Pas hulumtimit për pronësinë e Klan Kosova shpk, www.kosovanews.net ka vazhduar me hulumtimin e një kompanie tjetër që lidhet me vëllezërit Devolli.
Kompania ArtMotion, e cila rrufeshëm gllabëroi rrjetin kabllor të internetit dhe të përmbajtjeve televizive, në veçanti ato sportive, duke e monopolizuar tregun tashmë në gjithë Kosovën.
Art Motion Sh.P.K, kompani që mendohej të jetë në pronësi të vëllezërve Devolli, pas hulumtimit të KosovaNews, e vërteta në bazë të fakteve dhe dokumenteve del të jetë krejt ndryshe, në fakt është SHOKUESE.
Në qindra faqe dokumente të nxjerra në institucionet e Republikës së Kosovë dhe të Maqedonisë Veriore, pronësia e Art Motion Sh.P.K është gjithashtu e ndërlikuar dhe me pronar fiktiv.
Në bazë të hulumtimit që kemi bërë, të dhënat për pronarët duket se janë bërë me qëllim të koklavitura, për të mos u kuptuar, por pasi zbulojmë pronësinë e vërtetë të dhënat e pronarit të vërtetë dalin të jenë skandaloze.
Sipas të dhënave të ARBK-së, kompania që e ka në pronësi Art Motion SH.P.K është një kompani tjetër e regjistruar në Kosovë, pra AM Invest Group SH.P.K, ndërsa pronare e kësaj kompanie është një tjetër kompani “am invest group holding” dooel. Në webfaqen e ARBK-së, përveç emrit, nuk ka asnjë të dhënë se prej nga është kjo kompani, pra nuk dihen shteti, adresa, pronari etj. dhe pikërisht këtu edhe “fle lepuri”.
Kosovanews ka zbuluar se kjo kompani është e regjistruar në Maqedoninë Veriore. Në bazë të fletëregjistrimit që e kemi nxjerrë nga Regjistri Qendror i Bizneseve në Maqedoninë e Veriut, kompania “am invest group holding” dooel është e regjistruar si kompani hollding, me pronar me pasaportë të Serbisë dhe ku paraqitet si investim i huaj nga SERBIA! Po, po, nga Serbia dhe si pronar i vetëm figuron te jetë z. Valon Shala, me adresë të vendbanimit: “Ul. Leke Dukadjini br 33-1 Peç, Država: Srbija”, pra e përkthyer në shqip: “Rruga: Lekë Dukagjini nr.33-1, Shteti: Serbia”.
Ndërsa në Kosovë, sipas të dhënave publike në webfaqen e ARBK-së, si drejtor i ArtMotion figuron z. Valon Shala, edhe pse në bazë të dokumenteve që kemi siguruar ne, por edhe në webfaqen e Art Motion, LinkedIn drejtor është z. Kushtrim Gojani, i cili në bazë të hulumtimit të kaluar që ka bërë KosovaNews është pronar i vërtetë i kompanisë që e ka në pronësi Klan Kosova shpk.
Por, si dhe pse kaloi pronësia e kompanisë Art Motion nga Kosova në Maqedoni, ku u regjistrua në pronësi me dokumente të Serbisë?
Sipas historiatit të pronësisë së “ArtMotion”, të siguruar nga KosovaNews përmes qasjes në dokumente publike, ArtMotion kishte qenë një operator kabllor lokal dhe ishte e regjistruar në ARBK në vitin 2002 si Biznes Individual, me pronar z. Muharrem Hajredini. Më datë 03.07.2017, “ArtMotion” BI blihet nga kompania “AM Invest Group” shpk (NRB: 71356337), ku sipas të dhënave drejtor është z. Valon Shala nga Peja.
Më dt. 05 korrik 2017, komfor një kontrate për dhurim të aksioneve, z. Valon Shala nga Peja, 100% të aksioneve të “ArtMotion” shpk ia dhuron shoqërisë kosovare “AM Invest Group” shpk (NRB: 71356337), tek e cila ai është drejtor, gjithashtu.
Paraprakisht, më 26 janar 2017, z. Valon Shala kishte themeluar në Maqedoninë Veriore në Shkup një sh.p.k -njëanëtarëshe “AM Invest Holding” DOOEL. Në fletëregjistrimin, të cilin e ka nxjerre KosovaNews nga Regjistri Qendror i Bizneseve të Maqedonisë së Veriut, thuhet se ky është një investim i huaj, kurse adresa e themeluesit dhe pronarit figuron: “Ul. Leke Dukagini br.33/1, Pec, Srbia (?!)” Kurse, email-adresa për kontakt e pronarit, në shikim të parë duket si Euro-Lab (që lidhet me homologimin në Kosovë), por që domeni i këtij emaili te drejton te një firmë gjermane, me pronarë turq.
Më datë 01 shkurt 2017, Valon Shala, pronar i vetëm i kompanisë së regjistruar në Maqedoninë e Veriut “AM Invest Holding” DOOEL, paraqet në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve në Kosovë vendimin për themelimin e një shoqërie në Kosovë – “AM Invest Group” shpk, me seli në Prishtinë. Njëherësh pranon që vetë si individ të jetë drejtor dhe agjent i regjistruar i kësaj shoqërie në Kosovë. Pra, siç e thamë më lart, z. Valon Shala më pastaj më datë 05 korrik 2017, 100% të aksioneve të “ArtMotion” shpk ia dhuron shoqërisë kosovare “AM Invest Group” shpk, e cila është në pronësi të shoqërisë maqedonase “AM Invest Holding” DOOEL.
Praktikat ligjore pranë ARBK i ka kryer një avokate e shoqërisë së avokatëve “SCLR Partners”, që i kishte ndjekur praktikat e regjistrimit edhe për Klan Kosova shpk, kur pronësia kishte kaluar nga një shoqëri maqedonase e regjistruar me dokumente të Serbisë në British Virgin Islands, një shoqëri që menaxhohej nga një avokat grek nga Qipro Marinos Stylianides, e që i njëjti ua menaxhonte kompanitë e Braça Kariçëve të Pejës dhe familjes së diktatorit Llukashenko të Bjellorusisë.
Të gjitha këto dokumente janë pranuar edhe në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve në Republikën e Kosovës. Pra, certifikata e pronësisë, e nxjerrë nga Regjistri Qendror i Maqedonisë Veriore, e kompanisë “AM Invest Holding” DOOEL, me pronar z. Valon Shala , kompani e cila aktualisht e ka në pronësi kompaninë Art Motion, e ku të dhënat e pronarit figurojnë se është shtetas i Serbisë, me adresë “Peç, Serbia”. Pranimi i këtyre dokumenteve në institucionet e Republikës së Kosovës shkel haptas Kushtetutën dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës.
Për të gjitha këto gjetje ne i kemi dërguar pyetje u.d. të kryeshefes së ARBK-së, znj. Pranvera Prestreshi, e pyetur se në bazë të cilit ligj, cilit nen të ligjeve të Republikës së Kosovës janë pranuar këto dokumente në ARBK? Kush janë zyrtarët që janë të përfshirë në këtë skandal, ku janë shkelur Kushtetuta dhe ligjet e Republikës së Kosovës.
Ashtu si në rastin e Klan Kosovës, në përgjigjen e dhënë më 12 qershor për KosovaNews, znj. Prestreshi thotë: “Pyetjet e juaja drejtuar ndaj zyrtarëve të ARBK-së tejkalojnë kompetencat e mija për të dhënë mendime lidhur me legjitimitetin e dokumenteve personale të individëve të caktuar. Personat e apostrofuar nga ana e juaj kur kanë aplikuar për regjistrim të biznesit në ARBK janë paraqitur si person juridik, i cili ka pasur regjistrim në një shtet tjetër dhe i cili shtet ka legjislacionin e vet për regjistrim, andaj me siguri dokumentacioni i tyre personal për atë shtet ka qenë valid (meqë është bërë një regjistrim i tillë)”.
Por kush është në fakt pronari i provajderit më të madh në Kosovë, ArtMotion?
Ashtu si në rastin e “Klan Kosovës”, në qindra faqe materiale të siguruara dhe të nxjerra nga institucionet e Kosovës dhe të Maqedonisë Veriore, çuditërisht askund nuk figuron emri i biznesmenit Shkëlqim Devolli, edhe pse i gjithë opinioni e di që kjo kompani është blerë nga Devollët që nga viti 2017. Në bazë të të dhënave zyrtare, pronari “me letra” i ART Motion është z. Valon Shala nga Peja. Sipas burimeve të KosovaNews, z. Shala punon si menaxher i marketingut dhe shef i distributoreve në Princ Caffe, edhe kjo kompani po supozojmë që është në pronësi të Devollëve… Në bazë të të dhënave dhe adresave që ka prezantuar z. Shala në ARBK, ne kemi tentuar të kontaktojmë disa herë me të, mirëpo kontakti ka qenë i pamundur.
Sipas të dhënave në Linkedin , ky është profili i Valon Shalës edhe këtu i mungon fotografia…ndërsa kosovanews i ka bërë një printcreen profilit të tij në facebook javë ndërsa sot profili i tij në fb rezulton i mbyllur…
Art Motion i Kosovës apo…?
KosovaNews ka hulumtuar më në detaje përmbajtjen e programacionit të operatorit kabllor ArtMotion dhe ajo që e kemi vërejtur është se një pjesë e përmbajtjeve sportive në programacionin e tyre sportiv emitohet vetëm në gjuhën serbe. Pse?
Kjo përmbajtje sportive, përkatësisht e drejta për ritransmetim, gjykuar sipas logos që del gjatë ndeshjeve dhe reklamave që shfaqen në pauza, tregon se kjo përmbajtje televizive blihet nga ArenaSport DOO.
ArenaSport është një kompani serbe, 100% në pronësi të ndërmarrjes shtetërore – Telekom Serbia AD.
Kanalet e ArenaSport, bashkë me disa kanale televizive të tjera serbe, si: RTS, TV Pink, Happy TV, etj. emitohen, përveç nga vetë ArtMotion, edhe nga operatorët e tjerë kabllorë në Kosovë.
A mund të jetë kjo “arsyeja”- pra, mundësia për blerje te subvencionuar të kontentit televiziv nga ArenaSport e Telekom Serbia që pronarja e ArtMotion, të jetë e regjistruar në Maqedoni të Veriut, si investim i huaj nga Serbia dhe me adresa të llojit “Peç, Srbija”?
Pra, Arena Sport, e cila është pjesë e Telekom Serbia, ia jep të drejtat e transmetimit të ndeshjeve sportive, por edhe të programacioneve e tjera kompanisë ‘serbe’ në Maqedoni, duke e llogaritur si operator lokal të Serbisë, kjo pasi që pronarja e ArtMotion në Maqedoni është e regjistruar si investim i huaj nga Serbia dhe me dokumente të Serbisë.
Në këto përmbajtje televizive, në veçanti në RTS, Pink, HappyTV, etj. vazhdimisht propagandohet kundër Kosovës.Vitin e kaluar, me kërkesë të autoriteteve kosovare, këta operatorë i kanë hequr kanalet ruse, si Sputnik, Russia Today etj.
Skandal: Edhe përkundër sanksioneve që i janë vendosur Rusisë, Art Motion në Kosovë transmeton edhe ligat e Federatës Ruse të Futbollit
Më 26 shkurt 2022 pas fillimit të luftës në Ukrainë edhe Kosova iu bashkua shtetëve perëndimore për sanksione ndaj Rusisë. Kështu në këto sanksione janë të përfshirë edhe kanalet televizive ruse.
Një vendim të tillë më 26 shkurt 2022 e kishte marrë edhe Komisioni i Pavarur për Media ku kishte urdhëruar të gjithë operatorët e shpërndarjes në Kosovë që t’i largojnë kanalet me origjinë nga federata ruse me qëllim të parandalimit të propagandës dhe mbrojtjes së sigurisë publike në Republikën e Kosovës.
KosovaNews ka përcjellë dhe analizuar kanalet sportive që transmetohen në platformën Art Motion, përveç ligave të Serbisë aty transmetohen edhe ligat e Federatës Ruse të futbollit.
Russian Premier League është ndaluar së transmetuari në shumicën e shteteve perëndimore, ndërsa në Serbi vazhdon të shfaqet nëpërmes platformës Arena Sport (pronë e Telekom Srbija). Në Kosovë Superliga ruse dhe plot liga të tjera shfaqen në gjuhën serbe falë bashkëpunimit të ngushtë që ka kompania Art Motion dhe Arena Sport. Kjo gjë bie ndesh edhe me sanksionet qe ka vendosur shteti i Kosovës ndaj shtetit te Rusisë, pasi që gjatë transmetimit të ndeshjeve të superligës ruse të futbollit, shfaqen mesazhe pro pushtimit rus në Ukrainë dhe shpesh edhe mesazhe pro Serbisë dhe kundër Kosovës.
Për më tepër, kemi liga sikur ajo e Italisë që Art Motion në Kosovë e bën vetëm në gjuhën serbe. Ndërsa, të drejtën për transmetim të Serie A në shqip për Kosovë dhe Shqipëri e kanë kompania Oversport dhe Tring Albania. Pra, si duket, transmetimi i këtyre ligave bëhet për arsye që as Uefa dhe Fifa nuk mund t’ia ndalojnë, duke qenë se UEFA dhe FIFA i njeh të dyja shtetet, Kosovën dhe Serbinë.
KosovaNews e ka siguruar një dokument të brendshëm të kompanisë Art Motion të datës 05.11.2020, me numër protokolli 762/2020. Shkresa e autorizonte z. Llazar Alleksiq, një shtetas serb, me vendbanim në Beograd, Serbi, që i njëjti në emër e në llogari të Art Motion të bënte raportime, largime të videove, e aktivitete tjera kundër-piraterike. Sipas burimeve tona, z. Alleksiç është me origjinë nga zona e Rashkës, në Serbi, në afërsi të kufirit verior të shtetit tonë.
Z. Alleksiç nga Beogradi, Serbi, punon për shoqërinë “Adria Media Group” DOO, një konglomerat i kompanive serbe me shtrirje në rajon, që operojnë në fushën e medias dhe plasimit të kontentit në pronë të Igor Zhezhel (Igor Žeželj).
Referuar mediave opozitare në Serbi, z. Igor Zhezhel është pronar i gazetës “Kurir”, portalit “Modo”, media këto të cilat propagandojnë për Vuqiçin. Igor Zhezhel gjithashtu është i lidhur me Telekom Serbia dhe qeveritarin serb Sinisha Malli, njëri ndër personat më të afërm të Vuqiqit. Përmes tij dhe bizneseve të tij, kjo ndërmarrje shtetërore serbe i ka blerë operatorët kabllorë Kopernikus, Radius Vektor dhe AVcom në Serbi.
Pas gjithë këtyre gjetjeve, ne i kemi dërguar pyetje drejtorit (CEO) i ArtMotion, Kushtrim Gojanit, për ta pyetur se kush janë pronarët e ArtMotion shpk dhe kush janë përfituesit e fundit (“end beneficiary”) të kësaj shoqërie?
Kush qëndron prapa shoqërisë maqedonase “AM Invest Holding” DOOEL në Maqedoninë Veriore? Kush është z. Valon Shala, i cili në regjistrin komercial maqedonas figuron si pronar i vetëm i kësaj shoqërie – rrjedhimisht pronar i shoqërisë kosovare “ArtMotion” (nëpërmes shoqërisë tjetër kosovare “AM Invest” shpk)?
Gojanin, gjithashtu, e kemi pyetur edhe në lidhje me përmbajtjet sportive të kanaleve “Arena Sport”, që shfaqen në shërbimin kabllor (në ArtMotion), i cili transmetohet në gjuhën serbe.
Ku i blejnë të drejtat e transmetimit të këtij kontenti?
Ku e blejnë aksesin uplink në internet? Direkt te Telekom Serbia, apo te dega e saj në Kosovë – mts DOO? Kur jemi te kontraktimi me “ArenaSport” DOO, a i kanë kontraktuar këto të drejta me anë të shoqërisë kosovare “ArtMotion shpk, apo asaj maqedonase – “AM Invest Holding” DOOEL?
Por, as pas më shumë se një muaji, që kur e kemi filluar këtë hulumtim, Kushtrim Gojani nuk ka kthyer përgjigje, edhe pse kemi tentuar ta kontaktojmë edhe përmes telefonit. Ai e ka fshirë edhe profilin e tij në Likdin ku figuronte si CEO i Art Motion
Raporte të ndryshme të gazetarisë hulumtuese e kanë akuzuar diktatorin serb Vuqiq se me anë të Telekom Serbia dhe kompanive të saja bija, si: mts, ArenaSport, m-tel Austria etj., po e monopolizon tregun medial jo vetëm në Serbi, por edhe më gjerë, në rajon. Gjithashtu këto raporte akuzojnë Vuçiqin se përmes Telekom Serbia dhe satelitëve të saj po i financon jo vetëm mediat që i kontrollon ai por edhe mediat e rajonit.