Gazetarja dhe publicistja e njohur tregon për jetën në Zvicër, angazhimin e saj profesional e familjar dhe flet për rolin e femrës në shoqëri
Nga MANJOLA BREGASI
Është larguar prej Shqipërisë në vitin 1996 dhe është vendosur në Zvicër. Ka arritur të integrohet profesionalisht, por edhe në aspektin social. Profesionin e gazetares nuk e braktisi asnjëherë, ndërsa pasionin për letërsinë vijoi ta ushqente, e ndikuar sa nga i ati ashtu edhe nga bashkëshorti. Elida Buçpapaj është një nga shumë femrat shqiptare që sot jetojnë jashtë Shqipërisë, por që falë punës dhe ambicjes kanë arritur të sigurojnë një pozicion të denjë në shoqëri. Profesioniste e suksesshme, nënë dhe bashkëshorte e impenjuar ajo vazhdon të mbajë lidhje të forta shpirtërore e fizike me Shqipërinë dhe miqtë e saj aty. Teksa flet për jetën në Zvicër, familjen dhe profesionin Elida nuk lë pa përmendur edhe problemet që shqetësojnë femrën dhe rrugët që ajo duhet të zgjedhë për të qenë elitë, sikurse shkrimtarja thotë.
MANJOLA BREGASI: Jetoni, prej sa vitesh jashte Shqiperise?
Elida Buçpapaj: Jetojmë prej më tepër se 16 vitesh në Zvicër. Kur e them me gojë më duket çudi, sepse gjithçka ka fluturuar kështu, sa hap e mbyll sytë. Kështu qenka jeta. Po hap si parantezë : gjyshja ime nga nëna, kur unë isha tepër e vogël, më përsëriste shpesh, « Elida, jeta qenka sa të hapësh e të mbyllësh sytë vetëm një herë ». E kisha mbajtur gjithnjë në mendje këtë sentencë, sado absurde që më ishte dukur, por tani e kuptoj se çfarë ka dashur të më thotë gjyshja dhe jam duke e perifrazuar atë në vetën e parë.
Nuk e kishim parashikuar kurrë se Zvicra do të bëhej për familjen tonë atdhe i dytë. Në Zvicër kishim ardhur për herë të parë më 1993. Ishim magjepsur nga bukuria dhe rregulli. Nga ajo ora me luleshumëngjyrëshe që ndodhet në Gjenevë, të cilën përgjithësisht e shohin pak a shumë të gjithë ata që vizitojnë Zvicrën.
Por habia e Zvicrës nuk është ora me ku-ku, ora prej lulesh e Gjenevës apo simotra e saj po aq e bukur që ndodhet buzë liqenit Léman në Lozanë. Sepse Graham Green ka thënë : « Në Zvicër ka dashuri vëllazërore dhe 500 vjet demokraci e paqe, po ama çfarë kanë prodhuar? Një orë që bën ku-ku.» Unë do t’i thosha Graham Green-it se vërtetë ora që bën ku-ku nuk mund të jetë diçka e madhe, por ato 500 vjet paqe e demokraci janë ajo gjëja e madhe që ka prodhuar Zvicra, diçka që George Bernard Shaw e vlerësonte shumë kur thoshte me krenari : « Rangu im është më i larti i njohur në Zvicër: i të qenit qytetar i lirë.» Por Graham Green duhet ta ketë vlerësuar i pari atë fakt, pasi jo më kot jetoi dhe vdiq në Zvicër. Varrin e tij e ka në Vevej, aty ku ka jetuar dhe është varrosur edhe i madhi Çarli Çaplin.
Kështu, sa herë që kalonim tranzit kur udhëtonim nëpër botë, kur e shihja Zvicrën nga avioni, apo kur qarkullonim nëpër të, thosha me vete « lum këta njerëz që banojnë këtu ». Më ngjante e përkryer. Dhe në fakt ashtu është, por kjo nuk është fjalë goje për të huajt, të cilëve ua sjell fati apo rrethanat e jetës që të jetojnë këtu. Pasi askush nuk ta jep jetën në tabaka. Duhet ta fitosh, me punë e me mund. Duhet të integrohesh.
Ne vendosëm të qëndrojmë në Zvicër jo për çokollatat e famshme apo për orët e përpikta, por të detyruar pas ngjarjeve të vitit 1997, si shumë e shumë shqiptarë të cilët për shkak të rrethanave dramatike në Shqipëri u larguan nga vendi i tyre i dashur për hir të fëmijëve.
Thonë se në emigracion brezat e parë janë sakrificë, sepse kur vijnë në botën e huaj, u duhet ta fillojnë gjithçka nga zero, ndërsa fëmijët nuk i kanë këto barriera, por përsëri edhe gjeneratat e dyta, cilësohen shpesh si Secondos, për të shprehur se janë pasardhës të gjeneratës së parë të emigrantëve. Edhe asimilimi është problem, prej mungesës të shkollave në gjuhën amtare.
MANJOLA BREGASI: Cili është angazhimi juaj atje?
Elida Buçpapaj: Jam gazetare profesioniste, një profesion që e dua. Chuck Palahniuk, shkrimtar dhe gazetar amerikan, thotë për gazetarin: « Mënyra më e lehtë për të shmangur jetën është të shohësh e të rrish, mënyra më e mirë për ta shijuar atë, është ta raportosh në detaje. »
Unë gazetarinë e kam filluar me pasion prej vitit 1991 që shënoi edhe fillimin e rrëzimit të diktaturës, jo për të shijuar jetën, por duke shpresuar se pas përmbysjes të diktaturës do të fillonte jeta. Sepse diktatura nuk do të më pranonte kurrë të isha gazetare e saj. Jo se kisha bërë diçka të keqe kundër saj, për ta përmbysur, por mjaftonte që isha bija e tim eti. Im atë Vehbi Skënderi ishte publicist shumë i shquar, por në diktaturë kjo nuk duhej; në diktaturë duhej të ishe një shërbëtor i regjimit. Nëse jo, atëherë kishe marrë fund. Im atë kishte guxuar bashkë me një grup akademikësh të shquar midis të cilëve Profesor Zija Shkodrën, Profesor Selman Rizën, Profesor Dhimitër Pilikën e disa të tjerë të kritikonte institucionet, që përbënin superstrukturën dhe e kishte pësuar, e kishin pësuar të gjithë. Fati i tim eti më ishte parashkruar edhe mua, pasi diktatura më kishte ekskomunikuar që fëmijë, pra i kishte vënë vizën jetës time. Kam dërguar librin tim të parë me poezi në Shtëpinë Botuese Naim Frashëri kur isha 18 vjeçe, sapo mbarova gjimnazin, por ky libër nuk u botua kurrë gjatë regjimit komunist.
Prej vitit 1991 fillova të botoj shkrimet e mia të para në shtypin e ashtuquajtur pluralist. Të them të drejtën, ky shtyp edhe sot e kësaj dite nuk është plotësisht i çliruar nga e shkuara, por gjithësesi ka përparim. Unë gazetarinë e fillova pra jo si qejf, paçka se kisha prirje e vokacion, por si obligim për të treguar të vërtetën.
Duke u kthyer tek aktiviteti im në Zvicër. Për dhjetë vjet unë kam punuar redaktore-kolumniste, ndërsa Skënderi ishte kryeredaktor, tek gazeta kombëtare « Bota Sot». Filluam punën aty sapo kishte nisur viti 1998, dhe posa kishte shpërthyer lufta në Kosovë dhe u larguam më 2008 kur Kosova e kishte fituar pavarësinë. Ishte kohë kur i kam lëvruar të gjitha zhanret e gazetarisë, kohë kur jam pjekur si gazetare, njeri dhe intelektuale. Nuk ishte lehtë, por patëm sukses dhe gazeta në atë kohë arriti një tirazh prej 200 mijë kopjesh, një primat në historinë e gazetarisë shqiptare, i paarritur kurrë deri më sot. Aktualisht jemi bashkë me Skënderin anëtarë aktivë të disa organizmave ndërkombëtare të gazetarëve dhe jemi gazetarë profesionistë të akredituar. Momentalisht jemi duke punuar të dy bashkë në një projektin tonë, një platformë online me emrin Zëri i Shqiptarëve – Voice of Albanians http://www.voal-online.ch (tani www.voal.ch – shënimi im E.B.), duke pasur besim se shumë shpejt do ta kthejmë në një medium të fuqishëm të mirinformimit dhe fjalës së lirë.
MANJOLA BREGASI: Përpos profesionit, sa kohë i kushtoni krijimtarisë letrare dhe artistike?
Elida Buçpapaj: Letërisa dhe poezia është pjesë e njësuar e jetës time. Im atë ishte poet, bashkëshorti im, Skënder Buçpapaj është poet, pra jemi familje poetësh, një dinasti e vërtetë.
Nëse shqiptarët pas rrëzimit të diktaturës do të kishin patur një ecuri normale, pa ’97 e tranzicionin e pafund, do t’i isha kushtuar tërësisht letërsisë. Por kushtet e jetës ushtruan ndikimin e tyre edhe në rrjedhën e jetës time profesionale. Pastaj profesioni në rrjedhën e jetës.
Aktivitetin tim si gazetare e nisa në shtypin pluralist. Në fillim të `92 u angazhova tek Zëri i Amerikës. Jam gazetarja e parë shqiptare e Zërit të Amerikës seksioni shqip në trojet shqiptare. Më vonë kalova tek Zëri i Rinisë, ndërkohë që kisha një rubrikë fikse në faqen e parë tek Republika ; pastaj tek revista e RTSH-së ku punonim vetëm dy gazetarë. Shefi im ishte shkrimtari Fatos Kongoli. Dhe gjithsesi kisha kohë për të shkruar poezi, prozë dhe përkthyer, pasi edhe përkthimin e shoh si krijimtari.
Kur fillova të punoj tek e përditshmja « Bota Sot»., dukej se ishte gati e pamundur të merresha me letërsi. Por edhe në këtë pamundësi kam gjetur kohë për të mos e harruar letërsinë. Momentalisht jam duke i hedhur vështrimin përfundimtar librit të ri me poezi, të cilin do ta kaloj për botim pas disa ditësh. Por ndërkohë, edhe publicistika është shumë e rëndësishme sot, sepse shpreh qëndrimin e oponionit publik dhe ushtron ndikimin e saj tek opinioni. Dhe unë kam një krijimtari publicistike që po mbush 20 vjet, ku kam shprehur opinionin tim në mënyrë permanente këto dy dekada për rrjedhat politike dhe për çështje kombëtare shqiptare. Botimi i këtij opusi do të jetë disa volume, por unë, fillimisht, dua të përmbledh në libër opinionet e vitit të fundit.
MANJOLA BREGASI: Sa ka ndikuar babai juaj dhe familja në formimin tuaj si shkrimtare?
Elida Buçpapaj: Babai im ka ndikuar në gjithçka tek ajo që është Elida. Sot, kur janë bërë tre muaj që ai nuk jeton më, im atë më mungon shumë e unë i përkulem deri në tokë kujtimit të tij. Im atë më donte dhe adhuronte dhe ka bërë gjithçka që unë të jem kjo që jam sot.
Unë isha e rrethuar prej librave dhe kujdesit të tim eti për t’u kulturuar. Kam filluar t’i mësoj gjuhët e huaja që pa shkuar në klasën e parë. Im atë ka zgjedhur mësuesit më të mirë për mua, ku nuk do të le pa përmendur vajzën e Ali Asllanit, shkrimtarin Filip Ndocaj dhe të madhin Petro Zheji. Për të mos harruar se kam lindur bashkë me poezinë. Kam filluar të shtyp në makinën e shkrimit të tim eti që në klasën e parë. Ai m’i recitonte poezitë, sepse deklamonte në mënyrë të mrekullushme, pastaj fillova t’ia recitoj edhe unë poezitë e tij. Më ka dedikuar shumë poezi që kur kam ardhur në këtë botë. Kur botonte libra, unë ia organizoja lëndën. Isha në 8 vjeçare. Kishte një besim të patundur tek unë. Ai synonte që unë të fitoja kulturë dhe kur nuk m’u dha e drejta e studimit për Universitet, më solli në shtëpi mikun e tij, Petro Zhejin, shkolla e të cilit ishte sikur të shkoje në Harvard. Prej tim eti kam gjithçka të mirë. Pastaj im atë kishte një zemër të artë, ishte tolerant e dinte të falte në këtë botë si askush. Unë shpesh nga kjo rebelohesha dhe hynim të dy në diskutime. Pastaj u bëmë tre, bashkë me Skënderin. Im atë Skënderin e deshi dhe e çmoi shumë dhe ishim deri në fund të jetës së tim eti miqtë e tij më të ngushtë, që nuk e tradhtuam kurrë e që nuk na tradhtoi kurrë. Tani që ai nuk është më, ne na bie detyrë që t’ia botojmë veprën. Poetikën që është vepra e një poeti botëror dhe publicistikën, që po ashtu është brilante.
MANJOLA BREGASI: Nga ndryshon Elida shkrimtare nga Elida familjare?
Elida Buçpapaj: Nuk ndryshoj shumë. Jam një. Gjithçka e bëj me dashuri dhe pasion. Plutoni thoshte se « Prej dashurisë gjithkush bëhet poet.» Dhe jam e sigurt se dashuria ka patur një ndikim të madh që jam bërë poeteshë. Ndërsa Charles Baudelaire kërkonte në imperativ « Gjithnjë ji poet, edhe në prozë ». Dhe ndikimin e poezisë unë e shpreh edhe në publicistikë, është një dimension i gjithhershëm, ashtu si dashuria. Familjen e kam të shenjtë. I dedikohem pa kushte. Të shkruarin e kam privilegj të Zotit. Shkruaj kur ndihem se kam çfarë të them, për të shprehur personalitetin tim. Por nga ana tjetër e vlerësoj gazetarinë e cila më jep mundësi t’i largohem fiksionit dhe të flas me karta të hapura.
MANJOLA BREGASI: Ç’mund te na thoni për lidhjet tuaja me Shqipërinë, sa të forta janë ato?
Elida Buçpapaj: Lidhjet me Shqipërinë janë një nyje e fortë e pazgjidhshme kurrë. Lidhjet me Shqipërinë janë fatale në një lloj sensi, d.m.th, të pakushtëzuara, të patjetërsuara. Unë jam Shqipëria. Ti je Shqipëria. Unë kam lindur në Shqipëri, në Tiranë e Shqipëria e Tirana më përkasin mua. Jo si pronë, për ta zhvatur apo rrjepur por si përkatësi, për çdo shqiptar.
Pastaj ne jemi të lidhur me Shqipërinë edhe për arsye profesionale. Dhe këtë lidhje na e forcojnë sot mjetet e komunikimit, interneti, televizioni satelitor deri tek rrjetet sociale si facebook-u, e me radhë pra revolucioni që ka shkaktuar IT, Teknologjia Informatike, të cilat i kanë fshirë hapësirat dhe ndonëse largësitë fizike kanë mbetur ato komunikative janë fshirë një herë e mirë.
MANJOLA BREGASI: Çfarë ju mungon nga Shqipëria?
Elida Buçpapaj: Nga Shqipëria më mungon gjithçka, ndërkohë që unë virtualisht dhe emocionalisht ndjek gjithçka që ndodh në Shqipëri. Më mungon mëngjesi kur dilja në dritare a ballkon për t’i thënë mirëmëngjes Malit të Dajtit. Më mungon Perëndimi, kur diellin e përpinte Adriatiku në një muzg vere aty tek “Breshka” në plazh. Më mungon e gjitha natyrisht. Aty kam rrënjët, të cilat nuk më lënë kurrë t’i iki Shqipërisë edhe kur jetoj në Zvicër apo sikur të jetoja edhe në Hënë… Kur erdhëm në fillim në Zvicër djali i madh Prizreni ishte 5 vjeç, ndërsa i vogli do të lindte pas disa muajsh dhe Prizreni në fillim kishte një mall të madh për Tiranën. Ne për shaka i thoshim: “Mor Prizren po përse të merr malli për Tiranën, atje ka baltë, nuk ka lodra, këtu i ke të gjitha.” Ai na e kthente menjëherë: “E dua baltën e Tiranës.” Dhe ishte vetëm 5 vjeç. Mesa duket është e vërtetë plotësisht ajo që shkruan Andon Zako Çajupi tek poezia “Ku kemi lerë ?” se balta e vendit tënd është më e ëmbël se mjalta.
Shqiptarët që jetojnë në Shqipëri, kur ne në Perëndim flasim për lidhjet tona me atdheun, na shohin si romantikë të shekullit të shkuar, por nuk është kështu. Janë dhjetë presidentë të SHBA-së që krenohen me rrënjët e tyre irlandeze. Presidenti Clinton dha një kontribut të madh për sendërtimin e paqes në Irlandën e Veriut. Zonja Madeleine Albright krenohet me rrënjët e saj çeke. Dhe dashuria për vendin tënd transmetohet edhe tek fëmijët, tek brezat që vijnë. Chelsea Clinton e mbaroi universitetin e Stanfordit duke patur si temë Marrëveshjen e Belfastit në Irlandën e Veriut më 10 Prill të 1998, ditën e të Premtes së Mirë, ku sapo përmenda se i ati, Presidenti Clinton dha një ndihmesë të madhe për arritjen e paqes. Kjo është puna e rrënjëve. Të tërheqin, nuk të lëshojnë.
MANJOLA BREGASI: Si i mbani lidhjet me miqtë tuaj?
Elida Buçpapaj: Gjatë këtyre njëzet viteve tranzicion ka ndodhur zhvendosja më e madhe e kombit me destinacion Perëndimin. Dhe gjatë këtyre njëzet viteve kjo popullsi është përpjekur të ndërtojë jetën e saj në Perëndim. Edhe unë me familjen time jemi pjesë e kësaj ikjeje të trishtueshme, të padëshirë por të detyruar nga rrethanat. Edhe një pjesë e miqve të mi kanë vepruar ashtu si unë dhe sot janë nëpër botë. Me miqtë më të ngushtë i kemi mbajtur kontaktet përherë. Me një pjesë jemi ritakuar virtualisht përmes Facebbok-ut. Pastaj jeta e re të dikton kushte të reja, miq të rinj.
Por miku i vërtetë është pasuri e madhe. Ne shqiptarët vlerën e mikut e kemi proverbiale. E këto vite kanë qenë edhe vitet ku miqtë janë vënë në provë. Albert Camus shkruan: “Mos ec përpara meje, sepse nuk mund të të ndjek; mos ec pas meje, sepse nuk mund të të udhëheq, vetëm më dil në krah si mik”. Unë mendoj se „Një mik i mirë e i vërtetë, në ditë të mirë a të vështirë, është Dhuratë e Zotit, fat e pasuri; një mik i gënjeshtërt e i shtirë, në ditë të vështirë a të mirë, është terr, ferr e shkretëti.” Tranzicioni i lodhshëm ka ndikuar disi tek shqiptarët që nocioni i mikut të mos jetë ai që ka qenë dikur. Sot bota shqiptare është bërë pragmatiste, nuk i intereson shumë nëse nuk i sjell përfitim. Por nuk u vë faj shqiptarëve, sepse këto janë pasojat e kapitjes prej tranzicionit. Kapitalizmi shqiptar ka filluar para 20 vjetësh, ka qenë parak, pa eksperiencë, ka qenë ashtu si mund të ketë qenë kapitalizmi në vendet e zhvilluara, të cilat i kanë përjetuar këto faza shekuj më parë. Por shqiptarët janë një komb i lashtë, inteligjent dhe jam e bindur se shoqëria shqiptare megjithë problemet që ka, do të ecë shpejt, pasi besoj shumë se shoqëria shqiptare ec më shpejt se politika, dhe këtu konsiston mrekullia. Sepse shoqëria shqiptare është në avanguardë. Politika vjen pas saj.
MANJOLA BREGASI: Çfarë mund të na thoni për pozicionin e femrës në shoqërinë ku ju jetoni?
Elida Buçpapaj: Pozicioni i femrës historikisht nuk ka qenë i privilegjuar, paçka se femra është Eva, andaj ajo ka luftuar për të fituar vendin që i takon. Gjithsesi jetojmë në një patriarkat, ku sipas statistikave dominon burri, por që edhe gruaja ka fituar hapësira konkuruese.
Gruaja shqiptare natyrisht që ka qenë më e ndrydhur, por genetikisht është e barabartë me gruan europiane, edhe intelektualisht. Prandaj, unë nuk shoh asnjë ndryshim midis femrave zvicerane dhe shqiptareve, por problemi dhe ndryshimi qëndron tek niveli i shoqërisë dhe demokracisë. Zvicra ka një demokraci dhe një shtet ligjor të konsoliduar çka ka ndikim të drejtpërdrejtë tek shoqëria, pjesë e së cilës është dhe femra. Të duket çudi, kur mendon se femrat zvicerane e kanë fituar të drejtën e votës vetëm 40 vjet më parë, më 1971, (intervista është dhënë në vitin 2011- shënimi im E.B.) por sot ato kanë një përfaqësim shumë dinjitoz. Në nivelin konfederativ, në Këshillin Federal që është institucioni më i lartë i shtetit, nga shtatë anëtarë, katër janë gra. Aktualisht presidente e Zvicrës është Madam Micheline Calmy-Rey, që është edhe Ministre e Jashtme e Zvicrës, e njohur për rolin aq mbështetës ndaj pavarësisë së Kosovës. Këtu është problem niveli i natalitetit dhe Zvicra ka rritje të popullsisë falë emigracionit të huaj.
Ndërsa sa i përket komunitetit të grave shqiptare në Zvicër, këtu po, ekziston problemi, sepse nuk ka pothuaj aspak përfaqësim në nivelin politik apo institucional të Zvicrës. Është vetëm një vajzë, Ylfete Fanaj nga Kosova, e cila falë arritjeve të saj sot është anëtare e parlamentit të qytetit të Lucernës.
MANJOLA BREGASI: Në ç’vend qëndron femra shqiptare krahasuar me atë zvicerane, sipas mendimit tuaj?
Elida Buçpapaj: Unë kam respekt për femrën shqiptare. Mendoj se femra shqiptare, flas për pararojën e saj, siç është elita, qëndron krenarisht përbri femrës zvicerane, paçka se ndërsa njëra palë ka qenë e privilegjuar të jetojë në një shoqëri të hapur, tjetra ka patur dramën të jetojë në një shoqëri tejet të mbyllur e të izoluar. Por gjithësesi këta njëzet vjet kanë shërbyer për rilindjen e femrës shqiptare, sepse ajo nga gjeneza e saj është europiane. Nuk po flas për plagët e shoqërisë, të cilat duan kohë të shërohen, pasi kjo varet siç e thashë nga niveli i shtetit të së drejtës.
Ndërkohë shikoj se në Shqipëri ka shumë femra të cilat kanë biznesin e tyre dhe kjo më kënaq. Edhe ndryshimi i Shqipërisë kaq i shpejtë, kaq mahnitës, në një farë mënyre i dedikohet femrës shqiptare. Femra shqiptare nuk është vetëm muzë bukurie; nuk është vetëm ornament, veç nënë, motër, vajzë, apo grua, nuk është vetëm në numër e barabartë me meshkujt shqiptarë, por duhet të jetë edhe pjesë aktive e shoqërisë shqiptare, në kërkim të vendit që i takon.
Në nivelin e politikës, edhe sipas statistikave, femra shqiptare vuan nga mungesa e përfaqësimit. Në Kosovë ka përfaqësim më të plotë duke përmbushur të paktën 30%. Ky nivel i ulët i përfaqësimit të femrës shqiptare në politikë më duket absurd. Gratë shqiptare nuk do të duhet ta kishin toleruar këtë nëpërkëmbje.
Mendoj se femrat shqiptare duhet të gjejnë mënyra për të treguar potencialet e tyre, të cilat i kanë me bollëk. Pasarelat nuk kanë asnjë të keqe, por femra shqiptare duhet të demonstrojë se është. Në diktaturë femrat i bënte të shquara regjimi. Sot ato kanë mundësi të bëhen vetë. Nuk është e lehtë, dakord. Por ka shumë mundësi. Sot femrat shqiptare janë të lira që të kenë një edukim të shkëlqyer. Po flas për avanguardën. Sot ka pengesa, ka reminishenca, ka inerci po përsëri shoqëria ec përpara dhe në krye të saj unë dua të shoh femrën shqiptare. Jo për ta kthyer shoqërinë në një matriarkat, por për ta bërë më të mirë. Është e qartë se shoqëria shqiptare nuk mund të bëhet as në 24 orë dhe as në 20 vjet, por nëse do të kemi një elitë të femrës shqiptare, shoqëria shqiptare do të përmirësohet shumë më shpejt.
MANJOLA BREGASI:Të flm për intervistën Elida.
Elida Buçpapaj: Unë dua t’ju shpreh mirënjohjen time që më kishit të ftuar tek Diella, gazeta e shoqatës “Në Dobi të Gruas Shqiptare”, me një aktivitet gati njëzet vjeçar, aq dobiprurës në ndihmë të gruas në nevojë në Shqipëri, me Presidenten e së cilës, zonjën Sevim Arbana, kemi një jetë që jemi mike.
LIBRAT E ELIDA BUÇPAPAJ
« Vij », poezi
« Nuk jam e përjetëshme », poezi
« Rapsodi e Golgotës së Tranzicionit » 2012 poezi
«Unë jam e përjeteshme» poezi,2012
«Hiperbola dhe paralelizmi figurativ tek Cikli i Kreshnikëve»,
studim monografik i botuar në disa numra tek revista shkencore e Akademisë së Shkencave Kultura Popullore
«Tirania e Tranzicionit », publicistikë , Onufri 2013
« Traumat e Tranzicionit » – «Ditari i një gazetareje në Tranzicion – viti 2012-2013», Onufri 2013
« Anticirkland, Onufri 2014
« Ujshëm »Onufri 2019
SHTATOR 2011
Komentet