Kryetaren e Partisë Demokratike të Italisë Elly Schlein e intervistoi gazetarja Alba Kepi.
Pse opozita italiane nuk e dërgoi Paktin Meloni-Rama në Gjykatën Kushtetuese? Cili është sot raporti i mes socialistit shqiptar Rama e lideres së të majtës italiane Elly Schlein?
Kryetarja e Partisë Demokratike italiane Elly Schlein i është përgjigjur pyetjeve të gazetares së SYRI TV.
Alba Kepi: Qeveria Meloni ka deklaruar se brenda datës 20 maj, qëndrat e emigantëve në Shqipëri mes të cilëve dhe një qendër burgimi do të jenë operative. Në Shqipëri, pakti Meloni Rama u cua në Gjykatën Kushtetuese nga Partia Demokratike forca më e madhe opozitare. Ju si parti opozitare votuat kundër këtij pakti në Parlament për motive të qenësishme. Po pse nuk e dërguat në Gjykatën Kushtetuese?
Elly Schlein, lidere e Partisë Demokratike italiane: “Jam një mike e Shqipërisë, siç e kujtuat dhe ju. Kam punuar shumë vite më parë si europarlamentare në procesin e integrimit, asociimit e stabilizimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Nuk kam ndryshuar ide. Jam e mendimit se pakti Meloni-Rama është një gabim, është i gabuar. Por e them këtë nga këndvështrimi italian, nga këndvështrimi i Italisë. Ne kemi në Kushtetutën tonë, neni 10, se një të huaji që i mohohen të drejtat në vendin e tij, i jepet e drejta të kërkojë azil në territorin italian. E mendojmë se të deportosh në një vend të tretë si Shqipëria persona që kërkojnë azil në Itali, është një ide jo e drejtë.
Mendoj se është një marrëveshje e kushtueshme e fondet duheshin përdorur për të forcuar sistemin e azilkërkuesve në Itali që prej kohësh është nën stres. Por e djathta sa herë që vjen në pushtet bën veç propagandë e të kundërtën e asaj që duhet. Shkatërron sistemin e strehimit të shpërndarë, këtë sistem që krijon përfshirje, që mund ta kontrollosh mbi fondet e lëvruara, që përfshin kryetarët e bashkive e autoritetet lokale e jo i vë nën urdhrat e ministrive. Në vend të kësaj e djathta italiane preferon kampe të mëdha emigrantësh, ku zhduken të drejtat e tyre, ku infiltrohen interesa ekonomike e disa herë dhe interesa mafioze. Kjo është historia italiane. Mendoj se shumë më mirë këto burime fondesh mund të përdoreshin për të përmirësuar sistemin e azilkërkuesve në Itali e këtë gjë e kërkojnë dhe autoritete lokale e kryetarë bashkie të së djathtës që qeveris.
E gjej mizore, jo humane, që persona të shpëtuar në mes të detit, me gjithë vështirësitë që qeveria ka krijuar me ligjet e reja që ka nxjerrë, janë njerëz që vuajnë e janë të mbijetuar të një udhëtimi vdekje e duhen dërguar në portin më të afërt, por jo në një vend më të largët si Shqipëria duke i lënë të lundrojnë dhe tre ditë të tjera. Pra është absurde. Pra ne vazhdojmë të mbështesim Shqipërinë në rrugëtimin europian por kur ka divergjenca të tilla ne duhet t’i themi.
Alba Kepi: Insistoj mbi pyetjen e raportit tuaj me socialistin Rama.
Elly Schlein: Siç ju thashë, është një raport i drejtpërdrejtë, i sinqertë, Ku ka gjëra që duhen thënë i themi e kemi bërë këtë gjë dhe gjatë reformës së drejtësisë. Menjëherë pas nënshkrimit në Romë më 6 nëntor 2023 të paktit Meloni-Rama, Partia Demokratike italiane u shpreh fortësisht kundër madje duke kërkuar sipas mediave dhe përjashtimin e Edi Ramës nga Partia Socialiste Europiane. Partia Demokratike italiane sqaroi dhe pse nuk kanë avancuar konkretisht me një kërkesë të tillë, janë të mendimit se ky fakt prekte një tematikë politike e principet e grupit të partive të PSE.