Ekspertë dhe aktivistë për çështjet e emigracionit thonë se një marrëveshje mes Italisë dhe Shqipërisë për strehimin e mijëra emigrantëve në shtetin ballkanik, ndërsa shqyrtohen kërkesat e tyre për azil, reflekton një tendence shqetësuese të vendeve të Bashkimit Evropian që kërkojnë të gjejnë një zgjidhje përtej kufijve të bllokut.
Ende nuk dihen detaje të sakta të marrëveshjes së njoftuar të hënën gjatë vizitës së kryemistrit të Shqipërisë, Edi Rama, në Romë. Ekspertët thonë se kjo ngjason me manovrën e Danimarkës për strehimin e emigrantëve në Afrikë që më vonë u pezullua. Bashkimi Evropian ka kërkuar detaje të marrëveshjes.
Komisioni Evropian, i cili mbikëqyr zbatimin e ligjeve të Bashkimit Evropian, sugjeroi se marrëveshja mund të rezultojë problematike nëse Italia i dërgon migrantët e gjetur në ujërat territoriale të BE-së në një vend jo anëtar të BE-së. Sidoqoftë, KE la një mundësi të hapur për zbatimin e marrëveshjes për migrantët e kapur në ujërat ndërkombëtare.
“Për një anije brenda territorit, duhet të zbatohen rekomandimet e procedurës së azilit”, tha për gazetarët në Bruksel zëdhënësja e Komisionit Evropian, Anitta Hipper.
Kjo nënkupton se kushdo që kapet në ujërat që i përkasin një vendi anëtar të BE-së do të ketë të drejtën të kërkojë azil atje, dhe jo të transferohet në një vend të tretë.
Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, vend i cili synon të anëtarësohet në BE, thanë se kanë rënë dakord që të strehojnë përkohësisht në Shqipëri mijëra migrantë që kërkojnë azil në Itali.
Në bazë të marrëveshjes, nëse Italia refuzon kërkesat për azil, Shqipëria më pas do t’i dëbojë migrantët. Fëmijët dhe gratë shtatzëna do të përjashtohen nga marrëveshja.
Italia do të financojë për ndërtimin e dy qendrave në Shqipëri, të cilat mund të mbajnë deri në 3,000 migrantë në të njëjtën kohë, ose deri në 36,000 në vit, duke patur parasysh periudhën e shpejtë 28-ditore të aplikimit për azil. Shqipëria do të ofrojë masat e sigurisë në qendrat përkatëse nën juridiksionin italian.
Kryeministrja Meloni ka ndërmarrë hapa në përpjekje për të frenuar numrin e migrantëve që shkojnë në Itali, një rritje prej 65% krahasuar me një vit më parë. Marrëveshja me Tunizinë e ndërmjetësuar nga BE-ja dështoi.
“Kjo është pjesë e një tendence më të gjerë për të eksportuar politikat e migracionit”, thotë Camille Le Coz me Institutin e Politikave të Migracionit në Evropë.
Ajo vuri në dukje se Danimarka dhe Britania, që u përpoqën të zhvendosnin disa azilkërkues në Ruandë përpara se të ndërhynte një gjykatë apeli, deri më tani nuk kanë arritur të zbatojnë masa të ngjashme.
“Në praktikë, është një politikë që është paksa për konsum mediatik dhe zor se mund të zbatohet”, tha zonja Le Coz.
Dy vite më parë ligjvënësit danezë votuan në favor të krijimit të një qendre pritjeje refugjatësh në një vend tjetër, me gjasa në Afrikë. Por ideja u kritikua se minon bashkëpunimin ndërkombëtar dhe që atëherë është pezulluar. Britania bëri një marrëveshje të ngjashme me Ruandën, e cila po shqyrtohet nga Gjykata e Lartë e Mbretërisë së Bashkuar.
Ekspertët thonë se propozimi i Italisë bie ndesh me çështjet ligjore dhe juridike.
Për shembull, migrantët e shpëtuar në det nga një anije italiane “janë teknikisht në territorin italian”, tha Giorgia Linardi, zëdhënëse e grupit jofitimprurës të shpëtimit në det Sea-watch.
Nëse ata më pas dërgohen në Shqipëri, thotë ajo, kjo bie ndesh me ligjin ndërkombëtar por edhe me ligjin evropian.
Marrëveshja, siç është përshkruar deri më tani, nuk trajton se si Shqipëria do të realizojë kthimin e migrantëve në vendet e origjinës, diçka që Italia ka vështirësi ta bëjë.
“Jemi jashtëzakonisht të shqetësuar, sepse njerëzit që shpëtohen nga anijet ushtarake dhe dërgohen në Shqipëri rrezikojnë dëbimin de facto”, tha Mattia Ferrari, me shoqatën e bamirësisë “Mediterranea Saving Humans”.
“Dëbimi rrezikon të shkelë normat ndërkombëtare, por mbi të gjitha lëndon humanizmin”.
Komiteti Ndërkombëtar i Shpëtimit (IRC) thotë se marrëveshja “i jep një goditje të mëtejshme parimit të solidaritetit të BE-së”, duke theksuar se mbyllja e kufijve nuk do të pengonte migrimin.
“Është koha për të zhvendosur vëmendjen nga kufijtë tek mirëseardhja”, tha Susanna Zanfrini, përfaqësuese e IRC në Itali. “Mbyllja e kufijve nuk do t’i pengojë njerëzit të kërkojnë siguri; përkundrazi mund t’i detyrojë ata të marrin rrugë edhe më të rrezikshme”.