Ish-prokurorja e Krimeve të Rënda, Elisabeta Imeraj thotë se transkriptet e publikuara për 21 janarin e vitit 2011 kur Kryeministria u sulmua nga mbështetësit e PS, nuk mund të shërbejnë si provë.
Në emisionin “Review” në Euronews Albania, Imeraj nënvizoi se nuk mund të hetohet një çështje për të cilën gjykata ka marrë vendim.
“Në aspektin dokumentar, të të gjithave provave të administruara në dosje, ne nuk kemi sot një dijeni, apo një të dhënë konkrete, prej së cilës të burojë si provë, që ky urdhri është nga një person, çfarëdo lloj pozicioni që ai të ketë pasur.
I referohem deklarimeve të personave të pyetur. Në këtë drejtim, nëse ka dhe burojnë veprime të tjera hetimore, që propozohen, qoftë edhe nga ky audiopërgjimi që disponon zoti Hoxha, që mund të merret, të analizohet, detajohet dhe i jepet rruga për të vijuar në hetime, atëherë neni 449, nuk afekton pjesën e gjësë së gjykuar që lidhen me subjekte që kanë marrë një vendim.
Ne nuk mund të ngremë një akuzë të re, për subjekte të cilat drejtësia e ka dënuar për atë fakt. Nëse në raport me hetimet që po zhvillohen për gjetjen e autorësisë për vrasjen e Aleks Nikës, dalin detaje që e lidhin me këtë në tërësi, nuk e pengon njeri që të vazhdojë hetimet në këtë aspekt”, theksoi ajo. syri.net