Instituti i Studimeve Politike në një analizë të precedentit “Meta”, një president i zgjedhur që s’ka bërë akoma betimin dhe është futur në konflikt me përfaqësuesit politikë që e zgjodhën në Prill, jep mundësitë kushtetuese se si zgjedhja e tij mund të bllokohet më 24 Korrik.
Sipas kësaj analize teorikisht mund të ndodhë bojkoti i Kuvendit nga PD dhe PS dhe seanca plenare e thirrur për betimin e Metës dështon duke e bërë jo-legjitime zgjedhjen e tij si president. Në këtë rast parlamenti i ri në Shtator nis procedurat për zgjedhjen e një presidenti të ri.
DEBATI MBI MANDATIN DHE LEGJITIMITETIN
Zgjedhja e zotit Meta President është legjitime, është në përputhje me Kushtetutën dhe formalisht është tregues cilësor i maturisë politike. Interesant është fakti se 45 ditë pas zgjedhjes më shumë vlerësuese dhe mbështetëse e legjitimitetit të tij nuk janë ata që e zgjodhën (PS), por ata që e bojkotuan (PD). Interesat elektorale dhe sidomos lidhjet informale personale midis aktorëve politikë të djeshëm e të sotëm, kanë bërë që raportet të përmbysen dhe tashmë mazhoranca e majtë të vendosë në dilemë nëse Presidenti i ri është zgjidhje apo një problem, zgjidhje apo një pengesë, arsye maturimi apo denigrimi të sistemit përfaqësues.
Mbi këtë bazë janë rritur zërat “e penduar” dhe me siguri, nëse votimi i datës 28 prill do të përsëritej, numri i votave mbështetëse do të ishte shumëfish më i vogël sesa votat e marra apo votat e nevojshme.
Interesant është fakti se elitat politike diskutojnë, kryesisht përmes replikave në mitingje dhe rrjete sociale, por në tërësi ata dëshmojnë se nuk e kanë lexuar Kushtetutën dhe nuk janë në gjendje të ofrojnë zgjidhje kushtetuese të qëndrueshme dhe afatgjatë. Në rastin konkret, Kushtetuta e Shqipërisë ka një “kurth” ligjor, i cili lehtësisht mund të krijojë bazë për një krizë ose zgjidhje të re politike.
BETIMI I PRESIDENTIT TË ZGJEDHUR DHE MARRJA E DETYRËS
Kushtetuta, neni 88, pika 3, përcakton se “Presidenti fillon ne detyre pasi bën betimin para Kuvendit, por jo me pare se te ketë mbaruar mandati i Presidentit qe largohet”. Kjo do të thotë se Presidenti në detyrë ushtron kompetencat e tij deri me 24.07.2017 dhe se midis datës 24 maj dhe 24 korrik 2017 do të kemi një President në detyrë dhe një President të zgjedhur. Kryerja e ceremonisë së betimit merr vlerë të veçantë në zgjedhjet 2017. Sipas Kushtetutës betimi është parakusht për marrjen e detyrës, dhe betimi kryhet para Kuvendit.
Normat kushtetuese përcaktojnë se parlamenti i vjetër (ai aktual 2013-2017) vijon të jetë legjitim deri në shtator 2017, ndaj me 24 korrik 2017 do të duhet të thirret parlamenti i shpërndarë për kryerjen e ceremonisë së betimit të Presidentit.
Sipas nenit 74 të Kushtetutës, “Kuvendi mblidhet në sesion të jashtëzakonshëm, kur kërkohet nga Presidenti i Republikës, nga Kryeministri ose nga një e pesta e të gjithë deputetëve”. Më 24.07.2017 Kuvendi duhet thirrur në seancë të jashtëzakonshme për betimin e Presidentit. Thirrja e tij teknikisht mund të realizohet.
SKENARI I BLLOKIMIT TË ZGJEDHJES SË PRESIDENTIT
Kushtetuta e RSH, duke e lidhur betimin me marrjen e detyrës, e lë këtë të fundit në varësi nga hapi i parë, betimi. Nëse nuk ka betim, nuk ka President. Pra, një praktikë procedurale rutinë, siç është betimi, do të ndryshonte të gjithë sjelljen institucionale, përfshirë edhe mandatin e Presidentit të ri. E njëjta praktikë ndodh me ministrat: ata e marrin detyrën vetëm kur betohen, jo kur zgjidhen në parlament. Nëse nuk betohen, nuk marrin detyrën. E njëjta logjikë përsëritet edhe tek Presidenti.
Konkretisht, nëse seanca thirret dhe Presidenti betohet, Shqipëria do të ketë z.Meta si President të ri gjatë 5 viteve të ardhshme. Nëse seanca nuk arrin dot të zhvillohet (nuk arrihet dot kuorumi i nevojshëm i deputetëve prezent në sallë) atëherë nuk ka seancë të re, por e gjithë praktika e zgjedhjes së Presidentit bëhet NUL dhe Shqipëria mbetet pa President të zgjedhur/betuar. Në këtë rast, zoti Meta do të ankimohej në Gjykatën Kushtetuese, por ndërkohë, parlamenti i ri në shtator do të zgjidhte me procedurë nga a para, Presidentin e ri të Republikës.
Gjatë periudhës korrik – shtator zoti Meta, me cilësinë e ish kryetarit të Kuvendit, do të ushtronte formalisht funksionet e kryetarit të shtetit, me kompetenca të kufizuara dhe vetëm me akte protokollare. Madje, në raste të njëjta në disa vende evropiane, përfshirë në rajon dhe në praktikën shqiptare midis datës 4-8 prill 1992 apo 23-24 korrik 1997 ushtruesi i detyrës së Presidentit nuk shkon në zyrën e Presidentit, por e ushtron atë nga zyra e tij, në Kuvend.
por në shtator, ai nuk do jetë deputet (nuk kandidon në zgjedhje), nuk do ishte President (sepse nuk ka arritur të bëjë betimin), si dhe nuk do ishte kryetar kuvendi. Në këto rrethana parlamenti i ri, me marrëveshje tjetër midis PS e PD ose me votat e 71 deputetëve do të mund të inicionte edhe njëherë procedurën e zgjedhjes nga e para të Presidentit të Ri të Republikës.
DEPUTETËT PRO DHE KUNDËR BOJKOTIT TË BETIMIT PRESIDENCIAL
Cilët deputetë/cilat palë mund ta përdorin “bojkotin” e seancës së datës 24 korrik dhe pamundësojnë marrjen e detyrës nga Presidenti i ri?
Teorikisht janë disa grupime/skenarë:
Deputetët e PS nuk kanë qenë dhe nuk janë entuziastë për zgjedhjen e Metës President, ndaj do të kishin arsye të mjaftueshme për të kryer një akt hakmarrës politik, duke e mënjanuar atë përfundimisht nga marrja e këtij posti.
Deputetët e PD në tërësinë e tyre (pavarësisht deklaratave mbështetëse të zotit Berisha ndaj zotit Meta), do ta kishin të vështirë të merrnin pjesë në një seancë të betimit të metës si President, nëse në sallë mungojnë ata që e kanë zgjedhur, socialistët.
Deputetët e LIBRA kanë votuar kundër tij dhe nuk do të kishin arsye të ndryshonin qëndrim.
Deputetët e pakënaqur në PS dhe PD (të përjashtuar nga lisat e ri-kandidimit) do ta përdornin këtë situatë për tu hakmarrë ndaj liderëve të tyre politikë, dhe me siguri, dy palët nuk do të kishin interes që hakmarrja e tyre do të çonte zotin Meta në presidencë, por përmes një krize të re politike do ta kishin më të lehtë të artikulonin dështimet e sistemit politik dhe të marrëveshjes së fshehtë të 17 majit 2017.
Të vetmit deputetë 100% mbështetës të zotit Meta (prezent në seancë në çdo rast) mund të ishin deputetët e LSI (minus dy emra, një që ka kaluar me PS dhe një që ka ndërruar jetë), si dhe disa nga deputetët e PDIU, propozues me firmë të zotit Meta.
ZGJIDHJA AFATSHKURTËR DHE AFATGJATË
Zgjidhja ideale do të kishte qenë aplikimi I zgjedhjes së Presidentit direkt nga qytetarët. Në këtë rast betimi nuk bëhet në parlament, por përpara Gjykatës Kushtetuese ose Kryetarit të saj. Presidenti do të kishte mbështetje publike dhe sjellja e tij do të përkthehej me votë pro apo kundër.Zgjidhja optimale afatshkurtër është sensi i përgjegjësisë nga të gjitha palët, – presidenti të sillet si President dhe jo si militant I një partie dhe kontestues I sistemit politik që vetë ai drejton, – mazhoranca të pranojë çmimin e gabimit për shkak të konjukturave elektorale dhe tezën se nuk mund ti marrë të gjitha pushtetet nën kontroll, – opozita të sillet si opozitë e qeverisë ku bëjnë pjesë kryeministri dhe presidenti I zgjedhur.
Zgjidhje tjetër optimale është edhe korrektimi i marrëveshjes së 28 prillit, secila palë të marrë atë që realisht kërkon: PS të heqë dorë nga mbështetja për Presidentin e zgjedhur dhe me bojkot me 24 korrik ta pamundësojë marrjen e detyrës prej tij, – Presidenti I zgjedhur të rikthehet në partinë e tij dhe të punojë për të kandiduar për kryeministër në zgjedhjet e ardhshme, opozita të pranojë në një raund të ri bisedimesh ofertën e paketës McAllister për një kandidaturë presidenciale konsensuale.
Mbi të gjitha, edhe në këtë rast, zgjidhja kërkon një parakusht: kërkon politikanë vizionarë, të aftë të marrin vendime të vështira, dhe mbi të gjitha, kërkon seriozitet, integritet, transparencë dhe sens përgjegjësie, pasi le të mos harrojmë për asnjë sekondë, minutë e orë se nuk bëhet fjalë për një vend pune, por për simbolin e shtetit, Presidentin e Republikës, imazhin dhe kryetarin e shtetit në pesë vitet e ardhshme.
Komentet