksuar është se interesat e dy aksionerëve në fjalë tejkalojnë cakun e interesave të dy personave privatë, aq më tepër, kur gjithçka është mbajtur e fshehur dhe nuk ka përbërë as lajm nga vetë televizioni Top Channel që jep lajme. Pra kjo kontratë midis AGI dhe Sino e Baci është mbajtur sekret në Shqipëri, ndryshe nga pala Amerikane, AGI e cila ka operuar me transparencë të plotë.
Si konkluzion i përgjithshëm, nisur nga rasti konkret, mendoj se transparenca e lobizmit, për rëndësinë që ka, lidhet direkt me interesin kombëtar, prandaj duhet të kalojë përmes Parlamentit të Shqipërisë.
Ja linku i kontratës midis AGI dhe dy aksionerët e Topp Channel regjistruar nga Foreign Agents Registration Act (FARA) në SHBA.
https://efile.fara.gov/docs/6347-Exhibit-AB-20160811-2.pdf
Komentet