Tërheqja e forcave amerikane po pasohet me mbërritjen e policisë ushtarake ruse në Sirinë veriore, për të pastruar zonën nga luftëtarët kurdë në bazë të marrëveshjes mes presidentëve të Rusisë dhe Turqisë. Vëzhgues të zhvillimeve në Siri thonë se nga gjithë këto lëvizje dalin të fituara Rusia dhe Turqia, ndërsa po ngrihen shqetësime se tërheqja e trupave amerikane e vë Rusinë në pozitën e një fuqie të re ndërkombëtare që mund të diktojë zhvillimet në Lindjen e Mesme. Korrespondentja e Zërit të Amerikës CindySaine njofton nga Departamenti i Shtetit:
Trupat ruse kanë filluar të patrullojnë qytetin port të Kobanit, skenë e luftimeve të guximshme të grupeve paraushtarake kurde, të mbështetura nga forcat amerikane, për të dëbuar dhe mundur terroristët e ISIS-it.
Sekretari amerikan i Mbrojtjes Mark Esper, gjatë një vizite për të qetësuar aleatët në NATO, fajësoi për situatën aktuale Turqinë dhe sulmet ushtarake turke në Sirinë e veriut.
“Kam qenë shumë i drejtpërdrejtë për këtë. Turqia na ka vënë të gjithëve në një situatë shumë të keqe. Inkursioni ishte i pajustifikueshëm. Mendoj se Presidenti Erdogan ishte i fiksuar për ta realizuar këtë inkursion në një mënyrë a një tjetër. Nuk ka se si të hapim luftë me një aleat të NATO-s, i cili ka qenë shumë i vlefshëm që kur u antarësua në 1952”.
Shtetet e Bashkuara kanë qenë prej shumë kohësh fuqia kryesore ndërmjetësuese në Lindjen e Mesme. Por ekspertët thonë se Rusia po reagon me shpejtësi për të mbushur vakumin e krijuar nga tërheqja amerikane nga Siria:
“Rusia ka aktualisht diçka që nuk e kanë dhe nuk e kanë pasur prej vitesh Shtetet e Bashkuara: një numër objektivash të qartë për politikat e që ndjekin në Lindjen e Mesme. Rusia duket se ka një ide se çfarë do të realizojë dhe mbështet vendet dhe grupimet të cilët është zotuar t’i përkrahë, ndryshe nga qëndrimi i administratës Trump ndaj kurdëve, ndryshe nga administrata Obama që tha gjëra të ndryshme për Sirinë, por nuk arriti shumë,” thotë analisti Brian Katulis.
“Rusët po marrin në dorë baza ushtarake. Kjo është vetëm maja e ajsbergut. Ata po marrin në dorë një situatë që është jo vetëm në interes të tyre, por edhe në interes të regjimit të Presidentit sirian Asad, i cili ka arritur ta mbajë pushtetin kryesisht falë ndihmës së Moskës përmes forcave ajrore, si dhe me mbështetjen e vullnetarëve iranianë që janë dërguar nga Teherani,” thotë analisti Bulent Aliriza.
Presidenti Trump thotë se Shtetet e Bashkuara ka të ngjarë të lënë një numër të vogël trupash në Sirinë juglindore për të mos lejuar që terroristë të ISIS-it të avancojnë në zonat e pasura me naftë. Ekspertët thonë se këto veprime u dërgojnë një mesazh të qartë aleatëve në rajon:
“Mesazhi se ne mbrojmë fushat e naftës, por jo popujt e këtyre zonave ka për të bërë jehonë në të gjithë rajonin, sidomos tek partnerët dhe aleatët, të cilët kanë sakrifikuar shumë për të mundur ISIS-in, si për shembull kurdët në Siri,” thotë analisti Katulis.
Shtetet e Bashkuara mbeten të përkushtuara ndaj luftës kundër Shtetit Islamik, e siguroi Sekretari i Mbrojtjes Esper homologun britanik dhe atë francez.
Komentet