Rusia dhe Serbia dhe instrumentet e tyre të veprimit menaxhojnë procese të shumta si në skenën politike ashtu edhe në atë shoqërore, kryesisht në Serbi, thotë Gordan Akrap, ekspert i sigurisë nga Instituti për Hulumtimin e Konflikteve Hibride në Zagreb, në një intervistë për The Geopost.
“E shohim qartë se si Serbia dhe rusët po përpiqen të destabilizojnë fuqishëm Kosovën, ia dolën të destabilizojnë Malin e Zi, dhe kur flasim për dëmet e këtij ndikimi, ne e dimë se anëtarësimi praktik dhe pranimi i Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi në aleancën e NATO-s arriti të parandalojë dukshëm përzierjen në punët e tyre të brendshme”.
Por, sipas tij, për fat të keq, nuk u arrit të parandalohej ndërhyrja e fortë negative e Serbisë dhe Rusisë në proceset në Mal të Zi.
“Ne e dimë se serbët dhe rusët u përpoqën disa herë të përmbysnin qeverinë ekzistuese me mjete të dhunshme dhe tani ia dolën mbanë përmes zgjedhjeve legjitime demokratike. Pyetja është se deri në çfarë mase kjo fitore në zgjedhjet politike ishte rezultat i fushatave të shumta dezinformuese që ndotën hapësirën informative të Malit të Zi dhe Serbisë me gënjeshtra të shumta pro-ruse dhe pro-serbe që për fat të keq formësuan negativisht opinionin publik në Mal të Zi”.
Ai mendon se është parë në disa shembuj se duke angazhuar kapacitetet e veta dhe ato serbe, Rusia u përpoq të largonte vëmendjen e Perëndimit nga gjithçka që po bën në agresionin e saj brutal kundër Ukrainës në raport me gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, duke e komplikuar më tej dhe duke e vështirësuar situatën në to.
Akrap thotë se është e rrezikshme për vetë Serbinë sepse po përpiqet të ulet në disa karrige në të njëjtën kohë, por thjesht nuk funksionon.
“Ne e dimë se çfarë ndodhi me Maqedoninë e Veriut, ne e dimë se Mali i Zi u detyrua t’i kërkojë BE-së ndihmë financiare për të zgjidhur borxhin kinez dhe e dimë se Serbia, e cila, për shembull, nuk mund të marrë më para në tregun ndërkombëtar, u përpoq t’i marrë ato para nga Kina”.
“Nga ana tjetër, Serbia, e cila po përpiqet të ushtrojë ndikimin e saj të fortë në territorin e Bosnjë-Hercegovinës, po përpiqet të pajtohet me Erdoganin se si të kontrollojë disa procese në Bosnje-Hercegovinë dhe të imponojë procese dhe opinione të caktuara dhe të destabilizojë më tej Bosnje-Hercegovinën”.