Zbardhet dosja e të penduarit të drejtësisë italiane, i cili rrëfen lidhjet e familjeve mafioze kalabreze me anëtarë të kabinetit të qeverisë shqiptare, si dhe personazheve të politikës. Në dosjen e siguruar nga Rtv Ora, Antonio Gustalegname, në rrëfimin e tij përpara prokurorëve të Antimafias italiane, njeh shqiptarin Roberto Lazaj, lindur në Mëkat të Vlorës, i afërm i Ministrit të Qeverisë shqiptare dhe që siguronte fshehjen e këtyre trafiqeve.
Antonio Gustalegname në rrëfimin e tij përpara prokurorëve të Antimafias italiane, zbardh mes të tjerash dhe aferat e trafikut të drogës mes shqiptarëve e familjeve të mafias kalabreze Ndrangheta.
Gazetarja e RTV Ora ka siguruar dokumenta eskluzive të rrëfimit të gjatë qëndrimit në burgun e Rebbibias në Romë, ku Antonio Guastalegname vuan dënimin me 30 vite burg për vrasje.
Prokurorët e Antimafias italiane i vënë në dispozicion një album me 69 fotografi me ngjyra, pa asnjë referencë të personave të gjinisë mashkullore, ndaj të cilëve ai rrëfen ngjarje e rrethana të aktivitetit të tyre kriminal.
Në fotografinë me numër 17, i penduari Antonio Guastalegname, njeh personin me emër Valerio Navarro.
“Në fotografinë numër 17, është Valerio Navarro, personi mbi të cilin kam folur në procesverbalet e mëparshme. Jam në dijemi mbi narkotrafikun me elementë shqiptarë, e këta të fundit kishin mbështetjen e qeverisë shqiptare, e nëse më kujtohet mirë personi i korruptuar është ose Ministri i Drejtësisë, ose Ministri i Brendshëm, sidoqoftë një personazh politik i rëndësishëm shqiptar. Nëse me kujtohet mirë është kushëri me këtë Taraj.
Këtë gjë e mora vesh kur u takova me Eduard ose Robert, nuk e mbaj mend mirë emrin, gjatë udhëtimit Firenze Bologna, ku më propozoi të tregtoj drejtpërdrejtë unë pa ndërmjetës, drogën e tyre në stadiumet piemonteze. Për të më joshur ai më nënvizoi lehtësinë me të cilën mund të organizonin transportin e barit, me sigurinë e “mbështetjes së qeverisë shqiptare” (shprehja e tij)e më shpjegoi se mund të lëviznim ngarkesa të mëdha, pa iu trembur kontrollit”.
Në fotografinë me numër 38, Guastalegname njeh shqiptarin Roberto Lazaj, lindur në Mëkat të Vlorës i datëlindjes 1972.
Guastgalegname para prokurorëve të Antimafias deklaron:
“Në fotografinë numër 38 njoh shqiptarin që e takova në autostradën Firenze Bologna me drejtim Veriun, Robert ose Alfred nuk më kujtohet mbiemri, por është personi që më shprehu qartë se donte të negocionte me mua për shitjen e barit. Ky është personi që në këtë rast më tha që një pjesë të drogës ta çonim në Bra, tek një bashkëatdhetar i tij.”
Më tej i penduari Antonio Guastalegame thotë:
“Konfirmoj se ky është personi (Robert Lazaj) që iu referova më parë e i afërm i Ministrit të Qeverisë shqiptare e që siguronte fshehjen e këtyre trafiqeve.”
Mes 69 fotografive të shfaqura, bashkëpunëtori i drejtësisë italiane njeh dhe shqiptarët Lulëzim Shkurtaj, Lavdosh Serani e Eduart Tahiraj me të cilët ka pasur të bëjë në aferat e trafikut të marijuanës.
Tahiraj i njohur dhe me emrin Dhimitër Lutaj, është shqiptari i cili i ka sjellë në Asti 50 kg marijuanë.
Antonio Guastalegname, 54 vjeç, është arrestuar në kuadër të megaprocesit të emërtuar “Rinascita Scott”, i cili ka vënë nën hetim mbi 350 persona e përmban rrëfimet e dhjetra bashkëpunëtorëve të drejtësisë.
Këtij megaprocesi i është shtuar ky emër i ri, i cili po bashkëpunon me drejtësinë italiane prej janarit të 2022 e ka bërë rrëfime të rëndësishme mbi Shqipërinë.
Komentet