Lajthitjet e lajmit dhe takimit të Elmi Berishës me Papa Françeskun, referuar gazetës Dielli.
26 Tetor 2023
E kam përshëndetur vizitën e disa vatranëve në Vatikan për të marrë pjesë në një Meshë Shenjte me Papa Françeskun. Çdo njeri ka nëvojë për një ripërtëritje shpirtërore, për bekime dhe hire. Por ajo çfarë lexova në Gazetën Dielli më habiti pa masë.
Lajmi në gazetën Dielli fillon me:
“Vatikan, 25 Tetor 2023- Kryetari i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA z. Elmi Berisha zhvilloi një takim me kreun e Selisë së Shenjtë Papa Françeskun…”
Në rradhë të parë, nuk ka pasur asnjë takim kryetarësh të Vatrës dhe të Kishës Katolike. Papa Françeskuka qenë në një ritual Meshë të përjavshme me një audiencë të gjerë publike. Nga fotoja më poshtë, duket qartë që kryetari Elmi Berisha, gjatë audiencës, ka qenë i ulur jo përpara, as anash por mbrapa foltores ku qëndronte paria e Kishës. Deshmitarët thanë që mbas Meshës Shenjte, kur Papën po e shoqëronin me karrocë drejt residencës së tij, ai ka shtrënguar duart me personat që qëndronin jashtë, ulur në karriget e tyre. Aty ka shtrënguar duart edhe me besimtarin Elmi Berisha. Pra dukshëm, thjesht ka qenë një shtrëngim duarsh me besimtarë, dhe jo takim midis kryetarësh institucionesh, sikurse reklamohet dhe nuk besoj se ka njeri që mendon se Papa ta ketë njohur Elmi Berishën.
Lajmi në gazetën Dielli vazhdon:
“Gjatë bisedës z. Berisha i shprehu mirënjohje Atit të Shenjtë për gjithçka që Vatikani ka bërë për kombin shqiptar…dhe me përulje i kërkoi që Selia e Shenjtë të njohë Pavarësinë e Republikës së Kosovës”.
E para, unë kam një pyetje për Elmi Berishën: Në cilën gjuhë i ka folur ai Atit të Shenjtë? Nëse i ka folur shqip apo anglisht, Papa Francesku nuk kupton as shqip e as anglisht, kjo është një e dhënë zyrtare. I referohem edhe një artikulli nga ABC që shkruan se Papa Françesku nuk flet anglisht. Shih foton me poshte.
Mandej, Elmi Berisha nuk flet gjuhët Papës, as italisht, as spanjisht e as portugalisht. Pra i nderuar naltmadhnia juaj Elmi Berisha, biseda dhe kërkesa juaj që Vatikani të njohë Kosoven nuk egziston realisht. Ose gënjeni ju që thoni se keni biseduar me Papën, ose gënjen Papa që thotë se nuk flet gjuhën angleze e as shqipe. Ja, ky duhet të jetë lajm historik i lajthitjeve tua.
E dyta, është idiotësia më e madhe, jo vetëm që editori i Diellit të deklarojë por edhe për kryetarin e Vatrës të bëjë një kërkesë të tillë, me një rëndësi ndërshtëtërore dhe ndërkmbëtare, në përfundim të procesionit të Meshës Shenjte. Këto kërkesa, për të qenë valide, behen në mënyrë zyrtare, me protokoll dhe me shkrim dhe jo “në vesh” sikurse shprehet Shefi i Kaninetrisë, Pashko Camaj.
Nga një kontakt që pata me një zyrë qëndrore në Vatikan, (shikoni minutazhin më poshtë) më thanë që nuk kanë asnjë rekord që Ati i Shenjtë Françesku, të këtë marrë ndonjë kërkesë nga Federata Vatra për të njohur Kosovën. Nëse Elmi Berisha ka ndonjë rekord dokumenti të shkruar, të dorëzuar Atit Shenjt dhe të dokumentuar nga Selia Shenjte, atëherë le ta bëjë publike dhe kërkesa mund të ketë vlerë institucionale dhe publike.
Pra, as me gojë e as me shkrim, nuk egziston një kërkesë ë tillë.
Lajmi i Diellit vazhdon:
“…Kryetari i Vatrës z. Berisha në emër të të gjithë vatranëve e shqiptaro-amerikanëve i dhuroi Atit të Shenjtë një bust në miniaturë të Shenjtores shqiptare Shën Nënë Tereza. Papa Françesku u gëzua pa masë nga dhurata e Vatrës. Sapo e pa vuri dorën mbi të dhe bekoi Vatrën dhe vatranët duke e pranuar me shumë kënaqësi”.
Kryetari i vatrës abuzon me kur thotë së përfaqëson komunitetin shqiptaro-amerikan, ai nuk përfaqëson madje as vatranët, nje shumicë e tyre nuk e njohin, pasi ai po drejton Vatrën pa mandat valid. Aty nga fotoja duket që qytetari Elmi Berisha i ka treguar Papës një fugure të Nënë Tërezës. Papa ka bërë një kryq mbi fugure dhe mandej ata kanë shtrënguar duart. Dielli thotë se papa bekoi Vatrën dhe Vatranët!!! Cilat janë fjalët që tha Papa Françesku për Vatrën? Në ç’gjuhë e bëri bekimin për Vatrën?!
Nga një kontakt me një zyrtar në Vatikan, më konfirmuan se protokolli i Papës nuk e lejon atë që të marrë e as të prekë me dorë dhurata nga besimtarët gjatë audiencave publike. Zyrtari u shpreh që nuk kanë detaje nga ky rast, por me gjasa Papa e ka bekuar fuguren, sukurse bekon, bukën, ujin apo rruzaret apo fotot e besimtarëve, por jo ta ketë marrë.
Lajmi i Diellit vazhdon:
“…Në takimin historik kryetari i Vatrës z.Elmi Berisha…”.
Takimi do të kishte qenë historik, nëse papa Françesku do të kishtë pritur kryetarin Berisha në një takim privat zyrtar të protokolluar. Ka ndonjë provë Elmi Berisha se ky “takim” është i regjistruar në protokollin e Atit të Shenjtë? Po, mund të jetë historik për vetë Elminë si individ, por Vatra nuk ka se çfarë të ruajë në arkivën e saj për në takim të një zyrtari të lartë të Vatrës me Papën. Një foto jashtë në një audiencë publike nuk mund të protokollohet apo futet në arkivë si takim zyrtar historik i Vatrës me Selinë e Shenjtë.
Lajmi tek Dielli vazhdon:
“…Selia e Shenjtë organizoi sot një audiencë të përgjithshme ku për herë të parë në historinë e saj merrte pjesë dhe Federata Pan-Shqiptare e Amerikës VATRA me mbi 100 vatranë dhe miq nga trojet tona etnike”.
Mua me tingëllon shumë qesharake kur lexoj se Federata Panshqiptare Vatra mori pjesë në një Meshë me audience publike, apo sikurse tha “Shefi i Kabinetrisë” Camaj se “një delegacion i Vatrës mori pjesë në një Meshe publike me Papën”. Pikësëpari, udhëtimet për të marrë pjesë në një Meshë publike janë udhëtime pelegrinazhi dhe jo zyrtare. Meshët zhvillohen me besimtarë, grupe lutjesh dhe jo me delegacione shoqatash. Nga Vatra kanë qenë një numër i vogël besimtarësh apo jobesimtarësh, kurse ata 100 të tjerët që përmenden në shkrim, kanë qenë grupe të lutjes nga Kishat në Michigan dhe Shqipëri, që udhëtuan në mënyre të pavarur nga përfaqësuesit e Vatrës. Këto grupe lutjesh, ku kanë qenë edhe familjarë të mij, mblidhen në Kishat e tyre në mënyrë të përjavshme në ritual lutjesh. Ata janë pelegrinët e vërtetë, që udhëtimin e kanë si sakrificë ndaj besimit, që i kushtojnë mendjen dhe shpirtin Meshës Shenjtë dhe Atit të tyre Papa Franceskut, dhe jo për të ndenjur mbas tabërnakut të Meshës apo për të ‘vjedhur” një fotografi dhe për ta shitur si takim zyrtar apo si histori suksesi.
Sinqerisht, unë personalisht kam pritur që këtë udhëtim drejtuesit e Vatrës do t’ja dedikonin vehtes së tyre, që nëpermjet përkushtimit dhe lutjeve, shoqëruar edhe me atë përshendetje apo shtrengim duarsh me Papën do të ishte një përfitim hiresh për një kthesë nga mentaliteti i mbylljes dhe izolimit në hapjen e mendjes dhe të dyerve të Vatrës per Vatranët. Edhe qëndrimi në skaj mbrapa shpinës së Papës dhe prapa Elterit te shenjtë, nuk ju lejon atyre as që ta shohin apo ta ndjejnë magjinë apo emocionin e Meshës.
Si përfundim, për ne këtu në Vatër nuk është ndonjë surprizë të shohim lajme fallco si ky i fundit në gazetën Dielli. Falsitetin e takimeve dhe të lajmeve e përcjellim çdo ditë në Gazetën Dielli e cila mendoj se është kthyer në një mjet propogande ku promovojnë vehten e tyre drejtuesit me vota të manipuluara të Vatrës. Ky falsitet, sigurisht që ju ka krijuar nje fryrje artificiale fiktive si bushiq që pret të pëlcasë, në Shqipëri, Kosovë apo diasporat e shteteve jo amerikane, por në komunitetin shqiptar në Amerikë dhe brenda anëtarësisë së Federatës ka krijuar një neveri dhe një distancë që po thellohet çdo ditë, mbasi çdo ditë, çdo javë dhe çdo muaj mbushet me shkrime, udhëtime apo takime hajvaneske, të padenja për të përfaqësuar Vatrën dhe anëtarësinë e nderuar të saj.