Ekspertë të mjedisit nga Shqipëria dhe Mali Zi janë të një mendje se problematikat në Liqenin e përbashkët të Shkodrës janë të njëjta në të dy anët e kufirit ujor dhe se, çdo ndotje në njërën anë të liqenit, pasqyrohet edhe në pjesën tjetër të tij. Ekspertët po marrin pjesë në një program të përbashkët, financuar nga Bashkimi Europian, i cili synon monitorimin dhe evidentimin e situatës së ndotjes në Liqenin e Shkodrës nga derdhja e ujërave të zeza, mbetjet industriale, ndotjet toksike dhe efektet që ato shkaktojnë në jetën e liqenit dhe popullatës, që jeton përgjatë brigjeve të tij.
“Ndotja industriale, e derdhjeve të ujërave industriale, është evidente kryesisht nga Mali Zi, por duhet të evidentohet dhe të bëhen analizat për të ditur cilësinë e peshkut që ne përdorim. Por jo vetëm, edhe për vazhdimësinë e jetës së liqenit, në mënyrë që të dijmë se në çfarë situate është dhe si ne mund ta parandalojmë ndotjen e mëtejshme”, thotë Anila Neziri, nga Universiteti i Shkodrës.
Në programin “Zgjidhja” janë bashkuar ekspertë nga Universiteti i Tiranës dhe Qendra e Kërkimeve Ekotoksikologjike në Mal të Zi. Sipas ekspertes Daniela Sukoviç, Mali Zi ka një sistem të pastrimit të ujërave të zeza, por jo përfundimisht sipas standarteve dhe kjo ndikon në ndotjen e liqenit.
“Kapacitetet e sistemit të pastrimit nuk janë sipas numrit të qytetarëve të Podgoricës. Pothuajse e gjithë industria e Malit të Zi nuk ka një sistem pastrimi dhe ndotjet që sjell kjo industri vazhdojnë të ndikojnë në ujërat e Liqenit të Shkodrës. Nga monitorimi i ujërave të liqenit kemi gjetur disa elemente kimike dhe pesticide, por deri tani nuk kemi të dhëna të mjaftueshme për të përcaktuar nëse Liqeni i Shkodrës ka apo jo një status negativ përsa i përket ndotjes”, thotë zonja Sukoviç.
Edhe veprimtaria në pjesën shqiptare të Liqenit të Shkodrës vazhdon të krijojë ndotje. Qyteti i Shkodrës, fshati turistik i Zogajve, por edhe zona e Malësisë së Madhe i derdhin ujërat e zeza në brigjet e liqenit. E vetmja zonë, që përpunon ujërat e zeza përpara se t’i shkarkojë në liqen, është fshati turistik i Shirokës, Kjo situatë ka reflektuar edhe në nivelin e ndotjes së ujërave të liqenit.
“Liqeni i Shkodrës, po të shikoni edhe në pjesën e bregut, ka një zhvillim të pjesës së makrofiteve, të bimësisë të pakontrolluar dhe kjo tregon se ka ndikim nga këta ndotës, që neve kemi gjetur në sedimentet”, thotë Julian Shehu, nga Universiteti i Tiranës.
Ekspertët e mjedisit nga Shqipëria dhe Mali Zi pohojnë se është i nevojshëm monitorimi i vazhdueshëm i situatës së ndotjes dhe ndërprerja e mëtejshme e ndotjes së ujërave të Liqenit të Shkodrës, për të ruajtur vlerat e biodiversitetit të kësaj pasurie të përbashkët natyrore dhe për të garantuar përcjelljen e tyre tek brezat në vazhdim.
Komentet