Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare dhe eksperti i çështjeve të Lindjes së Mesme Alon Ben-Meir thotë se Shtetet e Bashkuara duhet të bëjnë trysni ndaj Izraelit për të ofruar një strategji për periudhën pas konfliktit në Gaza dhe një rikthim në procesin politik që çon në krijimin e shtetit palestinez. Ndërkohë që lufta ndërmjet Izraelit dhe Hamasit po afron 2 muaj që nga fillimi i saj, prof. Ben-Meir i tha Zërit të Amerikës se një periudhë 18 mujore e administrimit të Gazës nga Kombet e Bashkuara dhe një forcë paqëruajtëse e përbërë nga gjashtë shtetet arabe që janë në paqe me Izraelin, mund t’i ofrojnë mundësinë dy palëve për një dinamikë të re politike dhe një rol për shtetet arabe në stabilizimin e Lindjes së Mesme.
Zëri i Amerikës: Profesor Ben-Meir, në një shkrim së fundi ju keni nxitur Izraelin dhe Shtetet e Bashkuara të hartojnë një plan për Gazën e pasluftës. Propozoni një zgjidhje të përkohshme për të parandaluar një përshkallëzim tjetër dhe për t’i dhënë fund vuajtjes së civilëve. A mund ta shpjegoni propozimin tuaj?
Alon Ben-Meir: Shpërthimi i konfliktit në Gazë nuk është diçka e re për mua, pasi e kam përcjellë këtë konflikt për tre dekada dhe në këndvështrimin tim ishte një çështje se kur do të ndodhë shpërthimi i radhës. Para një viti, paralajmërova qartë se diçka e tillë do të ndodhte, se nëse nuk ka përparim për të gjetur një zgjidhje, shpërthimi i radhës do ta bënte “Intifadën” e dytë të dukej si një lojë fëmijësh. E them këtë jo për ta arsyetuar veten, por duke e njohur konfliktin izraelito-palestinez dhe duke përcjellë veprimet e qeverisë së Netanyahut gjatë këtij vitit të fundit, ishte e qartë që palestinezët kishin arritur në një pikë pa kthim në Bregun Perëndimor. Konflikti në Xhenin ishte përshkallëzuar. Hamasi kishte planifikuar sulmin para më shumë se një viti dhe po zgjidhnin kohën e duhur për ta realizuar. Fatkeqësisht, Kryeministri Netanyahu dhe kabineti i tij larguan forcat nga jugu dhe u përqendruan më shumë në Bregun Perëndimor ngaqë plani i tyre ishte të zgjeronin vendbanimet e kolonëve, të aneksonin më shumë territor. Ata morën si të mirëqenë sigurinë në jug. Ndërkohë Hamasi që dërgonte punonjës për të punuar në vendbanimet izraelite në jug, e dinte saktësisht se si ishte situata e sigurisë, duke i dhënë mundësi të kryente sulmin.
Çfarë ndodh tani? Izraeli nuk do të jetë kurrë më i njëjtë e të njëjtë nuk do të jenë as palestinezët, që do të thotë se nuk ka kthim në gjendjen e status quo-s. Na duhet të gjejmë një zgjidhje tjetër. Humbja politike e Hamasit – e theksoj politike – mbase është afër, por jo domosdoshmërisht fizike, që do të thotë se Izraeli nuk mund ta shkatërrojë ideologjinë apo një ndjenjë aq të fuqishme fetare. Prandaj, nga ky këndvështrim, është e nevojshme që nëse Hamasi mundet politikisht, atëherë ka nevojë për një zgjidhje për të kompensuar palestinezët. Palestinezëve në Gazë dhe në Bregun Perëndimor u duhet një alternativë dhe Izraeli e ka një mundësi ta ofrojë një alternativë të tillë në mënyrë që palestinezët ta kuptojnë që ata vet ishin viktimë e Hamasit. Ka gjasa që ky konflikt të ofrojë një mundësi për të përmirësuar jetën e tyre, për të dalë nga këto kushte të tmerrshme që kanë përjetuar nën bllokadën (e Gazës) si dhe pushtimin e Bregut Perëndimor.
Sigurisht, fushata ushtarake ka përparësitë e veta, por pretendimi i izraelitëve se mund të mundin plotësisht Hamasin është i pabazë. Ajo që u duhet tani është një strategji pas konfliktit e cila të krijojë një alternativë për palestinezët. Si përfundim, si mund të bëhet kjo? Duhet ftuar shtetet arabe, që janë në paqe me Izraelin të marrin përgjegjësi, pasi të gjitha ato shtete, qoftë Jordania, Arabia Saudite, Egjipti, Bahreini, të gjitha janë kundër Hamasit. Ato nuk e duan Hamasin pasi Hamasi është kundër të gjitha këtyre shteteve. Është në interes të këtyre shteteve ta stabilizojnë rajonin, prandaj sugjeroj që ato të formojnë një forcë sigurie, paqeruajtëse, që të jetë e pranishme aty kur Izraeli e fillon procesin e tërheqjes nga Gaza. Nga ana administrative, duhet që Kombet e Bashkuara të krijojnë një organizëm administrativ për ta qeverisur Gazën në një periudhë 18 mujore ndërkohë që izraelitët dhe palestinezët organizohen. Nga pikëpamja ime Autoriteti Palestinez nuk është në pozitë të ulet dhe të nënshkruajë ndonjë marrëveshje pasi është shumë i dobësuar dhe plotësisht i padëshiruar. Nga ana tjetër në Izrael, qeveria ka pikëpamje të skajshme që nuk do të ulej kurrë për të diskutuar një zgjidhje për krijim e dy shteteve. Na duhet të presim që dimensioni politik në këto dy vende të ndryshojë.
Zëri i Amerikës: Por ndërkohë që prisni që kjo dinamikë të ndryshojë në periudhën e ndërmjetme, si ekspert i marrëdhënieve ndërkombëtare dhe i rajonit, ku do të sigurohet gatishmëria ndërkombëtare për të ofruar bazën për një zgjidhje të tillë me OKB-në në krye të çështjeve administrative e shteteve arabe si pjesë të një force paqeruajtëse?
Alon Ben-Meir: Pothuajse secili aktor i huaj, në veçanti Shtetet e Bashkuara, shtetet kryesore arabe, Arabia Saudite dhe Egjipti, janë në favor të një zgjidhjeje. Problemi është se ndonëse Shtetet e Bashkuara flasin për zgjidhjen me krijimin e dy shteteve, kurrë nuk kanë insistuar me ngulm. Sot Shtetet e Bashkuara janë në pozitë të ushtrojnë trysni më të madhe ndaj Izraelit për ta kuptuar se palestinezët janë këtu për të qëndruar, nuk do të shkojnë askund tjetër. Bashkëjetesa nuk është njëri nga opsionet, është i vetmi opsion. Çështja është a do të vazhdojnë ta vrasin njëri-tjetrin për 75 vjet të tjera apo të pajtohen për paqe duke u pajtuar që ta ndajnë tokën në mënyrë që palestinezët të kenë pavarësinë e tyre dhe që të bashkëjetojnë me Izraelin krah për krahu. Kjo nuk ishte e paarritshme kur palët u pajtuan me Marrëveshjen e Oslos më 1993. Kjo marrëveshje duhet të ringjallet dhe duhet bërë përparim. Natyrisht, ekziston edhe një dimension i madh psikologjik i këtij konflikti që duhet tejkaluar. Prandaj po sugjeroj, që nën kushtet e paqes, të ekzistojë një periudhë për një proces pajtimi, për shkak se urrejtja, armiqësitë mes dy palëve, mungesa e besimit është shumë e thellë dhe kjo duhet ndryshuar. Prndaj sipas propozimit tim, palët do të kenë 18 muaj gjatë të cilave OKB-ja merr përgjegjësinë administrative dhe gjashtë shtetet arabe marrin përgjegjësinë për sigurinë, krijon ambient që i mundëson Izraelit të tërhiqet nga Gaza dhe të fillohet me procesin e paqes ndërmjet dy palëve.
Zëri i Amerikës: Por duke marrë parasysh realitete politike në Izrael dhe territoret palestineze, cilat janë gjasat që palët do të reformoheshin deri në pikën sa të ulen dhe të pajtohen për një plan?
Alon Ben-Meir: Ajo që ndodhi në këtë konfliktin e fundit është se u krijua një dimension i ri. Dy palët, izraelitët dhe palestinezët, janë ndërgjegjësuar se dy palët ekzistojnë dhe se dyjave u duhet të kuptojnë se nuk ka rrugëdalje nga bashkëjetesa. Ata duhet ta marrin një vendim të tillë. Mendoj se është momenti i duhur që fuqitë e jashtme, në veçanti Shtetet e Bashkuara, komuniteti evropian, shtetet e rëndësishme arabe, të thonë se ka ardhur koha dhe se nëse e humbin këtë mundësi, atëherë do të jetë vetëm çështje kohe kur do të ndodhë shpërthimi tjetër i madh i radhës. Pra, ka një mundësi. Por Shtetet e Bashkuara në veçanti duhet të bëjnë trysni mbi Izraelin për të lëvizur, për t’i detyruar izraelitët të kuptojnë që palestinezët duhet ta kenë shtetin e tyre nëse duan një përfundim të përhershëm të konfliktit izraelito-palestinez.
Zëri i Amerikës: Me arritjen e një marrëveshje për lirimin e pengjeve dhe një armëpushim të përkohshëm, a mendoni se frika për një përshkallëzim të konfliktit në një konflikt rajonal është shmangur?
Alon Ben-Meir: Nuk mendoj se do të ketë një përshkallëzim të madh rajonal dhe jo vetëm për shkak se tani ekziston një mundësi për lirimin e disa prej pengjeve. Po të shikoni përreth, asnjë shtet i vetëm nuk është i interesuar të jetë në luftë me Izraelin sot. As Jordania, as Siria e as Libani. Të gjithë janë shumë të shqetësuar. Njëra nga gjërat që bëri Izraeli në Gazë është t’i dërgojë sinjal Hezbollahut dhe Iranit të mos provokojnë sepse do të përballet njësoj me ta. Prandaj nuk janë të interesuar në përshkallëzim, sepse e dinë që do të jetë një kauzë e humbur për ta. Por, ajo që duan të shohin, megjithatë, është një përkrahje solide për palestinezët. Duan ta shohin zgjidhjen e këtij konflikti pa zgjerimin e tij. Ky është qëllimi, sepse nga pikëpamja strategjike, (zgjerimi i konfliktit) do të ishte një kauzë e humbur për arabët në rajon dhe për Iranin ngase ata e dinë që SHBA-ja është e përgatitur me forca të shumta në Mesdhe për t’u përballur me ndonjë përpjekje të Iranit për të provokuar konflikt me Izraelin. Mendoj që Presidenti Biden ka bërë gjënë e duhur duke i dërguar sinjal të qartë Hezbollahut dhe Iranit të mos ndërhyjnë në këtë konflikt pasi do të përballen me SHBA-të. Ishte një ndihmesë e jashtëzakonshme. Dhe përderisa Shtetet e Bashkuara mbajnë një qëndrim të tillë, dhe të tillë do ta mbajnë derisa të përfundojë kjo luftë, nuk do të ketë përshkallëzim. Ka konflikt të shtuar në Bregun Perëndimor, për shembull, por kjo nuk do të përkthehet në luftë me ndonjë shtet tjetër në Lindje të Mesme.