Viktimat vijojnë të mbeten të persekutuara, edhe nga genocidi i kujtesës
Nga Valeria Dedaj
Vajza e poetit, Vehbi Skënderi, tregon për gazetën Shekulli, kalvarin e vuajtjeve që ka kaluar i ati.
Si poete dhe publiciste, por edhe si një njeri që i ka përjetuar persekutimet komuniste, Elida Buçpapaj, hapjen e dosjeve e shikon domosdoshmëri për viktimat.
Shkrimi i një fejtoni do t’i ndryshonte jetën plotësisht. Aty do të niste zanafilla e vuajtjeve të tij dhe të familjes. Bëhet fjalë për poetin Vehbi Skënderi (1929-2011). Vehbi Skënderi shkruan fejtonin “Klubi i të qetëve” dhe një pamflet për të cilin kishte bashkëpunuar me një grup të shquar intelektualësh, që e dërgoi për botim te “Zëri i Popullit”. Në të kritikonte rëndë institucionet e Akademisë së Shkencave. Por pamfleti nuk botohet, edhe i dorëzohet Byrosë Politike. Në Komitetin Qendror e akuzonin ai nacionalist. Pasi i shpëton burgut, e dërgojnë për riedukim, si punëtor në Hidrocentralin e Vaut të Dejës. Por ky ishte vetëm fillimi i vuajtjeve të tij, ata do të vazhdonin ta endnin nga një vend në tjetrin, deri në repartin e plehrave në Kombinatin Poligrafik. Vajza e tij, Elida Buçpapaj, poete edhe publiciste prezanton për lexuesin vuajtjet që i ka shkaktuar familjes së saj sistemi komunist. Ajo ndalet edhe te domosdoshmëria e hapjeve të dosjeve në vendin tonë.
E nisim nga fëmijëria. Vitet kur poeti, Vehbi Skënderi, babai juaj ju tregonte përralla dhe plotësonte çdo dëshirë tënden. Si i kujton sot ato vite?
Elida Buçpapaj:Fëmijëria ime ishte efemer, si një ëndërr, që zgjat sa zgjasin ëndërrat. Më kujtohet kopshti 31 tek ish-Blloku, ku babi vinte e më merrte e më mbante në krahë. Nganjëherë më çonte tek gjyshja që e kishte shtëpinë ngjitur me Hotel Internacional, pas ish-Lidhjes së Shkrimtarëve, tek rruga e Kavajës. Ishte një rrugë që netëve të dimrit mbante erë tym, kështu e kam të fiksuar. Babi më adhuronte, më kishte kthyer në një objekt poetik. Në një poezi që më ka kushtuar (se më ka kushtuar poezi pa fund), unë yjet i konsideroja fëmijë të hënës. Pastaj kujtoj shtëpinë. Kur më tregonte përralla. I krijonte këto përralla enkas për mua. Ishte një personazh miush, rebel që sfidonte mbretëreshën dhe aventuronte. Pastaj më deklamonte poezitë e Nolit, sepse deklamonte si një aktor i madh, merreni me mend që një fëmijë pa shkuar ende në kopsht të dëgjojë Rent or Marathonomak, apo Anës Lumenjve, pastaj më deklamonte poezitë e tij, duke më mbajtur në gjunjë përballë makinës së shkrimit, ose më lexonte libra. Nganjëherë më merrte tek Revista Ylli ku punonte, kujtoj gjithçka nëpër mjergull. Kur shkoja tek revista Ylli më kujton Ajtanga Lubonja që punonte me babin. Kur mbusha pesë vjeç, babi na solli në shtëpi kolegun e tij, fotografin e Revistës Ylli, Petrit Kumi që më bëri fotografi shumë të bukura. Megjithëse unë i kisha flokët e verdhë, i thosh mamit që të m’i krihte alla Xheki Kenedi me kordele. Revista Ylli asaj kohe kishte një vizion shumë modern, pasi aty punonin disa shkrimtarë e poetë, si Naum Prifti, Kin Dushi, kryeredaktor kishin Qamil Buxhelin. Lidhja e Shkrimtarëve ishte ku është sot Teatri Popullor, babi më merrte me vete nganjëherë edhe aty, i pëlqente të luante shah, megjithëse nuk krenohej se ishte një lojtar i madh. Por gjithçka mbaroi pa nisur mirë dhe u zhduk sa hap e mbyll sytë.
Fill pas botimit të fejtonit “Klubi i të qetëve ose Klubi i të lumturve” për Klubin e Lidhjes se Shkrimtarëve dhe të Artistëve, në vitin 1967, jeta juaj do të ndryshonte plotësisht. Shqetësimet e babait, ishin edhe pjesë e juaja… Çfarë kujton nga ajo periudhë?
Elida Buçpapaj:Tek fejtoni “Klubi i të qetëve” nis zanafilla e vuajtjeve tona. Unë vetë nuk e kam lexuar kurrë këtë fejton, sepse, si ju thashë, kam qenë shumë e vogël dhe ia kanë zhdukur. Kanë ardhur në shtëpi dhe ia kanë marrë kopjet që kishte. Atëherë nuk kishte komputer si sot. Mund të jetë ndofta në Arkivin e Shtetit. Por kalvari i tim eti nisi kur, në të njëjtin vit me “Klubin e të qetëve”, ai duke bashkëpunuar me një grup të shquar intelektualësh si Profesor Selman Riza, Profesor Ligor Mile, Profesor Dhimitër Pilika, Kolonel Dilaver Radeshi, historiani i mirënjohur Zija Shkodra, majori Bektash Bedo etj shkroi një tjetër pamflet që e dorëzon për botim në Zërin e Popullit. Aty kritikoheshin rëndë disa institucione të Akademisë së Shkencave. Sipas një biografie të shkruar nga vetë babi, në këtë pamflet kritikohej Instituti i Historisë, që në vend se të merrej me figura e epoka madhore të historisë kombëtare, merrej vetëm me Haxhi Qamilin, duke mos bërë asnjë monografi për Pirron e Epirit, Teutën e Ilirisë, Skënderbeun, Ali Pashë Tepelenën, Hasan Prishtinën, Ismail Qemalin e Fan Nolin, duke mos bërë asnjë studim për Lashtësinë, Mesjetën, Rilindjen Kombëtare, duke mos bërë asnjë studim për Kosovën. Kritikohej edhe Instituti i Gjuhësisë që në atë kohë nuk kishte përgatitur ende Fjalorin e Gjuhës Shqipe. Këto dy institucione që mbuloheshin direkt nga krimineli Manush Myftiu krijonin bazën ideologjike të sistemit. Pamfleti nuk botohet. Zëri i Popullit që asaj kohe drejtohej nga Todi Lubonja ia dorëzon dorëshkrimin sekretarit të parë të Tiranës dhe me të merret Byroja Politike, duke e cilësuar veprimtari armiqësore grupazhi e njëjtë me Konferencën e Partisë së Tiranës. Babi më tregonte se në Komitetin Qendror, gjatë seancash të terrorit të gjyqit politik, e akuzonin për veprimtari antiparti sepse, sipas tyre, sulmonte institucionet e superstrukturës së shtetit, e akuzonin edhe si nacionalist, meqë u deklarua se Kosovën e shihte si pjesë të Shqipërisë. Gjyqi ishte kaq i tmerrshëm sa njëri prej pjesëtarëve, i ndjeri Bektash Bedo, vrau veten.
Unë s’kisha vajtur ende në shkollë, por e përjetoja tmerrin e vonesave të babit që kthehej në mesnatë, i shkatërruar nga marrja në pyetje. E kujtoj edhe se si qante babi kur vrau veten Bektash Bedo. Kur i shpëtoi burgut dhe e dërguan për riedukim si punëtor në Hidrocentralin e Vaut të Dejës, kjo njerëzve të shtëpisë iu duk si shpëtim. Me kujtohet se asaj nate kur u mor vendimi nga Komiteti Qendror, unë nuk e kisha konceptin e kohës, dhe m’u duk mesi i natës kur nusja e xhaxhait të vogël më mori e bashkë shkuam tek një ëmbëltore që ishte aty ku sot është sheshi para Muzeumit për të blerë tullumba për gjithë familjen që na priste.
Dhe pikërisht këtu do të merrte fund edhe fëmijëria ime, pa shkuar ende në klasën e parë, kur babi u nis në Vaun e Dejës dhe mua do të më ndërpriteshin të gjitha, përrallat, recitimet, vetë fëmijëria.
Regjimi i heq të drejtën e botimit dhe e dërgon në kantieret e klasës punëtore… ç’mund të thoni sot pas kaq vitesh për këtë dënim të sistemit?
Elida Buçpapaj: Dënimi në Vaun e Dejës ishte njëri prej dënimeve, ose preludi i dënimeve që babit nuk ju ndanë kurrë deri sa vdiq këtu në Zvicër.
Ambasada e Shqipërisë në Bernë bënte takime folklorizante deri në banalitet, por kurrë nuk ndërmori një aktivitet vlerësues për tim atë.
Fakti që në krye të Ambasadës së Shqipërisë për 8 vjet qendroi Mehmet Elezi, një ish-censor i Komitetit Qendror të PPSH, i emëruar nga kryeministri Sali Berisha i mbetur i pakonvertuar e me mendësinë totalitariste, që vijoi luftën e klasave, pa marrë parasysh se ishte emërim politik nga PD, partia që pretendon se ka udhëhequr rrëzimin e diktaturës, tregon se Shqipëria nuk e ka ende një sistem demokratik të mirëfilltë.
Pas një gjyqi politik, babin e dërguan si punëtor në hidrocentralin e Vaut të Dejës. Ia hoqën të drejtën e shkrimit e botimit. Punonte me tre turne, sondist. Fliste me ne në telefon dy herë në javë. Bashkë me mamin shkonim tek Posta Qendrore e Tiranës sepse nuk kishim telefon në shtëpi dhe komshinjtë bezdiseshin e nuk pranonin që një grua e re dhe një fëmijë të flisnin nga telefoni i shtëpisë së tyre me një të dënuar të Partisë.
Në kantier babi i kishte caktuar vetes një kuotë shpenzimesh, hante vetëm 67 lekë në ditë dhe të tjerat ia niste mamit për rritjen time. Ai nuk i kishte mbushur ende 40 vjeç kur shkoi në Vaun e Dejës. Por megjithë vuajtjet e tij dhe izolimi që përjetonim ne në Tiranë, babi i deshi ata njerëz me të cilët punonte dhe shumica e tyre, punëtorë të thjeshtë dhe inxhinierë ia kthyen respektin me respekt.Lidhja e Shkrimtarëve ishte e mbushur me hipokritë e matrapazë arrivistë që për rehatin e tyre ishin gati të ngrohnin duart në zjarrin e inkuizitorëve. Në kantier, e provokonin rëndom, por pas pesë vitesh punë si punëtor, i dhanë prej kantierit një karakteristikë shumë pozitive. Babi kujtonte gjithmonë miqësinë e bukur me piktorin Nexhmedin Zajmi që e forcoi në kantier.
Herë pas here vendimet kundër tij, ishin nga më të ndryshmet. Si arriti babai juaj që të duronte gjithfarë torturash… A fliste me ju?
Elida Buçpapaj:Ishte një regjim shumë mizor. Vetë izolimi ishte i tillë sa dukej se gjithë globi fillonte e mbaronte në hapësirën territoriale të Shqipërisë.. Unë tashmë shkoja në shkollë. Me çelësin në qafë. Babi më kishte edukuar botën e librit. Kur kthehesha në shtëpi lexoja libra pa fund. Ndofta kam qenë në klasën e parë apo të dytë kur kam lexuar Andromakën, tragjedinë e Euripidit dhe vuaja me fatin e të vesë të Hektorit me të cilën kishte rënë në dashuri Akil Pelidi. Po ashtu më magjepsnin Jetët Paralele të Plutarkut. Vetëm lexoja. Kur e mbaroi dënimin, babi rikthehet në Tiranë. Midis viteve 1971-1972. E lënë të punojë si korrektor, pastaj si redaktor në Shtëpinë Botuese Naim Frashëri në redaksinë e poezisë. Ne ishim të lumtur dhe ndërsa posa e kishim marrë pak veten dhe rifilluar jetën, “rehabilitimi” zgjati vetëm disa muaj dhe në marsin e 1974, babin e akuzojnë si pjesëtar të një qendre korrupsioni. Kjo është temë më vete, e pazbardhur.
Unë tashmë këtë fazë tmerri e kujtoj fare mirë sepse isha në tetëvjeçare. Kjo periudhë që zgjati një dekadë e sa ishte ferri i ferrit. Babin e heqin nga puna, ia heqin prapë të drejtën e botimit, ia djegin librat dhe ne si familje na internojnë në një fshat të tmerrshëm pas Dajtit. Kur shkuan për ta parë, mami e tmerruar vetëm qante. I shitëm të gjitha plaçkat e shtëpisë. Babi me ato para iu lut hallës që të më mbante për të vazhduar shkollën, por burri i hallës nuk pranoi se kishte frikë. Babi u sëmur, villte natë e ditë vrer e nuk qëndronte dot në këmbë. U bë kockë e lëkurë dhe u plak menjëherë.
Një ditë e thërrasin në lagje. Ishte një paradite vere dhe shkolla kishte mbaruar. Tek ne kishte ardhur xhaxhai i Durrësit, që punonte si oficer. Të më merrte mua për pushime. Po priste babin të kthehej. Menduam se mos e kishin thirrur që t’i jenin ndonjë punë qoftë edhe si punëtor krahu, se ishte pa punë. Por e kishin urdhëruar që ta linim shtëpinë brenda një kohe të shkurtër, ku edhe ia kishin komunikuar internimin në atë fshatin pas Dajtit. Ky ishte fundi sepse nga ai fshat zor se kthehej njeri aq i izoluar ishte. Kur babi i ra derës, unë po lexoja në dhomën e gjumit. Derën e hapi xhaxhai. Babi vrapoi tek ballkoni për t’u hedhur, shtëpia jonë ishte në katin e tretë, por xhaxhai nuk e la dhe kështu e shpëtoi. Unë nga zhurma dola nga dhoma e kur e pashë skenën, nisa të qaj me të madhe.
Kjo periudhë ka shumë për të treguar. Unë do të kujtoj sidomos armiqësinë e njerëzve që na lanë vetëm nga frika e regjimit. Shoqëria ishte bërë edhe më mizore si regjimi, kënaqej me dramat dhe tragjeditë njerëzore.
Një nga propozimet që iu bë më tepër se një herë ishte që ai të bëhej pjesë e Sigurimit të Shtetit, gjë që nuk e pranoi asnjëherë… Ku e gjente forcën për të kundërshtuar, ata më të lartët. Pasi rreziku që i kanosej medoemos që ishte edhe më i rëndë nga gjendja ku ishte?
Elida Buçpapaj: Po babi më ka treguar se i kanë propozuar disa herë që të bashkëpunojë me Sigurimin e Shtetit dhe nuk ka pranuar. Kjo edhe i ka kushtuar shumë në jetë, por ishte rruga që zgjodhi. Që kur unë kam nisur të mbaj mend, kujtoj tim atë që më flet gjithmonë për drejtësinë dhe të vërtetën, për fjalëmbajtjen dhe ndershmërinë. Nga babi trashëgoj edhe talentin, vokacionin për të shkruar. Kam nisur të botoj prej vitit 1991 dhe prandaj që në shkrimet e para kam kërkuar hapjen e Dosjeve të Sigurimit të Shtetit. Moshapja e tyre ka qenë fatkobi i këtij tranzicioni, sepse njerëzit e Sigurimit prej 25 vitesh janë pjesë e oligarkisë dhe kupolës shtetërore. Tranzicioni u komprometua fillimisht nga përfshirja në politikë dhe institucione e ish-Sigurimsave dhe pastaj nga korrupsioni. Pa integritet të zyrtarit të lartë publik, nuk ka shtet të së drejtës.
Nga ana tjetër ishit ju dhe nëna, çfarë kalonit gjashtë asaj periudhe, që doemos nga një familje e nderuar ju konsideronin, me “biografi të keqe”. Sa të vështirë e kishit gjendjen që ishte krijuar në familjen tuaj?
Elida Buçpapaj: Kam thënë edhe diku tjetër, që Spaçi jetohej edhe në mes të Tiranës, kur shoqëria të fuste në një karantinë virtuale si një njeri i molepsur dhe pastaj të gjuante me gurë fyerjesh. Mendoni një vajzë e re që e fyejnë me të gjitha mënyrat. Sepse shoqëria i izolonte ata që partia i dënonte, dhe kur dënohej njëri anëtar i familjes, dënohej e gjithë familja, përfshi ne fëmijët. Persekutimi ishte si një këmishë që e mbaje të veshur në trup. Kishim të bënim me një shoqëri persekutore. Kolegët e babit ishin zhdukuar nga faqja e dheut. Babin e priste vetëm Sterjo Spasse dhe Zisa Cikuli.
Është shumë e dhimbshme kur flasin për persekutim nga diktatura ata që kanë jetuar mes privilegjeve dhe persekutimin e kanë jetuar si fobi, sepse dinin që edhe brënda sistemit stalinist ekzistonte lufta e llojit.
Diktatura me shërbëtorët e saj ne na e kishte shfarosur sensin e perspektivës. Ishim pa të ardhme. Pastaj babin e dërgojnë të punojë në repartin e plehrave në Kombinatin Poligrafik. Unë mbarova gjimnazin dhe më çuan në Kombinatin Josif Pashko si punëtore në fabrikën e pllakave. Por megjithatë, unë gjithmonë kam thënë se në atë katrahurë ishim prapë me fat, sepse mbetëm të bashkuar të tre, që e donim deri në kockë njëri-tjetrin. Them kështu sepse kam parasysh se diktatura ka shkatërruar familje të tëra. Vetëm ndalimi i së drejtës së shkollimit për fëmijët e të dënuarve është krim i diktaturës.
Kur mori fund kjo torturë për ju? Çfarë ndodhi pas vdekjes së Enver Hoxhës në familjen tuaj?
Elida Buçpapaj:Kjo torturë nuk mori fund asnjëherë. As sot. Nuk ka ende rehabilitim të shtresës së persekutuar. Në vitin 1991, kur ishte rrëzuar Muri i Berlinit dhe ishin mbajtur zgjedhjet e 1991, unë pasi mbaruar fakultetin për letërsi me korrespondencë, pasi kisha mbrojtur anglishten dhe tema e diplomës ishte botuar në Revistën shkencore të Institutit Kultura Popullore, shkova me Skënderin t’i kërkoja Luan Omarit, në Akademinë e Shkencave, mundësinë për të punuar si punonjëse shkencore, pasi kisha përgatitjen e duhur dhe meqë erërat e ndryshimit frynin dukshëm, por kërkesa ime iu duk zotit Omari si padrejtësia më e madhe në botë.
Jeta jonë gjithësesi ndryshoi si për gjithë shqiptarët. Rashë në dashuri dhe u martova me një njeri të letrave, me Skënder Buçpapajn, një selfmademan i ndershëm dhe shumë i zoti. Na lindi djali i parë Prizreni që i dha kuptim gjithçkaje dhe na lumturoi gjithë familjen, duke nisur prej babit. Fitorja e 1992 i frymëzonte gjithë shqiptarët të shpresonin për ndryshim. Por ishte një liri e kontrolluar. Dhe ky kontroll vijon për çerek shekulli. Nga Vëllai i Madh.
Ndërkohë unë kisha nisur karierën time si gazetare.Jam e para reportere shqiptare femër që raportoja nga Tirana për Zërin e Amerikës në prag të zgjedhjeve të 22 marsit 1992. Shpresonim se po ndryshonim botën për mirë. Nuk e kishim mendjen tek hakmarrja, veç tek një sistem i ri, që të ishte diametralisht ndryshe nga tmerri gjysmë shekullor. Por ishte një iluzion. Shteti i së drejtës është vetëm ëndërr për shqiptarët edhe sot e kësaj dite të cilëve u vazhdon kalvari në një formë tjetër.
Elida, një nga diskutimet më të mprehta që është bërë këto kohë është hapja e dosjeve. Ju personalisht si mendoni, a jeni pro apo kundra hapjes së tyre? Bashkë me përgjigjen duhet edhe një argumentim i mendimit, pasi nëse je për pro, çfarë të mirash do të kishte për ata njerëz që i kanë vuajtur në kurriz ato dënime? Po për shoqërinë?
Elida Buçpapaj: Që në shkrimet e mia të para kam kërkuar që të hapen Dosjet. Pretendimi i hakmarrjes së viktimave është pretekst cinik, sepse të gjithë të persekutuarit i kanë njohur persekutorët e tyre dhe ne nuk dimë asnjë rast që persekutori të ketë patur ndonjë vuajtje nga ish-viktima. Hapja e Dosjeve duhet të shoqërohet me dënimin e krimeve të diktaturës, që ka kryer genocid ndaj popullit të vet.
Lexova një lajm dje se qeveria shqiptare ka një plan kërkimi për eshtrat e 6000 viktimave të komunizmit, ndërsa disa ditë më parë Ambasadorja e Be-së në Shqipëri, Romana Vlahutin, nënvizoi faktin se hapja e dosjeve duhet të ishte bërë më parë. Zonja Vlahutin vuri në spikamë se regjimi komunist vrau rreth 7 mijë kundërshtarë politikë, afro 6 mijë të tjerë janë zhdukur dhe nuk kanë varre, diktatura burgosi dhe internoi dhjetëra mijëra të tjerë dhe mijëra dosje të shërbimit sekret janë ende të mbyllura. Po pse shoqëria shqiptare duhet të presë një diplomate të huaj të evidentojë këto krime rrënqethëse. A ka ndërgjegje kjo shoqëri. Po institucionet e shtetit a ekzistojnë ?
Ne duhet t’i hapim Dosjet. Kjo është domosdoshmëri. Kryejmë një detyrim ndaj viktimave. Dhe do të jemi të fundit në Europë.
Brezat e ardhshëm nuk kanë pse të mbeten peng i hipotekave të ish-Sigurimsave dhe censorëve të historisë. Brezat lëvizin, ata fëmijë që lindën më 22 marsin e 1992, sot janë 23 vjeçarë, ndërsa ish-Sigurimsat vijojnë të bëjnë karierë në politikë, janë kasta oligarke, ashtu si Byroja Politike.
Shteti i së drejtës kërkon zyrtarë me integritet. Vetëm atëherë liria dhe demokracia bëhen reale. Shteti i së drejtës kërkon zgjedhje të lira e të ndershme e jo deputetë listash të zgjedhur nga dora e kryetarit të partisë. Kjo është kriptodiktaturë.
Shqiptarët më në fund duhet ta njohin historinë e kalvarit gjysmë shekullor. Mjaft më me zhurmuesa. Kryeministri Rama e krahasoi para disa ditësh ISIS me nazizmin, ok, por krahasimi i tij ishte gjysmak, sepse duhej ta krahasonte edhe me diktaturën komuniste. 23 gushtin e Europa e kujton si Ditën e Viktimave staliniste dhe naziste, ndërsa ne, edhe pas 25 vitesh, kemi ende dilema të pafalshme dhe viktimat vijojnë të mbeten të persekutuara tash nga genocidi ndaj kujtesës./6.12.2015
Komentet