Një libër që flet për tragjedinë e Gërdecit më 15 mars 2008, për shkaqet, përgjegjësitë e qeveritarëve shqiptarë dhe amerikanë të përzier në një mega aferë korruptive, si dhe për krimet e pandëshkuara të kësaj afere ka bërë jehonë të veçantë në Shtetet e Bashkuara dhe në Shqipëri. Autori i këtij libri, një gazetar i njohur që ka shkruar për New Jork Times-in dhe Rolling Stone, flet ekskluzivisht për DITA-n rreth këtij libri dhe për pikëpyetjet që vazhdojnë ta mundojnë sërish për çështjen e Gërdecit. Cili është misteri më i madh për autorin lidhur me këtë çështje? Pse ai këmbëngul në dyshimin se Kosta Trebicka është vrarë? Me kë ai i mbante kontaktet në Shtetet e Bashkuara dhe nga kush ndihej i rrezikuar në Shqipëri? Kush janë politikanët më të interesuar në Shqipëri dhe në Shtetet e Bashkuara që tragjedia e Gërdecit të mos zgjidhet kurrë?
Është interesant se pavarësisht këndvështrimit të një gazetari amerikan mbi “pjesën amerikane” të një afere që u pasua nga një tragjedi e krim shtetëror, Guy Lawson nuk kursen fokusimin e tij mbi pasojat shqiptare, dhjetra vdekjet nga shpërthimi i Gërdecit dhe “aksidentin” misterioz të Kosta Trebickës. Po ai nuk kursen gjithashtu dyshimet e forta mbi dijenitë e fshehta të diplomatëve e ushtarakëve amerikanë mbi këtë çështje, që në negociatat fillestare mbi municionet shqiptare e deri në fund. Ku hetimet mbi rastin Trebicka u “vulosën” me një ekspert amerikan, çka synonte të impresiononte dhe mbyllte gojën e opinionit dhe shtypit vendas. Por nuk mungon gjithashtu në këtë intervistë, edhe një apel që Lawson i drejton Erion Veliajt…
– Zoti Lawson, libri juaj “Armët dhe çunat”, i përkthyer tashmë edhe në shqip, ka tërhequr vëmendjen e opinionit publik shqiptar. Tragjedia e Gërdecit mbart shumë pyetje dhe mistere brenda saj. Çfarë mendoni se është misteri më i madh i kësaj tragjedie?
– Unë jam veçanërisht i interesuar në rolin e zyrtarëve amerikanë, si në skandalin AEY, dhe në katastrofën e Gërdecit. Zyrtarë amerikanë, ushtarakë dhe diplomatë, kishin lidhje tejet të ngushta me Ministrinë shqiptare të Mbrojtjes – ata kishin një zyrë brenda ministrisë – dhe në mënyrë të qartë dihet se Fatmir Mediu dhe bashkëpunëtorët e tij kanë përfituar nga shitja e tepricave të municioneve “kineze” gjatë kohës që Shqipëria ishte në rrugën e anëtarësimit në NATO. Por çfarë dinë konkretisht amerikanët? Duket e pabesueshme që ushtria amerikane nuk kishte dijeni në lidhje me operacionin që zhvillohej në Gërdec për demontimin në atë shkallë të municioneve – e cila rezultoi në kaq shumë vdekje.
– Pse Gërdeci është “lënë në mes të rrugës” nga drejtësia shqiptare?
Në qoftë se Shqipëria është duke u bërë me të vërtetë një komb evropian – dhe një anëtar i denjë i NATO-s – ajo duhet të jetë e përgjegjshme dhe të jetë transparente. Kjo kërkon një gjyqësor të pavarur dhe një shtyp të lirë të fortë. Në rastin e Gërdecit, politikanët e përfshirë në atë çështje u votuan për t’i dhënë vetes imunitet. Ky është një turp. Është e kuptueshme që atyre u shkon përshtat t’i lënë të patrazuara çështjet e sikletshme – kjo është ajo që Presidenti Obama ka bërë në shoqërinë amerikane, me shumë krime të luftës në administratën e mëparshme që nuk hetohen, duke përfshirë torturën. Por kjo lloj paqeje vjen me një çmim të madh, jo vetëm për familjet e viktimave. Dështimi për të kuptuar se çfarë ka ndodhur në Gërdec do të thotë se e njëjta gjë do të ndodhë përsëri – dhe përsëri dhe përsëri. Korrupsioni duhet të ekspozohet ose përndryshe ai kurrë nuk do të ketë fund.
– Çfarë e pengon, sipas jush, drejtësinë shqiptare të zbardhë të vërtetën në lidhje me këtë tragjedi?
Mesa duket, duhet të ketë një marrëveshje të heshtur në klasën politike për ta mbyllur këtë çështje – kjo është historia e lashtë e zvarritjes pafundësisht të fantazmave dhe demonëve. Por ky është një përfundim i tmerrshëm. Kur u takova vite më parë me Erion Veliajn, ai më tha se në qoftë se do të ishte ndonjëherë në qeveri, do të përpiqej që Gërdeci dhe vdekja e Kosta Trebickës të hetohen plotësisht dhe siç duhet. Unë e di se ai ishte i përfshirë në fushatën e Kosta Trebickës për të zbuluar korrupsionin në Ministrinë e Mbrojtjes – dhe se ai ishte jashtëzakonisht dyshues në lidhje me rrethanat e vdekjes së Trebickës. Tani që Veliaj është në pushtet, unë i bëj thirrje që të mbajë fjalën.
– A është e implikuar qeveria amerikane, përkatësisht ambasada amerikane në Tiranë, me këtë aferë korruptive?
Unë di që akuzat janë bërë nga zyrtarët amerikanë kundër zyrtarëve të tjerë amerikanë – dhe se ato pretendime nuk janë hetuar plotësisht në Shqipëri, apo Shtetet e Bashkuara. Duket se çështja është konsideruar si shumë e ndjeshme – çka është një padrejtësi ndaj familjes së Kosta Trebickës, viktimave të Gërdecit dhe ndaj popullit shqiptar.
– Miku im Gary Kokalari, ka shkruar vazhdimisht për AEY dhe është i njohur për luftën kundër korrupsionit të zyrtarëve të lartë të qeverisë në Shqipëri. Çfarë mund të na thoni në lidhje me rolin e tij në ekspozimin e skandalit AEY?
– Me sa kuptoj unë, Kokalari ishte nyja e kontaktit të Kosta Trebickës në Shtetet e Bashkuara. Kokalari ka njoftuar Departamentin e Drejtësisë, Pentagonin, Kongresin, si dhe gazetën New York Times për korrupsionin brenda qeverisë shqiptare – por asnjëri prej tyre nuk ishin të interesuar për të ndihmuar popullin shqiptar për t’i dhënë një qeverisje të mirë. Veprimet e Kokalarit shkaktuan një seri ngjarjesh që patën ndikim të rëndësishëm. Ironia është se edhe Kokalari dhe Trebicka janë përpjekur të vënë në dukje korrupsionin në Shqipëri – por asnjëri nga ata nuk shkaktoi ndonjë ndikim atje. Ka pasur në të vërtetë shumë pasoja, por pak ose asnjë nga ata që ishin përgjegjës nuk e ka pësuar, e kam fjalën për njerëz si ish-kryeministri Berisha, apo ministri i Mbrojtjes Mediu.
– Ju përmendni emrat e Fatmir Mediut, Shkëlzen Berishës etj., të implikuar në këtë histori. Po ish-Kryeministri Berisha a është i përzier në këtë korrupsion?
– Unë nuk e di – por djali i tij ishte i përfshirë dhe kjo tregon një ndërhyrje të fortë. Unë mendoj se kjo është një çështje për një hetues të pavarur, me kompetenca reale për të bërë që njerëzit të dëshmojnë nën betim.
– Ju hidhni dyshime se Kosta Trebicka mund të jetë vrarë. Ku i bazoni dyshimet tuaja?
– Kosta Trebicka ishte duke ngarë makinën në një vend të sheshtë, kur makina e tij papritmas është kthyer dhe ai u hodh nja 50 metra larg nga automjeti (?) Trebicka ishte shumë i frikësuar nga banditë shumë të fuqishëm dhe të rrezikshëm shqiptarë – brenda dhe jashtë qeverisë. Ai kishte arsye të forta për të qenë i frikësuar – rrethanat e vdekjes së tij janë jashtëzakonisht të dyshimta.
Pastaj “hetimi” ishte i tmerrshëm, veçanërisht ai i kryer nga zyrtari amerikan për zbatimin e ligjit që u dërgua atje, – unë besoj – , nga një kongresmen amerikan me lidhje të ngushta me ministrin e Mbrojtjes, Mediu. Është kryer një autopsi? Cili ishte shkaku i vdekjes? Këto janë pyetje të thjeshta, por të rëndësishme.
– Libri juaj “Armët dhe Çunat” është një investigim i thelluar në këtë çështje. Mendoni se ai mund të shërbejë si rast për të rihapur hetimet për Gërdecin?
– Unë shpresoj në këtë. Qeveria e Shteteve të Bashkuara ka humbur luftërat në Irak dhe Afganistan, pjesërisht, të paktën, për shkak të një vargu paaftësish, ku futet mënyra që ajo zgjodhi për krijimin ushtrive në ato vende – dhe që përfshinte si Pentagoni fitonte nga armët si ato të “çunave” që i blinin nga Shqipëria. Nuk ka pasur asnjë përgjegjësi për këto dështime – asnjë politikan amerikan, gjeneral apo diplomat nuk është vënë para përgjegjësisë. Në vend të kësaj, një grusht çiliminjsh nga Miami Beach u detyruan të pranojnë fajësinë në gjykatën federale. E njëjta gjë mund të thuhet për Shqipërinë – kishte korrupsion në nivelet më të larta të qeverisë dhe e vetmja pasojë duket se qenka vdekja e një biznesmeni që u përpoq të thoshte të vërtetën, si dhe tragjedia që vrau një grup civilësh shumë fatkeqë në Gërdec. Nëse nuk ka pasoja për udhëheqësit tanë, kur ata dështojnë ose gënjejnë e mashtrojnë – kur të pafajshmit vriten – si mund të presim ndonjëherë se gjërat do të marrin për mirë?
Vdekja e dyshimtë e Trebickës dhe një detaj kalendarik…
Për një ironi të hidhur kalendarike, Kosta Trebicka, biznesmeni i cili denoncoi trafikun e municioneve që shkonin nga Gërdeci në Afganistan, pasi më herët ishte përfshirë vetë në të, u gjet i vdekur në datën 12 shtator 2008, 10 vjet pas vrasjes së Azem Hajdarit. U fol për një aksident automobilistik pranë fshatit Lekas të Korcës, një zonë e thellë malore ku biznesmeni shkonte për gjah. Njoftimet e para folën për qenien i vetëm në makinën e tij Nisan Patrol me targë TR 88 43J, dhe se policia është lajmëruar nga dy punëtorë të cilët kanë parë aksidentin dhe kanë njoftuar. U vendos të ftohej një ekspert amerikan, Kevin Teter, përveç ekspertëve shqiptarë që asistuan në hetime, kjo për hetime “sa më profesionale e të paanshme” për shkak të ndjeshmërisë së çështjes. Si raportet e Mjekësisë Ligjore, edhe analiza e Teterit, e klasifikuan vdekjen e biznesmenit 52 vjeçar si aksident.
Me anën e një raporti përmbledhës, firmosur në datën 23 shtator të atij viti, Teter nuk ka lënë vend për analiza të tjera, duke e klasifikuar ngjarjen si aksident të pastër automobilistik. Amerikani ka sqaruar se ngjarja ishte si pasojë e një gabimi njerëzor, duke ia vënë “fajin” shoferit, i cili ka bërë një kthesë të fortë, që ka sjellë edhe rrotullimin e makinës. Për pasojë, shoferi (Trebicka) ka dalë nga pjesa e hapur e “tavanit” të mjetit duke përfunduar në rrugë. Teter sqaronte gjithashtu se pas kësaj situate, shoferi është shtypur nga makina e tij, duke sjellë edhe vdekjen e pashmangshme./Dita
Komentet