Pajtimi në rajon pas luftërave të fundit në Ballkan, kontributi i politikanëve në këtë proces, dhe potenciali i shoqërisë civile për trasimin e themeleve të procesit të pajtimit, kanë qenë temat e diskutimit në debatin e organizuar ditën e hënë në Prishtinë, nga koalicioni për KOMRA, (Komision rajonal për vërtetimin e fakteve mbi krimet e luftës dhe shkeljet tjera të rënda të të drejtave të njeriut të kryera në ish-Jugosllavi që nga 1 janari 1991 deri më 31 dhjetor të vitit 2001).
Zharko Puhovski, profesor në Fakultetin Filozofik të Zagrebit, ka theksuar se për një proces pozitiv të pajtimit të popujve në rajon, të cilët ishin përfshirë në luftërat e dekadës së fundit të shekullit të kaluar, duhet pasur parasysh disa teza, që janë themelore për vetëdijësimin e tyre.
Sipas tij, duhet pasur parasysh që luftërat kanë mbaruar, se ekziston vetëdije e mjaftueshme lidhur me atë se çfarë kanë sjellë luftërat, dhe pikëpyetja se si duhet të shpërndahet përgjegjësia për luftën, sepse ajo asnjëherë nuk është 100 për qind vetëm e njërës palë.
Nëse këto teza merren parasysh, sipas profesor Puhovskit, arrihet në përfundim se të gjitha palët, pas luftës, duhet përsëri të ulen bashkë dhe ta vendosin komunikimin, gjë që, siç tha ai, nuk do të thotë se palët menjëherë duhet ta duan njëra tjetrën.
“Ajo që ndodhet ndërmjet luftës dhe pajtimit është normalizimi i durueshëm, gradual dhe i përditshëm. Nëse së pari nuk mund të jetojmë me të tjerët, duhet fillimisht të jemi në gjendje që të jetojmë njëri pranë tjetrit dhe të mos vritemi. Më pas, hap pas hapi”, ka theksuar profesori Puhovski.
Ai ka shtuar se luftërat ndikojnë në homogjenizimin e bashkësive nacionale dhe sipas tij, pajtimi pas luftërave, ka në vete dy elemente kontradiktore: dehomogjenizimin, sepse nuk janë të gjithë të njëjtë brenda një bashkësie, si dhe në anën tjetër, homogjenizimin e bashkësive që kanë qenë në luftë dhe më nuk janë, për takimin e tyre të ndërsjellë.
Ish ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka vlerësuar se çështja e pajtimit ndërmjet bashkësive kombëtare është e ndjeshme, me përmasa sa politike, po aq edhe shoqërore.
“Nëse nga viti 2015 e shohim peizazhin e shteteve të reja të Ballkanit, ne e shohim se edhe Kosova, por edhe vendet tjera kanë bërë një përparim. Por, pajtimi i mirëfilltë, për mendimin tim, është edhe i largët. Ndoshta mund të presim edhe 10 ose 20 vjet që të ndodhë”.
“Në këtë drejtim, për shkak të këtij procesi të papërmbyllur, rajoni edhe më tutje është i brishtë, i pasigurt dhe për mendimin tim, është në një lloj ‘status quo’. Unë po flas për këtë pjesën politike, sepse ky peizazh politik ndikon padyshim edhe në pajtimin, si proces”, tha Hoxhaj.
Petar Miletiq, ish deputet serb i Kuvendit të Kosovës, i është qasur çështjes së procesit të pajtimit, duke u bazuar në momentin aktual politik apo siç e ka quajtur ai procesi i Brukselit.
Sipas tij, marrëveshjet që kanë dalë nga dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, janë në funksion të normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.
Por, megjithatë, ai ka theksuar se ndikimi i Beogradit zyrtar në serbët e Kosovës është jashtëzakonisht i madh dhe Beogradi është përgjegjës në masë të madhe për gjendjen, siç ka thënë ai, jo të kënaqshme të serbëve të Kosovës në shoqërinë e këtij vendi.
Miletiq ka theksuar se bashkësia ndërkombëtare ka gabuar që ka futur Kosovën në dialog me Serbinë. Sipas tij, ky dialog është dashur të ndodhë ndërmjet përfaqësuesve të Qeverisë së Kosovës dhe përfaqësuesve autokton të serbëve të Kosovës.
“Dialogu në Bruksel dhe dialogu ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës apo ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, nuk është dialog ndërmjet dy shoqërive. Ky është dialog ndërmjet dy qeverive. Ai dialog nuk lëshohet në terren. Kjo nuk ka të bëjë me pajtimin e Kosovës dhe Serbisë. Këtu po flasim për pajtimin e serbëve dhe shqiptarëve”.
“Ky proces, nuk po shkon në këtë drejtim. Pra, nuk ka dialog ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve, po ka dialog ndërmjet Vuçiqit dhe Mustafës ose para kësaj, ndërmjet Daçiqit dhe Thaçit. Pra, në vend se marrëveshjet Brukselit të kontribuojnë për pajtimin, ato po na largojnë”, tha Miletiq.
Ardian Arifaj, këshilltar i ministrit të Punëve të Jashtme në Qeverinë e Kosovës, Hashim Thaçi, ka theksuar se politikanët mund të bëjnë gjeste simbolike për të kontribuar në thyerjen e akullit ndërmjet popujve, në mënyrë që të fillojë dialogu ndërmjet tyre dhe përmes normalizimit të arrihet deri te pajtimi.
Në këtë kuadër është edhe dialogu i Kosovës me Serbinë.
“Edhe këta hapa të politikës, nuk po sjellin një pajtim të mirëfilltë. Kjo përsëri më kthen te nevoja për të ndryshuar narrativin, te nevoja për një dialog në mes të shoqërive. Por, e para, duhet një dialog i sinqertë me vetveten, që të shohim se cila ka qenë pjesa jonë e përgjegjësisë, e pastaj të shohim se cili është roli jonë në pajtim dhe më pas dialogu me të tjerët”, tha Arifaj.
Në debatin e organizuar nga koalicioni për KOMRA, janë publikuar edhe qëndrimet dhe deklaratat e disa prej politikanëve të vendeve të rajonit, të shprehura gjatë këtij viti dhe vitit të kaluar, lidhur me çështjen e pajtimit, por edhe një përmbledhje me mendimet e shprehura lidhur me procesin e pajtimit, të pjesëtarëve të shoqërisë civile, intelektualëve dhe komunitetit akademik, por edhe të viktimave të luftërave.
Komentet